GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Hija e Soros pas prokurorit anti-Trump: çfarë zbulojnë donacionet

Manjati hungarez mohon lidhjet me Alvin Bragg, njeriun që ka akuzuar Trump. Megjithatë, disa fonde të ardhura për fushatën elektorale i atribuohen manjatit. Çfarë thonë shifrat

“Nuk e kam financuar dhe nuk e njoh”. George Soros, super financuesi i kauzave liberal- progresiste në të gjithë botën, ka mohuar kategorikisht se e njeh Alvin Bragg, prokurorin e qarkut të Manhattan-it, që ka punuar për të inkriminuar Donald Trumpin. Refuzimi i çdo lidhjeje vjen nga një shkëmbim mesazhesh midis manjatit me origjinë hungareze dhe gazetarit dhe themeluesit të Semafor Steve Clemons.

Në chat me Sorosin

“Shumë mbështetës të Trump i referohen Alvin Bragg si një prokuror i financuar nga Soros. Çfarë mendoni për këtë histori në dritën e aktakuzës historike të Donald Trump?” lapidare përgjigja e Soros: “Steve, kam shkruar një artikull për Wall Street Journal. Kushdo që dëshiron të kuptojë pse financoj prokurorët që kanë në mendje një reformë, duhet ta lexojë. Unë nuk kam kontribuar në fushatën elektorale të Bragg dhe nuk e njoh”. Pastaj një tjetër goditje tjetër ndaj ish qiramarrësit të Shtëpisë së Bardhë: “Mendoj se ndonjë nga e djathta preferon të fokusohet mbi teoritë konspirative ekstreme sesa në akuzat e rënda që presin ndaj ish-presidentit”.

George Soros, një kalorës global i të majtës, prej kohësh mbështet një rrjet të gjerë kandidatësh demokratë në SHBA, që nga eksponentët që konkurrojnë për në Kongres e deri te kandidatët lokalë. Gjatë dy viteve të fundit ka vënë në shënjestër postet që në SHBA përcaktojnë rolet kyçe në sistemin gjyqësor, si prokurorët distriktualë.

Gjurma e parave

E në fakt duke ndjekur paratë, siç bëri një media që me teoritë komplostiste s’e lidh asgjë, siç është New York Times, mund të gjendet një lidhje mes të dyve. Sipas Times, Bragg njoftoi synimin e tij për të kandiduar për zyrën e prokurorit të Manhattan në qershor 2019. Dy vjet më vonë, më 8 maj 2021, OJF-ja Color of Change njoftoi mbështetjen e saj për Bragg. Organizata përfaqëson një nga ato grupe në galaktikën liberale që promovon reformat e sistemeve penale dhe gjyqësore.

Disa ditë pas mbështetjes së Color of Change, Soros firmosi një çek prej 1 milion dollarësh për OJF-në në fjalë. Në fund të fushatës elektorale, shpenzimet totale të organizatës për Bragg ishin afër 500,000 dollarë. Sipas të dhënave të grumbulluara nga Open Secret, e cila gjurmon këtë lloj financimi, fushata e prokurorit anti-Trump pati thithur rreth 11% të të gjitha shpenzimeve të Color of Change gjatë zgjedhjeve të 2021. PolitiFact, ka shkruar CNN, ka vlerësuar se midis 2021 dhe 2022 Soros ishte donatori më i madh i Color of Change, që ndërmjet 2016 dhe 2022 ka marë 4 milionë dollarë si nga Soros ashtu edhe nga organizata Democracy Pac (e krijuar po ashtu me fondet e vetë Sorosit). Ndoshta aspekti më ironik i gjithë kësaj është se bashkëthemeluesi i OJF-së, Van Jones, është tani një nga komentuesit politikë të vetë CNN.

Në të vërtetë, paratë në dispozicion të Color of Change do të ishin shumë më tepër. CNBC, teksa ka theksuar se lidhjet mes Sorosit dhe Bragg janë indirekte, shkroi se e famshmja Shoqëri e Hapur e Soros dyshohet se i ka dhënë 7 milionë dollarë të tjera pikërisht grupit të presionit pro reformës në drejtësi. Duke shqyrtuar të dhënat për financimin që marrin kandidatët e ndryshëm, PolitiFact ka zbuluar se disa nga të afërmit e Soros, si djali Jonathan Soros dhe gruaja e tij Jennifer Allan Soros, i kanë dhuruar Bragg edhe 20 mijë dollarë të tjerë.

Plani i Soros për prokurorët

Siç ka zbuluar NYT, mbështetja e Color of Change shtrihej në një rrjet të gjerë kandidatësh të tjerë. Për shembull, ka mbështetur rizgjedhjen e Prokurorit të Qarkut të Filadelfias, Larry Krasner dhe mbështetur kandidatë edhe në Virxhinia e në zonën Minneapolis, në Minesota. Artikulli të cilit i referohet vetë Soros në mesazhin e tij me gazetarin e Semafor është një manifest i vërtetë se çfarë sipas tij duhet të jetë drejtësia në Amerikë. Një shkelje syri për lëvizjen Defund The Police me uljen e numrit të të burgosurve. Edhe pse vetë Soros shkruan: “Objektivi i agjendës sime nuk është heqja e fondeve nga policia, por rindërtimi i besimit midis forcave të rendit dhe qytetarëve”.

“Për këtë arsye”, vijon manifesti i tij, “kam përkrahur zgjedhjen e prokurorëve që e mbështesin këtë lloj reforme”. Një skenar që duket se i përshtatet shumë edhe vetë Bragg. Prokurori, i rritur në Harlemin e viteve ’80 dhe me një të kaluar si avokat i të drejtave civile, e ka bazuar punën e tij në nevojën për të reduktuar burgosjen, shmangien e ndjekjes penale të krimeve të lidhura me drogën dhe reformimin e mënyrës së funksionimit të policisë si dhe në ngritjen e një zyre për të verifikuar çdo abuzim eventual nga agjentët. Një recetë që nuk mund të mos i pëlqejë George Sorosit. Por që në Nju Jork ka shqetësuar shumë njerëz: nga policia te kryebashkiaku Eric Adams, një dem i moderuar me një të kaluar nën uniformë./Il Giornale- Përgatiti për Gazetatjetër.com Dardan Mitrovica


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More