Hirësia e tij sekret

Bota e spiunëve-8/ Edhe Vatikani ka patur inteligjencën e tij: I pari që e desh ishte në 1566 Papa Piu V i cili e përdori atë për të frenuar protestantizmin

“Shërbimi më i mirë dhe më efektiv i spiunazhit që njoh në botë është ai i Vatikanit”. Kështu gjuetari i mirënjohur i nazistëve Simon Wiesenthal (1908-2005) e përcaktoi organizatën e inteligjencës në shërbim të institucionit papnor: Aleanca e Shenjtë, e njohur në qarqet e shërbimeve sekrete si Entiteti. E themeluar sipas historianëve në 1566 nga Papa Piu V, ajo veproi për më shumë se katër shekuj, duke koleksionuar një listë të gjatë të veprimesh të pahijshme, përfshirë konspiracione, vrasje dhe manipulime të opinionit publik. Sidoqoftë, përsa i përket ekzistencës së saj efektive, enden akoma shumë hije.

ORIGJINA

Nuk është rastësi që shërbimi sekret i Vatikanit lindi pikërisht me Piu V, me emrin e lindjes Michele Ghislieri. Para se të bëhej papë, në 1566, ai ka qenë dalluar si inkuizitori më i përpiktë i Kishës, duke punuar së pari në provincat e Italisë Veriore dhe më pas në Romë, ku u emërua Inkuizitor i Madh në 1558.

“Ishte në këtë periudhë që Ghislieri filloi të krijonte rrjetin e tij të organizuar të spiunëve,” thotë Antonella Colonna Vilasi, presidente e Qendrës për Studime të Inteligjencës – Uni dhe autore e studimit L’Entità. Shërbimet sekrete të Vatikanit (Libellula). “Këta mbiquheshin si Murgjit të Zi dhe lëviznin të pashqetësuar nëpër të gjithë Qytetin e Përjetshëm, duke ia dërguar informacionin e mbledhur Ghislierit personalisht apo përmes një rrethi njerëzish të quajtur ‘qerthulli i kuq’”.

Sidoqoftë, pasi u ngrit në fronin papnor, Piut të Vtë i duhej të përballej me një armik shumë më të rrezikshëm të Kishës sesa magjistarët dhe jobesimtarët: Protestantizmi lutheran dhe kalvinist, të cilit i shtohej edhe “herezia” anglikane e drejtuar nga Elizabeth I e Anglisë. Dhe është pikërisht për të ndaluar valën e Reformimit që papa ndjeu nevojën për të endur një rrjet të ri inteligjence, të organizuar në modelin e kolauduar tashmë në vitet e Inkuizicionit. Lindi kështu Aleanca e Shenjtë.

PËRMBYSJE TË DESHTUARA

Sipas planeve papnore, Meri Stuart, mbretëresha skoceze e besimit katolik, duhej të ulej në fronin e Anglisë në vend të Elizabetës, kushërirës së saj . Pius V planifikoi kështu infiltrimin e spiunëve të tij në Britaninë e Madhe, me qëllimin përfundimtar të rivendosjes së katolicizmit në të tërë mbretërinë. Skoci ishte deklaruar presbiteriane në 1560. Faktikisht, në betejat fetare këtu ishin imponuar pasuesit e kalvinistit skocez John Knox.

Së pari, nevojitej një agjente në Skoci dhe për të mbledhur informacion mbi lëvizjet në oborrin e Londrës. Zgjedhja ra mbi Davide Rizzio, një muzikant piemontez i cili, në një kohë shumë të shkurtër, nga një oborrtar u bë sekretari personal i Stuart dhe ndoshta edhe i dashuri i saj.

Burrat që vareshin prej Elizabetës nuk mund ta pranonin prezencën e tij, duke ditur që ai ishte një spiun i Papa Piu V, e kështu, duke luajtur me xhelozinë e burrit të Stuart, Henry Darnley, gjetën një arsye për ta vrarë atë. Më 9 maj 1566 Rizzio u vra. Aleanca e Shenjtë humbi kështu spiunin e saj të parë, por jo shpresën për të eliminuar Elizabetën, edhe pse çdo komplot i kurdisur kundër saj do të dështonte përpikmërisht falë kundër-lëvizjeve të agjentëve anglezë.

MISTERET E OKTAGONUS

Pas Elizabetës, vëmendja e Vatikanit u kthye tek një tjetër personazhi të rëndësishëm të kohës: Henry IV i Francës, kalvinist i konvertuar në katolik dhe mbret nga 1594 deri në vrasjen e tij, që u krye më 14 maj 1610 nga dora e fratit François Ravaillac. Në vitet e mëvonshme, u mësua se ai ishte pjesë e një grupi fanatikësh fetarë të quajtur Oktagonus, shpjegojnë ekspertët.

“Anëtarët e këtij grupi dalloheshin nga përdorimi i një simboli të veçantë: një tetëkëndësh me emrin e Jezusit të shkruar në secilën anë; vizatimi ishte i pranishëm në një pergamenë të gjetur në trupin e Ravaillac. Për aktivitetin e kësaj kongrege ka lajme jo të qarta dhe shumë të dyshimta, por shumë pajtohen me mendimin se anëtarët e saj punonin në emër të Aleancës së Shenjtë.

KUNDËRSPIUNAZHI

Por, Oktagonusi misterioz nuk do të ishte organizata e vetme e këtij lloji. Sipas studiuesve, brenda shërbimit sekret të Vatikanit vepronin disa grupe gjysmë të pavarura, të dedikuar kryesisht aktiviteve të kundërspiunazhit. Një nga këto ishte Urdhri i Zi, i krijuar gjatë papatit të Innocentit X (1644-1655) me qëllim gjetjen dhe vrasjen e spiunëve të infiltruar në Vatikan. Ideatori i këtij projekti do të kishte qenë një grua: Olimpia Maidalchini (1591-1657), kunata dhe këshilltarja e zgjuar e Innocenzit të X.

Shekuj më vonë ishte radha e Sodalitium Pianum, i lindur më 1909 nën papatin e Piu X (1903-1919). Ishte monsinjor Umberto Benigni, shumë i shqetësuar për përparimin e modernizmit teologjik dhe i gatshëm për të formuar një rrjet të dendur spiuncensorësh (të quajtur Sodalitium) për t’i infiltruar në çdo ambient të Kishës.

Organizata u shpërnda zyrtarisht në 1914, por për disa ajo ka vazhduar aktivitetin deri në 1946.

AKTIVITETI I “RIDIMENSIONUAR”

Gjithmonë i ndikuar nga konteksti historik, aktivitetet e spiunazhit të Aleancës së Shenjtë mbetën intensive dhe të përhapura derisa papati arriti të merrte një rol kryesor në skakierën politike evropiane, por gjërat ndryshuan gjatë epokës së Rilindjes. Me aneksimin e Romës në Mbretërinë e Italisë (1870) dhe zhvillimin paralel të ndjenjave të forta antiklerikale, fuqia kohore e papës faktikisht u zvogëlua. Kështu, Aleancës së Shenjtë nuk i mbetej tjetës veçse të përqendrohej në sigurinë personale të papatit, duke lënë mënjanë çështjet politike.

Entiteti dhe nazizmi

Çfarë roli luajti Entiteti gjatë Luftës së Dytë Botërore? Nëse nga njëra anë mblidhte informacione mbi planet e luftës së Hitlerit, duke ia kaluar ato Londrës dhe Uashingtonit, nga ana tjetër duket se agjentët e tij favorizuan arratisjen e hierarkëve nazistë në fund të konfliktit gjatë të cilit vetë Papa Piu XII u akuzua se kishte mbyllur sytë.

SOT

Duke i lënë mënjanë legjendat e errëta, sot përgjegjës për funksionet e inteligjencës në Shtetin e Kishës është Korpusi i Xhandarmërisë së Vatikanit, i lindur në 1971 nga Xhandarmëria e mëparshme papale (1816). Sa i përket Entitetit, Selia e Shenjtë e ka mohuar gjithmonë ekzistencën, edhe pse shumë janë të sigurtë se rrjeti i spiunazhit supersekretit të Vatikanit jo vetëm që ka ekzistuar, por është aktiv edhe sot e kësaj dite.

Vijon nga pjesa e tetë

You might also like
1 Comment
  1. […] Vijon nga pjesa e tetë/ […]

Leave A Reply

Your email address will not be published.