Hitleri duhet të vdesë
- Si 42 atentatet e bindën Führer-in se ai ishte njeriu i Providencës dhe e shtynë popullin gjerman ta ndiqte deri në fund
- Një nga misteret më të mëdha të Rajhut të Tretë është se si Führer ia arriti t’i shpëtonte i padëmtuar mbi dyzet atentatve. Ishte thjesht fat? Historia e një rekordi që pati pasoja tragjike mbi fatet e Gjermanisë. Dhe të botës
“Edhe në roulette del e kuqja ose e zeza del. Ideja e vrasjes së diktatorit në vetvete nuk ishte e pamundur. Ishte thjesht një fat i keq”. Këto janë fjalët e Ewald Heinrich von Kleist, i cili vdiq më 2013 në moshën nëntëdhjetë vjeçe, një nga të paktët komplotistë që i mbijetoi atentatit të dështuar kundër Adolf Hitlerit më 20 korrik 1944 në shtabin e përgjithshëm në Rastenburg, në Prusinë Lindore. Deklarata e tij është e pranueshme, po të marrim parasysh se si shkuan ngjarjet, por nuk kërcet mirë po të shohim që, gjatë jetës së tij, Hitleri arriti t’i shpëtonte diçkaje si dyzet e dy atentateve: një rekord vërtetë i jashtëzakonshëm që bën copash çdo logjikë dhe, në një farë kuptimi, sfidon edhe vetë fatin e mirë.
Duke shfletuar listën e gjatë të tentativave për të eleminuar Führer-in, si ato të abortuara që në lindje, ashtu edhe ato të kryera në të vërtetë, nuk mund të mos kuptohet mbetesh i goditur nga modalitetet me të cilat arrinte gjithmonë të shpëtonte i padëmtuar, veçanërisht gjatë viteve të para të tij aktiviteti politik, kur masat e sigurisë ndaj tij ishin pothuajse inekzistente.
Duke filluar nga viti 1932 – atentati i parë i njohur, i organizuar nga një vrasës i cili u përpoq ta eleminonte gjatë një udhëtimi me tren – në pesë vitet pasardhëse atentatet do të ishin plot gjashtëmbëdhjetë. Disa janë në kufinjtë e një guximi të çmendur, si p.sh., përpjekja për ta vrarë me një tufë lulesh të ujosura me helm. E nëse në shumë raste atentatorëtishin si qen të lëshuar nga zinxhirët, që mbase edhe vuanin nga çrregullime mendore, që nuk e toleronin fuqinë bindëse të oratorisë së “njeriut të fatit” gjerman, në të tjerët ishin kundërshtarë të vërtetë, të pastër politikë.
Siç është rasti i Josef “Beppo” Römer, themeluesit dhe aktivistit të Sozialistische Front, i cili u përpoq disa herë: për së pari më 1934, kur, pasi ia kishte arritur të futej i pashqetësuar në kancelarinë e Reich, u ndalua në momentin e fundit nga forcat e sigurisë. Përpjekje të tjera i atribuohen në dy-vjeçarin 1941-43: të gjitha të çuara dëm, pasi u kap ai vuajti disa vjet në kampin Dachau për t’u gijotinuar më pas në shtator 1944.
Nuk munguan as vrasësit e huaj. Më 1938, Maurice Bavaud, një njëzetedy vjeçar me origjinë zvicro-franceze, që me sa duket vuante nga çrregullime të rënda mendore, rreku të eliminonte Hitlerin në tubimin e Mynihut. I pajisur me një pistoletë gjysmë-automatike, nuk ia arriti ta shënjestronte mirë nga vetëm disa metra larg: krahët e ngritur të spektatorëve që përshëndesnin shëtitjen e Führer-it, e penguan të shënjestëronte si duhet.
Një nga atentatet më të njohura dhe më të pabesueshme u organizua në nëntor të vitit pasardhës prej aktivistit Georg Elser në fabrikën e birrës Bürgerbräukeller, gjithnjë në Mynih. Në këtë rast, gjërat ishin planifikuar me përpikëri. Për muaj me radhë atentatori, një marangoz i zoti, hyri në lokalin ku do të gjendej më pas Führeri, pas përfundimit të orarit zyrtar të hapjes, për të hapur një gropëz të vogël në një nga shtyllat e lokalit, në mënyrë që të vendoste një bombë me sahat, për ta bërë më pas të shpërthejë gjatë një prej fjalimeve të Führer, i cili ishte një frekuentues i rregullt i atij vendi. Por për një lojë të pabesueshme të fatit, natën kur erdhi Hitleri mbajti një fjalimi shumë më të shkurtër se zakonisht, pak më pak se një orë. Në kohën e shpërthimit, diktatori ishte zhdukur prej kohësh.
Në atentat humbën jetën disa nga mbështetësit e tij besnikë: pati tre të vdekur dhe mbi gjashtëdhjetë të plagosur. Pas lajmit se Hitleri i kishte shpëtuar atentatit, Papa Piu XII shprehu kënaqësinë duke e uruar Hitlerin ndërsa në katedralen e qytetit u këndua Te Deum si falënderim për “mrekullinë”.
Në një studim të fundit të historianit anglez Roger Moorhouse, “Killing Hitler”, citohen një seri sulmesh të organizuara nga agjentë sovjetikë dhe britanikë, edhe këto të dështuara që në lindje. Dihet, gjithashtu, që një komplot polak me përdorimin e eksplozivëve u ndalua në minutën e fundit, ashtu si dhe tentativa e pabesueshme e organizuar në fund të 1939, nga një aktore impresionuese ruse: për kronikë, ishte atentati i njëzetegjashtë.
Tani, rradha e oficerëve
Me fillimin e operacioneve ushtarake të Luftës së Dytë Botërore, forcat e sigurisë morën masa për sigurimin e Hitlerit, deri në atë moment i bekuar nga fati, duke rreshtuar një vendosje masive të forcave. Ky hap dekurajoi iniciativat e “ujqërve të vetmuar”, por nuk ndaloi dorën e atentatorëve të tjerë. Tani kërcënimi vinte prej disa rrethe ushtarake. Nëse fillimisht mospajtimet ndërmjet oficerëve të lartë nuk shfaqeshin hapur (disa projekte për përmbysjen e diktatorit, të planifikuara nga gjeneralët Franz Halder dhe Walther von Brauchitsch, nuk u vunë kurrë në zbatim), duke filluar nga viti 1942, njëkohësisht me dështimet e para ushtarake, u rrit në mënyrë eksponenciale edhe rezistenca. Siç kujton historiani Wolfgang Schieder në Dy Gjenerata në Rezistencën Ushtarake Kundër Hitlerit: “Duket se midis viteve 1941-1942, në komandën e GjeneralMarshall Erwin von Witzleben në Paris, për dy herë u përgatit një atentat. Por meqenëse Hitleri nuk shkoi në Paris, ato nuk mundën të kryheshin”.
Por më 1943 situata mori një kthesë më serioze. “Pas katastrofës së Stalingradit, në armatën qendrore të frontit lindor hartoheshin vazhdimisht planet e reja për atentate, po kështu edhe armatën veriore”, shkruan gjithnjë Wolfgang Schieder. Por, pabesueshmërisht, Hitleri në atë kohë mjaftohej duke vizituar vetëm armatën jugore, ku nuk ishte organizuar asnjë lloj komploti.
Një rrezik të madh kaloi në mars 1943, kur më në fund vendosi të vizitonte shtabin qendror të Grupit të Armatosur me qendër në Smolensk, në Rusi. Gjenerali Henning von Tresckow dhe oficeri Fabian von Schlabrendorff vendosën një bombë (në këtë rast një eksploziv anglez me shpërthyes kimik), të fshehur në disa kuti pijesh në aeroplanin që duhej të sillte diktatorin në shtëpi.
Plani dukej i përsosur, ashtu si edhe besueshmëria e materialit, e megjithatë përsëri ndodhi e pashmbesueshmja: bomba nuk shpërtheu. Disa ekspertë kanë hipotezuar se temperaturat e ulëta në ngarkesë mund të kenë kompromentuar sistemin shpërthyes, por kjo është vetëm një teori. Sidoqoftë, rezistenca nuk hoqi dorë. Siç kujton Schieder: “Përgjatë vitit 1943, koloneli Rudolf von Gersdorff, kapiteni baron von dem Bussche, togeri Ewald Heinrich von Kleist dhe kapiteni i kalorësisë Eberhard von Breitenbuch ishin gati të vinin në rrezik jetën e tyre në një atentat me bombë kundër Hitlerit. Sidoqoftë, askush prej tyre nuk gjeti rastin, sepse Hitleri instinktivisht qëndronte larg takimeve të përgatitura”.
Indikative është tentativa e 21 marsit 1943 në Berlin, pranë muzeut ushtarak Zeughaus: Gersdorff, i cili kishte në xhepin e palltos një bombë të fuqishme me një timer të vendosur për të shpërthyer pas dhjetë minutash, shoqëroi Führerin gjatë gjithë vizitës. Megjithatë, ky i fundit, mbase duke ndjerë nervozizmin e oficerit, vendosi të nxitonte pa dhënë shpjegime. Gersdorff atëherë mezi pati kohë të çarmatosej fshehurazi brenda tualeti. Edhe një herë Hitleri i shpëtoi vdekjes.
Në strofkullën e ujkut
Sidoqoftë, kërcënimi më i madh nuk ishte shfaqur ende. Në një letër të shkruar në fillim të vitit 1944, koloneli Claus von Stauffenberg i shkruante në mënyrë lakonike gruas: “Është koha që të bëhet diçka.
Ai që do të guxojë të veprojë duhet bëjë llogaritë me faktin se ndoshta do të hyjë në historinë gjermane me damkën e tradhtarit. E, nëse do të heqë dorë, do të ishte tradhtar para ndërgjegjes së tij”. Në këto pak rreshta del dilema torturuese që e kishte gllabëruar prej muajsh me radhë, përpara vendimit fatal që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. Në fakt, ishte ndërgjegjja e tij që mbizotëroi. “Ndjej,” theksonte, “që duhet të bëj diçka për të shpëtuar Gjermaninë. Të gjithë ne, oficerët e Shtabit të Përgjithshëm, duhet të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë”. Më 20 korrik 1944, Stauffenberg , së bashku me njëzet e katër oficerë të tjerë të lartë, morën pjesë në një takim në selinë e Rastenburgut.
Duke përfituar nga afërsia e tij me Adolf Hitlerin, ai arriti të vendoste një trastë plot me eksploziv disa metra larg Führer-it. Pastaj, me justifikimin e një telefonate urgjente, u largua papritmas. Pak më vonë ndodhi shpërthimi: edhe pse mundi të aktivizonte vetëm njërën nga dy bombat që kishte me vete, ishte i sigurt se fuqia e shpërthimit nuk do t’i linte asnjë shans tiranit. Pjesa e dytë e planit, Operacioni Valkyrie, përfshinte mobilizimin emergjent të ushtrisë për të parandaluar reagimet e zyrtarëve të lartë nazistë dhe SS të Himmler në veçanti.
Objektivi i komplotistëve, pjesë e të cilëve ishte koloneli, ishte në thelb një grusht shteti që synonte krijimin e një qeverie të re për të shpëtuar vendin nga shkatërrimi: një program që nuk do të ishte kurrë i mundur për sa kohë Hitleri të ishte në pushtet. Por gjërat shkuan shumë ndryshe.
Siç do të mësohej më vonë, në sekondën e fundit, koloneli Heinz Brandt, i ulur pranë diktatorit, lëvizi çantën poshtë tavolinës. Shpërthimi goditi tre oficerë dhe stenografin, të cilët vdiqën menjëherë. Ndërsa Führeri, për mrekulli arriti të shpëtojë duke pësuar vetëm disa plagë të vogla. Në kaosin e orëve në vijim, komplotistët në të vërtetë kishin akoma edhe disa mundësi për sukses, por një seri të metash në organizatë dënuan arritjen e suksesit të planit dhe në një kohë të shkurtër revolta u shua. Joseph Goebbels, Ministri i Propagandës së Rajhut të Tretë, në kujtimet e tij bën këtë koment përbuzës: “Çfarë idiotësh. Nëse mendoj se si do ta kisha trajtuar unë një gjë të tillë … Pse nuk e pushtun radion dhe të përhapnin gënjeshtra nga më absurdet? As nuk më shkëputën telefonin! Duke pasur kaq shumë asa në dorë dhe duke hedhur gjithçka në erë, çfarë fillestarësh!”.
Në ditët në vijim në Gjermani shpërtheu një gjueti e vërtetë, e cila, sipas historianit Ian Kershaw, çoi në arrestimin e pesë mijë njerëzve, kryesisht të afërm të komplotistëve, ndërsa pothuajse dyqind burra “kaluan nëpër duart e xhelatit”. Stauffenberg ishte një prej tyre: i arrestuar në të njëjtën natë, atë të 20 korrikut, u qëllua pas shpine në oborrin e Bendlerblock, selia e Komandës Supreme të Ushtrisë, në Berlin. Hiri i tij dhe i shumë komplotistëve të tjerë u shpërnda nëpër kanalet e qytetit me urdhër të Fyhrerit në mënyrë që “eshtrat e tradhtarëve të mos ndotnin tokën gjermane”.
Disa e shmangën vdekjen me varje duke u vetëvrarë. Ndërmjet tyre, gjenerali Henning von Tresckow, para se të merrte pistoletën në dorë, i tha kolegut Fabian von Schlabrendorff: “Tani të gjithë do të na shajnë, por unë jam akoma plotësisht i bindur se kemi bërë gjënë e duhur. Hitleri është armiku i betuar jo vetëm i Gjermanisë, por i të gjithë botës”. Në të njëjtën mbrëmje të atentatut, një Fyhrer i provokuar dhe euforik u shfaq në mikrofonat e radios shtetërore për të qetësuar popullin për gjendjen e tij shëndetësore, duke deklaruar: “të mendoj për sigurinë time? Kur njerëzit e tjerë në dhomë u plagosën rëndë…”. Dhe menjëherë e lëshoi veten ndaj kësaj parandjenje: “Tani jam i sigurt se nuk do të më ndodhë më gjë kurrë!”. Në një farë mënyre pati të drejtë. Deri në vetëvrasjen e tij në kancelarinë e Berlinit më 30 prill 1945, askush nuk guxoi më të provonte diçka të tillë. Arsyeja është e thjeshtë: rezistenca e brendshme u shua plotësisht.
Thjeshtë fat?
Nëse Stauffenberg do t’i kishte vendosur të gjitha bombat e nëse fitili në aeroplan nuk do të kishte ndalur dhe, akoma, nëse fjalimi në birrerinë Bürgerbräukeller do të kishte zgjatur si zakonisht, për Führer-in nuk do të kishte shpëtim. Mirëpo historia, nuk bëhet as me “nëse” as me “por”. Sidoqoftë, është e vështirë të mos magjepsesh nga rastësi të tilla. Dhe mbi të gjitha si t’i shpjegojmë? Nëse, për arsye të kuptueshme, historiografia zyrtare kufizohet me nënvizimin e fatit të pabesueshëm të diktatorit, dikush ka shkuar më tej duke evokuar hijen e mbrapshtë të forcave okulte dhe fuqive demoniake.
Duke kujtuar sesi Hitleri, të nesërmen e sulmit të 20 korrikut 1944, kishte theksuar vazhdimisht faktin se shpëtimi i tij ishte një shenjë e qartë e Providencës, vetë Kershaw u shty me këtë koment shqetësues (dhe sarkastik): “Në realitet, si shumë herë në jetën e tij, nuk ishte Providenca që e shpëtoi, por fati. Një fat djalli”.
Më racionalisht, duke analizuar karakterin e Fyhrer është e mundur të gjesh disa aspekte të sjelljes së tij, të cilat, në raste të caktuara, ndoshta i shpëtuan jetën. Hitleri, siç kujton historiani Giorgio Galli në “Hitleri dhe nazizmi magjik”, ishte i bindur se zotëronte “një lloj prevedence që e bën t’i shpëtojë vdekjes” dhe që e ndihmonte “të shpëtonte nga atentatet e organizuara nga rezistenca ushtarake”.
Pa ia atribuar këtë virtyt të supozuar faktorëve ezoterikë apo magjikë, aftësia e madhe intuitive e Fyhrer-it që në vitet e para të pushtetit deri në 1942 mund të ishte një pjesë e psikologjisë së tij komplekse: sjellja e tij paranojake – shihte komplote kudo dhe ndjente një neveri të përgjithësuar ndaj takimeve – e bënin një subjekt të atipik, të vështirë për t’u parashikuar dhe kontrolluar. Manitë e tij ishin sigurisht një armë e mirë në gjendje për të devijuar edhe planet më të përsosura. Për më tepër, vëmendja e tij obsesive, edhe në detajet në dukje të parëndësishme, mund të kishin bërë të perceptonte nervozizmin e atyre që ishin përreth tij dhe për këtë arsye të ishte tmerrësisht i kujdesshëm. Një aspekt intrigues është edhe pasioni i tij për astrologjinë.
Siç kujton Ellic Howe në The Astrologers of Nazism, para sulmit ndaj birrerisë në Mynih Hitleri ishte informuar nga një astrolog, përmes shërbimeve të tij të sigurisë, për “mundësinë e një atentati duke përdorur materiale shpërthyese”. Ne dimë që përdorimi i këtyre praktikave në Rajh ishte i vazhdueshëm dhe të paktën dy oficerë policie, Bernard Gisealous dhe Arthur Nebe, ishin ekspertë të kësaj materie. Se sa ndikoi e gjitha kjo në jetën e diktatorit është e vështirë të përcaktohet me siguri, por nuk mund të përjashtohet që ndjeshmëria e tij e fortë dhe intuita e tij e hekurt të kenë vepruar si një kambanë alarmi duke i mundësuar, më mirë se çdo truprojë, t’i shpëtojë rreziqeve.
Njeriu i “Providencës”
Si reagoi Hitleri ndaj kësaj sekuence mbresëlënëse atentatesh? Dhe sa ndikuan ato në sjelljen e tij? Përpos shpërthimit të etjes për hakmarrje, sulmi i dështuar [i 20 korrikut] e rriti në përmasa të papërcaktueshme vetsigurinë e Hitlerit për përzgjedhjen e tij hyjnore. Tashmë, i bindur se ishte udhëhequr nga Providenca, ai interpretoi kalimin e rrezikut si shenjën e përmbushjes së pashmangshme të misionit të tij historik . Kjo ia mprehu tiparet mesianike. ‘Këta kriminelë që donin të hiqnin qafe’, u tha sekretareve, “as nuk e imagjinojnë se çfarë do të ndodhte me popullin gjerman. Ata nuk e dinë që armiqtë tanë kanë planifikuar asgjësimin përfundimtar të vendit tonë. Nëse mendojnë se pa Gjermaninë fuqitë perëndimore do të ishin aq të forta sa të mbanin nën kontroll bolshevizmin, gabojnë shumë. Unë jam i vetmi që e di madhësinë e rrezikut, dhe i vetmi i aftë për ta shmangur’. Fjalë në të cilat reflektohej, si në një pasqyrë deformuese, figura e rilindur e memories wagneriane, heroi në gjendje për të shpëtuar i vetëm gjithë botën nga katastrofa: një Parsifal modern”.
E nëse që në vitet ’30 Hitleri ishte i sigurt se ishte ai i përzgjedhuri, me kalimin e kohës kjo bindje e tij u radikalizua edhe më shumë për t’u bërë një lloj dogme pagabueshmërie: Providenca e ruante atë në mënyrë që ai të mund të zbatonte planet e tij.
Kjo bindje e vendosur, sidoqoftë, shkaktoi në planin afatgjatë mbylljen e befasishme ndaj botës së jashtme e cila, gjatë muajve të fundit të luftës, kufizohej me patologji kronike. Në këtë kuptim duhet interpretuar edhe fobia e tij e njohur për t’u dukur në publik. E nëse më pas merret parasysh edhe përkeqësimi i shpejtë i shëndetit të tij fizik dhe mendor (studime të mëvonëshme kanë evidentuar një përdorim masiv të ilaçeve të forta që e çuan atë në varësi), do të kuptojmë më mirë paaftësinë, që manifestoi në vitet e fundit të luftës, për të dominuar ngjarjet.
Këtyre elementeve iu duhet shtuar edhe mungesa thuajse totale e besimit te Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë, fajtor sipas të tij, si përgjegjësi kryesor për disfatat. “Hitleri”, shkruan historiani Joachim Fest, “thjesht thjesht shtynte përpara, i pazoti për ditë të tëra të merrte ndonjë vendim, dhe pastaj papritmas inercia e tij i linte vendin një aktivizmi shpërthyes”. Intuitat e shkëlqyera që kishin shënjuar dyvjeçarin e parë të konfliktit u shndërruan në vitet e fundit vetëm një kujtim: strategjitë e përpunuara për të ndaluar përparimin e trupave sovjetike, për shembull, u treguan të pasuksesshme, ashtu si dhe masat e miratuara në skenat e tjera operative u treguan joefektive.
Ndoshta ndjenja se ishte duke përmbushur një mision hyjnor kishte ngulitur në mendjen e Führer-it sigurinë se do ta fitonte përfundimisht, sido që të shkonte puna. Mbase edhe për këtë arsye, ai priti me padurim deri në fund mrekullinë që do të përmbyste fatet e luftës. Por kjo nuk ndodhi kurrë. Pasi doli i padëmtuar nga mbi dyzet atentate dhe me Ushtrinë e Kuqe disa metra larg bunkerit të tij, diktatorit nazist nuk i mbeti gjë tjetër përveç vetëvrasjes. Evropa ishte në gjunjë dhe Gjermania e shkatërruar. Dhe aftësia e Hitlerit për t’i shpëtuar vrasësve të tij, por jo në vetvete tingëllon vërtetë si një mashtrim i tmerrshëm.
Atentati i Rastenburg-ut dhe zanafilla e komplotit
Komploti i organizuar më 20 korrik 1944 arriti vërtetë një hap larg objektivit të synuar. Por nga kush ishte organizuar?
Zanafilla e tij mund të gjurmohet që në shtator 1943 kur FieldMarshalli Günther von Kluge, gjeneralët Ludwig Beck dhe Friedrich Olbricht dhe ish-kryebashkiaku i Leipzig-ut Carl Goerdeler u takuan në fshehtësi për të diskutuar politikën e pamatur të Hitlerit dhe rrjedhën e konfliktit.
Konkluzionet në të cilat arritën nuk lanë vend për dyshime: Führer duhej eliminuar me çdo kusht sepse vetëm në këtë mënyrë do të ishte e mundur të shpëtohej Gjermania nga shkatërrimi i plotë. “Atentati”, tha qartësisht gjenerali Henning von Tresckow, një nga anëtarët më aktivë të komplotit, “duhet të bëhet, me çdo kusht. Edhe nëse nuk ia arrin qëllimit, duhet të bëhet. Sepse tashmë çështja nuk është objekt i atentatit, por fati për t’i treguar mbarë botës dhe historisë se lëvizja e rezistencës gjermane ka guxuar me çdo mënyrë, duke vënë në rrezik edhe jetën. Gjithçka tjetër, në fund të fundit, është absolutisht dytësore”.
Vënia në praktikë nuk ishte aspak e lehtë. Duke filluar nga qershori 1941, me fillimin e operacionit Barbarossa, Hitleri ishte zhvendosur në mënyrë të përhershme në Strofkullën e Ujkut (Wolfsschanze) në Prusinë Lindore, një nga zonat më të mbrojtura të Reich-ut të cilën e linte mjaft rrallë për të shkuar në Berlin.
Për më tepër, Gestapo ishte në gjendje gatishmërie të lartë pasi kishte ndjerë mundësinë e një atentati nga Shtabi i Përgjithshëm. Komploti pati shumë pjesë gjatë organizimit duke përfshirë me dhjetra njerëz (ishin më shumë se dyqind).
Mes tyre, me sa duket, ishte edhe Erwin Rommel, i cili, pas dështimit të fushatës në Afrikën e Veriut, ishte tashmë totalisht i zhgënjyer me aftësitë vendimmarrëse të Hitlerit. I vetëdijshëm se lufta ishte pashmangshmërisht e humbur, ai u takua me Hans Speidel dhe Carl-Heinrich von Stulpnagel (dy oficerë kryesorë të konspiracionit), duke rënë dakord se ishte e nevojshme të flisnin me Aleatët për të ndaluar konfliktin para zbarkimeve të Normandisë.
Mirëpo takimi nuk çoi në ndonjë gjë konkrete sepse Rommel nuk ndante idenë e vrasjes së diktatorit.
Por kthesa ndodhi vetëm kur komplotit iu bashkua koloneli von Stauffenberg i cili, për shkak të mundësisë së tij për të hyrë në shtabin qëndror të Rastenburgut, ishte figura më e përshtatshme për të kryer misionin.
Ja pse Operacioni Valkiria ishte një dështim
Të eleminohet Hitleri dhe, menjëherë më pas, të nisë një grusht shteti për të siguruar kontrollin e vendit. Kjo, në pak fjalë, ishte ideja e komplotistëve të drejtuar nga von Stauffenberg.
Për të arritur ta zbatonin praktikisht, me sugjerimin e gjeneralit Friedrich Olbricht, iu drejtuan operacionit Valkiria, një plan i veçantë (në të vërtetë i planifikuar që vite më parë) i cili parashikonte përdorimin e ushtrisë territoriale (Ersatzheer) në rast rebelimi të brendshëm apo në territoret e okupuara. Mirëpo në këtë rast, trupat nuk do të drejtoheshin kundër popullsisë së pambrojtur, por kundër SS të Himlerit dhe vetë udhëheqësve të partisë naziste: vetëm duke hequr të gjithë ata, në fakt, do të ishte e mundur të pajtoheshim me Aleatët.
Që nga gushti 1943, gjenerali Henning von Tresckow kishte vendosur të bënte disa ndryshime në Operacion për të mundësuar pushtimin e ministrive në Berlin, stacionet radiofonike, centralet telefonike dhe, në veçanti, shtabin e përgjithshëm të Himmler në Prusinë Lindore.
Makina komplekse do të vihej natyrshëm në lëvizje vetëm pas një të atentati të suksesshëm. Në këtë rast von Stauffenberg – i cili ishte i vetmi që mund të konfirmonte vdekjen e Hitlerit, gjë që ai gabimisht e bëri pasi ishte i bindur se shpërthimi kishte goditur në shenjë – do të duhej të shkonte me shpejtësinë më të madhe në kryeqytet për të marrë komandën e operacioneve. Plani, edhe pse i orkestruar mirë, tregoi se nuk ishte pa boshllëqet e tij.
Një nga dobësitë ishte qëndrimi i paqartë i gjeneralit Friedrich Fromm – i vetmi që mund të mobilizonte Ersatzheer – që ishte treguar i gatshëm të merrte pjesë në komplot vetëm me Hitlerin të vdekur. Por ishte e qartë se, me dyshimin më të vogël, ai nuk do të hezitonte të anohej kundër komplotistëve dhe nëse kjo do të ndodhte, pa urdhra të veçantë, edhe oficerët e tjerë të ngarkuar me rrethet ushtarake nuk do të lëviznin.
Dhe është pikërisht kjo ajo praktisht ndodhi: kur Fromm mori komunikimin direkt nga Fieldmarshalli Keitel se Führer kishte mbijetuar nuk lëshoi asnjë urdhër mobilizimi dhe vetëm me ardhjen e Stauffenberg në Berlin, tre orë më vonë, u bë e mundur fillimi i pjesshëm i lëvizjes së trupave. Por ishte tepër vonë.
Përgatiti për gazetatjeter.com: Edi DELIU