GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

I mbijetoi nazistëve, proteston kundër luftës: arrestohet 80 vjeçarja

Arrestohet në Shën Pjetërburg, Yelena Osipova, 80-vjeç, e mbijetuara e rrethimit nazist të Leningradit. Protestonte kundër luftës në Ukrainë

I mbijetoi rrethimit nazist të Leningradit, Shën Pjetërburgut të sotëm, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot, tetëdhjetëvjeçarja Yelena Osipova u arrestua nga policia ruse në të njëjtin qytet pasi doli në rrugë, së bashku me qindra qytetarë, kundër pushtimit të Ukrainës.

Yelena Osipova, aktiviste e njohur ruse për shkak mbijetesës nga rrethimi nazist i Leningradit, u arrestua nga policia gjatë protestave në Shën Pjetërburg kundër luftës në Ukrainë.

Arrestimi nisi mbrëmjen e së enjtes, kur qindra njerëz u mblodhën në qendrën e Shën Pjetërburgut, siç po ndodh prej ditësh, për të demonstruar kundër pushtimit rus të Ukrainës. Në mesin e shumë rusëve që demonstronin kundër luftës, 80-vjeçarja Osipova zbriti në shesh me dy tabela që shkruanin “Ushtar, hidhe armën dhe do të jesh një hero i vërtetë!”.

80-vjeçarja e mbijetuar nga rrethimi i Leningradit u arrestua nga policia ruse së bashku me shumë demonstrues të tjerë. Në një video të publikuar nga mediat, mbi të tjera në atë të britanikes Guardian që është bërë virale në rrjetet sociale, shihen dy oficerë duke tërhequr të moshuarën nga marshimi, ndërsa qark qindra demonstrues bërtasin kundër policëve.

Lufta në Ukrainë, protesta në Rusi

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, mijëra njerëz kanë dalë nëpër sheshe për të demonstruar kundër luftës, veçanërisht në Moskë dhe Shën Pjetërburg, qyteti i dytë më i madh në vend.

Sipas Ovd-Info, një portal i pavarur rus që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Rusi, janë të paktën 7,615 persona të arrestuar nga policia që nga 24 shkurti sepse protestuan kundër pushtimit të Ukrainës.

Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More