GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Ilir NIKOLLA – Të rikthehet e shenjta, si themel shqiptarie, jo si pazar qeverie

Asnjë ditë më shumë sesa sot nuk shkëlqen plaga e madhe e mungesës së të shenjtës në trojet tona. Të shenjtën e nxjerrim përditë në pazar për nevojat e ditës, e ato janë aq të shumta, aq bazike.

Në kohët kur uria po kapërthen gjithnjë e më shumë tavolinat e një kombi që është gjendur përherë në mes të qytetërimeve të mëdha e që ja ka arritur që në botën e tij të vetëplotësohet me bukë, kripë e dinjitet, gjëja më e lehtë që ju del para syve mendjeve të tulatura nga nevojat bazike është shitja e së shenjtës. Ajo ka dalë në pazar dhe fatkeqësisht bursën e së shenjtës e përdorojnë matrapazët në kolltuk.

Ata janë “oratorët” që përcaktojnë se kush mund ta këmbejë vullnetin e tij për ndryshim me një vend pune, me një renditje më të mirë në një konkurs bukurie,… e më keq akoma, me një kuti ndihmash në ditët para Kërshëndellave.

Dy të këqija në një ditë, e shenjta zgjidhet si kurbani i ditës dhe fatkeqësisht ajo blihet me ulje nga matrapazët që përdorojnë bursën e të shenjtës. Përditë shohim kambialet që ofron qeveria, për policët që duhet të godasin me uniformë e të mbledhin votat për qeverinë pasditeve, pa uniformë, për mësuesit që duhet të intimidojnë prindërit e nxënësve, për kryefamiljarët që duhet të bëjnë zap fëmijët që mendojnë me kokën e tyre dhe në fund fare, edhe për klerikët e liderët shpirtërorë, që s’duhet të bëzajnë, në rast se duan që të ruajnë raportet që organizmat e tyre kanë me buxhetin e shtetit apo që duan të ruajnë ndonjë shpresë se pasuritë e grabitura ndër dekada të mund t’u kthehen nga gjykatat e kontrolluara të këtij vendi. Rasti i kambialit shtetëror ishte në kufijtë e karikaturës, kur u pretendua se ishte meritë e qeverisë që po i regjistrohej prona 800-vjeçare Kishës së Kuvendit të Rubikut.

Në botën shqiptare ka një nevojë ulëritëse për kthimin e të shenjtës, kthimin e asaj që as nuk shitet e as nuk blihet, e asaj që s’ka çmim. Në vitet ’90 e përjetuam dashurinë e shqiptarëve për votën e lirë si një gjë të shenjtë, por atë e kanë nxjerrë prej Dushkut të 2001-it në pazar, dhe gjithmonë e më tepër po ja ulin çmimin.

De-shenjtërimi i votës së lirë ishte vetëm fillimi i një rrëgjimi të madh, që më tej vijoi me kuotimin në bursë të drejtësisë, më pas të së drejtës për të bërë tregti, më tej akoma më të drejtën e meritokracisë në administratën shtetërore e në fund fare, kanë hedhur në bursë edhe të drejtën e jetës. Të jetuarit me dinjteti nuk është më një e drejtë e patjetërsueshme në një shtet me demokraci, në trojet tona mund të jetohet me dinjtet nëse klasifikohesh në oktapodin e pushtetit, përndryshe mund të mbijetosh, veç nëse mundesh.

Kjo kurbë zbritëse e të shenjtës, nëse mund të shprehemi disi me gjuhën ekonomike, njërën nga mënyrat që kuptohet në mënyrë më të pangatërrueshme në kohën tonë, ka arritur në pikën e vet më të ulët. E kur më mirë se me 25 dhjetor mund të flasim për të shenjtën, duke nisur nga shenjtërimi i jetës, e më tej tek krejt ajo hapësirë e të shenjtës që shqiptarët e kanë të tyren prej mijëra vjetësh, por që tashmë e kanë nxjerrë nga hapësira publike e mundohen ta mbrojnë sa të munden në hapësirën e tyre private.

Merret vesh se kjo betejë pa heronj publikë ka një çmim shumë të lartë dhe ka nevojë të ndihmohet sa të mundet nga aktorët publikë. Me 25 dhjetor, këta heronj jopublikë kanë nevojë për ndihmën e liderëve publikë, për ndihmën e mediave, partive politike dhe liderëve fetarë. Ditën e Kërshëndellave në trojet e Shën Palit ka një nevojë ulëritëse për kthimin e të shenjtës në hapësirën publike, së pari për kthimin e dinjitetit të jetës e të vullnetit për të zgjedhur.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More