Industria ushqimore po mbahet, tani për tani
Edi DELIU – The Economist shkruan se janë gjetur zgjidhje kurajoze dhe krijuese ndaj krizës, por ekziston rreziku që miliona njerëz të vuajnë urie
Industria agroushqimore është fort e globalizuar dhe shumë vende në botë varen nga importi për shumë produkte ushqimore që konsumojnë: kjo situatë mund të hasë vështirësi më të mëdha për shkak të kufizimeve për të përballuar pandeminë nga koronavirus. The Economist flet për problemet, por edhe për aftësinë për të përshtatur ndaj kësaj krize, me rrezikun që miliona njerëz të vuajnë nga uria, por edhe për disa mënyra për ta shmangur ose menaxhuar.
Rreth katër të pestat e afro tetë miliardë banorëve të Tokës, shpjegon Economist, ushqehen pjesërisht falë importeve: në vitin 2019 ato llogariteshin në rreth 1.400 miliardë euro, tre herë më shumë në krahasim me fillimvitet 2000. “Batalionet e kamionëve dhe flotat e anijeve lidhin dhjetëra miliona ferma me qindra miliona dyqane dhe kuzhina”, shkruan. Është një sistem kompleks dhe i sofistikuar që, falë largpamësisë së prodhuesve, ia ka arritur deri më tani të anashkalojë kufizimet, duke gjetur hera-herës furnitorë të rinj të lëndëve të para, vende të reja të afta për t’i përpunuar ato dhe ridrejtuar zinxhirin e furnizimeve.
Problemi kryesor, shpjegon Economist, nuk është për shkak të mangësive në strukturën e zinxhirit të furnizimit, por tek ulja ose humbja e pagave. OKB vlerëson se kriza ekonomike e shkaktuar nga koronavirusi mund të dyfishojë numrin e të uriturve në botë, duke e çuar atë në 265 milionë deri në fund të vitit.
Struktura në fakt ka rrezikuar disa herë bllokimin, por në shumicën e rasteve janë gjetur zgjidhje: tani për tani çmimet e shumicës së ushqimeve janë përmbajtur dhe nuk ka pasur mungesë të madhe të mallrave. Kur në fillim të vitit Kina pati ndaluar udhëtimet turistike nga jashtë, për shembull, Zelanda e Re i kishte ofruar një kredi kompanisë ajrore shtetërore Air New Zealand nëse do të kishte mbajtur rrugët e hapura me Kinën (që është blerësja kryesor e mallrave ushqimore në vend), me Singaporin dhe me Shtetet e Bashkuara, për të eksportuar kivi dhe produkte të tjerë ushqimore.
Industria ushqimore, siç thamë, është tej mase e globalizuar: fermat dhe industritë e mëdha ushqimore blejnë fara, plehra, makineri dhe karburant nga shumëkombëshet, shpesh të huaja, siç janë ADM amerikane, Bunge dhe Cargill, holandezja Louis Dreyfus dhe Olam International i Singaporit. Madhësia e tyre dhe shumllojshmëria e bizneseve të tyre mundësojnë fitime të mëdha edhe nëse në hapësira të ngushta dhe gjithashtu edhe përshtatjen e shpejtë të zinxhirin furnizues, me përmbajtjen e çmimeve dhe sistemin fleksibël.
Gjithashtu, 20 vitet e fundit janë gjithnjë e më të pakta kompanitë kanë një kontroll të përbashkët të të njëjtit sektor. Gjysma e tregut amerikan të pulave, më i madhi në botë, kontrollohet nga katër kompani; dy nga bashkimet më të mëdha në vitet 2010 ndodhën në sektorin e ushqimit dhe të pijeve. Ndërkohë, tregjet emergjente kanë nevoja të reja që kanë shpënë në krijimin e shumëkombësheve të reja: JBS-ja braziliane është bërë kompania më e madhe e përpunimit të mishit në botë, ndërsa në Kinë COFCO është imponuar si kompania më e madhe agroushqimore në vend. Këto kompani me kapital shumë të madh e kanë bërë sistemin jashtëzakonisht të avancuar nga pikëpamja teknologjike dhe në gjendje të parashikojë dhe rregullojë çdo të papritur të vogël. Për shembull, përdorimi i kombinuar i imazheve satelitore dhe inteligjencës artificiale modifikon rrugët e anijeve që po ecën drejt një stuhie dhe vlerëson rendimentin sezonal të të lashtave.
Një sistem kaq i kalibruar mundëson menaxhimin e një prodhimi ekstremisht kompleks. Produkti përfundimtar shpesh asemblohet afër tregut të synuar, por grumbullimi i lëndëve të para dhe fazat e përpunimit mund të bëhen në vendet më të shpërndara: “Gruri ukrainas grumbullohet në Turqi dhe shndërrohet në petë në Kinë”, tregon një shembull Economist.
Kjo ka bërë që gjithnjë e më shumë vende të varen nga importet, siç tregon një analizë e FAO, agjensisë së Kombeve të Bashkuara që merret me ushqimin. Por, sidoqoftë, ka rrezik që pandemia e koronavirusit të shkaktojë një krizë ushqimore si ajo e vitit 2007-2008, kur rritja e fortë e çmimeve të ushqimoreve u rëndua nga vendimet e qeverive, të pazota për ta menaxhuar krizën: rreth 75 milion njerëz vuajtën urinë, e cila shkaktoi trazira në Bangladesh, Burkina Faso, Mauritania, Meksikë, dhe që kontribuoi në nisjen e luftës në Siri.
Situata asokohe ishte shumë e ndryshme nga e sotmja. Në vitin 2007, në Australi dhe Evropë rezervat e grurit kishin qenë të pamjaftueshme, ashtu siç rezervat e misrit në Shtetet e Bashkuara; rezervat e grurit nuk kishin qenë kurrë aq të ulta që nga viti 1973. Ndërkohë, kostoja e naftës së papërpunuar ishte rritur jashtëzakonisht shumë, duke e bërë atë shumë të shtrenjtë për tregtimin e ushqimeve, farërave dhe plehërave, duke rritur kërkesën, dhe koston e misrit e të sheqerit, të cilat mund të të përdoreshin si lëndë e parë për karburantet.
Sot rezervat e drithërave janë dyfishi i asaj kohe. Transporti me shumicë kushton 20 herë më pak dhe, në Shtetet e Bashkuara, çmimi i naftës është bërë negativ për herë të parë në histori (nafta WTI kushton 24 euro për fuçi). Lëndët e para, misri dhe sheqeri që përdoren si karburant janë më të lira. Gjithashtu, nuk është rritur vetëm numri i vendeve që importojnë të lashtat, por edhe numri i vendeve që i eksportojnë ato.
Diferencat në krahasim me vitin 2007 shihen në terren. Për shembull, në disa vende, në mars, shitjet e makaronave, ushqimit të konservuar dhe me kuti, u rritën shtatëfish, shumë supermarkete nuk kishin më mall në dispozicion, por shpejt arritën të gjenin burime të reja të furnizimit. Në prill, tregtarët indianë pezulluan eksportet dhe grupi francez i supermarketeve Carrefour iu drejtua Pakistanit dhe Vietnamit për të t’u rifurnizuar me orizin dhe Rumanisë për të importuar viçin.
Ndryshime pozitive janë parë edhe në zinxhirin e transportit. Në mars Timbues, një nga portet kryesore të Rozarios, një rajon nga i cili niset më shumë se 80 përqind e ushqimit të eksportuar nga Argjentina, qëndroi i mbyllur për gati një javë. Megjithatë, dërgesat e grurit vazhduan falë menaxhimit të automatizuar të ushqimeve, që me shumë mundësi është përforcuar gjatë pandemisë. Transportet detare funksionuan në masë të tillë saqë saqë shteteve kufitare me bregdetin e Indisë, që mbetën të izoluara nga masat e marra prej shtetit indian, i ra më mirë të blenin soje nga Argjentina sesa ta transportonin atë me kamion nga shtetet indiane nëpër rrugët tokësore.
Lëvizja e mallrave që kanë afat dhe mund të prishen është më e ndërlikuar. Frutat, perimet, mishi dhe kafja zakonisht udhëtojnë në aeroplan, në kontenierë frigoriferikë ose me anije speciale. Ka ngadalësime në të gjithë sistemin dhe disa probleme me kontejnerët frigoriferikë, ndërsa mbyllja e rrugëve ajrore e ka ulur përtokë koston e shumë produkteve të magazinuara dhe që tani kanë mbetur të pashitura: në Tajlandë, për shembull, çmimet me shumicë të frutave dragua, aq shumë të vlerësuara në Kinë, ranë me 85 përqind.
Në krahasim me fillimin e kufizimeve, kërkesa për mallra thelbësorë dhe me afat të gjatë skadence ka rënë por ka mbetur e ulët edhe kërkesa për lloje të tjera produktesh, ato që blihen zakonisht nga restorante, bare, mensa shkollash dhe institucionesh të tjera, të cilat janë të mbyllura. Fermerët, që zakonisht i furnizojnë ata, po përpiqen të shkojnë vetë tek dyqanet apo direkt tek njerëzit, por nuk është e lehtë sepse shpesh herë në shtëpi nuk gatuhen të njëjtat ushqime që hahen në restorant për darkë apo gjatë pushimit të drekës. Në fakt, preferohen ushqime gjysëm të gatshme, industriale apo përbërës që janë gatuhen lehtësisht, që konservohen apo kushtojnë pak, siç është mishi i viçit të marinuar, që preferohet më shumë sesa mishi i prerë për biftek. Pihet gjithashtu edhe më pak qumësht, në mungesë të kapuçinove apo pijeve të tjera të llojit që blihen nëpër bare. Edhe sikur përbërësit të jenë të njejtë, industria do të duhej të rimendonte paketimin: restorantet dhe furrat e bukës blejnë thasë 16-kilogramësh mielli, por ata që bëjnë bukë dhe makarona në shtëpi i blejnë në madhësi jo më shumë se 1 kg. Duhet kohë për të paketuar ushqimin në formate të reja dhe gjithashtu që supermarketet t’i pranojnë furnizuesit e rinj.
Rënia e kërkesës për disa produkte po shkakton probleme të mëdha në disa sektorë. The Economist shkruan se peshkatarët francezë po rihedhin në det dy të tretat e peshkut të tyre, Australia rrezikon një tepricë skandaloze në avokado, ndërsa disa fermerë kanadezë po ushqejnë lopët me qumështin e tyre. Por pjesa më e madhe e asaj që nuk mund të riciklohet do të shkojë dëm: Bashkimi Evropian pret, për shembull, të humbasë 400 milion euro patate ndërsa në Belgjikë prodhuesit kanë ftuar popullsinë që t’i konsumojë ato të paktën dy herë në javë. Sipas parashikimeve, këtë vit përqindja që shkon dëm në Shtetet e Bashkuara do të rritet nga 30 në 40 përqind.
Për bujqësinë, një problem tjetër kryesor është vështirësia në gjetjen e punëtorëve për korrje në fusha. Vetëm në Gjermani, për shkak të mbylljes së kufijve për të përmirësuar epideminë, mungojnë afro 1 milion punëtorë sezonalë, që zakonisht vijnë kryesisht nga Rumania dhe Bullgaria apo vendet e Ballkanit. Mbyllja e konsullatave të SHBA në Meksikë mund t’u ndalojë 250,000 punëtorëve sezonalë për të marrë leje që të shkojnë për të punuar në Shtetet e Bashkuara. Rreziku është lënia e një pjese të produkteve të kultivuara nëpër fusha, dhe ngadalësimi – për të mos thënë bllokimi – i furnizimit me ushqim të freskët të supermarketeve dhe dyqaneve ushqimore. Kompanitë që mund ta përballojnë atë do të përpiqen të automatizojnë korrjen e frutave dhe perimeve, në dëm të vendeve të punës. Fermerët e tjerë, të mbetur pa treg nga mbyllja e restoranteve, do të preferojnë t’i lenë që frutat dhe perimet të kalben në vend që të paguajnë dikë për t’i mbledhur ato mundur më pas t’i shesin.
Tjetër sektor në vështirësi është ai i mishit, kërkesa ndaj të cilit në këtë periudhë është pak a shumë e ulët. Carlos Rodriguez nga AGRO Merchants, i cili menaxhon depo me temperaturë të ulët në 11 shtete, tha për Economist, se frigoriferët që ruajnë mish dhe që përgjithësisht kanë kapacitet të mjaftueshëm rezervë, tani janë “plotësisht të mbushura”, dhe se do të jetë e vështirë të gjendet hapësirë për të mbajtur mish tjetër. Në Shtetet e Bashkuara, ky është një problem që lidhet kryesisht me industrinë e mishit të derrit: shumë thertore, në të cilat ka pasur raste të infektimit, janë mbyllur dhe aftësia e përpunimit të mishit është ulur me 40 përqind. Çdo 5 ditë ka një shtim prej mbi një milion derrash të gjallë nëpër ferma, të cilat nuk kanë më hapësirë për t’i mbajtur ato. Javën e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi që impiantet e paketimit të mishit të mbaheshin të hapura, edhe pse të paktën 15 prej tyre janë mbyllur për shkak se ishin evidentuar raste me Covid-19.
The Economist shpjegon se ata që vuajnë më shumë janë parasëgjithash fermerët e vegjël, ndërsa grupet e mëdha do të jenë në gjendje të axhustojnë prodhimin shumë më lehtësisht. Shtetet ku fermerët mund të kërkojnë kredi me interes të ulët janë ato që do t’ja hedhin më mirë, si Shtetet e Bashkuara, ndërsa fermerët e Amerikës së Jugut rrezikojnë shumë më tepër. Një problem tjetër është mungesa e kredisë. Sistemi funksionon kur kreditë afatshkurtra i mundësojnë çdo unaze të zinxhirit t’i paguajë produktet para se t’i shesë ato, por nëse veprimtaritë ngadalësohen, si në këtë moment, huatë zgjasin në kohë dhe nuk çlirohen para që mund të shpenzohen diku tjetër. Pastaj, në këto momente, bankat janë të kujdesshme për transaksione financiare në mallra të çdo lloji për shkak të paqëndrueshmërisë së monedhave, rënies së tregut të naftës dhe rënies së vlerës së grurit, dy mallra që shpesh ofrohen si kolateral.
Faktori i fundit i pasigurisë është mënyra e sjelljes që do të mbajnë qeveritë përballë krizës. Në vitet 2007-2008, 33 shtete miratuan kontrollet mbi eksportet, një nga faktorët kryesorë që bëri të rritej kosto e orizit me 116 përqind. Sot 19 shtete tashmë i kanë kufizuar eksportet, por tani për tani ndikimi është i pakët: atëherë pati pasoja në 19 përqind të numrit të përgjithshëm të kalorive të tregtuara, tani vetëm 5 përqind. Sidoqoftë, situata mund të ndryshojë dhe kufizimet në eksporte nga Vietnami kanë çuar tashmë në një rritje të kostos së orizit.
Kostoja e ushqimit rritet edhe për shkak të vendimit të disa shteteve për të rritur fluksin e importeve për krijuar rezerva ushqimore: shumë po përpiqen të krijojnë rezerva gruri për 4 muaj në vend të të zakonshmëve 3. Kontrolli mbi eksportet dhe përqëndrimi në krijimin e rezervave po rrezikojnë disa kombe të varfër, tek të cilët është vërejtur se si monedhat e tyre janë zhvlerësuar dhe tashmë duhet të paguajnë më shumë për të importuar ushqime.
The Economisti fton bashkësinë ndërkombëtare të veprojë për të shmangur krizën ushqimore. Në prill, 22 anëtarë të Organizatës Botërore të Tregtisë, të cilat së bashku mbulojnë 63 përqind të eksporteve të bujqësisë, kërkuan të mbahet i hapur tregu i importit, pa asnjë lloj kontrolli. Sipas The Economist, gjithashtu mund të ndihmonte edhe transparenca mbi rezervat ushqimore dhe koordinimi midis supermarketeve, gjë që mund të sinjalizonte mungesën e produkteve dhe të nxiste shkëmbimet mes tyre.