Interesi strategjik i Rusisë për Malin e Zi
Nga Alexander Pivovarenko
Perëndimi ka arsye mjaft të forta për të realizuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Madje mendoj se ekzistojnë dy motive kryesore që diktojnë veprimet e NATO-s në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik – një strategjik dhe një taktik.
Përsa i përket motivimit strategjik, politika e joshjes së ish-republikave jugosllave në sferën evropiane të ndikimit (ose të paktën në sferën e ndikimit të disa vendeve) ekziston në fakt qysh nga viti 1991.
Përsa i përket motivimit taktik, një shtysë e re u shfaq në verë-vjeshtën e vitit 2014, lidhur me përkeqësimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit.
Në zhvillimin e “Zonës së Kontrollit” për Rusinë, e cila shtrihet nga deti Balltik dhe deri në Detin e Zi, është pikërisht segmenti “Adriatik-Det i Zi” ai që duhet të shqetësojë më shumë Brukselin, përsa i përket disiplinës politike, besnikërisë së bllokut dhe sigurisë.
Këtu mund të vlerësohet rëndësia e rajonit të Ballkanit për sigurinë evropiane.
Së pari, Gadishulli Ballkanik në thelb nuk ka asnjë traditë konfrontimi me Rusinë. Së dyti, gjatë 30 viteve të fundit, Moska është përpjekur të zhvillojë marrëdhënie harmonike, konstruktive me të gjitha vendet e Ballkanit.
Imazhi i Rusisë në Ballkan (jo vetëm në Serbi dhe Malin e Zi, por edhe në Kroaci dhe Shqipëri) ka pak të përbashkëta me imazhin e Rusisë, për shembull, në shtetet baltike ose në Poloni. Kjo e dallon Rusinë nga NATO-ja dhe nga vendet kryesore perëndimore, të cilat kanë nxitur sulme të armatosura në rajon, si dhe kanë krijuar konflikte midis grupe specifike etnike.
Së treti, ngjarjet komplekse të kohëve të fundit dhe pozicioni delikat i rajonit, i “mbërthyer” në rrugën e tij drejt integrimit (ndryshe nga shtetet baltike të lartpërmendura), i detyroi vendet e rajonit të diversifikonin lidhjet e tyre të politikës së Jashtme në vitet 2000. Në thelb, e gjithë kjo është bërë një arsye e fortë që Brukseli t’i kushtojë vëmendje rajonit të Ballkanit dhe problemeve të tij, të cilat në përgjithësi janë mjaft delikate. Por fatkeqësisht, problemi më shqetësues në rajon është dhe do të mbetet retorika anti-ruse, që tashmë është bërë një justifikim i dalë boje për të përligjur veprimtari që kërcënojnë stabilitetin dhe paqen në rajon.
Pasojat për marrëdhëniet ruso-malazeze
Padyshim, pranimi i Malit të Zi në NATO nuk mund të quhet lajm i mirë. Diçka që dukej e pamundur, ose e pamendueshme për shumicën në dekadën e parë të mijëvjeçarit të ri dhe në fillimin e viteve 2010 – tashmë është bërë realitet.
Tanimë, pyetja kryesore që shtrohet, është: si duhen kuptuar ndryshime të tilla të pafavorshme?
Moska mund t’i konsiderojë ato të parashikueshme dhe disi të pranueshme (dhe nëse është kështu, emocionet e tepruara nuk janë të nevojshme).
Në fakt këto ndryshime drastike të rreshtimeve gjeopolitike dhe ushtarake janë vërtet një surprizë e pakëndshme dhe pasojë e moskuptimit të mjaftueshëm të situatës rajonale. Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjen ekspertët e Sigurisë, strukturat e politikës së Jashtme dhe opinionistët e mbarë rajonit të Ballkanit.
Reagimi i Rusisë është i balancuar dhe motamo në kufirin e domosdoshmërisë racionale. Nga njëra anë nevojitet një veprim i një lloji. Nga ana tjetër, emocionet e tepërta dhe përdorimi i lutjeve dhe nxitjeve (më shpesh nga opinionistët sesa nga diplomatët) nuk justifikohet, të paktën për shkak të ndryshimit të madh në status midis dy vendeve: Rusisë dhe Malit të Zi.
Duke iu drejtuar anës emocionale të çështjes, Rusia e vendos veten në pozicionin e Goliathit kundër Davidit.
Fushata e mediave ruse për këtë çështje është për të ardhur keq. Së pari, sepse është rezultat i vëmendjes së pamjaftueshme ndaj Evropës Juglindore. Së dyti, sepse fushata është plotësisht në kundërshtim me imazhin e Malit të Zi si një vend evropian historikisht dhe kulturalisht i afërt me Rusinë, imazh ky i formuar gjatë shumë viteve.
Duke pranuar Malin e Zi në NATO, Brukseli u dërgoi vendeve të tjera sinjalin se perspektivat euro-atlantike janë mëse reale.
Pengesat e mundshme për vendet e Ballkanit
Pasojat e anëtarësimit të Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike mund të jenë të rëndësishme. Për shembull, duke spekuluar rreth motiveve pas ndarjes së Federatës Seri-Mali i Zi midis serbëve dhe malazezëve, mund të krijohet dhe nxitet ideja e gabuar se edhe Serbia duhet të anëtarësohet në NATO!? Kjo duket si përfundim logjik dhe liderët politikë perëndimorë, të cilët padyshim që do të detyrohen të veprojnë bazuar në këto realitete të ndryshuara.
Megjithatë, mosmarrëveshjet e brendshme etnike, socio-ekonomike dhe të politikës së brendshme do të mbeten të pazgjidhura në rajon, ashtu si edhe më parë. Niveli i besimit në BE dhe NATO në mesin e publikut të gjerë ende nuk është veçanërisht i lartë: as në Mal të Zi dhe as në Serbi.
Si ilustrim vlen të përmendet veçanërisht procesi i votimit për ratifikimin e anëtarësimit në NATO në parlamentin malazezë, ku 46 nga 81 deputetë votuan për ratifikimin dhe 35 të tjerë bojkotuan seancën parlamentare. E megjithatë mediat vendase shkruajtën se vendimi është marrë unanimisht.
Është e qartë se kjo praktikë nxjerr në pah praninë e, të paktën, elementeve të ndarjes shoqërore.
Për Brukselin, këto kushte janë padyshim një sfidë. Dhe përsa i përket Rusisë, ndryshimet gjeostrategjike në Ballkan e detyrojnë Kremlinin të marrë në konsideratë pozicionin e ri të rajonit në diplomacinë dhe mbarë politikën e Jashtme ruse.
Përktheu Astrit Kola
P.S.
Grushti i dështuar i Shtetit në Malin e Zi; atentati i organizuar kundër Milo Gjukanoviçit dhe dorëheqja e menjëhershme e tij nga posti i Presidentit të Republikës; protestat e separatistëve serbë dhe; implikimet absurde të Kishës Orthodokse serbe në zhvillimet e dhunshme politike në Podgoricë – dëshmojnë ndjeshmërinë e lartë dhe deri në dhimbje të Moskës për shkëputjen e republikës më të vogël të Ballkanit nga kthetrat e Rusisë.
Në Kremlin nuk mund ta tolerojnë aq lehtë faktin që shteti liliput që Mëma e Sllavëve e formoi para 150 vjetësh dhe të cilit ia trefishoi asokohe sipërfaqen e popullsinë në kurriz të shqiptarëve etnikë pas grabitjes me luftë të Ulqinit, Tivarit, Rozhajës, Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë – më në fund i braktisi dhe iu bashkëngjit Perëndimit dhe NATO-s. Por “dardha e ka bishtin mbrapa” dhe akaparimi i sektorëve të shumtë të ekonomisë modeste malazeze nga biznesi rus që ka blerë sasi kolosale pronash atje, janë dhe do të mbeten “litari mbi varr” për sherre të tjera politike dhe me sfond etnik në të ardhmen.