GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Italo Calvino – Shpirti i komunikimit

Hermes – Mërkuri, perëndia e komunikimit dhe e ndërmjetësive, nën emrin Toth shpikës i shkrimit e, po ashtu, përsa më thotë Jung në studimet e tij mbi simbiologjinë alkimiste, “shpirti Mërkur” përfaqëson dhe principium individuationis… Por sipas opinionit më të përhapur, temperamenti i ndikuar nga Mërkuri, i zoti për shkëmbimet, tregtinë e që i zë dora gjithçka, i kundërvihet temperamentit të ndikuar nga Saturni melankolik, soditës, vetmitar. Që nga antikiteti, temperamenti saturnian mbahet pikërisht ai i artistëve, i poetëve, i mendimtarëve dhe më duket se ky karakterizim i përgjigjet së vërtetës. Letërsia nuk do të kishte ekzistuar kurrë, nëse një pjesë e njerëzve nuk do të ishte e prirur ndaj një mbylljeje në vetvete, një pakënaqësie ndaj botës, një përhumbjeje për orë e ditë të tëra me vështrimin e ngulur në palëvizshmërinë e fjalëve pa zë. Sigurisht që karakteri im u përgjigjet karakteristikave tradicionale të kategorisë së cilës i përkas. Edhe unë kam qenë gjithmonë një saturnian, pavarësisht nga lloji i maskave që kam kërkuar të vë. Kulti i Mërkurit ndoshta përmbush vetëm një aspirim, një dëshirë për të qenë: jam një saturnian që ëndërron të jetë Mërkur dhe gjithçka që shkruaj provon këto dy shtysa.

Edhe pse Saturni – Kronos ushtron pushtetin e tij mbi mua, megjithatë është e vërtetë se nuk ka qenë kurrë hyj i devocionit tim, nuk kam ushqyer për të asnjë ndjenjë tjetër përveçse respektit nga frika. Një perëndi tjetër ka me Saturnin lidhje afrimiteti e farefisnie dhe mbas tij jam shumë i dhënë, një perëndi që duke mos qenë titullari i një prej shtatë planeteve të qiellit të të vjetërve, nuk gëzon aq shumë prestigj astrologjik, pra dhe psikologjik, por që nga kohët e Homerit gëzon një fat të madh letrar. Po flas për Vullkanin – Hefest, perëndinë që nuk endet nëpër qiej, por strehohet në fund të kratereve, i mbyllur në farkën e tij, ku fabrikon i palodhur objekte të përfunduara në çdo hollësi, bizhuteri e zbukurime për perëndeshat e perënditë, armë, mburoja, rrjeta, çarqe. Vullkani që i kundërvë fluturimit ajror të Mërkurit ecjen jo të rregullt të hapit të tij të çalë dhe goditjen ritmike të çekanit. Edhe këtu duhet t’i referohem një letërsie të rastësishme, po nganjëherë idetë e qarta lindin nga leximi i librave të çuditshëm dhe vështirë të klasifikueshëm për nga rreptësia akademike. Libri në fjalë, që e kam lexuar kur studioja simbologjinë e tarokëve, titullohet “Histoire de notre images” e André Virel-it. Sipas autorit, një studiues i kolektivit imagjinar të shkollës – besoj jungiane, Mërkuri e Vullkani përfaqësojnë dy funksione jetësore të pandara e plotësuese. Mërkuri sintoninë ose pjesëmarrjen në botën që na rrethon; Vullkani fokusimin ose përqendrimin konstruktiv.

Që kur lexova këtë shpjegim të kundërvënies dhe plotësimit mes Mërkurit e Vullkanit, fillova të kuptoj diçka që deri atëherë e kisha nuhatur turbull, diçka për veten, mbi atë çka jam e çka do të doja të isha, si shkruaj e si do të doja të shkruaja. Përqendrimi e mjeshtria e Vullkanit janë kushte të nevojshme për të shkruar aventurat dhe metamorfozat e Mërkurit. Gjallëria e shkathtësia e Mërkurit janë kushte të nevojshme që lodhjet e pafundme të Vullkanit të shndërrohen në mbartës të kuptimit dhe, nga ganga minerale pa trajtë, të marrin formë cilësitë e perëndive, qestet a sfurqet, shtizat a diademat. Puna e shkrimtarit duhet të ketë parasysh kohë të ndryshme: koha e Mërkurit dhe koha e Vullkanit, një mesazh i menjëhershëm arritur në sajë të rregullimeve plot durim e përpikmëri, një intuitë e çastit që e sapoformuluar merr përcaktimin përfundimtar të asaj çka nuk mund të ishte ndryshe.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni