GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Ja kush janë në të vërtetë protestuesit No-masks që zbritën në shesh në Berlin

Përfundoi në përleshje marshimi i dytë i madh kundër masave anticovid të organizuara në Berlin.

Të paktën 18 mijë njerëz u mblodhën në Portën e Brandenburgut, në zemër të kryeqytetit gjerman, pasi dje një gjykatë rajonale rrëzoi vendimin e autoriteteve të qytetit për të ndaluar demonstratën nga frika e shtimit të infeksioneve.

Skenat ishin të njëjta me një gushtin e kaluar, me mijëra protestues të mbledhur pa respektuar distancat e sigurisë dhe pa vënë maska.

Pjesëmarrësit vëzhgoheshin nga afër prej një kordoni prej 3,000 agjentësh të cilët ndërhynë menjëherë pas fillimit të marshimit. “Për fat të keq, nuk na mbetet asnjë mundësi tjetër: iu afruam organizatorëve të demonstratës duke u komunikuar se nëse ndodhte e njëjta gjë si në një gusht marshimi do të ndalohej nga policia”, kanë komunikuar nëpërmjet Twitterit forcat e rendit përpara se të shpërndanin tubimin për mosrespektim të rregullave anti-Covid.

Bilanci, tani për tani, janë dy persona të arrestuar pasi një grup demonstruesish shënjestruan policinë me gurë dhe shishe.

Midis organizatorëve të protestës është grupi Querdenken (Mendimi Transversal), i cili në internet dhe në rrjete sociale ditët e fundit ka lëshuar kushtrimin për bashkimin “luftëtarëve për liri, të drejtat kushtetuese dhe të vërtetën”.

Lideri i lëvizjes lindur në Stuttgart është Michael Ballweg, një sipërmarrës 45-vjeçar, i cili brenda pak javësh arriti të mbledhë dhjetëra mijëra njerëz në Facebook dhe Telegram.

Të njëjtat që u derdhën në shesh si një gushtin e kaluar ashtu dhe këtë të shtunë të fund-verës.

Fronti që proteston kundër “diktaturës së maskave” është i larmishëm. Ata që bashkëndajnë të njejtin zemërim ndaj politikave të qeverisë, janë familje që kërkojnë të drejtën e tyre për të dalë në shesh, ultra-e djathta, konspiracionistët dhe No-Vax.

Sipas kronikës së BBC, ishin të shumtë ata që kishin vendosur të protestonin në Berlin të preokupuar për ndikimin e lockdownit në ekonomi dhe shoqëri.

Por midis tyre ka edhe nga ata që i përkasin ideve komplotiste. Armiku numër një i tyre është Bill Gates, manjati filantrop amerikan, bashkëthemelues i Microsoft, i cili me fondacionin e tij po financon kërkimin për vaksinën anti-Covid. Gjithashtu sipas transmetuesit britanik, disa nga pjesëmarrësit në manifestim e akuzonin atë se kërkon të instalojë “mikroçipa” në popullatë me justifikimin e profilaksisë anti-koronavirus.

Midis banderolave dhe flamujve ka edhe nga ato që mbështesin Qanon, lëvizjen konspiracioniste amerikane pro-Trump, sipas të cilëve presidenti amerikan po zhvillon një luftë të fshehtë kundër një Deep State të pedofilëve dhe satanistëve. Një grup që është bërë edhe më popullor në rrjetet sociale gjatë lockdownit.

Gjithashtu, iniciativës Querdenken i është bashkuar edhe Robert F. Kennedy Jr, djali i Bob, vëllait të presidentit të famshëm amerikan, avokat dhe aktivist No-Vax.

Korrespodentët e transmetuesit gjerman Deutsche Welle raportojnë edhe praninë e grupeve të lidhura me të djathtën ekstreme.

Në mbështetje të demonstruesve javët e fundit, kanë qenë përfaqësues të ndryshëm të partisë sovraniste Alternativa für Deutschland. Para pak ditësh, Alice Weidel, shefja e grupit të kësaj partie në Bundestag, ishte lëshuar kundër vendimit të autoriteteve të Berlinit për të ndaluar marshimin. “A do të kishin vendosur në të njëjtën mënyrë nëse protestat do të ishin kundër së djathtës? Apo të drejtat themelore respektohen vetëm për ata që nuk bien ndesh me politikën e qeverisë ”, ka sulmuar ajo.

Qindra “No-masks” u mblodhën gjithashtu edhe në Londër dhe Paris. Midis atyre që morën pjesë në protestën e kryeqytetit francez, ku ka dy ditë që është vendosur detyrimi për të vendosur maska pas bumit të ri të infeksionit të ditëve të fundit, kishte edhe demonstrues afër lëvizjes Yellow Vests.

Edhe në këtë rast xhandarmëria ndërhyri duke shpërndarë dhe gjobitur demonstruesit që nuk mbanin pajisje mbrojtëse personale.

Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More