GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

John Ford, mbreti i filmit western

Xhon Ford është njeriu që, praktikisht e ka krijuar kinemë western. Madje, ai që e rishpiku Westernin nga e para

S’është një paradoks: edhe pse Fordi ka lindur më 1895, kur aventura e madhe e Frontit tashmë kishte marrë fund, ishte pikërisht ai, së bashku me regjisorë të tjerë të zhanrit, që krijoi epikën që i dha linfën jetësore sagës më origjinale, më të rëndësishme dhe të pasur të të gjithë kombit amerikan.

Një popull që, në të kundërt, nuk do të mundte të këndonte histori të tjera përveç atyre të dhimbshme, edhe pse heroike, të Luftës së Pavarësisë dhe Luftës Civile.

Ishte Ford që e bëri Westin një vend mitik dhe magjik, selinë e ëndrrave të çdo familjeje amerikane. Ishte ai që krijoi sintaksën e kinemasë western, me të gjitha klishet e saj, personazhet themelorë, situatat tipike. Vetë ai, megjithëse me modesti, ia njihte vetes këtë meritë.

Si i pëlqente të thoshte: “Ekzagjerohet duke më bërë mua një specialist të westernit. Megjithatë, unë e dua këtë zhanër. Ndoshta sepse nuk e kam harruar mësimin e kinemasë së heshtur, duke i dhënë aksionit rëndësinë që i duhet. Kinemaja më e mirë është ajo ku aksioni është i gjatë dhe dialogët janë të shkurtër. Më e vështira është të gjesh historinë për të treguar; një histori të mirë, me një sfond piktoresk dhe trajton qeniet njerëzore”. Me pak fjalë, një histori të mirë të vendosur Far West.

Xhon Ford dhe kinemaja western: një kombinim i pandashëm në imagjinatën e gjithë dashamirëve të kinemasë dhe Far Westit. Ose, ndoshta, një “trinom”, nëse emrave Ford dhe West t’i bashkojmë edhe Xhon Uejn, aktorin “fetish” të regjisorit të madh, me të cilin realizoi, nga viti 1928 (viti i filmit të heshtur Hangman’s House) në 1963 (Donovan’s Reef, një komedi e ambjentuar në Polinezi), plot 21 filma, mes të cilëve disa gurthemele western, si Stagecoach, 3 Godfathers, Fort Apache, She Wore a Yellow Ribbon, Rio Bravo, The Searchers, The Horse Soldiers, The Man Who Shot Liberty Valance dhe How the West Was Won.

Por kush ishte me të vërtetë John Ford, mbreti i filmave western? Le ta zbulojmë së bashku.

Irlandezi i mirë i filmit

Sidoqoftë, kur në vitin 1968, gjatë një interviste televizive me gazetarin Philip Jenkinson, Ford shqiptoi frazën e famshme “Emri im është Xhon Ford dhe unë bëj western”, Hollywood-i përshkohej nga një frymë dyshimi.

Ishte ndoshta hera e parë që flitej për westernin si një mjet autentik shprehës, i denjë për vëmendje dhe jo si një produkt i thjeshtë komercial për masat.

Deri atëherë, siç kujton regjisori Douglas Sirk, “askush nuk ishte marrë ndonjëherë për të përcaktuar se çfarë vendi kishte westerni në kinemanë amerikane, dhe as se çfarë vendi zinin filmat në kulturën amerikane. Thënia i Fordit provokoi diskutime të forta. Ishin të befasuar nga fakti që i madhi Xhon Ford e kishte përkufizuar veten me ato fjalë. Por unë besoj se nuk mund të ekzaminohet kinemaja amerikane pa marrë parasysh westernin”.

Ishte pikërisht kështu. Fordi donte të thoshte që jo vetëm të gjithë filmat e tij, në një farë mënyre, ishin western, por edhe që kinemaja amerikane, në tërësinë e saj, ishte e përbërë nga western të mëdhenj; sepse westerni përbënte epikën e atij populli, ai ishte baza e tij e vërtetë kulturore, mbulesa mbi të cilën ishte ndërtuar, përgjatë njëqind viteve, që shkonin fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë deri në fund të shekullit nëntëmbëdhjetë, shoqëria e Shteteve të Bashkuara.

Me pikat e forta dhe të dobëta të saj, me mëkatet e saj të mëdha origjinale dhe me përpjekjet e saj (jo gjithmonë të suksesshme) për t’u vetëshlyer e për t’u falur nga historia dhe ndërgjegjja e saj. Qysh nga ditët e para të kolonizimit, Perëndimi u zhvendos gjithnjë e më shumë në Perëndim dhe Westi u bë gjithnjë e më shumë Far West, përgjatë vijës imagjinare të Kufirit që duhet të çonte, pasi të arrinin përtej ylberit dhe horizontit, në një botë të bërë nga liria puro.

Amerika dhe amerikanët u formuan përmes aksionit, dhe ky aksion ishte një udhëtim i vazhdueshëm për të shtyrë Kufirin tej e më tej. Vendi nuk mund të ndahej nga limiti i tij, nga Westi i tij; në këtë mënyrë, përrallat western u bënë arketipi i historisë amerikane, e përbërë nga takimi i të njeriut të bardhë me tokën e egër dhe me ata që jetonin atje, indianët. Secili prej filmave të mëdhenj western të Fordit është përmbledhja e gjithë kësaj.

I lindur në Cape Elizabeth, Maine, më 1 shkurt 1895, Xhon Ford ishte fëmijë emigrantësh irlandezë: fermerë, siç thoshte vetë ai, që në Amerikë morën një arsimim për të mirën e vendit të ri. Emri i tij i vërtetë ishte Sean (versioni irlandez i John) Aloysius O’Fearna, dhe kishte trembëdhjetë vëllezër dhe motra.

Varfëria e prindërve e bëri, në një farë kuptimi, më të pastër në shpirt. Siç kujtonte në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”: ” Shpesh më shigjetojnë për idealizmin tim. Nuk e mohoj. Fakti është se unë besoj në shumë gjëra që tani është bërë zakon të tallen: dashuria, miqësia, drejtësia. I dua njerëzit dhe u besoj atyre”.

Është baza e kinemasë së tij, dhe ndoshta edhe e jetës së tij, nëse është e vërtetë që, pavarësisht ishte me ide republikane dhe konservatore, gjatë stuhisë makartiste që tronditi Hollywoodin (kur, gjatë viteve Pesëdhjetë, filloi gjuetia ndaj simpatizantëve socialistë dhe komunistët midis atyre që punonin në botën e kinemasë), nuk ngurroi të anohej në mbrojtje të kolegëve pak a shumë të dyshuar: ai e bëri në emër të miqësisë dhe dashurisë për punën që i bashkonte.

Kur Xhon ishte fëmijë, familja e tij u transferua në Portland, ku i ati kishte blerë një saloon. Studioi në Portland High School, ku u diplomua në 1913. Më pas punoi në një fabrikë këpucësh si nëpunës reklamash. Por, shpejt, u bashkua me vëllanë e tij të madh Frensis, që punonte si aktor dhe regjisor në Bison Life Motion Picture.

Në 1916, Xhon (i cili aso kohe vetquhej Xhek) filloi të punojë si asistent regjisor, por ndërkohë bënte edhe makinistin gjetësin e gjërave të humbura. Vëllai i tij tashmë kishte marrë mbiemrin e artit Ford; menjëherë më pas edhe Xhoni bëri të njëjtën gjë.

Një punëtor i mirë i kinemasë, Frensisi vazhdoi të bënte si aktorin ashtu edhe regjisorin deri në fillim të viteve 1920, kur vendosi t’i kushtohej ekskluzivisht karrierës së aktrimit (shfaqet disa herë në filmat e të vëllait).

Para disa vitesh, Xhoni, midis mijëra gjërave të tjera, kishte marrë pjesë në realizimin e The Birth of a Nation, të Griffith. Interpretonte në një kalorës të Ku Kluks Klanit, dhe kjo përvojë i mundësoi atij të studionte metodat e punës së një regjisori të madh.

Siç ka thënë vetë ai, “Griffith ndikoi tek të gjithë ne. Nëse nuk do të ishte për të, kinemaja nuk do të kishte dalë kurrë nga fëmijëria. Ishte promotori i gjithçkaje, ai ishte që shpiku planin e parë dhe bëri gjëra që askush nuk i kishte menduar kurrë më parë”.

Kur shtëpia kinematografike për të cilën punonte, duke parë sukseset western me Tom Mix, William Hart, Rio Jim dhe Bronco Bill, vendosi të prodhojë edhe ajo filma të tillë, zgjedhja për regjinë ra mbi Xhon Fordin, duke parë që regjisorët e tjerë e përçmonin atë lloj filmi, të konsideruar më të përshtatshëm për akrobatet dhe artistët e cirkut sesa për aktorët e vërtetë.

Shpikja e një zhanri

Më 1917, Ford drejtoi filmin e tij të parë, The Tornado, në të cilin interpretoi edhe vetë ai.

“Moving Pictures World” e reçensoi veprën duke shkruar: “Duke kërcyer nga çatia mbi kalë, Xhek Ford admirohet si një akrobat dhe një kalorës i aftë. Në kulmin e aksionit, protagonisti kërcen nga kali që kalëron me të shpejtë duke u hedhur në një tren në lëvizje”.

Westernët e kohës ishin kështu: më shumë një punë marifetesh se gjë tjetër. Vetë Fordi besonte se imazhet dhe jo fjalët duhet të tregojnë një histori. Pas këtij suksesi të parë, Fordi relizoi një seri prej 26 filmash western ku aktori kryesor ishte Harry Carey.

Çdo film u xhirua brenda një jave, shpesh duke improvizuar gjatë xhirimeve. Truku për të qenë kaq i frytshëm ishte në shkrimin e një historie bazë dhe më pas xhirimi i saj nëpër ambiente të ndryshme, me tituj të rinj dhe bashkë-protagonistë të ndryshëm.

Fordi pranon se ka xhiruar “të njëjtin film” të paktën 12 herë pa e kupruar njeri. Ata ishin filmime me dy rula (rreth 20 minuta), por në vitin 1917 Fordi realizoi edhe filmin e tij të parë me metrazh të gjatë (pesë rule, pak a shumë një orë) të titulluar Centro! (Straight Shooting).

Një kritik shkroi: “Pak regjisorë dinë të fusin kaq shumë forcë në film siç bën Fordi”. Më 3 korrik 1920, Xhoni u martua me Mary McBride Smith, me të cilën pati dy fëmijë: Patrick Roper, në 1921 dhe Barbara Nugent, në 1922. Në 1923, për filmin Cameo Kirby, doli për herë të parë me emrin Xhon në vend të Xhek.

Vitin pasardhës erdhi suksesi i tij i parë i vërtetë, i madh: The Iron Horse (Kali i Hekurt), i cili tregon historinë aventureske të ndërtimit të hekurudhës transkontinentale, e cila bashkoi dy brigjet e Shteteve të Bashkuara, në vitet gjashtëdhjetë, të Tetëqindës.

Në 1928, John xhiroi The Hangmans House, puna e tij e parë me Xhon Uejnin. Ishte ende një film pa zë, por filloi aty partneriteti tridhjetë vjeçar midis dy artistëve. Vepra, pavarësisht nga titulli, nuk është një western, por një dramë familjare irlandeze në të cilën Uejn nuk recito si protagonist, por në rolin e një spektatori në një garë me kuaj.

Më 1929, Fordi realizoi filmin e tij të parë me zë, Napoleon’s Barber (Barberi i Napoleonit), një film komik me metrazh të shkurtër ku një berber mburret me një klient në lidhje me atë që do t’i bënte Napoleonit, nëse do t’i dilte përpara, dhe papritmas zbulon Napoleoni është pikërisht klienti.

Më 1935, The Informer (Tradhtari) mbase suksesi më i madh i arritur ndonjëherë nga Fordi, i cili i mundësoi atij të fitonte çmimin Oskar për regjinë më të mirë.

Më 1939 Xhon Fordi xhiroi westernin e tij më të famshëm: Stagecoach (Hije të Kuqe). Me skenar të Dudley Nichols duke u nisur nga një histori e Ernest Haycox, filmi, i ambientuar rreth vitit 1880, tregon historinë e një karroce mbi të cilin udhëtonin një prostitutë që kërkon të ndryshojë jetën (Dallas), një mjek i alkoolizuar, gruaja shtatzënë e një oficeri, një jugor i varfër, një bankier mashtrues, një përfaqësues i uiskit dhe një sherif, të cilit, gjatë rrugës, i bashkohet një kauboj, pistoleri Ringo (Xhin Uejn), vetë njeriu që kujdeset për ligjin, po kërkonte.

Pa përcjellje ushtarake, karroca sulmohet nga Apashët, por thirrja e bekuar “Po vijnë tanët!” (domethënë ndërhyrja e Kalorësisë) zgjidh situatën. I jashtligjshmi merr hakun që dëshironte dhe sherifi, në fund, e lë të lirë për t’u arratisur jashtë kufirit, për në Meksikë, ku të fillojë një jetë të re me Dallasin, me të cilin ndërkohë ai ka rënë në dashuri.

Përtej të qenit një film i shkëlqyer i Fordit, filmi është gjithashtu i pari në të cilin Uejn luan një rol absolutisht kryesor, duke ndërtuar karakterin tipik të të gjithë westernëve të tij të ardhshëm: burrë i ngurtë, pa ngasje, besnik, por me një impuls melankolie që e bën atë njerëzore, pavarësisht pamjes së jashtme.

Filmi, i cili sipas kritikut francez André Bazin vizaton formën klasike të westernit në pikën e tij më të lartë, fitoi dy çmime Oskar: për kolona zanore, të kompozuar nga Richard Hageman, dhe për aktorin më të mirë jo protagonist Thomas Mitchell, i cili luante rolin e Josiah Boone, mjekut të alkoolizuar.

Në 1940, Ford do të fitojë Oskarin e tij të dytë si regjisor. Ai e fitoi atë për The Grapes of Wrath, kryevepër e bazuar në romanin e publikuar nga John Steinbeck vetëm një vit më parë.

Interpretuar nga Henry Fonda, Jane Darwell dhe John Carradine, filmi tregon historinë e Amerikës gjatë depresionit të madh. Tom Joad (Fonda) del nga burgu dhe zbulon se toka e tij është shpronësuar nga bankat.

Nuk ka zgjidhje tjetër veçse të niset mbi një kamion, me gjithë familjen, për në Perëndim, drejt Kalifornisë, përgjatë Route 66, të shndërruar në një postë për të ardhurit e rinj. Iluzioni i tyre për të marrë një tokë pjellore për të kultivuar shndërrohet shpejt në zhgënjim dhe udhëtimi shndërrohet në një odise të vërtetë.

Sezoni i Kufirit

Kur Shtetet e Bashkuara i shpallën luftë Japonisë pas bombardimit të Pearl Harbor në dhjetor 1941, Ford hyri në Marinë.

Në krye të një grupi reporterësh dhe operatorësh, ai xhironte operacionet në terren. Më 1942 ai mori pjesë në betejën e Midway, ku një plagë e cila, më vonë, do t’i kushtonte humbjen e syrit të majtë.

Pas luftës, më 1945, ai xhiroi They Were Expendable një film lufte, por në vitet pasardhës filloi për të sezoni i madh western. Xhirime të destinuara për të bërë epokë, të interpretuar nga aktorë peshë të jashtëzakonshme, në gjendje të krijonin një figurë specifike, klishe që të modulonte gjithë kinemanë e Kufirit.

Lista fillon me My Darling Clementine, i vitit 1946, interpretuar nga Henri Fonda në rolin e Wyatt Earp dhe Victor Mature në atë të Doc Holliday. Filmi ritregon historinë e sfidës së famshme të OK Corral, i cilin pikërisht falë këtij xhirimi u shndërrua në një nga mitet themelues të Westit.

Siç tha Ford, “Burra si Earp ishin trima. Ata nuk kishin nevojë të përdorin revolverin. Ishte i mjaftueshëm një vështrim. Dominonin me prestigjin që kishin fituar dhe me personalitet. Pastaj … kishin fat. 45-ëshja është arma më e pasaktë e prodhuar ndonjëherë”.

I 1948 është Fort Apache, sërish me Henri Fonda, prapë bashkë nga Xhon Uejnin, që hap serinë ku ai do të interpretojë oficerin e ushtrisë. Filmi është gjithashti i pari i një trilogjie kushtuar kalorësisë gjatë Luftërave indiane, dhe nxjerr në pah kontrastin midis kolonelit Turner (Fonda), i etur për të bërë emër për veten në konfliktin kundër lëkurkuqve, dhe oficerëve të tjerë të fortesës, të gjithë veteranë të Westit, mes të cilëve edhe kapiteni Jork (Uejn), të cilët shfaqen më të përmbajtshëm.

Më 1949 ishte rradha e She Wore a Yellow Ribbon (Ajo kishte veshur një fjongo të verdhë), kapitulli i dytë i trilogjisë së sipërcituar. Stili i xhiromit është i frymëzuar në mënyrë të qartë nga ai i piktorit western Frederic Remington dhe fitoi Oskarin për fotografinë më të mirë për Winton Hoch.

Ford tregon: “U përpoqa të imitoja stilin e Remington, por nuk mund bë hëhej njëqind për qind. Si një objektiv minimal, u mundova të nxjerr në pah ngjyrën dhe lëvizjen që janë karakteristike për të, dhe mendoj se ia kam arritur pjesërisht”.

Nën interpretimin nga Xhon Uejn të rolit të kapitenit Nathan Brittles, filmi nis një ditë pas humbjes katastrofale të Custer në Little Bighorn dhe tregon kalorësinë e angazhuar për të përballur një ofensivë të madhe të lëkurkuqve, të bashkuar në një aleancë të gjerë dhe të frikshme.

Skenarit i shërben si sfond i jashtëm Monument Valley, midis Utah dhe Arizonës, një vend i zakonshëm në kinematografinë fordiane dhe tashmë i gdhendur në imagjinatën kolektive si peizazhi i vërtetë western.

Rio Bravo, i 1950, është filmi i tretë në trilogji (gjithmonë interpretuar nga Xhon Uejn), që paraprihet nga një tjetër western: Wagon Master, në të cilin Ford gjurmon transferimin epik të kolonëve të besimit mormon në territoret e Jutas, ku themeluan Salt Lake City.

Por është me një film jo-western, The Quiet Man, të vitit viti 1952, që Ford, me Uejn si protagonist, fitoi Oskarin e tij të katërt dhe të fundit (në 1942, në mes të luftës, ishte radha e How Green Was My Valley).

Dy Xhonët e pandashëm dhe zjarret e fundit

– Dy Xhonët e pandashëm

Më 1953 Ford xhiroi aventureskun Mogambo dhe, për miqësi me Xhon Uejnin, punoi si regjisor i njësisë së dytë në Hondo, me regji të John Farrow.

E 1956-ës është kryevepra The Searchers, ndoshta rezultati më i mirë i bashkëpunimit midis Fordit dhe Uejnit: këtu aktori besonte se kishte dhënë më të mirën e tij dhe do të kishte qenë gjithmonë në mënyrë të veçantë i afeksionuar me personazhin që interpretoi, atë të Ethan Edwards, aq sa pagëzoi Ethan njërin nga djemtë e tij.

Historia e dy burrave në kërkim të një vajze të rrëmbyer nga indianët i vë në skenë të gjitha stereotipet e westernit, duke filluar nga ambjentimi (Monument Valley), për të vazhduar me lëkurëkuqtë, banditët, shkretëtirën dhe ndjenjën e humbjes që mbërthen protagonistin, një njeri nga e kaluara që nuk arrin të ambjentohet në botën ku gjendet dhe jeton.

Pasi gjeti mbesën e rrëmbyer nga indianët dhe e çuan përsëri në familje, largimi i saj drejt një horizonti të pamasë përfaqëson mbase përpjekjen për t’iu drejtuar një të kaluare, asaj të Westernit aventuresk, i cili po vdes, i mbytur nga civilizimi që po përparon.

Ngjarjet zhvillohen pas Luftës Civile (periudha më dramatike e historisë amerikane, që forcoi shpirtin e kombit, por hapi plagë të panumërta mbi të), filmi, siç deklaroi Ford, “është tragjedia e një vetmitari; i dikujt që doli gjallë nga Luftën Civile, shkoi në Meksikë, ku u bë bandit dhe nuk u bë kurrë pjesë e familjes së tij”.

Për më tepër, ajo e vetmisë vullnetare dhe braktisjes së të dashurve shtëpiakë ka qenë gjithmonë një temë e ripërsëritur në letërsinë amerikane, duke filluar nga Uashington Irving dhe Hermann Melville.

Zjarret e fundit

1959a ishte viti i The Horse Soldiers, i frymëzuar nga një episod i ndodhur me të vërtetë gjatë Luftës Civile i treguar në romanin me të njëjtin emër nga Harold Sinclair, në të cilin rikujtohet historia e kolonelit nordist Benjamin Grierson (i shndërruar në John Marlowe dhe i interpretuar luajti nga Uejn) i cili, në 1863, u ngarkua të depërtonte pas vijave sudiste për të sabotuar hekurudhat që furnizonin trupat.

Më 1961 Ford xhiroi Two Rode Together, në të cilin iu rikthye temës së përdorur tek The Searchers, domethënë asak në kërkim të të burgosurve nga lëkurkuqtë.

Një vit më pas, ishte radha e westernit të tij të fundit të madh, i cili ishte edhe njëri nga filmat e tij të fundit: The Man Who Shot Liberty Valance (Njeriu që vrau Liberty Valance). Interpretojnë, Xhejms Stjuart, në rolin e avokatit Ransom Stoddard, i cili transferohet në West nga qyteti, dhe Xhon Uejn në rolin e kaubojit vetmitar Tom Doniphon.

Në film, ngjarjet e të cilit zhvillohen në fund të shekullit XIX, të dy burrat përfaqësojnë aspektet e kundërta të Westernit që po formëzohej: civilizimin, e ardhur nga Lindja, me rregullat dhe ligjet e tij, dhe lirinë, madje edhe pak anarki, të Westit të vjetër.

I vetëdijshëm se do të jetë i pari që do të mbizotërojë, Doniphon vihet në “shërbim” të tij dhe e ndihmon për të fituar mbi të jashtligjshmit që kanë marrë nën kontroll qytetin.

Ndiqen nga filmi me shumë duar, How the West Was Won, nga 1962, dhe nga Cheyenne Autumn, në 1964, në anën e indianëve.

Por Fordi tashmë ishte i sëmurë. Vepra e tij e fundit, 7 Women, në vitin 1966, ishte një dështim për kritikët dhe publikun. Nuk do të kthehej më kurrë në sheshxhirim: u shua në Palm Springs më 2 shtator 1973. Navajot e Monument Valley e përkujtojnë me emrin e Natani Nez: “Big Cape High”.

Në foton më poshtë, Xhon Ford në fillimin e viteve shtatëdhjetë, në shoqërinë e kolegëve regjisorë Dennis Hopper (autor, në vitin 1969, i Easy Rider, në të majtë) dhe Xhon Hjuston, i cili gjithashtu drejtoi westernë të famshëm si The Treasure of the Sierra Madre (1947 ), The Unforgiven (1960) The Life and Times of Judge Roy Bean (1972).

Katër çmimet Oskar dhe njëzet e gjashtë kryeveprat western

– Katër çmimet Oskar

Përgjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme pesëdhjetëvjeçare, Xhon Ford ka fituar plot katër çmime Oskar si regjisori më i mirë, por asnjë prej tyre, për një film western. Filmat e tij fitues të çmimeve ishin:

∗ Tradhtari, 1936, me Victor McLaglen, Heather Angel dhe Preston Foster. Shkruar nga Dudley Nichols, filmi është vendosur në Irlandë në 1922, në kohën e luftës civile.

Tregon historinë e Gypo Nolan, një i papunë i larguar nga nacionalistët sepse nuk pati guximin të vriste një tradhtar dhe që, në fund të fundit, bëhet vetë tradhtar.

* Grapes of Wrath, 1940, me Henry Fonda, Jane Darwell, John Carradine. Bazuar në romanin me të njëjtin emër nga John Steinbeck, tregon Amerikën në vitet e depresionit të madh, kur mijëra familje u detyruan të linin shtëpitë e tyre për të kërkuar një iluzion mbijetese në tokat e Perëndimit. Një ëndërr shpesh e ndërprerë nga shfrytëzimi, abuzimi, dhuna dhe vdekja.

∗ How Green Was My Valley, 1942, me Walter Pidgeon, Maureen O’Hara, Donald Crisp. Bazuar në një roman të Richard Llewellyn, është historia e një minatori që largohet nga qyteti uellsian, në të cilin ka jetuar gjithmonë, por që tani ka ndryshuar plotësisht.

∗ The quiet man, 1953, me Xhon Uejn, Maureen O’Hara, Victor McLaglen. Shkruar nga Frank S. Nugen, është historia e Sean Thornton, një boksieri që bëri pasuri në Amerikë dhe kthehet në Irlandën e tij.

Fillimisht i pritur me dyshim, kur vendos të blejë shtëpinë e prindërve bëhet beniamini i komunitetit.

– 26 kryevepra western

Ford drejtoi një numër të jashtëzakonshëm filmash western. Më poshtë është një përzgjedhje e filmave të tij më të mirë:

∗ The Trail of Hate, 1917.

∗ Cheyenne Cheyenne’s Pal, 1917.

∗ Bucking Broadway, 1917.

∗ Three Mounted Men, 1918.

∗ Roped, 1919.

∗ By Indian Post, 1919.

∗ Gun Law, 1919.

∗ The Last Outlaw, 1919.

∗ The Rider of the Law, 1919.

∗ Desperate Trails, 1921.

∗ The Iron Horse, 1924.

∗ Stagecoach, 1939.

∗ Drums Along the Mohawk, 1939.

∗ My Darling Clementine, 1946.

∗ Fort Apache, 1948.

∗ She Wore a Yellow Ribbon, 1949.

∗ Wagon Master, 1950.

∗ Rio Grande, 1950.

∗ Hondo, 1953.

∗ The Searchers, 1956.

∗ The Horse Soldiers, 1959.

∗ Sergeant Rutledge, 1960.

∗ Two Rode Together, 1961.

∗ The Man Who Shot Liberty Valance, 1962.

∗ How the West Was Won, 1962.

∗ Cheyenne Autumn, 1964. / Materiali u përgatit nga stafi i gazetatjeter.com

Ju gjithashtu mund të pëlqeni