Kanali Suezit, historia nga viti 1800 para Krishtit e deri më sot

Një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë ka një histori që daton më shumë se një shekull e gjysmë më parë, e shënjuar nga konkurrenca mes shteteve, kriza dhe luftrave

Të martën e kësaj jave, anija majtësekontejnerësh Ever Given u anuar përgjatë Kanalit të Suezit dhe ka bllokuar kalimin nëpër të. Është anija më e madhe që ka penguar ndonjëherë Kanalin dhe përpjekjet për ta zhvendosur deri më tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat: sipas disa ekspertëve, mund të duhen ditë, madje edhe javë.

Bllokimi i Kanalit të Suezit është një problem serioz për Egjiptin, i cili e kontrollon atë, dhe për të cilin Kanali është një burim i rëndësishëm i të ardhurave kombëtare, por edhe për ekonominë botërore: i inauguruar më 1869 dhe i gjatë 193 kilometra, Kanali garanton ende edhe sot pothuajse 7 përqind e trafikut tregtar botëror dhe përmes ujërave të tij kalojnë 12 përqind e të gjitha mallrave të botës. Është një nga rrugët më të rëndësishme për tregtimin e naftës dhe ka një vlerë strategjike edhe nga pikëpamja ushtarake.

Kanali ka një histori shumë të gjatë: historiografia antike gjurmon gërmimet e para për të lidhur Detin Mesdhe me Detin e Kuq rreth vitit 1800 para Krishtit, kur, sipas disa autorëve antikë përfshirë Aristotelin, faraoni Senusret III ka pas krijuar një kanal të parë për ujitje, i cili mund të bëhej i lundrueshëm gjatë periudhave të përmbytjes, i quajtur më vonë si Kanali i Faraonëve. Mirëpo dëshmitë e para të sigurta të realizimit të tij, datojnë shumë më vonë, në kohën e Faraonit Necao II, i cili mbretëroi rreth vitit 600 para Krishtit, dhe të mbretit Persian Darius I, i cili u gjend duke drejtuar Egjiptin pasi babai i tij e kishte pushtuar atë.

Kanali i Faraonëve ishte shumë i ndryshëm nga Kanali i Suezit. Ky i tanishmi shtrihet nga veriu në jug dhe lidh drejtpërdrejt Mesdheun me Detin e Kuq: fillon nga Port Said, në veri dhe arrin në Suez, në jug. Ndërsa kanali antik shtrihej nga perëndimi në lindje dhe lidhte një degë të grykës së lumit Nil me Detin e Kuq. Ky kanal u zgjerua më vonë nga anëtarë të ndryshëm të dinastisë ptolemaike, e cila drejtoi Egjiptin nga 305 para Krishtit ku eksponentja e fundit e së cilës ishte Kleopatra. Kanali u përdor dhe u zgjerua edhe në epokën romake, aq sa në një moment të caktuar u bë i njohur si Kanali i Traianos, për shkak të emrit të perandorit.

Pas rënies së Perandorisë Romake, sundimtarët e njëpasnjëshëm të Egjiptit vazhduan në faza të ndryshme të përdornin kanalin, derisa më 676 pas Krishtit kalifi i dinastisë abaside e mbylli atë përfundimisht për arsye ushtarake.

Mbetjet e Kanalit të Faraonëve, të përshkruara në vepra të shumta historike, janë gjetur më 1799 nga ekspedita e famshme e Napoleonit në Egjipt, i cili për disa vjet ushqeu shpresën se mund të hapte një rrugë për në Detin e Kuq. Synimi i tij ishte të vinte në vështirësi Britaninë, rivalen e Francës, e cila në atë kohë dominonte detet dhe tregtinë falë kontrollit të saj të rrugës së Kepit të Shpresës së Mirë, e cila rrethon Afrikën për të lidhur Evropën dhe Azinë.

Napoleoni hoqi dorë nga ndërtimi i një kanali sepse shkencëtarët e tij i thanë që niveli i Detit të Kuq ishte rreth 9 metra më i lartë se ai i Detit Mesdhe: për të ndërtuar një kanal të lundrueshëm që të lidhte dy detet do të ishte e nevojshme të krijohej një sistem kompleks dhe i shtrenjtë mbyllës – pak a shumë si ai që përdoret sot në Kanalin e Panamasë.

Por shkencëtarët e Napoleonit gabonin: diferenca në lartësi midis niveleve të dy deteve është në të vërtetë e papërfillshme, por duhej të kalonin pesëdhjetë vjet para se kjo të kuptohej nëpërmjet studimeve të reja, dhe që diplomati francez Ferdinand de Lesseps të merrte nga Muhammad Said Pasha, atëherë sundimtar të Egjiptit dhe Sudanit, një koncesion për të filluar ndërtimin e kanalit në 1854. Lesseps themeloi Kompaninë e Kanalit të Suezit, që do të menaxhonte punën për 99 vjet dhe shiti 49 përqind të detyrimeve për t’u vetëfinancuar; pjesa e mbetur 51 përqind mbeti në duart e francezëve.

Ndërtimi filloi më 1859, zgjati dhjetë vjet dhe u zhvillua në kushte të tmerrshme: vdiqën mijëra punëtorë, në pjesën më të madhe egjiptianë, të shtrënguar për të bërë punë të detyruara, para së gjithash për shkak të epidemive të kolerës dhe sëmundjeve të tjera që u përhapën nëpër kantiere. Përurimi, më 17 nëntor 1869, ishte një ngjarje e madhe ku morën pjesë një përfaqësi e gjerë e aristokracisë evropiane, përfshirë perandorin austriak Franz Joseph.

Britania e Madhe, që fillimisht ishte kundër ndërtimit të kanalit, sepse do të rrezikonte rrugët e saj tradicionale tregtare, më pas në fund të viteve 1800 fitoi kontrollin mbi kanal, kur faktikisht e pushtoi Egjiptin dhe bleu 44 përqind të aksioneve të Kompanisë së Kanalit të Suezit. Më 1888, Konventa e Konstandinopojës e shpalli kanalin territor neutral nën mbrojtjen britanike.

Kanali i Suezit, në kohën e hapjes, ishte një vepër mbresëlënëse por relativisht e thjeshtë: mundësonte tranzitin e një anijeje në rradhë dhe për të siguruar një kalim më të shpejtë përgjatë rrugës kishte zona të hapura, përfshirë Liqenin e Madh i hidhur, një liqen natyral që lidh dy segmente të kanalit, në të cilën anijet prisnin njëra-tjetrën. Koha e nevojshme për ta kapërcyer të gjithin, në fillim, ishte rreth 40 orë, të cilat megjithatë u zvogëluan deri në 13, në fund të viteve ’30 të Nëntëqindës. Vetëm më 1947 u implementua një sistem karvan: çdo ditë organizoheshin tre nisje grupesh të mëdha anijesh, të gjitha në rresht, dy duke shkuar për në jug dhe një në drejtim të veriut, që vazhdonin më pas në drejtime alternative. Ky sistem mbeti në fuqi deri në zgjerimin e kanalit më 2015.

Që nga hapja e tij, Kanali ka ndryshuar në mënyrë dramatike dinamikën tregrare, transportin dhe strategjitë ushtarake. Më 1870, viti i parë i plotë i aktivitetit, tranzitet përmes Kanalit ishin 486, rreth një e gjysmë në ditë, por u rritën vazhdimisht për të tejkaluar 20.000 në vitet ’60 të Nëntëqindës (në ditët e sotme ato kanë rënë pak: në 2018 ishin 18,174, por tonazhi i përgjithshëm i anijeve pothuajse është trefishuar në krahasim me vitet Gjashtëdhjetë, për shkak të anijeve gjigante mbajtësekontejnere dhe petrolierave).

Hapja e Kanalit revolucionarizoi edhe tregtinë botërore: ajo e bëri pjesërisht të vjetëruar rrugën nga Kepi dhe përgjatë shekullit XX, pasi vendet e Gjirit Persik u bënë eksportuesit më të mëdhenj të naftës bruto në botë, u bë vendimtare për furnizimin me energji të Evropës

Kishte një vlerë strategjike edhe nga pikëpamja ushtarake. Gjatë Luftës së Parë dhe veçanërisht Luftës së Dytë Botërore u bë një objektiv që britanikët e mbrojtëm me të gjitha mënyrat dhe që e përdorën për të bllokuar anijet gjermane dhe italiane, duke u shkaktuar dëme serioze vendeve të Boshtit.

Kanali u bë qendror në përplasjet gjeopolitike sidomos pas Luftës së Dytë Botërore: në 1956 presidenti i Egjiptit, Gamal Abdel Nasser, shtetëzoi menaxhimin e Kanalit dhe si kundërpërgjigje Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Izraeli sulmuan vendin.

Kriza e Suezit, siç u emërtua, zgjati tetë ditë dhe u shndërrua në një katastrofë të vërtetë për vendet sulmuese: Britania e Madhe dhe Franca arritën të pushtonin Kanalin me lehtësi, ndërsa Izraeli kishte marrë nën zotërim Gadishullin e Sinait, por presioni ndërkombëtar, të nga Shtetet e Bashkuara ashtu dhe nga Bashkimit Sovjetik ishte aq i fortë sa që të tre vendet u detyruan të tërhiqeshin. Pasuan forcat peacekeeping të OKB që u dërguan për të ruajtur zonën: organizata kishte lindur disa vjet më parë, dhe ky ishte misioni i parë në absolut i Helmetave Blu.

Për Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën ishte një poshtërim i rëndë, dhe sot historianët e kujtojnë krizën e Suezit si moment kur u bë e qartë për të gjithë botën se superfuqitë e vetme ishin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik, dhe se rënia ushtarake e vendeve evropiane ishin tashmë e pandalshme.

Kanali u përfshi edhe në luftërat e shumta midis Izraelit dhe vendeve arabe të gjysmës së dytë të shekullit Nëntëqindës. Në 1967, pas Luftës së Gjashtë Ditëve, Izraeli pushtoi përsëri gadishullin e Sinait, duke fituar kontrollin e njërës prej dy anëve të Kanalit. Për shkak të konfliktit, Kanali u mbyll dhe qëndroi i tillë për tetë vjet, deri më 1975.

Në momentin e mbylljes, po kalonin përmes Kanalit 15 anije tregtare, të cilat mbetën të bllokuara përgjatë tetë viteve: 15 anijet u bënë të famshme si “flota e verdhë”, për shkak të rërës që me kalimin e kohës ishte depozituar nëpër anije. Me kalimin e viteve nëpër anije kishte gjithnjë njerëz në bord, me turne, për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e anijeve, dhe me kalimin e kohës në flotën e verdhë u krijua një komunitet i vogël, me kishën dhe fushën e tij të futbollit, të krijuar mbi anijen më të madhe.

Gjatë dekadave, Kanali ka ruajtur centralitetin e tij në tregtinë dhe transportin botëror, edhe pse me ndryshime të dukshme të diktuara nga zhvillimet teknologjike dhe tregtare.

Deri në vitet Dyzetë një nga përdorimet kryesore të tij ishte tranziti i pasagjerëve, i cili u zvogëlua ndjeshëm më pas me futjen e transportit ajror masiv: kulmi i udhëtarëve të transportuar ishte në vitin 1945, me gati një milion njerëz. Në mesin e shekullit të njëzetë kanali u bë një arterie fondamentale për transportin e naftës bruto, megjithëse gradualisht e humbi rëndësinë e tij bashku me zbulimin e fushave përtej vendeve të Gjirit, për shembull në Afrikë dhe në Amerikën e Veriut.

Më 2014, Presidenti egjiptian Abdel Fattah al Sisi njoftoi një zgjerim të rëndësishëm të Kanalit, i cili vitin pasues çoi në krijimin e një kanali të dytë paralel 35 kilometra të gjatë, i vendosur pak a shumë në qendër të itinerarit dhe në zgjerimin e seksione të tjera. Kjo bëri të mundur riorganizimin e tranzitit me dy korsi: çdo ditë, një autokolonë anijesh niset në 4 të mëngjesit nga Suezi, duke shkuar drejt veriut, ndërsa një autokolonë tjetër niset në 3.30 nga Port Said, drejtuar për në jug: nisjet janë të sinkronizuara në mënyrë që të dy kolonat të kryqëzohen në pikën ku ndodhen të dy korsitë, në mënyrë që të mos ndalen (në kanalin e Suezit mbahet ana e djathtë: karvani që shkon në veri përdor kanalin lindor, ai që shkon në jug përdor kanalin perëndimor).

Për Egjiptin, Kanali i Suezit është një burim i madh të ardhurash. Kostoja për tranzitin e çdo anijeje ndryshon shumë, nga 100,000 në 500,000 dollarë, dhe vlerësohet se të ardhurat vjetore të qeverisë egjiptiane falë Kanalit arrijnë afërsisht në 5 miliardë dollarë në vit.

Pavarësisht nga kostoja e madhe e tranzitit, përgjithësisht për kompanitë e transportit që të përdorin Kanalin e Suezit është një kosto e leverdisshme, pasi zvogëlon shumë ditët e udhëtimit dhe konsumin e karburantit. Vetëm në periudha të rralla, kur kostoja e karburantit është shumë e ulët, gjurma e Kepit bëhet përsëri konkurruese: herën e fundit kjo ka ndodhur në vitin 2020, kur disa kompani vendosën të marrin rrugën më të gjatë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.