Kastriot DERVISHI – Si u vendos fashizmi në Shqipëri

Kush ishin bazat e fashizmit në Shqipëri, si funksiononte aparati fashist dhe cilët ishin institucionet e tij, çfarë ishte Statuti i Partisë Fashiste, kush ishin komunistët që figurojnë fashistë para vitit 1941, a ka qenë Enver Hoxha fashist

Një temë tabu, e panjohur dhe gati e paprekur në historiografinë shqiptare është ajo që ka të bëjë me ideologjinë fashiste dhe përhapjen e saj në Shqipëri në vitet 1939 – 1943. Sigurisht që për fashizmin është folur e shkruar jo pak në një sens të caktuar, por asnjëherë nuk është shkruar për mënyrën e funksionimit të aparatit partiak dhe shtetëror të tij. Nga ana tjetër periudha në fjalë nuk mund të lihet jashtë objektit të studimit vetëm për shkaqe ideologjike. Për më tepër mjaft anëtarë të mëvonshëm të Partisë Komuniste të Shqipërisë kanë qenë ndër fashistët më të shquar para prishjes së paktit gjermano – sovjetik që ndodhi si pasojë e sulmit që Gjermania i bëri Bashkimit Sovjetik në qershor 1941.

Çfarë ishte fashizmi musolinian

Frymëzues i ideologjisë fashiste ishte Benito Musolini (25 korrik 1883 – 28 prill 1945). Udhëheqësi i ardhshëm fashist pasi kaloi një fëmijëri të vështirë, në fillim të shekullit të 20-të u aktivizua në disa organe shtypi derisa më 1912 arriti të drejtojë gazetën socialiste “Avanti”. Pasi mori pjesë në Luftën e Parë Botërore në radhët e ushtrisë italiane, Benito Musolini krijoi më 23 mars 1919 në Milano bërthamën e parë të Partisë Fashiste. Shumë shpejt në harkun e tre vjetëve partia e tij pati një anëtarësi prej 700 mijë vetësh. Fashizmi musolinian konsistonte në mobilizimin e madh të forcave morale dhe lëndore. Organizmi i tyre ishte një ushtarak dhe sindikal përkrah atij politik që përmblidheshin në fashe, skuadra dhe sindikata. Më pas fashet e sindikatat u shkrinë në federata me baza krahinore. Anëtarët e Partisë Fashiste kishin edhe uniformën e vet të veçantë që ishte këmisha e zezë. Për këtë shkak fashistët quheshin rëndom edhe këmishëzinj.

Më 21 prill 1922 Benito Musolini në ditën e themelimit të qytetit të Romës, mbajti në këtë qytet një takim të madh që e cilësoi si “festë fashiste”.

Më 16 tetor 1922, gjatë një kuvendi në Milano, fashistët vendosën marshimin mbi Romë mbi bazën e 5 pikave që ishin:

1-Mobilizimi dhe pushtimi i institucioneve publike në qytetet kryesore të Italisë.

2-Përqendrimi i forcave fashiste 5 rajone të Italisë.

3-Ultimatumi drejtuar qeverisë së kryesuar kryeministri Facta.

4-Hyrja në ministri dhe pushtimi i tyre me çdo çmim……..

5-Ndërtimi i një qeverie fashiste dhe mobilizimi i forcave ushtarake në një qytet të Italisë qendrore nëse dështonte pika katër.

Për të realizuar qëllimet e mësipërme më 24 tetor 1922, Musolini organizoi mbledhjen e madhe në Napoli ku 40 mijë fashistë dhe 20 mijë punëtorë shoqëronin fjalimin e liderit të tyre duke thirrur vazhdimisht “Duçe, Duçe…” (që do të thotë prijës). Pas mbledhjes së Napolit filloi marshimi fashist, ku mijëra fashistë të armatosur ju drejtuan Romës. Komanda e Përgjithshme e ushtrisë fashiste qëndronte në Peruxhia dhe drejtohej nga Emiloi De Bono, Italo Balbo, Cezare De Vecchi dhe Michel Biachi. Kryeministri italian Facta duke parë këtë gjendje kërkoi nga mbreti Viktor Emanueli i III-të shpalljen e shtetrrethimit dhe shtypjen e revolucionit fashist. Përgjigja negative e mbretit e detyroi kryeministrin të japë dorëheqjen më 28 tetor 1922. Pikërisht kjo ditë ka hyrë në histori si “trimfi fashist”. Më 30 tetor Musolini hyri në Romë dhe filloi përgatitjet për të formuar qeverinë e re. Deri më 1925 Musolini drejtoi një qeveri koalicioni. Pas këtij viti drejtimi i qeverisë së tij ishte tërësisht në dorë të tij dhe të Partisë Fashiste. Një vit më vonë u ndalua me ligj krijimi i partive dhe organizatave.

Hyrja në fuqi e Statutit të ri të Mbretërisë Shqiptare në qershor 1939

Gjatë viteve të mbretërisë zogiste, ideologjia fashiste nuk kishte mundur të depërtonte në atë mënyrë që pritej, ndonëse për të ishte bërë një investim jo i pakët nga italianët. Në tërësi idetë fashiste u përqafuan nga një grup i vogël intelektualësh të cilët u përfshinë më vonë në të ashtuqujaturën “Lëvizje të Delvinës” të vitit 1937 dhe që mbronin teorinë e “diktaturës së ndritur”.

Pas pushtimit të 7 prillit 1939, dhe të ashtuquajturit “bashkim personal” midis Shqipërisë dhe Italisë, në Shqipëri pati një terren ideal për zhvillimin e ideve fashiste. Në funksion të “bashkimit personal” u krijua më pas edhe Statuti Themeltar i Mbretnisë Shqiptare, i cili ju dorëzua për nënshkrim Viktor Emanuelit të III-të nga kryetari i delegacionit shqiptar, kryeministri Shefqet Vërlaci më 3 qershor 1939. Ky Statut përmbante 7-të kapituj. Në statut Shqipëria përcaktohej si shtet i pavarur brenda kuadrit të “bashkimit personal” dhe njihej si mbret Viktor Emanueli i III-të. Sipas statutit mbreti emëronte dhe ç`emëronte të gjithë ministrat.

Në vend të parlamentit statuti parashikonte ngritjen e Këshillit të Epërm Fashist Korporativ (KEFK). Kapitulli i 6-të i statutit i kushtohej “të drejtave dhe detyrave të qytetarëve”.

Çfarë ishte Milicia Fashiste

Ndër organizmat e para të Partisë Fashiste ishte edhe Milicia Fashiste. Më 18 shtator 1939, Jakomoni nëshkroi dekretin për krijimin e kësaj milicie, e cila bënte pjesë në Milicinë Vullnetare për Sigurimin Kombëtar. Sipas vetë fashistëve kjo milici “garantonte zhvillimet e revolucionit fashist”. Milicia Fashiste ishte e organizuar në një komandë dhe e shpërndarë në 4 regjione dhe 10 coorti. Milicia Fashiste ishte pjesë e rëndësishme e Partisë Fashiste pasi në fund të fundit anëtari i kësaj partie quhej milic vullnetar.

Ja një pjesë e Statutit të Partisë Fashiste

Me dekretin e firmosur nga Mëkëmbësi Jakomoni datë 2 qershor 1939, hyri në fuqi Statuti i Partisë Fashiste Shqiptare. Nenet kryesore të këtij satuti janë këto:

“-Partia Fashiste Shqiptare asht nji milici civile vullnetare nën urdhërat e Benito Musolinit, krijues e Duce i Fashizmit.

-Partia Fashiste asht e vetmja parti e Shqipnisë.

-Pranimi në PFSH bahet përmjet nji kërkese apo me levën fashiste. Leva fashiste konsiston në kalimin nga bijt e shqipes në rreshtat e balilave shqiptarë e shqiptareve të vogla; nga balilat shqiptarë në rreshtat e avanguardistëve, nga avanguardistët në grupet e fashistëve universitarë e të djelmënisë fashiste; nga fashistët universitarë e të djelmënisë fashiste në PFSH e në Milicien Fashiste; nga shqiptaret e vogla në rreshtat e vajzave shqiptare; nga vajzat shqiptare në rreshtat e vajzave fashiste, nga vajzat fashiste ne Fashet femnore. Leva Fashiste bahet për çdo vjetë.

-Fashisti në kohën e pranimit në PFSH betohet dhe nënshkruan formulën e betimit:

“Betohem se do të kryej urdhënat e Duçes, Themelues i Perandorisë dhe Krijues i Shqipnisë së Re – dhe do t`i shërbej çështjes së Revolucionit Fashist e po qe nevoja edhe me gjakun tim”.

-PFSH përbahet prej fasheve. Fashet inkuadrohen në krahina, në Federata të Fasheve. Fashi inkuadron të nënshkruemit në PFSH të nji komune. Ndër qendrat urbane e ndër fraksionet me randësi mund të formohen grupe lagjesh fashiste. Grupit të lagjes i besohen funksione analoge me ato të Fashit brenda kufijve me karakter toksor të caktuem prej sekretarit të Fashit. Grupi fashist i lagjes përbahet së paku prej dy sektorësh. Sektori përmbledh dy deri në gjashtë nuklej dhe nuk bashkërendon veprimtarinë….Nukleu përmban njisinë organizuese themelore të PFSH-së dhe duhet të formohet pranë çdo fraksioni, pranë çdo qendre bujqësore të rrethit të çdo Fashi.

-Organizatat e PFSH-së janë

Grupet e fashistëve universitarë

a-Djelmënia e Liktorit

b-Fashet femnore

c-Opera dopolavore

Enti Asistenca Fashiste

Varen drejpërdrejt nga PFSH-ja organizatat e punës

-Pranë çdo federate të fasheve formohen: nji Komandë Federale e Djelmënisë së Liktorit; nji grup i fashistëve universitarë; nji Federatë e Fashëve femonore; nji dopolavore krahinore; nji Komitet Krahinor i Entit Asistenca Fashiste.

-Pranë çdo Enti formohen: Nji komandë e Fasheve të Djelmënisë së Liktorit, nji Fash femnuer; nji dopolavoro; nji Komitet Komunal i Entit Asistenca Fashiste.

-Jerarkët e PFSH-së janë:

1-Sekretari i PFSH-së

2-Pjestarët e Drejtorisë Qendrore

3-Sekretarët federale

4-Pjestarët e Drejtorisë Federale

5-Sekretari politik i fashit

6-Pjestarët e drejtorisë së Fashit

7-Fiducjari i Grupit fashist të lagjes

8-Pjestarët e Konsultës së Grupit Fashist të lagjes

9-Kryetari i sektorit

10-Kryetari i Nukleos

-Organet kolegjale të PFSH-së janë:

1-Drejtoria Qendrore

2-Këshilli Qendror

3-Drejtoria e Federatës së Fasheve

4-Drejtoria e Fashit

5-Konsulta e Grupit Fashist të lagjes

…………..

(Marrë me shkurtime nga Fletorja Zyrtare nr 39, datë 9 qershor 1939, shtojca)

Organizimi fashist, Jep shembullin e tij edhe djali i kryeministrit Shefqet Vërlaci, Ismaili

Organizimi i plotë i Partisë Fashiste Shqiptare përfundoi pas gati një viti. Kjo sepse vetëm në vitin 1940 përfundoi strukturimi i i PFSH-së dhe formimi i organit legjislativ të emëruar që ishte Këshilli i Epërm Fashist Korporativ (KEFK). Dhoma Fashiste ishte organi më i lartë i partisë dhe përbëhej nga:

-Anëtarët e Këshillit të Ministrave

-Pjestarët e Drejtoratit Qendror të PKFSH-së

-Sekretarët federalë

-Inspektorët federalë

-Aktivitete prodhimtare dhe intelektuale

(Burimi i informacionit: Gazeta “Tomori”, 3 prill 1940)

Dhoma Fashiste u përurua në Tiranë më 17 prill 1940 me një ceremoni të posaçme të zhvilluar në ish sallën e parlamentit (sot teatri i kukullave).

Kryetari i Partisë Fashiste ishte detyrimisht edhe anëtar i Këshillit të Ministrave. Dhe kjo risi në politikën shqiptare nisi me kryetarin e parë të PFSH-së, Tefik Mborja dhe vazhdoi në të gjitha qeveritë e tjera shqiptare deri më 10 shtator 1943.

Kur Partia Fashiste kishte hyrë në fazën më të rëndësishme të saj, më 11 qershor 1940, djali i kryeministrit Shefqet Vërlaci, studenti Ismail Vërlaci para provimit të fundit kërkoi të mobilizohej vullnetar në një repart të Milicisë Fashiste Shqiptare. Batalioni i dytë fashist që do të nisej nga Elbasani më 14 qershor 1940 (gazeta “Tomori” datë 12 qershor 1940). 

Çfarë ishte Këshilli i Epërm Fashist Korporativ (KEFK)

Ndonëse kishte një vit që kishte dalë ligji për krijimin e Këshillit të Epërt Fashist Korporativ, konstituimi i tij nuk ishte bërë për shkak të mos përfundimit të plotë të strukturimit të Partisë Fashiste. Këshilli i Epërm Fashist ishte një organ legjislativ i emëruar, i përbërë nga anëtarë të PFSH-së. Atributet e funksionimit të tij dolën me dekretin nr 101 të nënshkruar nga Françisko Jakomoni (shih “Fletorja Zyrtare” nr 52 datë 4 prill 1940). Në KEFK bënin pjesë:

1-Anëtarët e Këshillit Qendror të Partisë Fashiste, që në momentin e konstituimit të KEFK-ut ishin Tefik Mborja, Piero Parini, Kol Bib Mirakaj, Kosta Kote, Vangjel Koça, Qazim Neki, Nush Bushati, Sabaudin Toto, Muhtar Vrioni,Germano Secreti, Fausto Cinjolino.

2-Anëtarët e Drejtorisë Qendrore të PFSH-së (të përbërë nga 20 vetë).

3-Anëtarët e Këshillit Qendror të ekonomisë Korporative (ku përveç ministrave bënin pjesë edhe 29 persona të tjerë.

Me dekret të posaçëm të Jakomonit, kryetar i KEFK-së u emërua Terenc Toçi, ndërsa n/kryetarë Emin Toro dhe Nush Bushati.

Ndër detyrat kryesore të KEFK-ut ishte miratimi i ligjeve të ndryshme

Çfarë ishte Këshilli i Shtetit

Organi i Këshillit të Shtetit vazhdoi të funksionojë edhe në kohë e fashizmit. Detyra e tij ishte po ajo që kishte qenë në kohën e mbretërisë zogiste dhe kishte të bënte me përgatitjen e kodeve apo projktligjeve. Për t’u theksuar është fakti se në këtë këshill të kohës së fashizmit bënte pjesë edhe presidenti i parë i shtetit komunist Omer Nishani. Emrat të tjerë të njohur ishin ato të Spiro Kolekës, Riza Danit, etj. Këshilli i Shteti përbëhej nga 39 anëtarë dhe shumica e tyre kishin qenë kundërshtarë të vendosur të Ahmet Zogut në mërgim.

Fashistët që u konvertuan në komunistë

Është fakt i njohur tashmë që mjaft anëtarë të mëvonshëm të partisë komuniste, kanë qenë ndër fashistët më aktivë të kohës. Sidomos një pjesë e krahut komunist të të ashtuquajturit “revolucion i qershrit 1924”, përqafuan mjaft shpejt ideologjinë fashiste, për vetë faktin se nga ana skematike dhe organizative partia fashiste ishte ndërtuar si ajo komuniste. Nga prilli 1939 e deri në qershor 1941, mjaft anëtarë të grupeve komuniste apo simpatizantë të tyre, ishin anëtarë të Partisë Fashiste Shqiptare. Ndër emrat më njohur ishte Omer Nishani. Ai në vitet e para të fashizmit, ishte anëtar i Këshillit të Shtetit. Po ashtu doktor Nishani ishte aktiv edhe në shtypin fashist ku lavdëronte doktrinën fashiste. Ky fakt nuk i kishte shpëtuar as të huajve saqë kur delegacioni qeveritar shqiptar ndodhej në Paris në Konferencën e Paqes më 21 gusht 1946, pas fjalimit të kryeministrit Enver Hoxha, delegati grek Caldaris kishte cituar një artikull të Omer Nishanit pro fashizmit botuar pak vite më parë në shtypin fashist.

Qenien e Nishanit në Këshillin e Shtetit e përmend edhe Enver Hoxha në librin e tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”.

Gjithashtu ndër fashistët më të njohur që u bënë komunistë të vendosur përmenden edhe Ramiz Alia, Kahreman Ylli, Qazim Kondi etj. Në shtypin fashist gjithashtu shkruanin edhe emra të tillë si  Aleksandër Xhuvani, Stefanaq Pollo (p.sh.shih “Tomori” datë 20 qershorit 1942), Anton Mazreku (kronikat sportive), Haki Stërmilli, Muzafer Xhaxhi etj. Askush nga këta nuk pati ndonjë pasojë, ndërkohë që duhet kujtuar që drejtori i gazetës “Tomori” u pushkatua pas luftë në moshën 33 vjeçare.

Padyshim që ndër fashistët më interesantë të kësaj kohe është edhe Ramiz Alia. Në kohën që ai kryente gjimnazin (në vendin ku është sot Dhoma e Tregëtisë në Tiranë), ishte ndër më aktivët e rinisë fashiste.

Gjithashtu nga dokumentet rezulton se ndër fashistet me të njohura të Elbasanit ka qenë edhe nëna e Fatos Nanos, Maria Shuteriqi. E ndjera rezulton në listën e grave fashiste të Elbasanit, listë që është botuar në gazetën “Tomori” të datës 19 korrik 1940, faqe 2 në artikullin “Pritja e këmishave të zeza n`Elbasan”. Sipas dëshmitarëve që jetojnë në Elbasan, e ndjera Shuteriqi ishte ndër më aktivet e jetës fashiste në Elbasan si në shtëpitë e dopolavores në lagjen “Kala”  dhe tek pazari i qytetit, apo ë aktivitete të tjera politike.

Në Federatën e Fasheve të Gjirokastrës, shihet si anëtar i Drejtoratit të Fashit Përmet edhe Themistokli Josif Pollo, që është babai i të ndjerit Stefanaq Pollo, që njihet si një ndër emrat më të njohur të historiografisë komuniste. Për këtë mjafton të shihet gazeta “Tomori” e datës 26 qershor 1940.

Në përgjithësi pas qershorit 1941, kemi kalimin e madh të konvertimit nga fashist në komunist. Për ironi të fatit, fashistët në parti i drejtoheshin njëri – tjetrit me fjalën “shok”. Një gjë të tillë bëjnë edhe sot socialistët e Shqipërisë.

A ishte Enver Hoxha fashist

Ka të dhëna që nuk të lenë jashtë dyshimit se edhe udhëheqësi komunist Enver Hoxha ka qenë fashist. Për të përforcuar një argument të tillë është një fotografi e bërë në fillim të vitit 1941 në shtëpinë  e Mustafa Kruja në Krujë, ku përveç tij duken edhe Enver Hoxha, Xhovani Xhiro (njeriu kryesor që u mor me përhapjen e ideologjisë fashiste në Shqipëri), Nikolla Kotte, Kostandin Kotte dhe Aristidh Lamani. Të gjithë personat kanë pozuar përpara një tavoline të tejmbushur. Kjo fotografi është ndodhur për shumë vite në shtëpinë e një personi të sipërpërmendur dhe mjafton sa për të thënë që edhe Enver Hoxha nuk kishte dalë jashtë simpatisë për fashizmin. Sigurisht ai ishte pjesë fashishtëve që do të konvertoheshin në komunistë dhe që më pas do ta kthenin “antifashizmin” në një mjet të fortë të ekzistencës së tyre për të justifikuar shpeshherë terrorizmin që ata ushtronin.

Përfundime

Teoria e “antifashizmit” si asnjëherë ka qenë e pranishme tek forcat e majta edhe në vitet e pluralizmit politik në Shqipëri. Për hir të së vërtetës kurrë forcat komuniste nuk kanë pasur ndonjë persekutim të ndjeshëm nga regjimi fashist i kohës. Kjo edhe për shkakun se mjaft prej komunistëve e njihnin mjaft mirë funksionimin e aparatit fashist. Po ajo që duhet theksuar është fakti se ideologjia komuniste ka qenë për kombin shqiptar shumë herë më e theksuar dhe shkatërrimtare për kombin shqiptar pa pasur asnjë shenjë liberalizmi. Mbi të gjitha në Shqipëri komunizmi ishte sllavo-komunizëm. Gjithsesi tek të dy ekstremet politike mund të nxirren me lehtësi të gjitha cilësitë. Mirëpo sot në shekullin e 21-të nuk përtohet aspak të skuqen muret me pllaka me yje të kuq në kërkim të ruajtjes të një lavdie që kurrë nuk ekzistuar. Pikërisht këta shenja që mbajnë gjallë ideologjinë komuniste janë më të rrezikshëm sesa mund të mendohet. 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.