GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Kina na e ka fshehur Koronavirusin

Associated Press nxjerr letrat top secret të OBSH-së në të cilat demonstrohet sesi Kina fshehu të dhënat e epidemisë – Zyrtarisht Organizata Botërore e Shëndetit vazhdon të lavdërojë “bashkëpunimin” e kinezëve, por në prapaskenë zyrtarët shfaqin frustracionin e tyre për vonesat dhe ngurrimin e autoriteteve, në lidhje me alarmin që vazhdoi të rritej në komunitetin mjekësor dhe shkencor …

Dardan MITROVICA – Një muaj, tridhjetë ditë të gjata kaluan që kur një laborator privat kinez izoloi sekuencën e një koronavirusi të ri përgjegjës për pneumoni të rëndë në Wuhan, më 27 dhjetor, kur OBSH deklaroi se ekzistonte një urgjencë globale. Alarmi mund të kishte shpërthyer më herët, masat mbrojtëse do të ishin rritur me kohë dhe shumë viktima ndoshta mund të ishin shmangur nëse autoritetet shëndetësore kineze do të kishin bashkëpunuar në mënyrë më transparente me drejtuesit e Organizatës Botërore të Shëndetit.

Kjo është ajo që del nga një seri dokumentesh të shkruara dhe audio që agjensia Associated Press ka siguruar dhe ka raportuar gjatë në faqen e saj. Zyrtarisht, gjatë atij muaji të gjatë të janarit, OBSH vazhdoi të lëvdojë “bashkëpunimin” e kinezëve, por pas kuintave, zyrtarët e Organizatës shfaqën zhgënjim dhe shqetësim për vonesat e autoriteteve kineze, karshi alarmit që vazhdonte të rritej në komunitetin mjekësor dhe shkencor.

Kodi i heshtjes

Dokumentet “sekrete” të zbuluara nga Ap nuk e justifikojnë Trump, i cili i shkurtoi fondet OBSH-së duke e akuzuar atë për “bashkëpunim” me Kinën, përkundrazi, zbulojnë pafuqinë e Organizatës shëndetësore për të thyer heshtjen e autoriteteve kineze dhe përpjekja e vazhdueshme për të mos prishur lidhjet me Pekinin, në mënyrë që të kishte mundësi për të marrë informacione dhe të mos dëmtonte mjekët që punonin në linjën e parë, që më kot jepnin alarmin.

Nga Pekini, autoritetet gjithmonë kanë mohuar çdo shqetësim: “Që nga fillimi i epidemisë ne kemi ndarë informacione me OBSH-në dhe bashkësinë ndërkombëtare në një mënyrë të hapur, transparente dhe të përgjegjshme”, përsërit Liu Mingzhu, i Komisionit Kombëtar të Shëndetit.

Dje Kina preferoi të njoftojë se Wuhan tani është një “qytet i pastër”. Një fushatë testuese (mbi më shumë se dhjetë milionë njerëz) zbuloi sipas autoriteteve zero të sëmurë dhe treqind raste pozitive, por asimptomatike. Sipas dhjetëra regjistrimeve, emaileve dhe dokumenteve të brendshme të marra nga sirtarët e OBSH-së prej AP, kontrolli i rreptë i ushtruar nga autoritetet shëndetësore kineze dhe gjithashtu konkurrenca e brendshme brenda laboratorëve hulumtues kanë vonuar në mënyrë të fajësuese dhënien pjesës tjetër të botës e sinjalit të alarmit për epideminë e re.

Nëse publikisht lavdëronin Kinën për frymën e saj të bashkëpunimit, privatisht zyrtarët e OBSH që në javën e parë të janarit, denonconin mungesën e të dhënave për vlerësimin e vdekshmërisë dhe infektueshmërinë e virusit të ri. “Dimë shumë pak, nuk na mjafton për të planifikuar”, dëgjohet të thotë më 6 janar Maria Van Kerkhove, sot përgjegjëse teknike e OBSH për Covid-19. “Gjendemi në zotërim t të dhënave vetëm një çerek ore para se të pçublikohen nëpër tv-të kineze”, komenton, gjithnjë në fillim të janarit, Gauden Galea, zyrtari më i lartë i OBSH-së në Kinë.

Rreth 10 janarit, është Michael Ryan, shefi i urgjencave shëndetësore të OBSH-së, që akuzoi Kinën se nuk bashkëpunonte siç bëjnë vendet e tjera duke specifikuar se Kongo fatmirësisht kishte bashkëpunuar shumë më tepër përballë epidemisë së Ebolas. Nga të dhënat del se Kina ka vonuar komunikimin e sekuencës së gjenomit të koronavirusit të ri, i izoluar që më 27 dhjetor nga laboratori privat Vision Medicals. Vijojnë konfirmimet nga tre laboratorë të tjerë, por më 3 janar, autoritetet i urdhërojnë të gjithë të shkatërrojnë mostrat. Zyrtarisht për “garantimin e sigurisë së laboratorëve”.

Shkencëtarët tashmë e dinin që virusi transmetohet nga njeriu te njeriu dhe cilën proteinë përdor për t’u duplikuar, por zyrtarisht virusi është ende “misterioz”. Nëse një dokument i brendshëm i OBSH-së tregon se “duhet të jetë ngjitës përmes rrugëve të frymëmarrjes”, Organizata zyrtarisht pretendon se nuk ka prova të “transmetimit sinjifikativ ndër-njerëzor” dhe nuk rekomandon masa specifike për udhëtarët.

Vetëm pas një artikulli të botuar në Wall Street Journal, Kina njofton zbulimin e një koronavirusi të ri, por gjenomin do ta shpërndajë vetëm në 12 janar, kur kanë filluar tashmë të numërohen vdekjet e para dhe virusi po udhëton kudo. Dhe vetëm në 20 janar pranohet zyrtarisht infeksioni nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Por, në atë moment, OBSH ende nuk ka asnjë lajm mbi “mënyrat e përhapjes” dhe vazhdon të flasë për “infektueshmëri të ulët”. Do të kalojnë edhe dhjetë ditë të tjera përpara se të shpërthejë emergjenca shëndetësore. Katër muaj më vonë, bota ka gjashtë milionë e gjysmë raste dhe 380 mijë vdekje.

Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More