Koreja e Veriut, Miss Kim hyn në politikë dhe konsolidon pozicionin
Kim Yo Jong është gjithnjë e më shumë në qendër të sistemit politik koreanoverior; një sinjal i qartë, ky, i cili do të konfirmonte ndryshimet që po ndodhin në vendin që është mbi paralelin e 38-të. Motra e Presidentit Kim Jong Un kohët e fundit është bërë anëtare e politbyrosë së komunistëve të Koresë së Veriut, organi më i rëndësishëm politik i Partisë së Punëtorëve të Koresë, të vetmes parti politike në këtë vend aziatik.
Kështu, Miss Kim e ka konsoliduar më tej pozicionin e saj si numri dy brenda shtetit, e dyta vetëm për vëllain e saj Kim. 2 korrikun e kaluar, ka shpjeguar një burim për Daily NK, ajo ka marrë pjesë në mbledhjen e politbyrosë, megjithëse për momentin nuk dihet “saktësisht kur ajo u bë anëtare me të drejta të plota” e organit kolegjial.
Duket se shumica e zyrtarëve të pranishëm në atë takim ishin në dijeni të lajmit. Një idicie e qartë ishte dhënë edhe nga pllaka e vendosur në tryezën e Miss Kim: “Shoqja Kim Yo Jong, anëtarë e Byrosë Politike të Komitetit Qendror” të partisë.
Një risi e rëndësishme
Sipas zërave të fundit, Miss Kim u bë anëtare e politbyrosë pak më pak se tre muaj pas një takimi të mbajtur në 11 Prill. Nëse konfirmohet lajmi i raportuar nga Daily NK, Kim Yo Jong do të ishte gruaja e dytë në Korenë e Veriut që mbulon një pozicion të tillë. Para saj, vetëm Kim Kyung Hee, motra e Kim Jong Il dhe tezja e presidentit aktual të Koresë së Veriut, ia kishte arritur.
Sigurisht Miss Kim ka hyrë në politbyro falë qëndrimit të ashpër të treguar kundër “armiqve”, si Koresë së Jugut, ashtu edhe Amerikës, por edhe falë deklaratave të ashpra të bëra kundër rivalëve politikë. sidoqoftë, thjesht sa për të kuptuar strukturën e re politike të Koresë së Veriut, kreu i Organization and Guidance Department, Jo Yong Won, ishte ulur në të djathtë të Kim Yo Jong, ndërsa kreu i Ministrisë së Sigurimit të Shtetit, Jong Kyong Thaek, ishte në të majtë të saj.
Të bëhesh leader
Hyrja e Kim Yo Jong në politbyro sugjeron se ajo efektivisht thuajse ka arritur në majën e zinxhirit të pushtetit. Për Jiro Ishimaru, kryeredaktor i AsiaPress, Miss Kim do të kishte një shans të mirë për të zëvendësuar Kim, nëse presidenti papritmas nuk do të ishte më.
“Si fillim, nëse Kim Jong Un do të vdiste ose do të bëhej në një farë mënyre i paaftë për të shërbyer si udhëheqës, zyrtarët e lartë të partisë dhe forcat e armatosura ndërhyjnë për të marrë përkohësisht detyrat e tij”, ka shkruar Ishimaru. “Por në fund, vetëm Kim Yo Jong mund të jetë ai që do të trashëgojë pushtetin e tij suprem”, nënvozon Ishimaru, siç përcillet nga Asia Times.
Qëndrimet e fundit të Kim Kim, me refuzimin e një samiti të ri me Shtetet e Bashkuara, me ndërprerjen e komunikimeve me Korenë e Jugut dhe me shkatërrimin e zyrës ndërlidhëse ndër-Koreane në Kaesong, sugjerojnë që motra e Kim është gati të bëhet një udhëheqëse në plot kuptimin e fjalës. Do të shohim më pas se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt.
E sigurtë është se përfaqësimi i Kim Yo Jong para publikut kombëtar dhe ndërkombëtar shkon në një drejtim shumë specifik. Ajo përshkruhet në të gjitha aspektet si pjesë përbërëse e dinastisë së malit Paektu, linja e gjakut që karakterizon familjen Kim. Kjo, sipas disa analistëve – dhe përkundër pranisë së një etike të caktuar konfuciane brenda vendit – do të bënte që Miss Kim të ishte me të vërtetë kandidati numër një për të marrë frenat e pushtetit të Koresë së Veriut. / Materiali është përgatitur nga gazetatjetër.com