- SPONSOR -






- SPONSOR -

Kur bota tmerrohej nga gripi i derrit

Ka disa ditë që ka filluar të flitet sërish për gripin e derrit, një argument që papritmas është bërë aktual pas zbulimit në Kinë të një zone të re të përcaktuar si “potencialisht pandemike”. Një lajm, që tërhoqi menjëherë frikë dhe kuriozitet duke pasur parasysh periudhën aktuale të shënjuar nga pandemia e koronavirusit që u zhvillua në fillim të këtij 2020 pikërisht në vendin aziatik. Gripi i derrave bëri botën të dridhej para disa viteve: ndryshe nga sa mund të besohet, pandemia e parë e vërtetë e shekullit XXI nuk u diktua nga emergjenca e koronavirusit e vitit 2003, por pikërisht nga një virus i atribuar gripi derri e përkufizuar si A/H1N1 e cila, midis viteve 2009 dhe 2010, rrezikoi ta bënte planetin të jetonte të njëjtat skenarë të parë gjatë këtyre muajve emergjence.

Çfarë është virusi H1N1

Ishte në prill 2009 që u dëgjua të flitej për herë të parë për virusin e ri gripal A/H1N1 në Meksikë. Deri atëherë, virusi më parë i njohur si gripi i derrit nuk ishte shfaqur kurrë te njerëzit. Virusi i gripit derrit u përhap te njerëzit si rezultat i kontakteve të ngushta midis njerëzve dhe derrave. Kështu u zhvillua kapërcimi i species, me patogjenin që filloi të transmetohej nga një person tek tjetri. Vërehej, tek njerëzit e parë të goditur rëndë që ishte një infeksion viral akut në gjendje për të sulmuar sistemin respirator dhe që mund të ngatërrohej me një grip sezonal. Simptomat janë përafërsisht të ngjashme, por me një rrezikshmëri më të lartë të komplikimeve: ethe, kollë, dhimbje të fytit, hundë dhe rrezik i lartë i pneumonisë akute. Në disa raste edhe me të vjella dhe diarre. Ashtu si gripi sezonal, edhe në këtë rast virusi transmetohet përmes piklave të prodhuara nga një person i infektuar, me teshtitje, kollitje, por edhe duke u vendosur kontakt me objektet mbi të cilat është depozituar virusi. Duke prekur fillimisht këto sipërfaqe dhe më pas, me gjeste të pavetëdijshme, hundën dhe gojën, mundësia e infektimit me virusin është e lartë.

Deklarata e Pandemisë në qershor 2009

Epidemia pra nisi rrugëtimin e saj në prill 2009. Pas rasteve të para të izoluara, përhapja ishte e shpejtë. Kërkimi shkencor në atë fazë konfirmonte që epidemia e shkaktuar nga nëntipi i ri i virusit A/H1N1 nuk ishte identifikuar kurrë deri atëherë as midis derrave dhe as te njerëzit. Duke ndjekur pra procedurat e përcaktuara nga rregullorja ndërkombëtare e shëndetit, më 25 prill të po atij viti, drejtori i përgjithshëm i OBSH Margaret Chan deklaronte që situata hynte në një çështje “emergjence të shëndetit publik me interes ndërkombëtar”. Vetëm në prill rastet kishin goditur 9 vende: Meksikën, Shtetet e Bashkuara, Austrinë, Kanadanë, Gjermaninë, Izraelin, Zelandën e Re, Spanjën dhe Britaninë e Madhe.

Deri në maj, ishin 20 vendet që tashmë kishin hasur në këtë situatë të vështirë. Tashmë me virusin po përballeshin Austria, Kanadaja, Kina, rajoni administrativ special i Hong Kongut, Kosta Rika, Kolumbia, Danimarka, El Salvadori, Franca, Gjermania, Irlanda, Izraeli, Italia, Hollanda, Zelanda e Re, Koreja e Jugut, Spanja, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar.

Muajin vijues, domethënë, më 11 qershor, OBSH deklaroi zyrtarisht gjendjen pandemike të shkaktuar nga virusi i ri gripal. Nga ky moment u kalua në fazën 6 të niveleve të alarmit. Deri në atë moment ishin infektuar 28.774 njerëz dhe 144 kishin vdekur.

Gripi i derrit nën profilin mediatik

Deklarata e pandemisë të OBSH-së në mënyrë të pashmangshme i drejtoi reflektorët mbi situatën shëndetësore. Në të gjithë botën filloi të flitejpër rreziqe që lidheshin me virusin dhe përhapjen e tij në nivel planetar. Kjo ka ndihmuar për orientimin e zgjedhjeve të shumë qeverive, duke filluar me atë të Shteteve të Bashkuara, vendit më të prekur nga emergjenca. Por edhe në Evropë, veçanërisht që nga vera e vitit 2009, media i ka kushtuar shumë hapësirë lajmeve të ndryshme që vinin nga fronti i shëndetit. Situata ishte shumë afër asaj të hasur gjashtë vjet më parë, me rastin e emergjencës shëndetësore në lidhje me përhapjen, veçanërisht në Azi, të virusit Sars Cov.

Edhe me atë rast, hapësirë e madhe iu dha pasojave të mundshme që lidhen me virusin dhe rreziqeve me shëndetin, veçanërisht kur epidemia kaloi kufijtë e Kinës, nga e cila u përhap nga nëntori 2002, për të arritur vendet e tjera aziatike dhe në Kanada. Pasi në 14 korrik 2009 OBSH deklaroi pamundësinë e ndalimit të H1N1, duke paralajmëruar qeveritë mbi nevojën për t’u furnizuar sa më shpejt të jetë e mundur me një vaksinë, bota e mediave i kushtoi gjithnjë e më shumë hapësirë gripit të derrit.

Në prag të vjeshtës, ku pritej kulmi i pandemisë, filluan shumë fushata mediatike në favor të parandalimit të infeksionit: nga sjelljet që duheshin zbatuar, e duke vazhduar me informacionet që aktualizoheshin prej autoriteteve të ndryshme shëndetësore, në gjysmën e dytë të 2009-ës mediat i kushtuan vëmendje të madhe dinamikës së virusit. Opinioni publik, nga ana tjetër, në Evropë si në Shtetet e Bashkuara u tregua mjaft i frikësuar nga ideja e bashkëjetesës me një pandemi ndoshta edhe më agresive.

Por, ndryshe nga sa ndodhi në vitin 2020, stili i jetës dhe zakonet nuk pësuan ndryshime: vetëm pak njerëz në përgjithësi kanë përdorur maska apo pajisje të tjera mbrojtëse në jetën e përditshme, po ashtu sheshet e grumbullimeve apo vendargëtimet nuk u braktisën. Elementët e vetëm që duhet të theksohen në këtë këndvështrim, kanë të bëjnë me zakonet e ngrënies: në disa vende konsumi i derrit në vitin 2009 u ul në mënyrë drastike, aq sa në disa vende evropiane, shoqatave tregtare iu është dashur të ndërhynin disa herë për të ftuar njerëzit të mos kenë panik dhe t’i konsumonin produktet e derrit pa asnjë problem.

Kujdesi më pas ra në vjeshtë, kur pritej piku i infeksioneve por rezultoi të ishte shumë më pak e rrezikshme nga sa pritej. Regjistrimi i gjithnjë e më pak rasteve, në Amerikën e Veriut si në Evropë dhe Azi, bëri që H1N1 ka zinte një vend gjithnjë e më të vogël në qarqet e ndryshme mediatike. Ky trend vazhdoi edhe nëpër mediat sociale, të cilat midis viteve 2008 dhe 2009 patën filluar të zgjerohen dhe të bëhen gjithnjë e më të popullarizuara në shpërndarjen e lajmeve.

Disa vjet më vonë, një studim britanik i botuar në Journal of Epidemiology and Community Health ka evidentuar mundësinë relative të faktit që shumë lajme rreth gripit të derrit janë bërë më alarmante për shkak të indikacioneve të dhëna nga disa akademikë. Në veçanti, studimi i bërë publik në vitin 2013 tregoi me gisht konfliktet e pretenduara të interesit të shkencëtarëve dhe studiuesve: “Kemi përzgjedhur 425 artikuj nga gazetat e të gjitha llojeve duke i kataloguar në bazë të burimeve të përmendura – shpjegoi në studim koordinatorja Kate Mandeville, të Departamenti i Zhvillimit dhe Shëndetit Global të London School of Hygiene and Tropical Medicine – në vlerësimin e të cilëve ishte rreziku për popullatën sipas secilit burim dhe qëndrimi ndaj vaksinave dhe ilaçeve antivirale. Por më pas shqyrtuam edhe se cilat mund të ishin konfliktet e interesit të akademikëve të intervistuar, sipas vetëm zëdhënësve të ministrive si burim informacioni, dhe zbuluam se 30 përqind e tyre merrnin para në mënyra të ndryshme nga prodhuesit e antiviraleve ose vaksinave”.

Një studim, ai i vitit 2013, i cili pjesërisht konfirmoi një hetim gazetaresk të vitit 2012 të kryer nga BMJ dhe Bureau of Investigative Journalism (Byroja e Gazetarisë Investigative), sipas të cilit paraqitej një disproporcion midis rrezikut real të gjeneruar nga HN1N dhe toneve alarmiste të shprehura në raste të ndryshme nga akademikë dhe studiues. OBSH replikoi ndaj këtyre akuzave duke mbrojtur vendimin për shpalljen e gjendjes së pandemisë globale në qershor 2009, vendim i përkufizuar si “i bazuar në kritere të qarta epidemiologjike dhe virologjike”. Sidoqoftë, në fillim të vitit 2010, artikujt dhe shërbimet kushtuar gripit të derrit patën një rënue të mëtejshme, derisa dolën pothuajse plotësisht nga skena në pranverën pasardhëse.

Fundi i pandemisë

Ishte më 10 gusht 2010 kur Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së shpalli fundin e pandemisë, duke i hapur dritën jeshile fazës post-pandemike. Kjo fazë e fundit është ajo në të cilën gripi kthehet në nivele “normale”. Një bilanc i rëndësishëm ishte ai që u bë i ditur në fund të fazës pandemike me më shumë se një milion e 600 mijë njerëz të prekur nga virusi dhe 18.500 të goditur për vdekje. Virusi nuk kurseu të rinj dhe më pak të rinj, duke prekur kryesisht popullsi mashkullore. Në atë kontekst, u zhvillua një vaksinë, por dyshimet mbi efikasitetin dhe sigurinë e saj nuk munguan kurrë. Rezultati ishte që administrimi i saj u aplikua në shumë pak raste në krahasim me ato të parashikuara, edhe sepse virusi prekte ndërkohë më pak njerëz deri sa arriti në nivelet minimale.

Virusi H1N1 sot

Pas atij viti, për virusin H1N1 nuk u dëgjua më, përveç disa rasteve që nuk u konsideruan “të denjë” për t’u përmendur. Por pas një periudhe të gjatë heshtjeje, ja tek u rikthyem të flasim për këtë lloj gripi. Siç e thamë në fillim të këtij shkrimi janë një mori rastesh që janë zbuluar sërish në Kinë, deri në konsiderimin e një zone të tërë si “potencialisht pandemike”.

Gripi i derrit pra vazhdon ende të ekzistojë, ai nuk është zhdukur plotësisht. Dhe këtu haset një ndryshim në krahasim me epideminë e Sars të vitit 2003, virusi i së cilës u zhduk pothuajse plotësisht në verën e atij viti para se të zhdukej përfundimisht një vit më vonë. H1N1 nuk e gjeneroi atë emergjencë të parashikuar në vitin 2009, por është ende në qarkullim edhe sot e kësaj dite, megjithëse rastet e infektimit nuk duket të ngrenë ndonjë alarm të veçantë. Një rrethanë që, sipas një pjese të bashkësisë shkencore, mund të ketë të bëjë edhe me fatin e koronavirusit aktual: patogjeni mund të mos çrrënjoset, por të qarkullojë për vite me rradhë, por pa shkaktuar megjithatë alarme të reja. / Materiali u përgatit nga gazetatjeter.com

Ju mund të pëlqeni edhe