- SPONSOR -






- SPONSOR -

Kurt Bilal Kola, kryeqëndrestari i mbramë i kombëtarizmit

Humbja e papritur e “kryekështjellarit” të pamposhtur të “kështjellës” së copëtuar të kombëtarizmit antikomunist Kurt Bilal Kola kulmoi dhimbjen e familjarëve, miqve dhe bashkëvuajtësve, që tek “Baca i Kolajve të Macukullit” shihnin simbolin përfaqësues të qëndresës dhe të idealizmës që kanë ushqyer dhe shërbyer.

Të mësuar me mbijetesën e tij edhe përballë diktaturës, pandehëm se do ta kishim të pamortshëm Bacën Kurt, sidomos pasi kapërceu krizën shëndetësore tejet të rëndë afro dy muaj më parë, me ç’rast këmbyem mesazhet në të cilat ai nuk mungonte të vetofrohej me klasin fisnikëror që ia ushqente dera dhe edukimi vetjak.

Dhe teksa me shaka e uruam “të shkuara, ia hodhe edhe kësaj here, Bacë…”, harruam se përjetimi intensiv i të kaluarës prej tij ishte një kumt i ngarendjes drejt të parëve të ndritur, që e prisnin në jetën e amshuar, e në emër të të cilëve Kurt Bilal Kola i pamposhtur bëri histori…   

***

Çdo komb, popull dhe gjeneratë ka ndërtuar ndër kohëra mjaft sisteme dhe koordinata vlerash moralo-qytetërimore për t’u vetëlegjitimuar përkundrejt armiqve, popujve dhe qytetërimeve bashkëkohëse e historike.

Konservimi, zhvillimi dhe konsolidimi i traditave si sendërtim vleror i jetës së organizuar sipas kanuneve dhe venomeve arbëroro-shqiptare në mbijetesë – garantoi ruajtjen dhe trashëgimin e racës përballë projekt-platformave asgjësuese të armiqve historikë. Dhe nga ky rregull i shndërruar në ligjësi nuk kish si të bënte përjashtim elita e shoqërisë sonë patriarkale, sikurse ishin familjet e shquara, ku padyshim shkëlqenin edhe Kolajt e Macukullit.

Heroika e brezave të kullëtarëve

Vendndodhja gjeografike e Macukullit dhe konfiguracioni i relievit është dëshmi e tërthortë e arsyes së përzgjedhjes së tij si pikë strategjike nga luftëtarë-kullëtarë, që betejat dhe luftërat i kishin si ushtrimore jetese e mbijetese. Ndaj jo rastësisht kjo kështjellë stërmadhe natyrore ndodhej fare pranë Vig-Varoshit të Dejës ku, qysh nga koha e albanëve dhe e pirustëve zulmëmëdhenj ishin ndërtuar kështjella, karakolle e kulla që garantonin rrugëtimin dhe akomodimin e karvanëve ushtarakë dhe atyre të tregtisë, që vinin nga Breg-Matja e Shëngjini drejt Lindjes, dhe anasjelltas…

Macukulli, kjo kështjellë mikste njerëzore e natyrore, kish patur kështjellarët e saj ndër mijëvjeçarë e shekuj, ku në fillimshekullin XX shkëlqenin gjyshërit e famshëm të Kurtit: Ahmet Kola e Lam Kola, që krahas Zogollëve dhe macukllanëve luftuan heroikisht kundër serbëve e malazezëve në Rrenx e Kakarriq, në “Shkallën e Deshëve” të Macukullit, në Katër-Grykët e në Muhur, si dhe kundër austriakëve gjatë LPB… Për të vazhduar më vonë me Bilal Kolën me gjithë vëllazërinë në krah të Abaz Kupit në Durrës, më 7 Prill 1939.

Matjanët në kryengritje

Për shkak të krushqisë (ngaqë Sulë Kurtit krye-qëndrestar, Bilali i kish dhënë për grua bash motrën Tushe), Kolajt e Macukullit luajtën rol kryesor në vendim-marrjen e Kuvendit të Bruçit të korrikut 1943 të drejtuar nga majori kreshnik i Mbretërisë Sulë Kurti, në të cilin Paria e Matit vendosi që matjanët-zogistë të shpërthenin kryengritjen kundër Italisë.

Më 31 korrik 1943, ndonëse thellësisht inferiorë në armatime e municione, mbi 3 mijë matjanë nisën kryengritjen dhe për 3 ditë luftuan frontalisht e me heroizëm të pashoq kundër garnizonit të ushtrisë italiane që, në Burrel, Klos dhe Komsi, kish dislokuar afro 5 mijë trupa të zgjedhura e që luftonin në pozicione tejet të fortifikuara.

Në këtë epope (që është më e madhja-kryengritje e shqiptarëve gjatë LDB), macukllanët e udhëhequr nga Kolajt dhe Vatajt dhanë mjaft jetë njerëzore, ndërsa Macukulli, sikurse i gjithë Mati-zogist, u shkrumbua dhe u rrënua me artileri e aviacion nga ekspedita ndëshkimore hakmarrëse me 10 mijë trupa italiane të ardhura me autokolona nga tre drejtime: nga Dibra, nga Kruja dhe nga Mirdita.    

Bilali në planet britanike

Besim-rekomandimi i Mbretit Zog dhe kredencialet personale të Bilal Kolës si prijës popullor i ndajshtoheshin pozicionit të përkryer gjeografik të Macukullit që rrethohej nga pyje të pakalueshme, nga kuota lartësie dhe hone të thella, që e shndërronin atë në fortesë natyrore me rëndësi ushtarake dhe në një pikë të përshtatshme zbarkimi nga ajri. Ndaj dhe nisur nga interesat gjeostrategjike, konform edhe sugjerimeve të Mbretit Zog, të cilit matjanët dhe Kolajt e Macukullit ia kishin zbardhur faqen me Kryengritjen e famshme (për të cilën Radio-Londra foli një javë të tërë) – nëpërmjet Abaz Kupit anglezët hynë menjëherë në lidhje me Bilal Kolën.

Asokohe britanikët që kishin vendosur edhe Shtabin Aleat në Bari dhe që kishin disa misione ushtarake në Shqipëri, ishin tejet të informuar për kapacitetet komanduese, për fuqinë ushtarake dhe për formatin politik e negociues të Bilal Kolës.

Në lidhjet politiko-ushtarake me Bilalin ishin angazhuar personalisht oficerët e SOE: Bill Maklini, Xhulian Emeri, Dejvid Smajli dhe sidomos Piter Kempi, të cilët asokohe ishin dislokuar pranë forcave nacionaliste të Abaz Kupit, që vepronin në malësitë e Krujës e të Tiranës.

Lufta Civile

Retë e luftës civile e të konfrontimit të armatosur që kulmuan sidomos në “Betejën për Peshkopinë”, për marrjen e së cilës pas 9 shtatorit të vitit 1943 u përballën qindra nacionalistë dibranë me mijëra partizanë të Hoxhës, të ndihmuar nga qindra partizanë serbë të ardhur nga “Kosmeti” dhe nga qindra partizanë maqedono-bullgarë – e fuqizuan skajshëm vlerësimin dhe interesimin e britanikëve konservatorë të SOE për strategun vizionar Bilal Kola, që refuzoi të marrë pjesë në këtë përplasje vëllavrasëse. Ndaj jo rastësisht, në vjeshtën e vitit 1943 në Lurën-fqinje të Macukullit u mblodh Kuvendi i Parisë së Veriut për të vendosur për fatet e ardhmërisë së kombëtarizmit shqiptar, e ku mori pjesë edhe Mit’hat Frashëri.

Çurçilli kundër Shqiptarisë

Duke mos u mjaftuar me deklaratën antishqiptare të dhjetorit 1942, se “Kufijtë e Shqipërisë do të diskutohen dhe vendosen përfundimisht në Konferencën e Paqes të pasluftës.”, menjëherë pas kapitullimit dhe daljes së Italisë nga skena e përgjakshme e LDB, Çurçilli e radikalizoi në ekstrem pozicionimin vetjak antishqiptar. Për rrjedhojë dhe me projekt, situata ndërkombëtare në disfavor të kombëtaristëve shqiptarë kulmoi drastikisht pas zhvillimit nga 28 nëntori – 1 dhjetor 1943 të Konferencës së Teheranit. Konferencë në të cilën Çurçilli i marrosur pas Tito-mikut të djalit-Randolf (të cilit kryekomunisti jugosllav i kish shpëtuar jetën disa javë më parë pas rrethimit prej gjermanëve në Bosnje), thuri panegjirika të panumërta për “Luftën e Tito-luftëtarit të madh dhe pothuajse të vetëm të Ballkanit”… Luftën e të cilit Çurçilli e futi edhe në tekstin e rezolutës e të vendimeve politike të Konferencës së Teheranit si “garanci strategjiko-ushtarake panballkanike dhe si bërthamë e aderimit të mundshëm të Turqisë me Aleatët e Mëdhenj…”!!?

Ndaj dhe u varrosën vendimet e “Paktit të Atlantikut Rusvelt-Çurçill” të 14 gushtit 1941, në të cilin SHBA-të dhe Britania garantonin pas LDB-së “të Drejtën e Vetëvendosjes deri në shkëputje të të gjithë popujve të robëruar që do të luftonin kundër Boshtit…”. U varrosën madje bashkë edhe me vendimet e Konferencës së Mukjes së fillim-gushtit 1943 dhe të Konferencës së Bujanit të 31 dhjetorit 1943, si e si për të legjitimuar dhe betonuar vendim-themelet Titiste të AVNOJ-it të Dytë të Jajces, të 29-30 nëntorit 1943, që konstituoi Jugosllavinë komuniste të Titos në vend të Jugosllavisë mbretërore të Versajës.

Mbijetesa si përparësi

Në këto kushte, për kombëtaristët dhe për Bilal Kolën me vëllezër e shokë u bë e qartë se jetike nuk ishte pseudo-lufta “çlirimtare” kundër 3 mijë uzbekëve, taxhikëve, kirgizëve, azerëve, kazakëve e tartarëve të Krimesë të veshur me uniforma gjermane, që ruanin urat dhe rrugët në Shqipëri për tërheqjen strategjike drejt Gjermanisë, por ishte dhe mbetej mbijetesa përballë hordhive shqipfolëse të udhëhequra nga Miladini e Dushani, që ndërkohë e kishin filluar Luftën Civile menjëherë pas denoncimit të Konferencës së Mukjes.

Ndaj jo rastësisht Dushani plaçkiste çadrat e anglezë-Torëve të Djathtë të Maklinit dhe kërkonte llogari për kod-shifrën e transmetimit dhe përmbajtjen e radio-mesazheve drejtuar Komandës Aleate në Bari, ndërsa Enveri u lëvdohej atyre se “komunistët shqiptarë ishin aleatë të vendosur të laburistë-luftëtarëve të batalioneve të Mançesterit”. Takëm dhe formacion politik majtist ky që krahas Partisë Komuniste Britanike, gjatë LDB glorifikonte Stalinin dhe Ushtrinë e Kuqe, ndaj dhe si shpërblim mori poste të rëndësishme politiko-ushtarake “në atdheun e përbashkët që ndodhet në luftë”, kurse pas Luftës sponsorizoi politikisht karrierën e Kim Filb-laburistit me shokë gjatë ndarjes së llokmave të pushtetit e deri edhe të posteve drejtuese tek shërbimet sekrete.

Nisur nga këto rrethana, Bilali filloi të organizojë rezistencën e armatosur ndaj “çlirimtarëve” që do të marshonin edhe drejt Macukullit të tij në kuadër të “Inkursionit të Divizionit V partizan drejt Veriut të Shqipërisë londineze dhe Kosovës, në qershor të vitit 1944”.

***

Vendimet për qëndresë të armatosur të zogistëve kombëtaristë ishin marrë edhe në Kongresin e Zall-Herrit të nëntorit 1943 dhe pasuan denoncimin e PKSH prej Abaz Kupit për “frymëzim dhe organizim të luftës vëllavrasëse”, si dhe vendimin publik të divorcit politik dhe largimit të tij përfundimtar nga Kryesia e Këshillit Antifashist Na-Çl. (KANÇ-it). Vendime politiko-ushtarake bazike, që kulmuan me themelimin e Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit (OKLL), e cila emëroi si kryekomandant ushtarak kryezogistin, mikun dhe bashkëluftëtarin e Bilal Kolës, major Abaz Kupin. Dhe kryekomandanti Kupi, në emër e me porosi të Mbretit Zog, i dha Bilalit të gjitha kompetencat për të organizuar dhe kryesuar rezistencën e armatosur në Matin-bastion të Zogizmit e të Legalitetit.

Terrori mbi Matin

Fillimisht ishte Mehmet Shehu në krye të Brigadës së Parë që e përuroi Terrorin e Kuq mbi Matin zogist, teksa masakroi pa gjyq 22 martaneshas të pafajshëm në Qershor 1944. Pas tij Shefqet Peçi, në krye të Brigadës së Pestë, sapo hyri në Mat në korrik 1944 kreu masakrën e Kurdarisë ku ekzekutoi gjithashtu pa gjyq 23 fshatarë të thjeshtë, që i paguan me jetë bindjet zogiste dhe mbështetjen ndaj Allamanajve të Dyle bej Allamanit, mik personal ky i Bill Maklinit dhe i Piter Kempit.

Ndaj këtyre gjëmave të padëgjuara alla-serbe, nën ndikimin e Bilalit, Pleqësia e Shëlliut dhe ajo e Semtit të Prellit lidhën usull-itifakun (besëlidhjen) për të mos i lejuar sllavo-komunistët të sulmonin Macukullin, që ishte shndërruar në simbolin e kombëtarizmit zogist. Mirëpo Brigada e Pestë si “koka e diamantit” e Divizionit V Sulmues, e drejtuar deri në atë kohë nga Hysni Kapo, Manush Myftiu, Spiro Koleka, Kadri Hazbiu, Hito Çako, Shefqet Peçi, Vasil Konomi dhe Pajo Islami, e armatosur nga britanikët dhe italianët e Badoglio-s (pas kapitullimit) deri edhe me artileri fushore e malore dhe me mortaja të rënda, që përdoreshin nga artilierë dhe mortaistë italianë – pasi theu rezistencën e shëllinjakëve iu drejtua Macukullit.    

Ushtarakët e karrierës, kreshnikët Bilal Kola, Xhemal Vata, Sali Vata, Tafë Vata e Shahin Doçi, e kishin organizuar mbrojtjen me hartë-planshete, skalione dhe pozicionime ku për 4 ditë radhazi luftuan heroikisht afro 250 luftëtarë nacionalistë. Por fatin e betejës e vendosën mbarimi i municioneve të mbrojtësve dhe artileria e mortajat e italianëve që shkatërruan deri edhe kullat e macukllanëve, për t’i detyruar të dorëzoheshin. Fatin e betejës e vendosi edhe goditja pas shpine e mbrojtësve prej Brigadës së Parë që, pasi kaloi Kthellën dhe Selitën duke thyer rezistencën e Gjonmarkajve dhe të Ndrec Lufit, rrethoi Macukullin nga Veriu dhe Verilindja. Në këto rrethana, përballë afro 2 mijë kundërshtarëve të armatosur deri në dhëmbë, 250 mbrojtësit pa municione u detyruan të tërhiqen në drejtim të Lindjes, nëpërmjet pyjeve të Kunorës së Dejës. 

Pasi e morën Macukullin, komunistët i dogjën deri në themel Kullat e Kolajve e të kundërshtarëve dhe vazhduan inkursionin drejt Veriut, për t’u bashkuar me forcat e tjera të Divizionit të Pestë e për të përfunduar në Kosovë, duke kryer masakra dhe rrënime të pashembullta, ku e ku më barbare se ato të pushtuesve serbë. (Krime këto që e shtynë Sejfulla Malëshovën në Pleniumin e Beratit të tetorit 1944, që ta shpallte PKSH-në “parti-bandë terroriste”, ndërsa Enverin që të pranonte se “kam shkarë në këtë vijë terroriste sidomos nën ndikimin e Dushanit, tek i cili tendencat dhe vija terroriste ishin më të theksuara”).  

Këtë triumf gjakësorësh, në emër të Divizionit të Pestë Liri Gega ia përshkroi Enverit me një letër ku i bënte me dije se “… gjatë inkursionit dhe marshimit në të gjithë Veriun nuk kemi hasur asnjë këmbë gjermani, por kemi fluturuar duke asgjësuar reaksionarët dhe duke djegur e shpartalluar të gjitha bazat e reaksionit…”.   

Thënë ndryshe, terroristja dhe mikja e Dushanit, Liri Gega, pranoi Luftën Civile dhe “heroikën e çlirimit të Gegnisë” nga gegët, si hakmarrje e serbëve me duart e kolaboracionistëve shqipfolës dhe konform platformës së instalimit të pushtetit sllavo-komunist në Shqipëri dhe Kosovë.

Aleatët shkëmbejnë nderet dhe favoret

Pavendosmëria dhe qëndrimet e dyzuara të “Aleatëve anglo-amerikanë”, që kishin pranuar në Bari përfaqësinë ushtarake të Hoxhës, për të cilin ankoheshin se nuk bënte kurrfarë lufte kundër gjermanëve, përveçse luftës civile – ishin emëruesi i përbashkët i politikës “as mish, as peshk” të tyre gjatë gjithë vitit 1944. Por 1840 tonë furnizimet britanike nga ajri për komunistët, në raport me 60 tonë furnizimet që morën nacionalistët, e tregonin qartë se nga peshonte “kandari Aleat” i mbështetjes politiko-ushtarake, çka zhvleftësonte edhe premtimet bajate për “Shqipëri pluralisto-demokratike pas Luftës”.

Ndaj më kot protestonin Tajar Zavalani e Dervish Duma për kronikat e aksioneve dhe betejave anti-gjermane të Abaz Kupit dhe Abaz Ermenjit të zhvilluara në prani dhe me asistencë të Dejvid Smajlit dhe Bill Maklinit, e që “me urdhër nga lart” Radio-Londra ua ndërronte autorësinë dhe ua faturonte komunistëve, të cilët ndërkohë godisnin pas shpine nacionalistët kur këta sulmonin gjermanët e Nojbaherit.

Me këto goditje pas shpine të kombëtaristëve, Enveri po i lante borxhin e shpëtimit të jetës Nojbaher-spiunit të anglezëve. (Nojbaheri austriak ishte Kryeshefi special i Hitlerit për Ballkanin dhe njëkohësisht antishqiptar i tërbuar, ithtar dhe propozues në Berlin i Serbisë së Madhe nën garancitë e Rajhut III, por edhe mik për kokë i krye-kuislingut serb Milan Nediç. Aq shumë merita në spiunllëkun pro-anglez kishte Nojbaheri, saqë megjithëse ishte konfidenti i Ribentropit dhe i Hitlerit, pas lufte padronët fitues e dënuan vetëm me 6 vjet pseudo-burgim, 1946-1952).

Ishte pikërisht Nojbaher-spiuni që, me urdhërin direkt të Londrës, dy herë radhazi, në dhjetor 1943 në Tomorricë, dhe në shkurt 1944 në Çermenikë, ia shpëtoi jetën Enverit dhe Shtabit të Përgjithshëm prej mijëra forcave të Hysni Demës, Atif Goles dhe Tahir Menës, forca të cilat gjermanët i sulmuan egërsisht pas shpine bash në momentet kur do të kapnin të gjallë Enverin me gjithë shtab.

Qartësimin dhe pohimin e kësaj tradhtie të Çurçillit për shpëtimin e vasalit të Tito-mikut, tre ushtarakëve të lartë të Regjencës (Demës, Goles, Menës), ua ka bërë personalisht Mehdi Frashëri. Dhe për këto fakte tronditëse të tradhtisë së “Aleatëve” ndaj kombëtaristëve, Bilal Kola ishte informuar me hollësi edhe prej mikut Piter Kemp, por kish dijeni edhe për të tjera kurthe e intriga që i provoi mbi kurriz dhe që e shndërruan përfundimisht në dëshmitar okular të padëshiruar…

***

Prandaj u lejua Divizioni i Pestë i Hoxhës të asgjësonte edhe njësitë e luftëtarëve anti-gjermanë të Muharrem Bajraktarit të Lumës dhe të Kryezinjve të Gjakovës, pavarësisht protestave të dëshpëruara të Piter Kempit për Londrën. Prandaj britanikët mbyllën sytë dhe veshët për Masakrën e Tivarit, pasi vetëm 18 muaj më parë (në verën e vitit 1943) avionët e tyre kishin shfarosur nën gërmadhat e bombardimit plot 1973 shqiptarë të qytetit të Pejës, ku nuk kishte asnjë gjerman të vetëm. Masakër të cilën, me të njëjtin stil, anglezët e patën realizuar edhe në korrik 1943, kur “gabimisht” masakruan me bomba 509 qytetarë të pafajshëm në Tiranë dhe mbi 100 në Gjirokastër.

Natyrisht për këto bëma dhe gjëma kishin dijeni dhe ishin dakord edhe majori rus Ivanov dhe kapiteni korçaro-amerikan e njëkohësisht miku i shtrenjtë i Hoxhës, Tomi-Tomas Stefani, që gjatë LDB dhe pas saj punoi deri në fund pro komunistëve, megjithëse këta pas lufte ia vranë vartësin amerikano-shqiptar, bashkëkrahinorin korçar Lary Post (Llazar Papapostolin).            

Këto akte flisnin shumë, por, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj lajmet lëviznin ngadalë dhe deformoheshin, për të fshehur thelbin dhe të vërtetën.

“Kujtimet e kolonelit Chris”

Gjenerali anglez Christopher Montague Woodhouese, i famshëm në Greqi gjatë LDB dhe pas saj si “Koloneli Chris”, apo si “Monti” – si kryeshef i misioneve britanike të SOE ka qenë atashuar pranë nacionalistëve grekë dhe ka pranuar se ka qenë mik personal i bashkëpunëtorit të nazistëve (gjegjësisht i Divizionit XXIII gjerman në Greqi), suljotit arvanitas Napoleon Zerva. 

Pas LDB “Monti” ka shërbyer si diplomat, deputet-politikan konservator dhe historian i emëruar Drejtor i Përgjithshëm i “British Royal Institute of Foreign Affairs (Chatham House)”, ndaj dhe në kuadër të botimeve të institucionit që drejtonte, në vitin 1958 ka publikuar edhe raportin ushtarak që si bashkë-hartues ia ka dërguar Londrës. Në këtë raport të titulluar “British Reports on Greece 1943-1944… edited by Lars Berentzen”, të cituar integralisht edhe në librin me kujtime “The Struggle for Greece, 1941-1949”, “Monti” ka shkruar: “Në maj-qershor të vitit 1944, Zerva i inkurajuar nga Misioni Aleat Britanik nën komnadën time, i vrau dhe i ndoqi Çamët myslimanë nga shtëpitë e tyre në Epir. Dëbimi i tyre nga Greqia ishte gjakësor…

Në mars të vitit 1945 Zerva e ka përfunduar komplet misionin e tij kundër Çamëve me një masakër të pafalshme. Çamët e meritonin atë që morën, por metodat e Zervës ishin shumë të këqija. Zerva u tregua drastik në zgjidhjen e problemit të Çamëve…, duke i dëbuar ata nga Greqia për në Shqipëri.

Masakrat në Çamëri janë bërë nga Divizioni X grek. Sikurse ju kanë vënë në dijeni edhe drejtuesit eprorë J. M. Stivens dhe D. J. Wallace në raportet e tyre, nënkoloneli Tarrance me disa oficerë të tjerë britanikë kanë qenë të pranishëm dhe i kanë raportuar këto ngjarje të turpshme…

Tanimë do të ishte mirë t’i lëmë gjërat kështu siç janë”.

***

Thënë shkurt, Londra ia kish dhuruar në tavolinë Stalinit lojën për Shqipërinë, ku bezdia prej kombëtaristëve të Shqipërisë Etnike po i lëshonte çdo ditë terren tezës së lejimit të gjenocid-spastrimit nga myslimanët-Çamë të Jug-Epirit dhe aktivizimit për në Konferencën e ardhshme të Paqes të tezës së “Vorio-Epirit grek”, nga e cila Shqipëria humbiste Korçën, Kolonjën, Përmetin, Gjirokastrën, Sarandën dhe Himarën. Ndërsa për pjesën e mbetur, Uinstoni dhe Randolfi po peshonin masterplanin e Titos që kish marrë edhe viston e Stalinit për “gëlltitje” dhe për shndërrimin e Shqipërisë në Republikë të Shtatë të Jugosllavisë…, me ç’rast, me Titon dhe Enverin, Stalini dhe BS siguronin realizimin e ëndrrës së vjetër të Rusisë perandorake: daljen në Mesdhe bash në zemër të Evropës.

Ndaj dhe në selinë e Qeverisë së Federatës jugosllave në Beograd ishte shtuar edhe “Zyra për Republikën e Shqipërisë”, në derën e së cilës ishte vendosur edhe emri i Enver Hoxhë-“Kryeministrit të Republikës së Shtatë”, i cili si kundërshpërblim i propozoi KQ që PPSH t’i bashkëngjitej PKJ me kryetar Titon, ndërsa veten e propozoi “Sekretar të Përgjithshëm” të Ligë-PKSH-së.  

Në pritje të…, “Aleatëve”

Në dritën dhe në sfondin e këtyre zhvillimeve të kobshme, pritshmëria për “zbarkim të Aleatëve” pas LDB u zbeh para krimeve monstruoze të komunistëve, që përveç kundërshtarëve të etiketuar si “armiq” dhe familjarëve të tyre të pafajshëm, asgjësuan deri edhe deputetët e opozitës “brenda Frontit Demokratik”, ndërkohë që në kampet e Greqisë dhe të Italisë antikomunistët shqiptarë trajtoheshin si kriminelë lufte. Kurse kombëtaristëve në ekzilin politik të detyruar dhe jashtë kampeve, u kishin premtuar shpresën që vdes e fundit dhe Komitetin “Shqipëria e Lirë” që do të formohej vetëm në vjeshtën e vitit 1949 dhe formalisht do të njihej e do të vepronte në Perëndim veçse për disa javë, me atributet e një “Qeverie të njohur nga Aleatët perëndimorë”?!

Në këto kushte të rënda të brendshme dhe ndërkombëtare, çetat e lirisë mbijetonin nëpër male e pyje me një “minimum jetik” ushqimesh dhe municionesh, duke u pakësuar drejt zhbërjes.

Në vitin 1952 Kim Filbi dekonspiroi edhe desantimet e fundit të miqve të Bilalit, Zenel Shehu e Halil Branica, dhe komunistët pas 8 vjetësh në pushtet shpallën triumfin e plotë ushtarak brenda Shqipërisë.       

Bilali dhe areali i tij i lirisë

I pamposhturi Bilal Kola rezistoi pa u dorëzuar për 6 vite me radhë, teksa lëvizte me çetën e tij nëpër pyjet e Macukullit, Dukagjinit, Lamit të Madh, Gjoçajt, Shëlliut, Prellit, Rremullit, Shqefnit, Urxallës, Dërjanit, Laç-Bruçit, Kthellë-Kurbneshit, Kunorës së Selitës, Kunorës së Lurës, Kunorës së Dejës, Katër-Grykëve, Muhurit, Qafë Murrës, Bulqizës, Gollobordës, Martaneshit, Bizë-Shëngjergjit, Shpatit dhe Çermenikës.

Si një strateg i njimendtë ai e manovroi çetën e tij duke iu shmangur me kast shumë përplasjeve të detyruara, për të evituar gjakderdhjen midis djemve të cilëve u printe, por edhe midis ushtarëve të mashtruar të Batalioneve të Ndjekjes, duke zhvleftësuar kësisoj shpifje-akuzat ndaj tij si “terrorist” dhe “kriminel”.

Gjatë asaj periudhe të stërgjatë në të cilën me rezistencën e pashoqe u shndërrua në kryesfidantin ushtarak dhe në poshtëruesin e sistemit që kishte vetëshpallur “mbështetjen absolute të popullit”, Bilal Kola fitoi admirimin e mbarë malësive të Veriut dhe të bashkidealistëve.

Zhdukja e kombëtaristëve

Shtypja e përgjakshme e kryengritjeve, asgjësimi fizik i kundërshtarëve dhe sidomos terrori barbar, burgosja dhe internimi i pothuajse të gjitha familjeve kombëtariste në thellësi dhe në Jug të vendit, i la pa mbështetje dhe furnizime Çetat e Lirisë nëpër pyjet dhe bjeshkët e Veriut.

Asokohe Bilal Kola kish humbur pothuajse të gjithë miqtë dhe bashkëluftëtarët: Xhemal e Sali Vatën me djelmëni, Sulën dhe Haxhi Kurtin me djelmëni, Mark Gjonmarkajn me djelmëni, Sali Llanin, Atif Golen, Tahir Menën me djelmëni, Llan Destanin me djelmëni, Litajt me djelmëni, ndërsa Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine, Hysni Dema e të tjerë prijës, ishin larguar përfundimisht nga Shqipëria.

Nën rrezikun e asgjësimit dhe teksa çante pambarimisht rrethim pas rrethimi, në fundvitin 1950 Bilali me 14 djemtë e çetës u detyrua të kalonte në Jugosllavi.

Fundjeta nën thikat serbe

Menjëherë pas krijimit në fillimvitin 1947 të Organizatës Ndërkombëtare të Refugjatëve (IRO) si garanci e OKB për jetët e refugjatëve politikë, mijëra antikomunistë të Veriut kaluan në Jugosllavi, shpesh edhe familjarisht, duke u akomoduar nëpër kampe të financuara e të menaxhuara nga OKB. Por sidomos pas krijimit të UNHCR në fillimvitin 1950 si një agjenci e specializuar për menaxhimin e krizës mbarë-botërore të refugjatëve, kampet e refugjatëve në Jugosllavi financoheshin, administroheshin dhe monitoroheshin me seriozitet maksimal nga funksionarë të OKB të punësuar, hierarkuar dhe sponsorizuar politikisht nga Fuqitë dhe donatorët më të mëdhenj të saj, SHBA dhe Britania. Madje këto kampe ishin shndërruar në “oaze propagandistike të sigurimit të jetës dhe të lirisë” për Titon që mburrej publikisht se kish krijuar “atdheun më të madh të refugjatëve politikë në botë”, teksa akomodoi mbi 700 mijë hebrenj të mbijetuar të vendeve të Evropës Lindore, që u “atdhesuan” në Izraelin e porsaformuar… Porse Tito akomodoi gjithashtu pothuajse të gjithë antistalinistët eurolindorë pas vendimit të Informbyrosë për përjashtimin e PKJ në vitin 1948, sikurse “akomodoi” në Goli Otok të gjithë nacionalistët antikomunistë, stalinistët dhe rivalë-kundërshtarët e pushtetit të tij brenda PKJ.

***

Por fatkeqësisht, pas kalimit në Jugosllavi të Bilal Kolës me djelmëni nuk u gjend askush që të dëshmojë se i ka parë, apo se i ka takuar ata në ndonjërin nga kampet e refugjatëve, ndonëse lajmi për mbërritjen e tyre atje u përhap vetëtimthi bashkë me admirimin që e rrethonte figurën e kryeqëndrestarit dhe kryesfidantit kombëtarist.

Baca Kurt na ka rrëfyer se gjatë qëndrimit të tij disajavor në FYROM në vitet 1993-1994 mezi mundi të mësojë se disa ish të burgosur të burgut famëkeq të Idrizovës së Shkupit e kishin parë dhe kontaktuar Bilal Kolën, që u kish thënë se e kishin çuar atje për “disa sqarime dhe biseda informative”.

Vite më vonë, bashkëvuajtës të mirinformuar pohuan se Bilali me djelmëni ishin masakruar bash në Idrizovë… Madje më së fundmi u gjet edhe një ish gardian shqiptar që i tregoi Kurtit të stërmunduar nga kërkimet, varrezën kolektive ku xhelatët sllavë kishin groposur kufomat e Bilalit me djelmëni… Zbulim që mundësoi sjelljen e eshtrave dhe rivarrosjen e tyre përfundimtare në trojet stërgjyshore të Macukullit.

Tandemi “Enver-Tito”

Titistët nuk mund ta kthenin mbrapsht dhe ta dorëzonin Bilal Kolën me djelmëni, sepse do të dekonspiroheshin bashkë me Enver-aleatin dhe njëkohësisht do të diskreditonin padronët anglezë, që drejtonin kampet e refugjatëve në emër të OKB-së.

Informacionet e dorës së parë që zotëronte eksponenti politik Bilal Kola për mbarë kombëtarizmin dhe “aleatët”, ishin tejet të rëndësishme për Beogradin, Tiranën dhe Londrën. Serbët dhe vasalët e tyre shqip-folës synonin informata për planet e kombëtarizmit “shqiptaromadh”, për eksponentët politikë të tij në Jugosllavi e Shqipëri dhe bazat e tyre mbështetëse, që, ndër të tjera, kishin mundësuar edhe mbijetesën e Bilalit me djelmëni për 6 vite me radhë.

Ndërsa anglezët synonin heshtjen për sekretet e LDB që duheshin varrosur përjetësisht, çka realisht ndodhi dhe garantoi më pas karrierat e suksesshme të Xhulian Emerit filoserb, Bill Maklinit, dhe proshqiptarëve Dejvid Smajli e Piter Kempi. Ndaj dhe “Staf-Lleshët” udb-ashë të Haxhi-Presidentit të Shqipërisë nuk mund të “arratiseshin” nga Jugosllavia në fundvitin 1950 për të raportuar tek Enveri i tyre pa sjellë me vehte informatat e fundit dhe myzhdenë e varrosjes “7 pash nën dhe” të armikut personal të Hoxhës dhe heroit të rezistencës anti-sllavokomuniste Bilal Kola.

Tito, Rankoviçi dhe Gligorov-Presidenti me “rotacion” i Jugosllavisë pasTitiste ia kishin borxh Enverit kaq pakogjë, dhe ia lanë me gjakun e Bilalit me djelmëni…

***

Pas vdekjes së Stalinit më 5 mars 1953 Hrushov-kryeshefi i komunizmit Lindor urdhëroi të gjithë vasalët në krye të vendeve satelite që të grisnin firmat dhe kopjet e vendimit të Informbyrosë e të pajtoheshin me Titon dhe PKJ si dëshmi kjo e “deStalinizimit”.

Enveri ishte ndër të parët që zbatoi urdhrat e padronit të ri, ndaj dhe ambasada jugosllave në Tiranë u bë sërish foleja e ngrohtë e filoserbëve “jo-xoxistë” që ngrinin dolli me shlivovicë për “Pajtimin e madh të vëllezërve të Bratstvo-Jedinstvo” dhe këndonin këngën “Druzhe Tito mi ti se kunemo – shoku Tito të betohemi”, bash para shoqeve Nexhmije, Fiqirete dhe Vito, që hapnin e mbyllnin mbrëmjet ku shkëlqenin me praninë dhe nuret, duke përfaqësuar burrat “anti-titistë” dhe “anti-revizionistë”.

Po kur Hrushovi pas vizitës në Beograd i kërkoi largimin nga pushteti, Enveri u tërbua dhe në Konferencën e vitit 1956 akuzoi titistët e Tiranës për vizitat e pafundme në ambasadën jugosllave, para dhe gjatë ditëve të zhvillimit të Konferencës.

Bethell dhe Scruton

Po anglezët që bënin ligjin në Jugosllavinë e argatit Tito, përse s’u bënë të gjallë dhe si vallë menduan se do ta justifikonin zhdukjen e Bilalit me djelmëni bash nën hundët e funksionarëve të UNHCR-Komisariatit të Lartë për Refugjatët?!

Lordi-deputet dhe njëkohësisht historiani tejet i informuar Nicholas Bethell, në veprën e botuar në vitin 1984 e të titulluar “The Great Betrayal: The untold story of Kim Philby’s biggest coup – Tradhtia e Madhe: Historia e patreguar e grushtit më të madh të Kim Filbit”, aludoi dhe akuzoi haptas tradhtinë e toleruar “nga lart” të Filbit ndaj kombëtaristëve të gjallë e të asgjësuar, si dhe klimën e tolerancës që shoqëroi e sfumoi edhe likuidimin fizik të qëndrestarit të mbramë Bilal Kola, bashkë me djelmëninë!

Bethell shkroi plot dëshpërim: “Nacionalistët shqiptarë, të arratisur ose jo, më shumë u përdorën si kavje në disa eksperimente, skema dhe makinacione të mëdha, sesa u trajtuan si aleatë të vërtetë”. Ndaj dhe libri i tij përshkohet nga një frymë e hapur rebelizmi për tradhtimin nga Filbi të mbi 300 eksponentëve kombëtaristë të desantuar, apo që kishin qëndruar pa u larguar dhe luftonin në malet e Shqipërisë, sikurse Bilal Kola me djelmëni.

Dhe për t’i përforcuar akuzat e lordit Bethell, një vit më vonë, në vitin 1985, filozofi dhe historiani britanik Roger Scruton në librin e titulluar “Fools, Frauds and Firebrands: Thinkers of the New Left – Teveqelët, Mashtruesit dhe Zjarrvënësit: Mendimtarët e të Majtës së Re”, në dy kapituj, por sidomos në kapitullin e dytë të titulluar “Zemërim në Britani”, masakroi Partinë Komuniste Britanike, Partinë Laburiste, komunistët dhe laburistët. Dhe, për t’i vënë kapakun dërrmës, Scruton akuzoi me emra bash ata që i quan “spiunët e Kembrixhit”: Kim Philby (Filbin e famshëm); Burgess; McLean dhe Blunt se “për llogari të Stalinit, Titos dhe satelitëve të tyre të Evropës Lindore tradhtuan shumë njerëz dhe i dënuan me vdekje të sigurt, ndonëse këta kishin organizuar dhe udhëhequr rezistencën ndaj nazi-fashistëve me shpresën e një të ardhmeje demokratike, jokomuniste…, dhe duke vepruar kësisoj, këta spiunë i dhanë Stalinit mundësinë për të eliminuar kundërshtarët kryesorë antikomunistë të zgjerimit të planifikuar të ndikimit sovjetik në Evropën Lindore”.

Madje për t’i çjerrë maskën Partisë Komuniste Britanike, Scruton ndërmend edhe faktin tronditës se kjo parti nuk kish pranuar të dënonte as agresion-pushtimin sovjetik të Hungarisë në vitin 1956.

Pa u ankuar aspak, Scruton qysh në fillim të librit të tij na bën me dije se ndikimi politik i komunistëve dhe laburistëve të ndërkryer pas botimit të librit ishte aq i fortë, sa e kishin larguar menjëherë nga Universiteti i Oksfordit ku asokohe jepte mësim, dhe madje kishin kërcënuar me bojkot dhe sulm publik pas tre dekadash, në vitin 2015, edhe botuesin që kish guxuar ta ribotonte librin pas kërkesave të shumta. (Fatkeqësisht sot nuk mundemi të mësojmë nëse Partia Komuniste Britanike e ka dënuar publikisht, apo jo, agresionin ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën?!).               

Pyetje, dyshime, hamendësime

Po përse Kurti gjatë kërkimeve intensive në FYROM-in “demokratik” të antishqiptarit Gligorov nuk gjeti asnjë gjurmë, jo vetëm të varreve të familjarëve, por asnjë dokument të vetëm arkivor edhe pas shpërbërjes së UDB-as?!! Mos vallë edhe arkivat e UDB-as gjithashtu “për disa çështje shumë sensitive” do të maturohen dhe do të qëndrojnë të mbyllura deri në vitet ‘50 të këtij shekulli, sikurse edhe arkivat britanike lidhur me Shqipërinë dhe Shqiptarinë gjatë LDB dhe Luftës së Ftohtë?!

Mos vallë edhe vdekja tejet e dyshimtë e Kryetarit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” Mit’hat Frashërit në Nju Jork në vitin 1949 ishte pjesë e “kapitullit të mbyllur” me projekt të Rezistencës Antikomuniste shqiptare, sikurse edhe “Çështja Bilal Kola” pas një viti?! Po përse Policia e Nju Jorkut shpalli shkak-diagnozën e vdekjes së Mit’hatit “dyshime të forta për atak kardiak”, pa bërë autopsinë e kufomës?!

Mos vallë Mit’hati e pagoi me jetë sherrin që bëri me britanikët në shtator 1949 në Londër, ngaqë në konferencën për shtyp që pasoi themelimin e Komitetit përmendi si “objektiv politik parësor Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, sikurse e kish objektiv parësor edhe miku i tij, irredentisti i pandreqshëm Bilal Kola?!

Po përse Filbi dinte gjithçka?

Desantët që arrinin të shpëtonin nga vdekja e sigurt, i dëshmonin qendrës së tyre se pikërisht në vendin dhe në orën e zbarkimit gjendeshin gjithmonë të rrethuar nga batalionet e Sigurimit të Shtetit Shqiptar!!!

Po përse amerikanët vinin në dijeni Filbin deri edhe për hollësitë e operacioneve të zbarkimit në Shqipëri, kur Filbi në detyrën e tij funksionale nuk kishte kurrfarë lidhjeje me vendin tonë dhe operacionet speciale të sipërcituara?!! Përse vallë amerikanët dhe britanikët nuk bënë asnjëherë analiza të përbashkëta për disfatat në Shqipëri? Përse ekspertët e CIA-s që merreshin me Shqipërinë, çuditërisht nuk pyesnin as për “antikomunizëm-Makartizmin” e senatorit Joseph R. McCarthy që terrorizoi komunistët dhe spiunët e KGB-së në vitet ’50-të, por ndanin me kokëfortësi çdo sekret me Filb-laburistin simpatizant të vetëdeklaruar të sovjetikëve qysh në mesvitet ‘30-të?!!!

“Hellou Kim…” tek Sheshi i Kuq

Po si shpjegohet që askush nuk mbajti përgjegjësi zyrtare tek MI-6 dhe tek CIA për dështimet e “operacioneve shqiptare”?! Athua këto dështime kanë lidhje edhe me broçkullat e deklasifikuara të CIA-s e të botuara tek gazeta “SOT” gjatë dekadës së fundit, që shkruanin për “heroizmat ndër male” të “mbështetësve të Koçi Xoxes, që mbahet ende në burg nga Hoxha edhe tani në vitin 1953”!!!

Kujtimet e botuara të kolegëve amerikanë dhe britanikë të Filbit, që shkëmbenin përshëndetje me ish kolegun tradhtar në Sheshin e Kuq pas arratisjes, “Hellou Kim, si je me shëndet, a po të prin ndopak klima moskovite?”, flasin shumë. Edhe deklaratat e papërgjegjshme të kolegëve amerikanë dhe britanikë të Filbit nëpër dokumentarë televizivë, athua se flisnin për trimërira dhe suksese – gjithashtu flasin shumë… Ashtu sikundër flet shumë dhe pohon gjithçka eliminimi fizik i djemve të Çetës së Lirisë së Bilal Kolës, ndër të cilët shumica ishin adoleshentë 15-18 vjeçarë, e ku bënin pjesë edhe dy djemtë e tij, Hamiti dhe Ganiu, (përkatësisht 16 dhe 18 vjeç).

Kumti sllav ishte i qartë: Bilal Kolës dhe heronjve të rezistencës antikomuniste do t’u vrasim dhe zhbëjmë ardhmërinë, fëmijët. Kumt që nga Idrizova e Shkupit iu përcoll edhe Enver Hoxhës në Tiranë, që vijoi me qetësi zhbërjen e pinjollëve të mbetur të kombëtarizmit, aq më tepër kur “aleatët…” po e pranonin xhelatin shqiptar edhe në OKB, ku më 14 dhjetor 1955 firmosi me gjak fëmijësh Kartën e saj, kapitulli i parë i së cilës ishte “E Drejta e Jetës…”. Kumt vrastar që parapriu dhe shoqëroi gjatë diktaturës edhe jetën e Kurtit, si dhe jetët e familjarëve e të bashkëvuajtësve të tij.          

Vrasësit në vendin e krimit

Nëse pushtimin e parë sllavokomunist të Macukullit, Matit dhe Veriut, Kurt Kola ia ka lënë historiografisë që ta trajtojë, pushtimin e dytë të “pasçlirimit” e ka gdhendur në kujtesë për ta derdhur pas 7 dekadash e tëhu mbi faqet e një libri voluminoz, si dëshmi e shkruar e terrorit dhe e qëndresës ndaj tij. Kësisoj ai shndërrohet nga “fëmijë armik” në subjekt, aktor dhe autor të epopesë që ia paracaktuan, që përjetoi dhe shkroi, pasi shpirti i tij rebel dhe formimi prej intelektuali antikonformist e orientonin kah kontributet ndaj kauzës madhore të Kombëtarizmit me qëndresën vetjake dhe me të vërtetat e shkruara e të pohuara publikisht e me zë të lartë.

Raporti i tij vetjak me të vërtetat e mëdha, me lirinë dhe me historinë ritmonte nën kadenca kantiane, kish përmasa e ngjyresa të forta hegeliane dhe frymëzohej thellësisht nga koncepsioni mbi “Mbi Lirinë” i Xhon Stjuart Millit. Ndërsa zbërthimi prej tij i thelbit, i shkaqeve dhe i interpretimeve të zhvillimeve historike i nënshtrohej analizës së thellë konform ligjësive të logjikës së hekurt aristoteliane, që Kurti, ky nxënës dhe ithtar i Dom Nikollë Mazrekut i zotëronte në nivele sipërore.  

Libri i tij i të vërtetave të mëdha vetjake dhe mbarëshqiptare nën diktaturë, është strukturuar në kapituj përplot me përshkrime të situatave ngjethëse të krimit dhe terrorit, plot me metaforizime dhe trajtesa të planit psikologjik, me ngarkesa të forta emotive, me ankth dhe dhimbje…

Qysh në faqet e para të tij Kurti na rrëfen ditët e dimrit të tmerrshëm të shkurtit 1945 kur sllavo-komunistët u rikthyen në vendin e krimit, në Macukullin ku vetëm 7 muaj më parë, në vazhdën e serbëve (nga Shkalla e Deshëve me artileri në vitin 1915) dhe italianëve (me aviacion dhe artileri në gusht 1943), kishin bombarduar dhe kishin djegur kullën e Kolajve. Por tashmë, pas 7 muajsh, kishin ardhur të ndëshkonin të pafajshmit e të terrorizonin grarinë dhe fëmijët njomëzakë me në krye më të madhin e mbetur në shtëpinë atërore, djalin 8-vjeçar të Bilalit – Kurtin.

Pasi shpallën dënimin me vdekje në mungesë të Bilal Kolës, komunistët shpallën edhe arrestimin si “bashkëpunëtore të kryekriminelit” të nënës së Kurtit, Vashë Kolës. Madje arrestuan, torturuan për vdekje dhe mbytën kushërinj, miq dhe disa bashkëfshatarë, për t’i detyruar të tregonin…

Vazhdimi i terrorit

Kësisoj, me terror edhe mbi macukllanët dhe matjanët, i kremtuan “çlirimtarët” ditët e para të “Vitit të Ri 1945” dhe të pushtetit.

Sapo kish filluar Golgota që do të zgjaste me dekada, e ku do të shuheshin mijëra jetë dhe do të rriteshin heronjtë e qëndresës, ndër të cilët, si vijues i traditës kombëtariste, do të shquhej Kurt Kola.

Dhe për afro 5 dekada, si në një kaleidoskop kaluan mijëra personazhe e jetë të ndërprera, ku padyshim shkëlqenin heronjtë, xhelatët dhe viktimat, kundruall mjeranëve të turmës-popull që shkoi ditët e Perëndisë në skllavërinë që i projektuan armiqtë historikë. 

Ndaj dhe libri voluminoz i qëndrestarit të pashembullt Kurt Bilal Kola, titulluar “Në Shqipërinë burg – Çfarë ndodhi?! Çfarë pashë?! Çfarë hoqëm?!”, është dhe përfaqëson kronikën rrëqethëse të persekutimit shtazarak të familjes së Bilal dhe Kurt Kolës, dhe bartësve e mishëruesve të shumtë të rezistencës antikomuniste.

Therorizimi dhe martirizimi kuazi-apostolik i familjeve më të shquara të së Djathtës kombëtariste ishte thjesht realizimi i një projekti të kahershëm sllav me autorësi komuniste, të përgjakshme dhe vetëmburrëse, kryer nëpërmjet binomit krim-propagandë.

Narrativa e një detajisti-mjeshtër sikurse kryepersonazhi dhe njëkohësisht dëshmitari okular Kurt Kola që rrëfen në vetën e parë, nëpërmjet kriterit kronologjik ka gdhendur dhe ka fiksuar pafundësinë e stacioneve të kalvarit nga ku kaluan Kolajt dhe bashkëvuajtësit e tyre.

***

Kolajt e Macukullit me në krye Kurtin, fëmijën më të madh ndër të tjerët e Vashës dhe Bilalit vuajtën burgjet dhe internimet krahas pinjollëve dhe familjeve të shquara të Previzëve, Menajve, Dineve, Demajve, Kaloshëve, Ndreajve, Litajve, Aliajve, familjarëve të Genc Muharrem Bajraktarit të Lumës, të Goleve, Gjonmarkajve, Mirakajve, Kupajve, Merlikajve, Dostëve, Destanishajve, Dërgutëve të Lumës, etj..

Kurti me 13 familjarët vuajti burgimin në Peshkopi (1945), dhe internimet në Berat dhe në Kuçovë (1945-1949), në Tepelenë, Turan dhe Bënçë (1949-1954), në Shtyllas, Radostinë, Zadrimë, Savër, Plug dhe Gradishtë, deri në vitin 1991.

Sipas tij, në Kampin e Internimit të Tepelenës në periudhën 1949-1954 u internuan mbi 3 mijë “armiq të popullit”, nga të cilët vdiqën prej urisë dhe sëmundjeve mbi 500 syresh, që nga foshnjat e deri tek pleqtë.

Vuajtjet vetjake të Kurtit

Kurti vuajti 26 vjet burg politik, gjatë të cilëve u dënua dhe u ridënua 4 herë.

Për ta dënuar me çdo kusht, në vitin 1952, kur ishte vetëm 15 vjeç, xhelatët i falsifikuan datëlindjen dhe e dënuan 10-vjet burgim me akuza politike, deri në vitin 1962. 

Kurti i vuajti dënimet si i burgosur politik: në burgun e Gjirokastrës në periudhën 1952-1954; në Burgun e Vlorës, dhe në burgun e Shkodrës në vitet 1954-1956; në burg-Kampin e Punës të Tiranës për ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve dhe të Stadiumit “Dinamo” në vitet 1956-1958; në birucat e Tiranës, Shkodrës, Lushnjes, në galeritë e Spaçit, në burgun e Burrelit dhe në burgun e Kosovës së Dumresë deri në ditët e fundit të diktaturës, madje edhe përtej tyre, pas shpalljes së pluralizmit?!!

Dënimi i fundit me 10 vjet iu dha më 20 tetor 1990 në Elbasan, por fitoi lirinë më 10 janar 1991.

Familja e tij i dhuroi kombëtarizmit dhjetë martirë dhe mbi pesëqind vite internime e tridhjetë vjet burg politik!…

Homazhi për Përndjekjen

Libri i Kurt Bilal Kolës, titulluar “Në Shqipërinë burg – Çfarë ndodhi?! Çfarë pashë?! Çfarë hoqëm?!”, është homazh për dramën dhe qëndresën e bashkëshorteve të atdhetarëve të shquar sikurse: Vasha e Bilal Kolës; Mrika e Gjon Markagjonit; Nazifja e Muharrem Bajraktarit; Rukija e Fiqiri Dines; Vasfija e Hysni Demës; Sahadija e Shahin Demës, si dhe e vajzave të tyre trimëresha, si: Bardha Gjonmarkaj; Liri Bajraktari; Vera Dema; Klara Mirakaj; Neta Sollaku; Elena Merlika; Nina Destanisha; Hyrie Kupi; Xhina Mirakaj; Prena Pervizi, etj..

Libri nderon dhe lartëson qëndrimin dhe figurën e klerikëve të shquar atdhetarë si: Padër Gardini; Dom Zefi; Padër Viktori; Padër Ferdinandi; Dom Nikollë Mazreku; Padër Pjetër Mëshkalla; Padër Gega; Hafiz Ali Kraja; Ipeshkv Visarion Xhuvani, etj., si dhe të ish-kryeministrave Koço Kotta dhe Ibrahim Biçaku; ish-ministrave të Arsimit Mirash Ivanaj e Xhevat Korça dhe ish ministrit Akile Tasi. (Xhevat Korça dhe Akile Tasi i dhanë fund jetës me grevë urije, në shenjë revolte për torturat dhe trajtimin barbar).

Kurt Bilal Kola na dëshmon gjithashtu se gjatë diktaturës, në burgun famëkeq të Burrelit vdiqën mbi 400 të dënuar politikë.

Kurt Kola për kundërshtarët

Duke dashur të portretizojë përfaqësuesit tipikë dhe atipikë të racës, etërit e lavdishëm, bashkëvuajtësit dhe xhelatë-kundërshtarët politikë, Kurti shkruan sintezën lapidare: “Intelektualët më në zë të Shqipërisë, kryeministrat dhe ministrat më të kulturuar të saj, u ndeshën dhe u ballafaquan me një tip partizani shqiptar pa kurrfarë kodesh tradicionale të krenarisë, besës, burrërisë, nderit, mëshirës, atdhedashurisë dhe forcës së karakterit – virtyte me të cilët kundërshtarët e tyre politikë, intelektualë brilantë dhe bij të denjë të racës, ishin edukuar në Shqipërinë e vjetër prozaike.

Në antitezë me ta, të vetëquajturit ‘partizanë çlirimtarë’ kanë qenë të turpshëm në paburrërinë, injorancën, frikën, mungesën e karakterit dhe në përdorimin e dhunës së pamëshirshme ndaj bashkatdhetarëve të tyre gegë dhe toskë.

Terrori dhe dhuna e ushtruar prej tyre kanë qenë të një natyre egërsisht fizike e psikike, dhe do të përdoreshin si ndëshkim nga dita e parë e deri në ditën që pushteti i tyre do të rrëzohej…”.

***

Por krahas penelatave plot kolorit dhe vërtetësi në përcaktimet dhe portretizimet e sakta të funksionarë-përfaqësuesve të diktaturës, Kurti përdor edhe ironinë dhe humorin sarkastik për të përshkruar situata që arrijnë deri në kufijtë e groteskut. Në një rast të tillë Kurti na dëshmon se komunistët mitomanë, sipas modelit të shokë-komunistëve kinezë që kishin vendosur të edukonin deri edhe perandorin e fundit të Dinastisë Çin të Mançukuosë me citatet e kryetarit Mao – kishin vendosur të edukonin të burgosurit politikë të Burrelit me teorinë M-l dhe me “Kapitalin” e Marksit. Për këtë qëllim ata kishin dërguar në burgun e Burrelit njëfarë lektori, që u kish lexuar të dënuarve politikë një leksion të gjatë, për t’i impresionuar dhe për t’u dëshmuar se komunistët ishin shumë të ditur dhe ndaj edhe e meritonin pushtetin. Por Padër Mëshkalla e kish masakruar lektorin me pyetje thelbësore konceptuale dhe teoriko-konkrete rreth “Kapitalit”.

Pasi i kish mbajtur shënim të gjitha këto pyetje dhe pasi kishte pranuar se “klerikët katolikë e studionin Marksizmin për ta luftuar dhe diskredituar”, teoricieni që gjatë gjithë kohës së lektrimit nuk e kish ngritur asnjëherë kokën nga teksti i shkruar, nuk kish guxuar më që të kthehej në Burgun e Burrelit për të dhënë “leksionin e radhës dhe përgjigjet e pyetjeve” të Padër Mëshkallës.

Gjithashtu në libër janë të shumta pasazhet ku Kurti dhe bashkëvuajtësit jo vetëm që u provonin xhelatëve fytyrën e krimit, ligësinë, mungesën e skrupujve dhe injorancën, por edhe triumfonin në ballafaqimet dhe polemikat e përditshme me ta.

Relativizimi i terrorit në Demokraturë

Do të mjaftonin vetëm vuajtjet e tmerrshme të familjarëve të nacionalistëve në Kampin e Tepelenës, për ta damkosur përjetësisht diktaturën dhe për t’i ndëshkuar me dënime kapitale kryexhelatët e saj. Por fatkeqësisht krimet e tyre të djeshme sot po relativizohen dhe bash bijtë e xhelatëve janë rikthyer në pushtet e po mbështeten nga të njëjtët “Aleatë” në rivarrosjen tashmë pa gjak të ardhmërisë së shqiptarëve…, çka dëshmon se Kujtesa Historike ndër ne s’ka kurrfarë vlere. Ndryshe nuk ka si shpjegohet se, megjithëse nuk mund të fshihet më e vërteta rreth mijëra shqiptarëve të masakruar e të mbytur nëpër burgje dhe internime (madje shumica syresh të mbetur ende pa varr prej një grupi kriminal urdhër-dhënësish dhe urdhër-zbatuesish), sot bijtë e tyre në krye të partive të së Majtës shqiptare, jo vetëm që kërkojnë ende të na imponojnë “lavdinë e Luftës Nac-çl.”, por kanë uzurpuar të gjitha pushtetet reale dhe hapësirën publike të Shqipërisë së shekullit XXI.

Në librin e tij Kurt Kola na e ka bërë të qartë dhe na e ka faktuar me emra se cilët kanë qenë xhelatë-ekzekutorët e dhunës kriminale gjatë diktaturës! Të vërtetat e tij të pashembshme na dëshmojnë se Enveri dhe kupola e Mafia-diktaturës nuk ishin të vetmit gjakësorë në sipërmarrjen shkatërruese kundër lirisë së shqiptarëve, ku monstrat funksionuan si set agjenturor i strukturuar në skalione, sektorë, shtresëzime vertikalo-hierarkike, platforma, trajta dhe mënyra veprimi precize e perfekte.

Libri i Kurt Kolës kumton Apelin Kombëtarist që brezave të shqiptarëve t’u mësohet historia e vërtetë e LDB dhe krahas saj edhe Historia e Regjimit Tiraniko-ideologjik që i realizonte krimet dhe shtypjen me anë të Detashmenteve të Specializuara të Terrorit Komunisto-Sigurims. Krime që tanimë evidentohen dhe publikohen pa droje bash në sfondin e përpjekjeve të nostalgjikëve për t’i rehabilituar xhelatët-“çlirimtarë” dhe për t’i rilegjitimuar moralisht si “aleatë të Aleatëve të Mëdhenj Antifashistë”.

Fatkeqësisht, pjellat dhe mbiemrat e xhelatëve të djeshëm të diktaturës popullojnë sot administratën e lartë dhe borderotë e pushtetit i cili ka blerë edhe “opozitën” që qurravitet çdo “datë çlirimi” para monumentit allasovjetik “Nëna Shqipëri”. 

Ky libër na qartëson përse sot pushteti majtist i të njëjtave familje politikisht të pozicionuara në mbrojtje të “Luftës” dhe të së djeshmes së palavdishme diktatoriale e të dhunimit sistematik të lirisë sonë – përfaqëson establishmentin real të të gjitha pushteteve.

Kontribute dhe angazhime politike

Kurt Kola nuk përfaqëson thjesht dhe vetëm njërin nga simbolet më sublime të qëndresës antikomuniste dhe kronikën e gjallë të saj. Ai gjithashtu nuk përfaqëson thjesht dhe vetëm një kronikan virtuoz, që me librin e tij tronditës ka gdhendur dhe ka pikturuar skëterrën nga kaluam. Por ai u përpoq t’i kontribuojë politikisht realizimit të idealeve të pluralizmit postdiktatorial. Ndaj dhe për shkak të meritave individuale si qëndrestar i pashoq dhe kontributeve paskaj të familjes së tij, në vitin 1992 u zgjodh njëzëri nga bashkëvuajtësit si “Kryetar i Shoqatës Kombëtare të ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”.

Në vitin 1996 Kurti kandidoi në Mat, në emër të koalicionit politik “Lidhja e Djathtë Antikomuniste Shqiptare”, kryetar i së cilës gjithashtu ishte zgjedhur njëzëri nga bashkëvuajtësit. Ndërsa në vitin 1997 organizoi dhe bashkëdrejtoi “Forumin për Demokraci”, krahas Fatos Lubonjës dhe Daut Gumenit.

Botime dhe vlera krijuese

Libri i Kurt Kolës “Në Shqipërinë burg…” është shkruar jo vetëm me pasion dhe vërtetësi trandëse, por është shkruar edhe me kulturë historike solide, çka ndër të tjera dëshmon njohjen prej tij të së kaluarës.

Si të ishte një historian profesionist dhe me përvojë, Kurti realizon digresione dhe riapostrofime të sakta e të zhdërvjellta në të shkuarën dhe ndërkohë edhe risjellje, rikompozime e përdorime efikase të së kaluarës për të betonuar interpretime shpesh të përkryera të së tashmes dhe të vizioneve perspektive, me sfond dhe shtrat filozofik.

Strukturimet e engramave të tij historiko-filozofike, jo vetëm që përkojnë në kohë dhe hapësirë, por mbështesin dhe konfirmojnë faktologjinë historiografike të Shqipërisë së periudhës 1944-1991. Kuota këto që historianët profesionistë i arrijnë vetëm pas studimit dhe njohjes shterruese të dokumentacionit, ndërkohë që Kurti i ka arritur thjesht dhe vetëm nëpërmjet studimit skrupuloz, vëzhgimit të kujdesshëm dhe depërtues, analizë-sintezës dhe shqyrtimit e trajtimit me sens dhe frymë kritike të burimeve historike.

Nëpërmjet këtij libri, Kurti na ka dëshmuar jo vetëm njohjen e shkëlqyer të dramës së bashkëvuajtësve, por edhe vlerësimin dhe interpretimin me saktësi deri edhe në prerje pothuajse sagitale të tipologjisë dhe vijësjelljeve psiko-morboze të liderëve të diktaturës dhe xhelatëve të Përndjekjes. Ai gjithashtu na ka pohuar njohjen deri edhe në trajta dhe rrafshe gjeopolitike të dokumentacionit historiografik dhe të situatave politike ndërkombëtare, teksa i vendos zhvillimet, episodet dhe ngjarjet në kontekstet e duhura politike e në funksion të synimeve dhe strategjisë së efektit të mesazheve që përcjell.

***

Para librit “Në Shqipërinë burg – Çfarë ndodhi?! Çfarë pashë?! Çfarë hoqëm?!”, Kurti ka botuar librat me titujt: Ëndrra burgu (poezi); Fejesa në burg (roman); Përtej dashurisë njerëzore (roman).

Në krijimet e sipërcituara ai ka trajtuar me vërtetësi dhe sinqeritet tronditës pasazhe të natyrshme dhe aspak fantazmagorikë të jetës në Shqipërinë e diktaturës.

***

Në krijimet-fiction ai shquhet për trajtime me parametra të lartë intelektualë, me gjuhë të thukët dhe plot lëng jetësor, duke shpërthyer deri edhe në digresione filozofike. Rrjedhoja këto të kulturës elitare të ngjizur dhe konsoliduar prej studimesh intensive dhe prej mësuesish-bashkëvuajtës mendjendritur, gjatë “shkollimit” nëpër burgjet politikë.

Pasazhet me nuanca të qashtra filologjike dëshmojnë nivelet tejet cilësore të literaturës që Kurti ka studiuar dhe të kulturës së lartë të miqve me të cilët ka komunikuar idetë, dijet, konceptet dhe vizionet për të cilat shquhej edhe gjatë komunikimit të përditshëm dhe trajtimit e zgjidhjes deri edhe të problemeve më të ndërlikuara në rrethet ku ligjëroi e polemizoi dhe në institucionet ku kontribuoi e drejtoi.

“Tranzicioni” drejt fundit dhe testamenti

I ndërgjegjshëm se koha dhe shëndeti i rrënuar nga vuajtjet i punonin kundër, Kurti në dy vitet e fundit “gdhendi” me kujdes “testament-dhiatën” për bashkëkombësit, të cilin e titulloi “Tranzicioni neokomunist në Shqipëri” dhe e publikoi më 2 dhjetor të vitit që shkoi, afro dy muaj para ndarjes nga jeta.

Në këtë libër voluminoz me mbi katërqind faqe, nga pozitat e një protagonist-dëshmitari që rrëfen vërtetësisht çfarë ka parë, dëgjuar dhe konkluduar, Kurti na përcjell fakte e përjetime mbi zhvillimet tronditëse të pasdiktaturës, që shpesh rezononin dhe konkurronin për nga dramaticiteti dhe egërsia edhe me zhvillimet më të “buta” të monizmit.

Nën kujdesin për të mos anashkaluar asnjë pasazh të vlertë për nga efektet e momentit dhe mesazhet drejt ardhmërisë, Kurti rendit dhe kuoton drejt kulmimeve mjaft nga ngjarjet dhe dinamikat politiko-shoqërore të Tranzicionit, që protagonistët e kohës, ndër të cilët bënte pjesë edhe ai vetë – ua rezervuan shqiptarëve.

Ky libër fakt-mbledhës gëlon nga të vërtetat tmerruese që shkaktarët dhe harraqët e historisë sonë të trishtë i kapërcejnë apo i retushojnë ende në ligjërimin publik, me shpresën për të zvogëluar efektet shkatërruese e të përgjakshme, që rroposën dyfishin e jetëve që përpiu diktatura.

Dhe kësaj barbarie me bilancin e luftërave kastriotiane, tragjikët tanë të emëruar të politikës dhe medias ia vunë emrin “Tranzicion pasdiktatorial”, çka derdimenëve u kumbon si muzikë tallavaje në çaste çakërqejfi.

Por Kurti bën të kundërtën, zbulon dhe damkos, teksa me lentet dhe bisturinë kirurgjike të mjeshtrit bën prerje autopsie dhe regjistron gjithçka që i shërben diagnostikimit të së Keqes, të cilën ai e kundron dhe e vlerëson jo thjesht si produkt i mendjeve të mbrapshta, por i një projekti me autorë jashtë Shqipërisë.

Narrativa e tij shfryn personazhe butaforike marroqësh e psikodelirantësh, që na qesharakëzohen para syve.

Projekti i tij i “Paqtimit të Shqiptarëve” nën edukimin e “Institucionit të Kujtesës Kolektive”, nuk pati shanse të shkërmoqej as kur pardesybardhët e Alisë e tërhoqën zvarrë pa u mbushur ende as katër vjet nga koha kur diktatori i fundit e dhunonte në burgun e Burrelit, teksa menduan ta poshtëronin dhe ndëshkonin fizikisht me pretekstin se donin t’ia shpëtonin jetën që kish vendosur ta flijonte nëpërmjet grevës së urisë me shkak Mohimin e Shpërblimit të Merituar për Punën e Papaguar në Diktaturë, grevë që thërmoi iluzionet për “antikomunizmin zyrtar në pushtet”.

Pas masakrimit fizik të “burgaxhinj”-grevistëve politikë në mbarë Shqipërinë me “tontonë-makutët” e Hekrit, Kurtit i mjaftuan muajt e ngujimit në “arrestin” brenda shtëpisë së rrethuar nga qindra policë, bashkëvuajtës dhe ithtarë, për të shpërndarë kumtet e Lirisë së Mohuar në Demokraturë.

Aktet e tij politike nuk ishin produkte të urrejtjes, por të mendësisë së kultivuar në shekuj e mijëvjeçarë me modelet kalorësiake të racës së fisnikëve dhe kishin si synim jetësimin e Paqes ndër bashkatdhetarët.

Durimi i tij i kalitur sfumoi ngasjen e hakmarrjes, sepse kish formësuar dhe kultivuar si fetish vetjak drejtësie “hakdhënien…”, ndaj dhe nuk u impresionua as kur menduan se do ta poshtëronin duke e fyer me shpifje dhe duke i vjedhur deri edhe votën personale, kur kandidoi për deputet në vitin 1996.

Bindja e tij për “Drejtësi dhe Hakdhënie” nuk u lëkund as kur iu kërcënua jeta nga plumbat në vitin 1997, por pësoi goditje rrënuese kur humbi në vdekjen tragjike bashkëvuajtësin Lirak Bejko, që u vetëmartirizua si flakadan për të drejtat e mohuara, akt therorie që sërish pardesybardhët e baltosën duke e akuzuar Lirakun se “u vetëdogj me synimin për t’u shërbyer socialistëve”.

Të gjithë idealizmin dhe jetën e vet Kurti e vlerësoi si të ishin një mision kuaziprofetik, ndërsa vetveten si misionar, i vetëdijshëm se “askush nuk bëhet profet në vendin e vet”. Ndaj dhe “Dhiata” e tij në duart e brezave është jo thjesht një amanet, por një dëshmi për çfarë ne shqiptarët vuajtëm dhe një mësim sesi dhe çfarë nuk duhet të bëjmë dhe nuk duhet të pranojmë paskëtaj…     

Bilanci jetësor i Kurt Kolës

Pavarësisht vuajtjeve paskaj, me të cilat jeta i replikoi genomën e mbijetesës, Kurt Kola ishte dhe mbeti ithtar i Aristotelit dhe i klasikëve të filozofisë antike, prej nga tëhuazoi vlerat, maturinë dhe vetëpërmbajtjen e “Logjikës” aristoteliane, larg çdo hakmarrjeje dhe gjithmonë kah qëndrimet humaniste vetjake, që na e bëjnë akoma edhe më të dhimbshme ndarjen e tij nga jeta tejet e vështirë, e së cilës aq pak momente të bukura i shijoi.

Por në çastin e mbramë të dyzimit të pavullnetshëm midis pasardhësve të mrekullueshëm dhe paraardhësve të lavdishëm, Perëndia e rrëmbeu dhe e sistemoi përjetësisht pranë njerëzve më të dashur që Kurti i humbi aq dhimbshëm dhe parakohshëm në ruletën e përgjakshme të tiranisë, e të cilëve fatkeqësisht nuk arriti t’ua përmbushë idealet dhe amanetet, sa kohë që Kauza e tyre e Kombëtarizmit dhe e Demokracisë nuk triumfuan. Ky fatos Malësije u largua nga kjo botë si dishepull i njëmendtë i Stoikëve që admiroi, pa u ankuar për humbjet prore dhe fatin tragjik.

Të qoftë dheu i lehtë o Baca Kurt, o mik i shtrenjtë, o Princ i Lirisë.

Astrit Kola

Tiranë, më 16 mars 2022

Ju mund të pëlqeni edhe