Ndahet nga jeta poeti i njohur shqiptar Bardhyl Londo. Ai ndërroi jetë pas një sëmundjeje të gjatë, ndërsa 10 ditët e fundit i kaloi në reanimacion. Londo ishte 74 vjeç. Pak më parë Akademia e Shkencave mbajti një minutë heshtje në nder të tij.
Londo humbi bashkëshorten e tij në fillim të vitit 2019. Valentina nuk ishte vetëm gruaja, por dhe bashkëshoqëruesja e një jete jo të lehtë. Shpesh ai i ishte drejtuar asaj përmes vargjeve, ashtu siç i drejtohet tani përmes heshtjes.
Ai i përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën logon e Partisë Demokratike. Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi. Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai ka bërë shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike.
Poeti me pardesynë e bardhë dhe vështrimin e thellë është padyshim një nga figurat më interesante të letërsisë shqipe të pas viteve ‘80.
Shkrimtari ka lindur më 1948 në Përmet.
Studioi për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.
Në Çmimet Kombëtare të Letërsisë, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ministria e Kulturës më 2021, fitoi vlerësimin për vëllimin poetik “Prill i hidhur” si vepra më e mirë poetike.