Largimet e çuditshme nga Bill Gates: pse po ikin të gjithë? Warren Buffett, lamtumirë Fondacionin Gates, dyshimet mbi të ardhmen

Për Fondacionin Gates ky është mbase lajmi më i keq: investitori legjendar amerikan Warren Buffett, 90 vjeç, ka vendosur të largohet në fakt nga rrethi i drejtuesve të lartë të institucionit më të fuqishëm filantropik në botë, duke hapur skenarë pak a shumë të pasigurtë për të ardhmen e partneritetit në fondacionin e themeluar nga Bill dhe Melinda Gates, ndër të tjera, në momentin më të vështirë për Fondacionin pas divorcit të çiftit të famshëm të njoftuar javët e fundit. Siç raporton Reuters, Buffett ka deklaruar se kishte qenë një “kujdestar joaktiv” për vite me radhë në fondacion, por e ka mbështetur plotësisht CEO-n Mark Suzman dhe ka theksuar se objektivat e tyre ishin “100% të sinkronizuara”.

Sidoqoftë, nuk ka dashur të shpjegojë arsyen e tërheqjes, edhe pse duke vënë në dukje faktin se kishte refuzuar të gjitha pozitat administrative jashtë Berkshire, duke zvogëluar ngarkesën e tij të punës. Miliarderi-filantrop ka njoftuar gjithashtu edhe një dhurim të ri prej më shumë se 4.1 miliardë dollarë, që përfshin gati 15.2 milion aksione të Berkshire Class “B”, për Gates Foundation dhe katër organizata bamirësie, si pjesë e angazhimit të tij për të dhuruar 99% të vlerës së pasurisë së tij neto. Që nga viti 2006, manjati ka dhuruar më shumë se 41.5 miliardë dollarë në aksione Berkshire, ndër të cilët 32.7 miliardë dollarë për Gates Foundation.

Dyshimet për të ardhmen e Fondacionit Gates

Dyshimet për të ardhmen e fondacionit ishin shfaqur, javët e fundit, pas njoftimit të divorcit midis Bill dhe Melinda Gates. Siç theksonte Financial Times, e ardhmja e fondacionit varet nga shuma e kontributeve që vinte nga pasuritë e tyre tashmë të ndara, si dhe shuma e donacioneve shtesë nga Warren Buffett, mik i çiftit dhe njeriu i gjashtë më i pasur në botë pas Mark Zuckerberg me një pasuri prej 99.6 miliardë dollarësh.

Sipas profesorit Henry Peter të Universitetit të Gjenevës, “ekosistemi i fondacionit bazohet në realitet vetëm në tre të besuar”, duke iu referuar çiftit Gates dhe Buffett. Dhe tani që miliarderi Buffett ka vendosur të largohet nga skena, është e lehtë të besohet se edhe Fondacioni Gates mund të humbasë primatin e fondacionit më të fuqishëm dhe me ndikim në botë: më 1996 Bill Gates u martua me gruan e tij Melinda dhe në 2000 ata lançuan së bashku Bill & Melinda Gates Foundation, i cili me një aset prej 50.7 miliardë dollarësh konsiderohet sot si fondacioni më i madh në planet.

Siç raportohet gjithmonë nga Financial Times, disa ish-punonjës dhe konsulentë po pyesin nëse institucioni që çifti ka drejtuar për 21 vjet mund të vazhdojë në gjendjen e tij aktuale në dritën e lajmeve të fundit: të tjerë janë të bindur se me kalimin e viteve ka krijuar marrëdhënie institucionale të nevojshme për të ecur përpara në çdo rast. Stafi i Fondacionit tani numëron më shumë se 1,600 persona. Në një letër dërguar stafit të tij, CEO Mark Suzman e ka pranuar pasigurinë e ngjallur nga tërheqja e Buffett. “E di që largimi i Warren ngre pikëpyetje në lidhje me drejtimin e fondacionit. Siç e kam thënë më parë, kam diskutuar shumë me të, me Bill dhe Melinda për qasjet për të forcuar drejtimin tonë”, ka shkruar ai, duke premtuar më shumë detaje javët e ardhshme. Në të njëjtën letër, Melinda ka theksuar se ishte “mirënjohëse për zemërgjerësinë, lidershipin dhe miqësinë e Warren”, ndërsa Bill i ka bërë homazh “miqësisë së tij të qëndrueshme” me miliarderin dhe theksuar se fondacioni “gjithmonë do të ketë një ndjenjë të thellë të përgjegjësie ndaj Warren”.

Epstein, tradhtitë dhe hijet: divorci mes Bill dhe Melinda Gates

Siç theksojnë mediat, bëhet fjalë për një divorc që sillej prej kohesh vërdallë, ai midis Bill dhe Melinda Gates. Sipas një burimi anonim të cituar nga revista People, shumë afër çiftit, do të ishin më të shumtë shkaqet që i çuan Bill dhe Melinda në ndarje pasi kishin kaluar shumë vite së bashku.

Sipas asaj që u shfaq në javët pas njoftimit të divorcit të bujshëm, midis shkaqeve të divorcit, do të kishte një tradhti, ose ndoshta më shumë se një: Bill, në fakt, do të kishte pasur një marrëdhënie me një vajzë të re kineze, që punon prej 2015 për fondacionin Bill dhe Melinda Gates si përkthyes. Ndërsa, sipas të tjerëve, një ndër shkaqet do të ishte miqësia “e rrezikshme” dhe e njohur e themeluesit të Microsoft me manjatin-pedofil Jeffrey Epstein, i cili vdiq, në rrethana të paqarta, më 10 gusht 2019 në Metropolitan Correctional Center në New York.

Siç raportohet nga Daily Beast, Gates shpresonte që miku i tij financier, shumë i njohur dhe me ndikim midis elitës njujorkeze dhe amerikane, mund ta ndihmonte në sipermarrjen e tij për të fituar çmimin Nobel për Paqen, siç është konfirmuar nga një ish-punonjës i Fondacionit Gates. Zbulimet e sikletshme për jetën sekrete të Bill Gates e kanë bindur Warren Buffett të hiqte dorë nga fondacioni i familjes? Vështirë të besohet se njoftimi i orëve të fundit është i shkëputur plotësisht nga e gjithë kjo./ Përgatiti Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.