Larje llogarish apo falimentim? Shërbimet sekrete ruse përballë Prigozhin

Sfida e Yevgeny Prigozhin ndaj lidershipit ushtarak dhe politik ruse tronditi Rusinë dhe pashmangshmërisht edhe shërbimet sekrete të Moskës.

Komiteti Kombëtar Anti-Terrorizëm i Federatës Ruse, ka njoftuar se FSB, ndryshe thënë shërbimet sekrete, kanë hapur një çështje penale për “apel për rebelim të armatosur” menjëherë pas sulmit në Rostov-on-Don. Ndërkohë, i njëjti Komitet ka dhënë urdhër për aktivizimin në Moskë, në rajonin e Moskës dhe në zonën e Voronezhit të regjimit të posaçëm anti-terrorist”, i cili parashikon një seri të gjatë kufizimesh për liritë e individëve e në të njëjtën kohë, një gamë të gjerë pushtetesh për forcat e zbatimit të ligjit dhe sigurisë për t’i dhënë fund kërcënimit.

Lëvizjet e shërbimeve të drejtuara nga Aleksandr Bortnikov ishin vetëm masa emergjente që u vendosën nga vendimi i Prigozhin për t’u futur në Moskë me legjionet e tij të mercenarëve. Dhe tashmë, pas mbërritjes së lajmit për akordin mes Kremlinit dhe Prigozhin, ndonjë po sugjeron që kjo gjendje të përfundojë së shpejti. Por në prapaskenat e këtyre kundërmasave po luhet një lojë komplekse dhe e rrezikshme, në të cilën inteligjenca e Federatës Ruse e gjen veten duke menaxhuar atë që ndoshta është epilogu i një lufte të brendshme që ka zgjatur të paktën që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Një larje llogarish pas vitesh pakënaqësie

Shërbimet sekrete ruse kanë kohë që e kanë vënë në shënjestër Prigozhin. E kanë bërë para së gjithash sepse etja e tij për pushtet dhe perandoria e ndërtuar gjatë viteve të fundit falë mbështetjes së Vladimir Putinit po bëheshin të pamenaxhueshme (edhe pse vetëm mediatikisht) për aparatet e Moskës. FSB, shërbime të ndryshme dhe forcat e armatosura ishin gjetur kësisoj prej kohësh në të njëjtën anë të gardhit: një konvergjencë interesash që ka salduar dy segmente të shtetit rus në një moment në të cilin, veçanërisht vitin e kaluar, dështimet e pushtimi kishin nisur të lëkundnin siguritë e Putinit.

Shumë analistë, në fakt,  nënvizojnë se ishte pikërisht inkompetenca e inteligjencës ruse ajo që shkaktoi edhe vendimin e presidentit rus për të sulmuar Kievin në shkurt të vitit 2022. Dhe shumë besojnë se deformimi i shërbimeve, shpesh më shumë të interesuara për të kënaqur Putinin sesa për ta paralajmëruar mbi rreziqet e mundshme, kanë krijuar premisat për disa gabime në vlerësim të strategjisë për të adaptuar.

“Redde rationem” ishte pra në pusi. Dhe pikërisht për këtë arsye mund të besohet se në këtë fazë konvulsive të jetës së Rusisë, përplasja përfshin edhe inteligjencën, e në mënyrë të veçantë ato agjenci dhe ata njerëz të interesuar për t’i dhënë fund një lidershipi mercenar të parë si të rrezikshëm dhe shumë të devijuar nga aparatet e Shtetit. Por i rrezikshëm, sipas të tjerëve, edhe sepse përfaqësonte dhe vazhdon të përfaqësojë një kundërvënie problematike ndaj hierarkisë së inteligjencës dhe hierarkisë politike dhe ushtarake ruse. Një njeri i fortë, që ka të lidhur pas tij një ushtri të stërvitur mirë dhe po aq mirë të armatosur, me interesa të degëzuara në pjesë të ndryshme të botës dhe thelbësisht të lirë nga kufizimet hierarkike.

Inteligjenca dështoi sërish?

Nëse nga njëra anë është leximi i larjes së llogarive, nga ana tjetër duhet edhe vlerësuar çështja e kryengritjes ushtarake të Prigozhinit si një dështim i mëtejshëm i inteligjencës, veçanërisht i antiterrorizmit.

Problemi ishte nënvlerësuar? U preferua të shmangej dëgjimi i informacioneve që vinin nga rrethi i Wagnerit apo të mos informohej ashtu si duhej Kremlini për të mos pësuar kundërgoditje si para pushtimit? FSB mendonte se mund ta trajtonte dosjen pa ndonjë alarm të veçantë, në mënyrë që të mund të paraqiste më pas rezultatet “me llogari të bëra”?

BBC ka publikuar një video, e shfaqur edhe në një kanal Telegram afër Wagner, në të cilën Prigozhin shfaqej së bashku me zëvendësministrin e mbrojtjes, Junus-bek Yevkurov dhe një zëvendës tjetër, këtë herë të inteligjencës ushtarake ruse, Vladimir Stepanovich Alekseev. Besohet se videoja është regjistruar mëngjesin e pushtimit të Rostov-on-Don: hipotezë që duket se vërteton tezën e negociatave të shkauara keq e që u pasuan nga njoftimi i Putinit për tradhtinë e mercenarëve.

Tre njerëzit kyç

Shërbimet mund të kenë pasur për detyrë t’i gjenin një zgjidhje kësaj revolte. Një rrugë jo e thjeshtë, por që duhej dhe ndoshta ia arriti, t’i rehabilitojë drejtuesit e kundërzbulimit dhe antiterrorizmit, nga dënimi i mundshëm prej Putini për mosparashikimin e asaj që ndodhi në territorin rus, jo shumë larg qendrës së pushtetit.

Mund ta paguajnë, ose, anasjelltas, të dalin fitimtarë, në veçanti Bortnikov dhe Nicolaj Patrushev, Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe një nga njerëzit më të besuar të Putinit. Edhe ai nga Leningradi dhe pjestar i KGB-së, më pas drejtor i Shërbimit të ri Federal të Sigurisë, mund të jetë përgjegjësi i parë për kolapsin ose fitoren mbi paraushtarakët rebelë. Më i tërhequr, Sergey Nariskhin, njeriu që u qortua publikisht nga Putini gjatë fillimit të pushtimit se kishte propozuar vazhdimin e negociatave me Perëndimin dhe se kishte folur i pari për aneksimin e republikave separatiste ukrainase.

Narishkin u bën thirrje qytetarëve rusë

Ai rast u instrumentalizua nga Putini për të dënuar publikisht një nga njerëzit më të shquar në rrethin magjik të presidentit rus, por Narishkin, drejtor i Shërbimit të fuqishëm të Inteligjencës së Jashtme të Federatës dhe anëtar i Këshillit të Sigurimit, është një njeri që ka mbetur gjithmonë në qarkun e pushtetit dhe së shpejti mund të ketë së shpejti mundësinë për të rindërtuar besueshmërinë ndaj Putinit, pasi të jetë treguar se nuk ka ditur gjë për rebelimin dhe se ka dhënë gjithmonë informacion autentik.

Zgjedhja e Narishkin për t’iu drejtuar qytetarëve rusë përmes një postimi në Telegram. si president i Shoqërisë Historike Ruse është interesante. Në këtë postim, ftohen “bashkëqytetarët të bashkohen rreth Presidentit rus Vladimir Putin – garant i kushtetutës, të drejtave dhe lirive – dhe për të mbështetur ushtrinë tonë, e cila, çfarëdo që të ndodhë, do ta përballojë sulmin e armikut”. Më tej thuhet se “rusët kanë demonstruar pjekuri qytetare, aftësi për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra”. Një apel për njerëzit që nuk ka kaluar pa u vënë re as nga agjencia Tass. Ndoshta në këto fjalë jo aq të zjarrta por shumë të qarta ka një mesazh politik të rehabilitimit të tij të mundshëm publik. Dhe në fund të fundit, ai ishte i vetmi, përveç Prigozhin tani, që ka “përgënjeshtruar” disa deklarata të skifterëve dhe të vetë presidentit.

Përgatiti për gazetatjeter.com: Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.