Luftë midis Biden Metropolitanus dhe Trump Ruralis
Dukej si e mbaruar dhe rezultati ishte i sigurtë. Në fakt, fushata elektorale amerikane po rindizet, falë dhunës racore. Tani Biden duket se po lëkundet ndërsa Trump po rimëkëmbet shpejt. Kudo, por veçanërisht në shtetet kryesore
Më shumë se nëntëdhjetë ditë. Mbi tre muaj. Trazirat në Portland kanë kohë që po vazhdojnë, janë bërë një ritual i përditshëm, ora e gjahut për grabitqarët e natës. Askush nuk i ka ndaluar. As kryebashkiaku i Portlandit dhe as guvernatori i Oregonit.
Të dy demokratë. Janë fakte. Ashtu siç është fakt, refuzimi i tyre për të thirrur Gardën Kombëtare që të shuajë vandalizmin, shkatërrimin, dhunimin e pronës private (e cila nuk është një trill, veçanërisht për ata që kanë pak). Nëntëdhjetë ditë.
E gjithë kjo nuk ka asnjë lidhje me protestën fisnike për barazi, kundër racizmit, keqtrajtimit dhe tërheqjes së shpeshtë të këmbëzës nga policia kundër zezakëve. Plaçkitja dhe djegia nuk janë pjesë e një shoqërie dhe e parimeve të shëndetshme.
Gjatë gjithë kësaj kohe demokratët kanë zgjedhur heshtjen, një strategji elektorale që kishte një objektiv të dyfishtë: të mos keqkuptoheshin në lidhje me mbështetjen për Black Live Matters, dhe ta linin Trump mes të telasheve me Amerikën në sheshe. Betejë politike.
Tri të shtëna pistolete
Pastaj vjen një i vdekur në Portland, një i bardhë, një militant i ekstremit të djathtë trumpian (ekziston, ashtu si ekstremi i majtë që përkrah demokratët), tre të shtëna me armë kundër njerëzve pro Trump. Një jetë e hequr.
Midis të moderuarve demokratë ka filluar të ngjallet frika për të mos u bllokuar nga ana e tyre në një rreth ferri dhe flakësh. Zhurma e mediave sociale filloi të dëgjojë një “All Lives Matter” dhe askush nuk i jepte përgjigje. Shumë.
Pas nëntëdhjetë ditësh Biden bëri atë që duhej të kishte bërë që nga fillimi, ka dënuar dhunën nëpër rrugë: “Dhuna që pamë në Portland është e papranueshme, të qëllohet nëpër rrugët e një qyteti të madh amerikan është e papranueshme: Unë pa mëdyshje e dënoj këtë dhunë.
E dënoj dhunën e çdo lloji nga kudo që vjen ajo, si majtas dhe djathtas. Dhe sfidoj Donald Trumpin të bëjë të njëjtën gjë”.
Biden jashtë kohe
Më mirë vonë se kurrë, por sidoqoftë është vonë. Për shkak se republikanët përballë përshkallëzimit të dhunës e kanë zënë hendekun e lënë bosh nga demokratët. E duke qenë se lëvizja e Biden vjen më shumë vonëse në kohën, kjo duket një kohë e humbur në kohë.
Të dënosh dhunën vetëm dy muaj larg nga votimet, me ujin deri në fyt nëpër sondazhet e shteteve në ekuilibër (dhe ne do të shohim se çfarë thuhhet nëpër sondazhe), me tre të katërtat e fushatës presidenciale të konsumuar tashmë, pra, ta bësh në këtë mënyrë do të thotë të vërtetosh që je në telashe, që nuk ke kuptuar aspak se çfarë po ndodhte midis vetë votuesve demoratë, në periferi qytetasë, në zonat suburbane ku Biden po humbet terren.
Kandidati demokrat prej kohësh ishte paralajmëruar (dhe kritikuar) nga shumë eksponentë dem rëndësinë e ngjarjeve që po zhvilloheshin: rënia e votës në qendrat periferike, ringritja e Trump, largim i zonave të ashtuquajtura të moderuara, kritika ndaj mbështetjes për lëvizjen që ulëret (ulëriste) në shesh “defunding police”, shkurtimi i fondeve për policinë.
Trendi në rënie për një problemi që ka të ngjarë të shfaqet në ekranin e rezultateve të zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Nuk është më “vetëm” tema e “kandidatit të gjirizeve” dhe lëvizjes së Trump nëpër shtetet në barazpeshë, objektivi është zemra e mesazhit elektoral të demokratëve.
Mund të tentojnë të përmirësohen, por ata rrezikojnë një dramë kolektive dhe vite seancash vetë-ndërgjegjësuese nëse humbasin ashtu si në 2016.
Problemi i demokratëve
Biden u përpoq të shuajë zjarrin në atë pjesë të kampit që digjet, fluturoi për në Pensilvani (shtet në ekuilibër) për të mbështetur fushatën “personalisht”, me tubime, dhe jo më si një kandidat në Zoom.
Nga Pittsburghu ka replikuar me versionin “Peace & Love” të presidencës. Kështu pra fillon me afirmim vetëvlerësues (“kemi nevojë për drejtësi dhe siguri në Shtetet e Bashkuara”), vazhdon me pyetje retorike (“a ka ndonjë që mendon se Amerika do të jetë më e sigurt me rizgjedhjen e Trump?”) , vazhdon më tej me pikëpyetjen që ka presidenti (ndoshta) duke pyetur (“a ju dukem unë një socialist radikal, që kam dobësi për trazira? vërtetë?”) dhe së fundmi, me kryeveprën e të pathënave: “Shkatërrimi nuk është protestë, të qëllosh nuk është protestë, janë dhunë që duhet të ndiqen penalisht. Trump nuk është në gjendje të ndalojë dhunën”.
Biden përpiqet të kthejë ndaj kundërshtarit një problem që, i pëlqen apo jo atij, ka të bëjë me partinë e tij. Dhe sigurisht edhe presidenca e Shteteve të Bashkuara, por në këtë zonë nuk është Donald Trump, ka të tjerë subjekte.
Kush? Pyetje dhe përgjigje në fletoren e një reporteri: nga kush drejtohet Oregon? Kate Brown, një demokrate. Kush është kryetari i bashkisë së Portland? Ted Wheeler, një demokrat. Kush është kryetari i Bashkisë së Kenosha? John Antaramian, një demokrat. Kush është guvernatori i Wisconsin? Tony Evers, një demokrat. Ndal!
Fantazma e Putinit
Vështirësia vërehet me rishfaqjen e kuajve të vjetër të betejës, që nuk funksionuan atëherë (a do funksionojnë tani?). Biden në Pittsburgh në një moment nxjerr nga kapelja fantazmën e Vladimir Putinit duke deklaruar se “Trump i është nënshtruar Presidentit Rus Putin”.
Jemi sërisht në 2016, në Russiagate, nuk i solli fat demokratëve. Dhe mund të jetë edhe siç thotë Biden – dem ka gjithmonë i drejtë – por në fletoren e reporterit mbetet fakti që edhe sot Shtëpia e Bardhë paralajmëroi Kremlinin: “Moska të respektojë sovranitetin e Bjellorusisë dhe të drejtën e popullit të saj për të zgjedhur lirisht udhëheqësit”.
Në një rritje mistike, kandidati “i pranishëm” (gjithmonë ai, pra, Biden) citon një Papë nga e kaluara: “Trump është i vendosur të përhapë frikë. Unë mendoj për fjalët e Papa Gjon Pali II:” Mos ki frikë, mos ki frikë “.
Putini, Papa, mbeten edhe dy muaj nga dita e votimit dhe lista e personazheve të cituar nga të dy kandidatët do të jetë e gjerë dhe gjithnjë e më imagjinative.
Goditje e shtuar
Trump e pati filluar “tweet storm”-in e tij pas zgjimit, si zakonisht, me “kryebashkiakët e të majtës radikale dhe guvernatorët e qyteteve ku ekziston kjo dhunë e çmendur” që “kanë humbur kontrollin e ‘lëvizjes’ së tyre’. Nuk duhej të ishte, por Anarkistët dhe Agjitatorët vazhdojnë në të tyren dhe nuk dëgjojnë më. Detyruan madje edhe Slow Joe, të ngadaltin Joe Biden, të dalë nga bodrumi i tij”.
Këto janë goditje të forta, siguria dhe kriminaliteti janë bërë çështja e ditës, një argument i ndjeshëm, një faktor zgjedhjeje nga votuesit. The Donald bën atë që bënë demokratët me krizën e koronavirusit, shtyn fort: “Nëse nuk do të këmbëngulja për të aktivizuar Gardën Kombëtare dhe të shkoja në Kenosha do të kishte më shumë të vdekur dhe të plagosur. Dua të falënderoj forcat e rendit dhe Gardën Kombëtare. Shihemi të martën”.
Trump konfirmon se nesër ai do të jetë në Kenosha, Wisconsin, në epiqendrën e protestës pas plagosjes së afroamerikanit Jacob Blake. Sigurisht që demokratët i thanë të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë, Guvernatori i Wisconsin, Tony Evers i kërkoi Trumpit të mos lëvizte, së të njejtën gjatësi vale me kryebashkiakun Kenosha John Antaramian, duke argumentuar se kështu nxit dhunë dhe ushqen ndarjen, duke argumentuar se ekziston një territor i vendit “off limits” për presidentin e Shteteve të Bashkuara që bie ndesh me idenë e një loje demokratike të barabartë për të gjithë. Nuk mund të funksionojë. Dhe në fakt nuk funksionon.
Joe Biden luan rolin e kandidatit të përgjegjshëm: “joy nuk është lidership i një presidenti. Detyra e një presidenti është të zbusë tonet, të bashkojë njerëzit që nuk pajtohen, të bëjë më të mirë jetën për të gjithë amerikanët, jo vetëm atyre që pajtohen me ne, na mbështesin ose na votojnë ”.
Sinjale nga sondazheve
Impakti tek ata që drejtojnë komunikimin është i madh: Biden duhej të fliste për koronavirusin (në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar 6 milionë raste), por Trump e detyroi të lëvizte në një terren më të thyer për të, në protestat në shtëpinë e Shteteve dhe qyteteve që drejtohen nga demokratët.
Është presidenti ai që përcakton axhendën, që dikton lajmet, jo kandidati (që është tani për tani) përpara në sondazhet. Dhe kjo nuk është një shenjë e mirë për dem.
Trump flet për sigurinë dhe Biden komenton atë që thotë Trump. Është hegjemonia e fushatës republikane në këtë moment.
Nëpër sondazhe ky skenar shihet qartë: Trump po bën më mirë se në 2016 në shtetet kryesore, madje edhe vota e votuesve me ngjyrë do të ishte më e lartë se katër vjet më parë. Numrat?
Sipas sondazhit të publikuar nga The Hill / HarrisX, mbështetja midis zezakëve për punën e presidentit u rrit me 9 pikë pas konventës e cila, jo rastësisht, pati shumë fjalime nga burra dhe gra me ngjyrë.
Strategjia “gjithëpërfshirëse” e Trump po i bën kundërshtarët të drejtojnë flokët, të cilët e portretizojnë Donald si një “racist”, duke arritur deri aty sa të argumentojnë se dëshmitë e zeza për Trump në kongres nuk janë të besueshme.
Asnjë befasi, majin e kaluar Biden bëri një gabim profesional, teksa shqiptoi një frazë të tmerrshme, apoteozën e gabimit retorik – dhe tmerrin politik: “Nëse keni probleme oër të kuptoni nëse je me Presidentin Trump apo me mua, atëherë nuk je i zi ”.
E tha atë në radio dhe drejtuesi i emisionit i kujtoi ‘vetëvrasjen’ e Hillary Clinton kur ajo tha se votuesit e Trump ishin një “bandë të mjerësh”.
Ishte viti 2016, ajo deklaratë i vuri vulën humbjes së Hillary. Edhe në komunitetin hispanik sipas The Hill / HarriX, popullariteti i Trump është rritur me 2 pikë.
Gjërat ndryshojnë në shtetet kryesore
Presidenti po zvogëlon distancat dhe në nëntor gara do të jetë kokë më kokë, këtë mendojnë strategët e të dy fronteve elektorale.
Mjafton të shikohet mesatarja (jo të fundit, mesatarja është ajo që është më e dobishme për analiza politike) e sondazheve të Real Clear Politics në shtetet kryesore.
Në monitorin tonë shndrijnë shifrat e Miçiganit, Pensilvanisë dhe Wisconsin, jemi në Rust Belt i cili në 2016 i dorëzoi Trump, Shtëpinë e Bardhë.
Në Michigan, Biden në mesataren e sondazheve ra nga 8.4 pikë (28 korrik) në 2.6% një muaj më vonë.
Në Pensilvani, mesatarja e Biden ra nga 7.4 pikë në 4.7 pikë gjithnjë në të njëjtën periudhë.
Në Wisconsin, mesatarja e Biden ishte në 6.4 pikë më 28 korrik, dhe më 26 gusht ra në 3.5 pikë.
Për kë bien këmbanat? Të shtunën e kaluar doli një sondazh i Yahoo News/YouGov që përforcon këtë pamje të rënies së Biden dhe ngritjes së Trump. Kandidati dem ka vetëm 6 pikë avantazh në nivelin kombëtar, duke kryesuar me 47 me 41, rezultat ky që mund të mos jetë i mjaftueshëm. Pse? Arsyet janë në një tabelë të sondazhit që tregon gjithçka për të dy Amerikat.
Biden dhe Trump janë dy botë drejt përplasjejes. Kandidati dem fiton në qytet (66%) ku presidenti humbet (23%), por Donald fiton në zonat periferike (45%) dhe Joe humbet (43%), ndërsa në qyteza (qytete më të mëdha se një fshat dhe më të vogla së një qyteti) Trump fiton qartë (50%) kundër Biden (37%), dhe për në fund, por jo më pak të rëndësishme, janë zonat rurale, zemra e Amerikës, ku The Donald fluturon (53%) dhe Biden ngadalësohet më shumë (35%).
Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Që po përsëritet një skemë precize, konflikti midis qytet/fshatit, bregdetit të Paqësorit dhe bregdetit të Atlantikut, kundër Shteteve Midwest, të Jugut, zemra e Balenës Amerikane.
Domethëniet e një kthese
Një tjetër mit që duket theksuar: të pasurit votojnë për Trumpin. Nuk është pikërisht kështu, në sondazhin e Yahoo News/YouGov, njerëzit me të ardhura nën 50,000 dollarë në vit votojnë kryesisht për Biden (50%) dhe më pak për Trump (34%), edhe tek ata me të ardhura midis 50,000 dhe $ 100,000 preferencat janë akoma në favor të Joe (49% kundrejt 43%) dhe Donald nuk mund të festojë as me klasën me mbi 100,000 dollarë, sepse ajo është në të njëjtin nivel me Biden (46%).
Duhet parë edhe pjesa e të pavendosurve në shtresën e njerëzve me të ardhura nën 50,000 dollarë, 11% nuk kanë vendosur akoma për kë të votojnë.
Ata që janë më mirë dinë se çfarë të bëjnë. Do të jetë “Forgotten Man” që do të bëjë ndryshimin së bashku me njeriun e provincës së pamasë amerikane.
Më 3 nëntor do të shohim nëse do t’ja arrijë Homo Metropolitanus i Biden apo Homo Ruralis i Trump.
Janë të gjitha sinjale, shpërthime, zhurmat e një gare që nga konventa Republikane është kthyer djathtas. Nëse ky skenar ka bazë dhe konsolidohet, Trump fiton.
Por ashtu për Biden edhe për Trump vlen e njejta gjë: është shumë herët. Dhe sigurisht, historia nuk bëhet me “nëse”, as më parë dhe as më pas, aq më pak me dëshira që ngatërrohen me realitetin.
Kështu mbesin mbi asfalt shenjat e frenave të garës së çmendur për Shtëpinë e Bardhë, të shpërndara andej-këtej. Sinteza e komentatorit që ndjek nga bokset e Grand Prix dhe sheh mekanikët që përgatisin goma dhe karburantin është klasike: Biden është në telashe, Trump po vrapon.
Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA