“Një përqafim vlen sa një mijë fjalë” thotë një proverb i famshëm, madje edhe shkenca mjekësore tregon për përfitimet e ndryshme që gjeneron një përqafim i thjeshtë: prodhon mirëqenie, zvogëlon presionin e gjakut, ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të kokës dhe ul nivelet e stresit dhe ankthi; gjeneron ulje të lodhjes dhe përforcim të sistemit imunitar. Po, ka magji në një përqafim, ka diçka që nuk e shohim, por që vepron pikërisht në çastin e bashkimit të dy trupave që për një moment bëhen një, duke lëshuar një fuqi të padukshme brenda tyre.
Më duket e rëndësishme ta nënvizoj këtë magji në një periudhë historike si kjo që po kalojmë, të përbërë nga distancimi shoqëror, izolimi i detyruar dhe ndjenja e vetmisë. Sepse rrezikojmë seriozisht që frika nga përqafimi – ndalim i imponuar nga masat antikovid – të shndërrojet si një diçka kronike, e cila në të ardhmen do na privojë nga një prej kurave më efikase dhe të menjëhershme për çdo qenie njerëzore. Atëherë, pse të mos rizbulojmë këtë poezi të mrekullueshme të Pablo Nerudës – Magjia e një përqafimi -, përmes së cilës poeti kilian trondit poetikisht vlerat dhe domethëniet e fshehura pas një gjesti sa të thjeshtë aq edhe të thellë…
Magjia e një përqafimi
Sa kuptime fshihen pas një përqafimi?
Ç’është një përqafim nëse jo për të komunikuar, për të ndarë
dhe shkrirë diçka tënden në një person tjetër?
Një përqafim është t’i shprehësh ekzistencën
atyre që na rrinë pranë, çfarëdo që të ndodhë,
në gëzim e në dhimbje.
Ekzistojnë shumë lloje përqafimesh,
por më të vërtetët dhe më të thellët
janë ato që përcjellin ndjenjat tona.
Ndonjëherë një përqafim,
kur fryma dhe rrahjet e zemrës bëhen një,
fikson atë moment magjik në përjetësi.
Herë të tjera sërisht një përqafim, edhe pse i heshtur,
bën të dridhet shpirti dhe zbulon atë që nuk dihet ende
apo frikësohesh të dish.
Por më të shumtën e herëve një përqafim
është të shkëputësh një pjesëz të vetes
për t’ia dhuruar tjetrit
aq të mund të vazhdojë rrugëtimin e tij më pak i vetmuar”.
Pablo Neruda – nga: “Poezi Dashurie dhe Jete”
Një përqafim që bëhet një gjuhë universale e fjalë, por e aftë për të dhënë qetësi, dashuri dhe dhembshuri. Një akt i mrekullueshëm, një rit magjik ku zemrat afrohen deri në prekje, rrahjet e zemrës së njërit shkrihen në atë të tjetrit për të rrahur sëbashku. Përqafimi përfaqëson shkëmbimin e parë, pikën madhore, gjestin e dashurisë par excellence të një nëne që përqafon fëmijën e saj menjëherë pas lindjes dhe “fikson atë moment magjik në përjetësi”. Përqafimi të bën të lëshohesh, të bien rezistencat, të inkurajohen dëshirat, të ndalet koha dhe të mbushën boshllëqet. Është instinkti më i pastër që mund të jetë, pa mure, i heshtur, vendi i përsosur për t’i dhënë vetes një moment përjetësie. Kjo është arsyeja pse them: të mos e mbysim këtë magji, ta lemë të lulëzojë përsëri dhe përsëri brenda nesh, në mënyrë që të mund të korrim shpejt frytet e përpjekjeve tona, duke përqafuar ngrohtësisht pemën që i prodhon. Pemën e Jetës./ Përgatiti për gazetatjeter.com, Edi DELIU