GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Martesa, shkëlqimi dhe rënia e një tradite

Koncepti i martesës, lidhet ngushtë me atë të familjes: dy bashkëshortët formojnë një bërthamë familjare, që shpesh zgjerohet me fëmijët. Martesa është konsideruar tradicionalisht, si kusht për krijimin e familjes, e cila në vetvete konsiderohet si shtylla e komunitetit ose shoqërisë. Pra martesa, jo vetëm i shërben interesave të dy individëve, por dhe interesave të fëmijëve të tyre dhe shoqërisë, në të cilën bëjnë pjesë. Martesat e hershme ndryshojnë shumë nga ideja e martesave të sotme. Paraardhësit tanë qëndronin bashkë, më tepër për t’u mbrojtur dhe për të mbijetuar, sesa për të krijuar lidhje të kuptimshme. Disa historianë besojnë se martesat e para kanë qënë grup-martesash, që duheshin kryer detyrimisht brenda tribuve. Pak kohë më vonë, burrat dhe gratë filluan të qëndronin bashkë dhe formuan familjet e veçanta. Duke filluar nga ajo kohë, martesat jo gjithmonë kanë qënë, një ngjarje e lumtur. Krahas martesave të rregullta, janë dalluar dhe martesat “sekrete” ose “rrëmbimet” (pa miratimin e prindërve). Kjo ka qënë një nga arsyet e shpeshtimit të divorceve. Rivaliteti i tribuve, shpeshherë ka qënë shkak për grabitjen ose rrëmbimin e grave dhe fëmijëve. Që në kohën kur brenda tribuve, ishte e ndaluar të martoheshe brenda klanit, atëherë gratë rrëmbeheshin dhe ishin të detyruara të lidheshin në martesë me të huajt, të cilët i kishin rrëmbyer. Historianët, i janë referuar shpesh kësaj periudhe, e cila ishte pjesë e kohës, si era e “martesës me rrëmbim”. Ndryshe nga ajo që ndodhte në të shkuarën, martesa nuk konsiderohet më një etapë e detyrueshme, në jetën e një personi. Që nga lufta e dytë botërore, është vënë re rritja e numrit të divorceve, bashkëjetesave, personave të pamartuar, dhe numrit të fëmijëve të lindur jashtë martese.

“Deri sa vdekja të na ndajë…”

Martesa ka evoluar nga një lidhje, që mund të prishet vetëm për shkak të fajit ose vdekjes, në një kontratë, e cila mund të anullohet sipas kërkesave të individëve. Në shumë vende të botës, kur femra nuk kishte arritur ende fazën e pubertetit, babai organizonte një martesë për të, në këmbim të një “oferte martese”, madje me një burrë, mosha e të cilit ishte sa dyfishi i moshës së saj. Në këtë mënyrë, burri kthehej në rojen e saj dhe ajo nuk mund të thoshte asgjë, mbi këto marrëveshje, të cilat shpesh ndodhnin pa dijeninë e femrës. Në disa raste ndodhte që kur një grua, dështonte në lindjen e një fëmije, ajo i kthehej të atit. Kjo reflektonte rëndësinë që kishte prania e një fëmije, e cila ndikonte në vijimësinë e brezave. Disa tradita të hershme të martesës, vazhdojnë të ekzistojnë, në një formë apo në një tjetër dhe në ceremonitë e sotme. Gratë vazhdojnë t’i “dhurohen burrave”, në mënyrë simbolike. Disa bashkëshorte akoma betohen se “do t’a duan dhe do t’i binden” burrave të tyre, dhe disa bashkëshortë betohen se “do të kujdesen” për gratë e tyre. Nuset hedhin buqetën e luleve drejt një grupi femrash beqare, të cilat luftojnë me njëra-tjetrën për t’a kapur atë; sipas traditës femra që kap buqetën e nuses, do të ketë fatin të martohet së shpejti. Një traditë tjetër shumë e zakonshme është momenti, në të cilin dhëndrri mban nusen në krah, derisa kalon pragun e derës. Këto tradita, dhe pse janë sulmuar shpesh nga kritikët dhe studiuesit, mbeten një pjesë e cila ruhet me fanatizëm në shumë ceremoni, dhe preferohet si nga nusja ashtu edhe nga dhëndrri. Përsa i përket veshjeve të dasmës, ato nuk kanë qënë gjithmonë, kështu si janë sot. Në shekullin e 18-të, nuset e varfra vishnin veshje sa më të thjeshta. Kjo simbolizonte për burrin e saj të ardhshëm, se ajo nuk kishte sjellë asgjë me vete dhe po kështu nuk e detyronte të shoqin për asgjë. Nga mesi i shekullit të XIX, pothuajse të gjitha nuset filluan të përdornin veshjet e bardha të nusërisë. Femra e parë, që mendohet të ketë përdorur fustanin e bardhë,  thuhet se ka qënë Mbreteresha Viktoria, në vitin 1840.                   

Unaza “rreth” në gishtin e zemrës

Tradita e unazave të martesës është nga më të vjetrat. Çdo  qytetërim, duke filluar nga egjiptianët, i kanë përdorur unazat martesore, si simbol të marrëveshjes martesore. Sipas hieroglifeve egjiptiane, rrethi përfaqëson përjetësinë. Unazat e para kanë qënë përgatitur nga fijet e barit, lëkura, bari i thatë, kocka apo fildishi. Me zbulimin e metalit, ai zuri vendin kryesor në përbërjen e unazave. Vendi klasik, ku duhet mbajtur unaza martesore, është gishti i katërt i dorës së majtë. Ky zakon ka filluar tek egjiptianët, sepse ata besonin që në dorën e majtë, ekzistonte një venë, e cila ndodhej pikërisht në gishtin e katërt, dhe kishte lidhje direkt me zemrën. Sipas bestytnive është e ndaluar, që unaza e martesës, të blihet ditën e premte, madje personat supersticiozë mendojnë, se unaza nuk duhet mbajtur, përpara ceremonisë së martesës.

Dasma shqiptare, nga duvaku te puthja publike

Ceremonia e martesave, ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve edhe në Shqipëri. Nëse më parë martesa ishte shumë arkaike dhe e përpiktë, sot paraqitet më liberale dhe më pak e kontrolluar. Madje mund të themi se në qytet, ceremonitë martesore janë pasuruar me elemente, që i afrohen dasmave europiane. Vite më parë nusja ishte e mbuluar me duvak dhe e veshur me kostumin popullor të zonës, ndërsa dhëndrri mbante një veshje kombëtare të zgjedhur. Pak çaste, përpara se të futej në shtëpi, vjehrra merrte dorën e nuses dhe ia vendoste gishtat në derën e shtëpisë. Kjo ishte shenja e besimit, e cila përsëritej, pak a shumë në të njëjtën mënyrë, në të gjitha vendet, në atë kohë. Ndryshimi i vetëm brenda trevave, kishte lidhje me ndryshimin e besimeve fetare. Besime të ndryshme aplikonin zakone të ndryshme. Zonat më pak të urbanizuara, respektonin elementin e rrëmbimit, kurse në disa zona malore, deri vonë aplikohej elementi i blerjes së nuses. Madje, dhëndrri i ardhshëm, konsiderohej i aftë nëse kishte një sasi të mjaftueshme parash për ta blerë të shoqen. Pas viteve 90′ gjithçka ndryshoi dhe kjo falë emigracionit. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ka patur shumë ndryshime në ritin e dasmës, fejesës dhe martesës. Kjo shpesh ka ndodhur për arsye të njohjes së kulturës së vendeve fqinje. Për shembull, është shtuar përdorimi i pijeve të tjera, që përdoreshin shumë pak në dasmat tradicionale, ku dominonte rakia. Tani përdoret shumë vera dhe birra. Nëpër qytete, rituali martesor është reduktuar, falë koncepteve te reja dhe gjendjes ekonomike, duke zgjedhur një praktikë tjetër shumë të thjeshtuar, koktejin. Muzika nuk është më si dikur, ku dominonin këngët kushtuar partisë. Ajo që duhet theksuar, është se ka ndryshuar shumë marrëdhënia midis dy bashkëshortëve. Vërtet, ruhet deri diku ceremoniali, por të dy bashkëshortët kanë më shumë të drejta te njeri-tjetri. Tashmë janë shfaqur dhe puthjet publike, mes çiftit, dhe përpara dasmorëve, që dikur konsideroheshin element i ndaluar. Nga ana tjetër, është thyer zakoni për mosvajtjen e dhëndrit për të marrë nusen, tani dhëndrri shkon ta marrë vetë nusen, madje si shofer. Shtimi i elementëve evropianë, e ka përfshirë dasmën shqiptare në një kategori, që i afrohet shumë ceremonive evropiane të këtij lloji.

Bashkëjetesa: fundi i martesës?

Edhe pse një fenomen i ri në shoqërinë shqiptare, numri i çifteve që zgjedhin bashkëjetesën sa vjen e shtohet. Nuk janë të paktë ata që zgjedhin këtë alternativë. Megjithatë, të jetuarit së bashku përpara martesës, mund të ndryshojë ecurinë e marrëdhënies në çift. Sipas studimeve, personat që bashkëjetojnë për vite me radhë me partnerin e tyre, ndihen më pak entuziastë rreth martesës, në krahasim me ata që e jetojnë lidhjen e tyre duke qëndruar në shtëpinë e prindërve. Dhe janë pikërisht ata që kanë një mendim negativ për martesën, që janë më shumë të predispozuar për të bashkëjetuar. Megjithatë, arsyet nuk ndalojnë këtu: Të jetuarit së bashku sjell ndryshime në bindjet dhe qëndrimet e çiftit. Ne shpesh kemi tendencën për të bërë tonat vlerat dhe bindjet e njerëzve që na rrethojnë, kështu që dy persona që janë kundër martesës mund të konfirmojnë idetë e njëri-tjetrit. Nga ana tjetër, njerëzit kanë tendencën që të kenë ndjenja pozitive për përvojat që përjetojnë, ja pse ata mund të preferojnë bashkëjetesën dhe të jenë kundër martesës.  Së fundi, njerëzit kanë nevojë që të jenë të qëndrueshëm në ndjenjat dhe sjelljet e tyre, pra nëse janë duke bashkëjetuar ata mund të influencohen për t’i thurur lavde kësaj zgjedhjeje dhe të denigrojnë tjetrën, martesën. Të shumtë janë personat që mendojnë se martesa ka një profil, ku mund të konsolidohet ndërthurja e mendimeve dhe njohjes së një çifti. Ajo është fejesa, e cila të krijon hapësirë ashtu si bashkëjetesa. Bashkëjetesa shihet si profil i dy të dashuruarve, që e bëjnë këtë marrëdhënie të afirmuar, në sy të publikut. Nga ana tjetër, shumë mendojnë se bashkëjetesa është një test që duhet kaluar nga të gjithë përpara se të ndërmerret hapi i madh. Nëse bashkëjetesa është fryt dhënëse dhe të dy partnerët janë të lumtur të jetojnë në praninë e njëri-tjetrit, atëherë kjo lidhje do të rezultojë në një martesë të fortë dhe me rrënjë të thella.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni