GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Mbreti Mida i futbollit (dhe i sportit botëror)

Jo eleganti Mendes, as ndonjë manaxher i yjeve në SHBA. Agjenti më i pasur në planet është i panjohuri (të paktën për pjesën më të madhe të sportdashësve të zakonshëm) agjenti anglez i Bale dhe i Szczesny, me 115 milionë euro fitime nga komisionet në 2019. Pas pamjes së jashtme si e një bankieri të lodhur, është një njeri i pamëshirshëm që, duke nisur nga cricket, ka ndërtuar një perandori në futboll

I vetmi konçesion për luksin dhe pasurinë e portofolit është një Bentley me targë të personalizuar që i dedikohet kompanisë, e themeluar më 1994 bashkë me ortakun shumë e vjetër David Manasseh, sot administrator i deleguar i Stellar Group. Jonathan Barnett, 69 vjeç, britanik, hebre, anëtar i sinagogës St. John’s Wood në Londër, ka pamjen e një njeriu të zakonshëm, por pas syzeve në stil vintage, është agjenti më i pasur në botë me 115 milion euro fitime nga tarifat e transferimeve dhe 1.17 miliardë fitime nga kontratat. Renditja është azhurnuar nga revista amerikane Forbes: i dyti vjen Scott Boras, një agjent bejsbolli i ulur në këtë shkallë pikërisht nga Barnett, pas gjashtë vjet në komandë; i treti vjen portugezi Jorge Mendes, pronar i Gestifute dhe përfaqësues i Cristiano Ronaldos super diamanti i argjendarisë së tij: i pesti është Mino Raiola, agjenti i Pogba dhe Ibrahimoviç.

Nuk është për t’u habitur që tre nga pesë të parët janë menaxherë futbollistësh. Sindikatat sportive në fakt ofrojnë përqindje të ndryshme për komisionet maksimale mbi pagat e sportistëvr: 10% për futbollin, 5% për basketbollin, 4% për basketbollin dhe hokejin, 3% për futbollin amerikan, ndërsa agjentët e tenisit dhe golfistëve marrin mesatarisht 20% mbi të ardhurat tregtare që ndihmojnë për të gjeneruar.

Princi dhe Mandela

Barnett i përjetoi ditët më të famshme në verën e vitit 2013, kur ishte determinant në transferimin e Gareth Bale nga Tottenham në tek Real Madridi. U gjend në qendër të vëmendjes për javë të tëra. Historia po përsëritet këto ditë me fillimin e negociatave për të dërguar uellsianin në Kinë.

Një situatë e pakëndshme kjo, sepse dimensioni i preferuar i Barnett është ai i mosshfaqjes, i një profili shumë të ulët. Me gazetarët ka marrëdhënie thuajse inekzistente: pak e kanë shkëmbyer në rrugën e tyre, akoma më të pakët janë ata që kanë shkëmbyer më shumë se disa fjalë. Ajo që ka rëndësi janë firmat në kontratë dhe paratë që depozitohen në bankë.

Barnett, xhevahiri i të cilit aktualisht është Saul Niguez i Atletico Madrid është përfaqësues edhe i portierëve Wojciech Szczesny (Juve) dhe Thomas Strakosha (Lazio), është vite drite larg nga rrumbullakësia e gëzueshme e Mino Raiolas ose nga eleganca ndonjëherë e ekzagjeruar e Mendes, Julio Iglesias i agjentëve. Mbreti i agjentëve duket si një bankier i lodhur, por që në realitet është një kockë e fortë me stomak të fortë dhe që ka meritën se e la kuptuar para shumë kolegëve të tjerë, se ku po e çonte rruga e nisur.

Ai filloi të lëvizë në botën e biznesit si një praktikues menaxherial i grupit Curzon më 1973, ku qëndroi deri në vitin 1990: ishte një kompani kazinosh pronë e familjes së tij. Në ato 17 vjet, që Barnett punoi aty pat krijuar një rrjet marrëdhëniesh, kusht themelor ky për t’u hedhur nëpër aventura të reja. Ndërkohë, mes viteve 1980 dhe 1990 bota e sportit hodhi një hap të madh drejt të ardhmes: Gjigantizmi financiar lindi në atë dekadë, falë boom-it të sponsorëve dhe tregut të të drejtave televizive.

Barnett filloi nga cricket, me lojtarin Brian Lara, kampion i Trinidad dhe Tobago, i mbiquajtur “Princi”, edhe sot 50 vjeç. E dërgoi atë në Transvaal sipas dëshirës së Nelson Mandelës, i cili kishte për qëllim për ta bërë këtë sport një ndër kryesorët në Afrikën e Jugut pas aparteidit.

Jo vetëm futboll

Pas bashkangjitjes me futbollin, zhvillimi i kompanisë së Barnetit ishte mbresëlënës. Sot ajo është e ndarë në katër disiplina kryesore sportive: futboll, atletikë, rugby dhe cricket. Përveç Barnett dhe Manasseh, katër figura kryesore janë: drejtori dhe ndërmjetësi David Lookwood; drejtori Joshua Barnett, djali i Jonathan; drejtori evropian i futbollit John Inglis; drejtori financiar Peter Lazard.

Ka shtatë zyra: selinë qendrore në Londër, pastaj Liverpoolin, Madridin, Amsterdamin, Mynihun, Reykjavik dhe Massachussets. Një stafi të madh: njëzet e nëntë figura për futbollin, mes të cilëve tri gra; pesë për atletikën; dy për rugby, një për cricket; gjashtë për soccer-in; një për futbollin amerikan. Në departamentin e shitjeve, edhe tre persona të tjerë, ndër të cilët Andrei Kanchelskis, djali i ish-lojtarit të Manchester United, Everton, Rangers dhe Fiorentinës. Gjithsej, dyzet e shtatë punonjës.

Sportistë me vlerë

Uebfaqja e specializuar Transfermarkt numëron 232 lojtarë aktivë që ndiqen nga agjencia Barnett. Më i shtrenjti është Saul Niguez i Atletico Madrid, me vlerë 90 milionë euro. I dyti është Bale, 60. I treti është sulmuesi uruguaian Maxi Gomez, 40. Të tjerë janë, Pickford (Everton), 40; Szczesny, 35; Trippier (Atletico Madrid) 35; Sigurdsson (Everton) 35; Mount (Chelsea) 35; Chilwell (Leicester) 35; Loftus-Cheek (Chelsea) 30. Në fund të renditjes, me vlerë 25,000 euro, ndodhet izraelini 19-vjeçar Ilay Elmkies, i Hoffenheim II.

Kampionatet më të rrahur janë Premier, Championship, Liga, Bundesliga, Ligue 1, Turqia, Rusia, Skocia, SHBA, Brazili. Në Portugali, terreni i gjuetisë Mendes, ka vetëm tre lojtarë. E njëjta muzikë edhe në Holandë, ku agjenci të tjera po shkojnë shumë mirë. Menaxherët kryesorë e kanë ndarë botën dhe shmangin ndërhyrjen midis tyre.

Pas aparencës së një babaxhani, Barnett është një njeri i akullt. Lojtarët e rinj rekrutohen duke futur në lojë një forcë financiare që, sidomos tek familjet më të varfra – që nuk janë pak – ushtron një tërheqje të parezistueshme. Stafi i tij rreh botën anekënd në kërkim të baby për t’i përfshirë në galaktikën Stellar Group: paguan një dhe peërfton njëqind.

Mundësia është që të studiohen gjithashtu edhe situata që mund të hapin boshllëqe në të cilat mund të arrihet ndonjë goditje: një yll që ngurron në kohën e rinovimit të kontratës është, për shembull, një pre e nivelit të parë. Megjithatë, formalisht, rregullat duhet të respektohen.

Në faqen ueb ku paraqitet agjensia shkruhet: «Politika pa ekuivoke e grupit Stellar është që ne nuk do të lehtësojmë, tolerojmë ose falim evazionin fiskal nga klientët tanë, agjentët apo furnitorët, as në juridiksionet në të cilat veprosje, apo gjetkë”. Nuk duan kokrriza. Fuqia ekonomike e grupit lejon, të paktën në teori, të shmangin shkurtoret me taksat të cilat, nëse zbulohen, mund të kthehen në bumerang.

Barnett është një hebre laik, por praktikues. Frekuentimi prej tij i sinagogës St. John’s Wood nuk është episodik. Ai është në marrëdhënie të shkëlqyera me presidentin e Tottenham, Daniel Levy, i cili falet në të njëjtin tempull. Gjithnjë në emër të fesë, janë të mira marrëdhëniet me Chelsea Abramovich dhe Manchester United të familjes Glazer.

Në mjaft raste, Barnet shfaqet si një person thelbësisht i zakonshëm. Nuk zotëron batutën e zjarrtë të një gjeniu të ironisë tipik hebre si Woody Allen. Shijon të mirat e tryezës pa e ekzagjeruar. Por darka rrallë është një mjet evazioni: është një nga vendet e preferuara për të mbyllur një marrëveshje të mirë.

Nuk mban në dorë orë të shtrenjta, edhe eleganca e veshjeve nuk është aty ku duhet. E nëse ndonjë herë duhet të shkelë ndonjë rregulla me sjellje jo fort të hijshme dhe bie në tundim, sinagoga për pendimin është gjithmonë aty. Mjaft të thuash që më 2006, Barnet u skualifikua për dymbëdhjetë muaj nga Football Association dhe u gjobit me 100 mijë paund për organizimin e një takimi të fshehtë midis Ashley Cole, në atë kohë tek Arsenal, dhe përfaqësuesit të Chelsea. Barnett nuk u mërzit, ai pagoi detyrimin dhe kohë më pas deklaroi: “Bëra atë që ishte e duhur dhe e leverdisshme për lojtarin tim. Unë përfaqësoja interesat e Cole. Historia ka treguar se ishte lëvizja e duhur”.

Pranë Sh. Holmes

I rritur në Baker Street, lagja londineze e lidhur me Sherlock Holmes, Barnett ka thënë tha se ylli i tij polar ka qenë edukimi që mori në familje: “Parimet për jetën dhe biznesin i trashëgova nga ai kontekst.”

Tani, në prag të 70 vjetëve, i pasur dhe i afirmuar, tregon: “Nuk më intereson fama dhe nuk është paraja në krye të shkallës sime të vlerave. Në radhë të parë është familja që kam ndërtuar, gruaja dhe tre fëmijë ”. Ai gjithashtu ka ndërtuar edhe një pasuri jo të pavëmendshme që tani e bën atë agjentin numër një në botë: një trashëgimi e bukur për gruan e tij, fëmijët, nipërit e mbesat.

Materiali është përgatitur nga stafi i GT

You might also like