Mbreti Zog dhe nevoja për një lider kombëtar
Driton DUKAGJINI
Përse njerëzit sot ende rikthehen tek historia e Mbretit Zog, kaq dekada pas vitit të mbrapshtë 1939? Rikthehen sepse popujt kanë nevojë për liderë dhe prijës shpirtërorë, e jo për sundimtarë alla-mesjetarë
Çfarë e nxit një turmë të madhe historianësh, vendas e të huaj, gazetarësh, politikanësh, çikërrimtarësh, thashethemexhinjsh, madje edhe pseudomoralistësh, të shkruajnë, të flasin e të gërthasin kur vjen puna tek Mbreti Zog? Çfarë është ajo që i tërheq ende ndaj figurës së tij?
Përgjigjja është e thjeshtë! Dhe dërrmuese në të vërtetën që zbulon: kjo ndodh sepse të gjithë ndiejnë një boshllëk rretheqark. Ndodh sepse mungon diçka. Ndodh sepse e Djathta shqiptare është e shkërmoqur, është e shkapërderdhur!
Është boshllëku i një politike që e ka humbur bukurinë, peshën, fisnikërinë dhe thellësinë e mendimit! Është boshllëku i një politike të zbërdhylur nga debatet televizive, të kërbulur nga banalitetet. Një politike kjo që mbytet në llafazanëri, degradon në fyerje dhe përmbyllet në batutizime!
Kjo panoramë e zymtë e ditëve të sotme ndryshon krejtësisht kur kujtojmë Mbretin Zog, për të cilin një studiues ka thënë se “gjërat e mira në Shqipëri, nga A-ja e deri te Zh-ja, kanë filluar dhe janë kryer në kohën e Mbretit Zog”.
Kur flitet për Mbretin Zog, zakonisht, gjëja e parë që na vjen ndërmend është vepra e tij madhore, që mban emrin “Shteti Shqiptar”. Në fakt nuk jemi larg të vërtetës që kërkojmë të themi, porse me këtë ne injorojmë disi faktin se Mbreti Zog ka qenë, gjithashtu, edhe një njeri me një botë të jashtëzakonshme shpirtërore.
Mbreti Zog, para se të njihej si një luftëtar i çështjes kombëtare, politikan e burrë shteti, ka qenë një model njerëzor. Ka qenë një njeri me shpirt të madh. Të tillë personalitete mund të gjenden vetëm në kohët e shkuara, në legjenda apo figura hyjnore, por aspak ndër politikanë e shtetarë.
Le të kujtojmë dy shembuj lidhur me këtë aspekt të Mbretit Zog: duhet absolutisht një shpirt profeti, që të shprehesh 2 minuta pas atentatit të 1924-ës, se: “atentati është një rast si shumë të tjerë, që i ka parashikuar ligji si vepra penale të dënueshme, prandaj mos u shqetësoni zotërinj deputetë, por vazhdoni punën tuaj të shenjtë për ardhmëninë dhe fatet e vendit.”, duke qenë kryeministër fuqiplotë.
Ose t’i thuash personit që kishte marrë mision ta helmonte: “zhduku prej Shqipërie e mos të ta shoh më fytyrën”, duke qenë Mbret i Shqiptarëve!!?
Ndërkohë që, si njërin, edhe tjetrin, mund t’i nxirrte me plot të drejtë para gjykatës, ku të merrnin dënimin kapital.
Kujtojmë këtu që vetë Papa i madh Gjon Pali II-të, nuk e fali atentatorin e tij Ali Agça. Natyrisht që Mbreti Zog nuk mund të ketë kurrkund krahasim me politikanët e sotëm, të cilët janë krejtësisht në rolin e padenjë të të pandehurit!
Nga ana tjetër Mbreti Zog ishte tjetër rang, e madje unik në madhështinë e tij, sepse i fali atentatorët kriminelë.
Ai ishte i vetëdijshëm se gjendja mund të ndreqej vetëm duke sakrifikuar personalisht, dhe se vetëm kësisoj mund t’i zbuste gjakrat dhe egërsinë e politikaxhinjve të kohës së Tij, një pjesë e të cilëve firmosnin në bordero jashtë vendit.
Në esenë e titulluar “Çfarë e bën liderin?”, biografi Michael Korda thotë se: “Një lider…, kupton aspiratat më të thella të popullit të vet. Qëllimi i tij duhet t’i përputhet gjendjes shpirtërore të kombit. Detyra e tij është të fokusojë dëshirat dhe energjitë e popullit…, të frymëzojë.”. (“Models for writers”, faqe 225).
Dhe në këtë sens, ndikimi që ka patur Mbreti Zog në historinë e shtetit shqiptar, është praktikisht një mrekulli politike.
Po ta kundrosh me vëmendje karrierën politike të Mbretit Zog, të ngjan e habitshme, gati-gati e pabesueshme, që një djalosh 25-vjeçar të jetë figura qendrore e një kuvendi aq përcaktues, sikurse ka qenë Kongresi i Lushnjes në vitin 1920. Poashtu të duket e pabesueshme sesi më 1922-shin, ky djalosh të drejtojë qeverinë e Shqipërisë me një program që synonte “oksidentalizimin” e saj.
Shkojmë më tej, më 1925 zgjidhet President në moshën 30-vjeçare, pasi kishte organizuar dhe realizuar në formë të shkëlqyer “Triumfin e Legalitetit”.
Më i Shtator 1928 kunorëzohet “Mbret” në moshën 33-vjeçare. Aq sa ishte Jezu Krishti në fund të misionit të Tij profetik.
Dhe pikërisht kjo karrierë e pakrahasueshme na jep të drejtë të themi se Mbreti Zog ka qenë vërtet një njeri i zgjedhur nga Zoti për të mbrojtur shqiptarët në atë udhëkryq të tmerrshëm historik, ku rrezikohej vetë ekzistenca e shtetit shqiptar.
Ndikimi i Mbretit Zog në historinë e vendit mund të nxirret edhe nga një supozim i thjeshtë: si do të kishte qenë e ardhmja e shqiptarëve, nëse në krye të shtetit, si kryeministër, si president apo Mbret, të kishte qenë dikush tjetër, le ta zëmë Fan Noli, apo Luigj Gurakuqi?!
Unë e kam një përgjigje edhe për këtë: – do të ishim kthyer në një vend komunist qysh në mesin e viteve ‘20-të.
Ato çka bënë “qershoristët” për 6 muaj, në vitin 1924, kanë qenë preludi i terrorit komunist 2 dekada më vonë.
Për të kuptuar dallimin mes një lideri dhe një tjetri, na vjen në ndihmë një përqasje që bën presidenti amerikan Riçard Nikson, në punimin e tij monumental “Liderët”, ku thotë: “Churchill-i dhe Stalini ishin të dy, në mënyrën e tyre, të dallueshëm, liderë të mëdhenj. Pa Churchill-in, Europa perëndimore mund të ishte skllavëruar, ndërsa pa Stalinin, Europa lindore mund të kishte qenë e lirë!”.
***
Në dallim nga “nolistët”, Mbreti Zog, kur u kthye në Shqipëri me rastin e “Triumfit të Legalitetit”, tregoi edhe njëherë shpirtmadhësinë e tij duke mos kryer kurrfarë hakmarrjeje ndaj rebelëve, duke dhënë kështu një provë të gjenisë së tij si politikan.
Prof. Miftar Spahija ka shkruar: “Ahmet Zogu ma së pari ka dijtë me sundue vetveten, mandej me sundue e me drejtue Shqipninë… Nuk ka qenë rastësi që Ahmet Zogu u ba sundimtari edhe Mbreti i Shqipnisë” (1989, Buletini i Kongresit XI të PLL).
Pra Ai ishte gjenetikisht një sundimtar, një burrështeti, një lider, një mbret. Prandaj Ai ia arriti të bënte gati gjithçka me perfeksionin që Njeriu i Ri shqiptar nuk do ta arrijë ndonjëherë, ndaj dhe e kujtojnë sot me nostalgji legjitime.
Kjo tërheqje ndaj figurës së Tij bëhet edhe më e fortë kur sheh realitetin politik të ditëve të sotme, ku sundon cinizmi dhe paligjshmëria në çdo qelizë të pushtetit e të shtetit.
Nevoja që ndiejnë njerëzit për ndryshimin e gjendjes është e prekshme gjithandej. Dhe për këtë mjafton të kujtojmë këtu dyndjen emigruese që krahasohet vetëm me atë të para disa viteve të sirianëve të gjorë, nën bombat e Asadit dhe të ISIS-it. Madje do të ishte e mjaftë të përmendnim shifrën vjetore prej 200 mijë shqiptarësh aplikantë të llotarisë amerikane, çka shpjegon edhe faktin se përse gati 1 milionë bashkatdhetarë e kanë braktisur Shqipërinë dhe Kosovën gjatë 8 viteve të fundit!
Arsyeja është e thjeshtë: pushteti politik po e transformon ngadalë, por rrënjësisht, në gërmadhë, këtë vend…, po e shkreton në atë derexhe saqë po e kthen vendin në komunizëm. Po e kthen bash në kohën e tmerrshme kur 90 % e shqiptarëve donin të arratiseshin! Dhe që kjo gjendje të ndryshojë, duhet të formësohet e të ngrihet një e Djathtë që bashkon sovranitetin dhe traditën.
Që bart vlerat dhe ndjenjën e kombit. Që mendon t’u rikthejë shqiptarëve krenarinë dhe dinjitetin. Por që kjo të ndodhë, duhet të kemi një lider që të ngjallë shpresën dhe të lindë besimin. Prandaj na përmbyt nostalgjia për një figurë të admiruar si Mbreti Zog, i cili i dha shpresë e dinjitet këtij vendi.
Shqiptarët sot janë në kërkim të një lideri, të cilin ende nuk e shohin në horizont.
Biografi Michael Korda, në lidhje me “ardhjen e liderit”, thotë: “Ai nuk do të vijë derisa ne të jemi gati për të, mbasi lideri është si një pasqyrë, që reflekton ndjenjat e qëllimit tonë, duke i shprehur në fjalë vetë ëndrrat dhe shpresat tona, duke i transformuar nevojat dhe frikërat tona në politika koherente dhe programe… Ai është, në fund të fundit, veçse shuma e të gjithë neve” (“Models for writers”, faqe 225).
Kohët e fundit në një opinion shkruhej se “Më ka marrë malli për një fjalim ekzaltues, një fjalim frymëzues, një fjalim që motivon turmat, një fjalim që i drithëron dhe i ngjeth ato… Bota ka patur dhe ka shembuj pafund, ndërsa Shqipëria ka patur por, sot, përveç disa fjalimeve patetike dhe delirues, nuk po dëgjojmë më nga ato fjalimet mbresëlënëse, emocionuese dhe shpresëdhënëse…”.
Presidenti amerikan Riçard Nikson, në punimin e tij “Liderët”, në parathënie thotë: “Mjaft prej individualiteteve të profilizuar në ‘Liderët’, shquhen për shkak të aftësisë së tyre për të ndryshuar humorin e përgjithshëm popullor, ose shquhen për shkak të aftësisë për t’u marrë me një çështje jo popullore, dhe për ta bërë këtë çështje që të përkrahet nga të gjithë. Si besimtarë në demokraci ne, për zakon, mendojmë se liderët supozohet të ndjekin vullnetin e përgjithshëm popullor. Por edhe në demokraci, një lider i madh është ai që farkëton një qëllim kombëtar përballë sfidash dhe krizash të mëdha”. (Riçard Nikson, “Liderët”, 1990).
Nisur nga ky citim i Niksonit, a mund të gjendet sot një politikan në skenën shqiptare që të udhëheqë njerëzit drejt një qëllimi kombëtar? Ose tjetra, cili politikan shqiptar do të rrokte një kauzë jopopullore dhe ta bënte atë popullore, me supozimin që njerëzit do ta ndiqnin?! Në fakt, asnjë.
Ne jemi në këtë gjendje sepse ndër krerët drejtues të shtetit dhe praktikisht në gjithë spektrin tonë parlamentar gjenden njerëz që nuk ngjallin kurrfarë besimi. Dhe kjo ngaqë janë thjesht frymorë që e kanë zemrën bosh, ose më keq: e kanë gërmadhë. Dhe nga një zemër gërmadhë s’mund të presësh gjë të mirë.
Një fjalë latine thotë “Ex nihil, nihil fit – Prej asgjësë, s’del gjë”.
Prandaj kujtojmë pareshtur Mbretin e lavdishëm të shqiptarëve. Jemi monarkistë e zogistë pikërisht sepse kemi besim. Sepse kemi bindjen se ajo që realizoi Mbreti Zog mund të përsëritet në momentin që në skenë do të ngjitet shqiptari fisnik, që do t’u japë shpresë bashkatdhetarëve, dhe që do t’i bashkojë ata rreth një qëllimi kombëtar!