Melania Trump mbush 50 vjeç. Portreti i një First Lady (e panënshtruar)
Laura DANI – E lindur në Sevnica më 26 Prill 1970 dhe e rritur në varfërinë e Sllovenisë komuniste, ish modelja nuk ka frikë të kundërshtojë publikisht të fuqishmin bashkëshort, Donaldin (më së fundmi e bëri këtë me rastin e maskave në kohën e koronavirusit) por martesa e tyre është shumë më e qëndrueshme sesa duket
Melania Trump feston gjysmë shekulli. Të mbartur me një hijeshi të lakmueshme. Lindur në Sevnica më 26 prill 1970 dhe e rritur në varfërinë absolute të Sllovenisë komuniste, ish modelja, Melania Knauss (ky është emri i vajzërisë) sot është Zonjë e Parë shumë më pak e nënshtruar sesa duket, siç edhe e ka treguar në biografinë e fundit Free Melania, e reporterit të CNN, Kate Bennett. Melania nuk ka frikë të kundërshtojë publikisht bashkëshortin e fuqishëm Donald Trump. Përkundrazi, në shumë raste nuk e ka fshehur se është larg pozicioneve të Presidentit Amerikan.
I paharrueshëm episodi i Qershorit 2018: Trumpi vendos të ndajë fëmijët nga prindërit migrantë dhe t’i mbyllë ata në kafazet e qendrave të paraburgimit; ajo fluturoi në kufirin meksikan për t’i ngushëlluar. “Shuplaka” më e fundit ndaj bashkëshortit erdhi pak ditë më parë. Donald, me Amerikën në emergjencë të plotë të koronavirusit, tha se ai kurrë nuk do të verë një maskë; Melania ka publikuar në Twitter një postim ku e portretizon atë me maskë. Duke i ftuar amerikanët të ndjekin shembullin e saj.
Ish modelja është njohur me Donaldin në 1996, në një klub të Manhattan, falë një njohjeje të përbashkët. U martuan në 22 janar 2005, në rezidencën Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, në “martesën e shekullit”, siç e titulluan disa tabloidë dhe revista. Ajo ishte 34 vjeç, ai 58 vjeçar, me dy divorce pas krahëve dhe baba i katër fëmijëve. Të dy së bashku kanë vetëm një djalë, Barron, 14 vjeç, i cili sipas Kate Bennet për Melanian “vjen para së gjithash”: “Sa herë që udhëtojmë me të, e dimë se duhet të përgatitemi për një tour de force. Dëshiron gjithmonë të kthehet në shtëpi në mbrëmje, për të qëndruar me të”.
Kate Bennett e ka vëzhguar prej kohësh lidhjen e Melanias me të shoqin. Dhe thotë se mes të dyve “ekziston një lidhje e vërtetë”. Edhe pse flenë në anë të ndryshme të Shtëpisë së Bardhë. Trump në katin e dytë në West Wing, Melania në katin e tretë në East Wing. Pavarësisht kësaj, Bennett pretendon se martesa është e fortë, se të dy janë miq, se shkojnë shumë më dakord nga sa mund të mendohet dhe se Melania ka shumë më shumë ndikim tek Donald sesa ai që i jepet dhe në fakt ata flasin vazhdimisht në telefon, disa herë në ditë: “Pjesa tjetër është legjendë: Melania nuk i ka valixhet gati në dollap dhe nuk jeton në një shtëpi tjetër në Potomac, në Maryland, me Barron dhe prindërit e saj”.
Megjithatë, në tre vitet e fundit kanë qenë të shumta rastet kur ndarja mes tyre dukej e pashmangshme. Për shembull në vitin 2016, kur doli që në 2005, ajo ishte shtatzënë me Barron, ndërsa i shoqi zbavitej playmaten Karen McDougal. Konkluzionet e Kate Bennett: “Në atë moment Melania tregoi gjithë autonominë e saj: mjaftoi të refuzonte dorën e të shoqit teksa ngjiteshin në shkallën e Air Force One. Ka qenë gjithmonë e vetëdijshme që nuk është martuar me një burrë pikturë, plotësisht të besueshëm. Por sigurisht nuk i ka shkuar kurrë ndërmend të mbyllet në një dhomë të vogël dhe të dëshpërohet dhe, aq më pak, të vraponte nëpër TV për të justifikuar, mbuluar të shoqin, siç bëri, ndër të tjera, Hillary Clinton me Billin”.
Sot First Lady Melania Trump mbush 50 vjeç. Dhe mbase do të vijë edhe dhurata e Donaldit. Por nuk është aq e padiskutueshme, duke pasur parasysh që në vitin 2018, për 48 vjetorin e saj, nuk i dhuroi asgjë: “Jam shumë i zënë për të shkuar të kërkoj dhurata”, e preu shkurt ai në një intervistë për Fox and Friends.