Mercedes nuk do të prodhojë më berlina në SHBA
Në orët e kaluara, grupi Daimler ka marrë një vendim që disa e kanë quajtur “historik”. Kështu, për të përballuar krizën dhe nga rënia e shitjeve për shkak të efekteve të krizës shëndetësore që lidhen me pandeminë e Koronavirusit, grupi nga Shtutgarti ka njoftuar se nuk do të prodhojë më berlina Mercedes në fabrikat e tij në Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë. Sidoqoftë, nuk dihet nëse bëhet fjalë për një lamtumirë përfundimtare apo një ndërprerje të përkohshme.
Kjo do të thotë se shtëpia automobilistike gjermane do të ndalojë prodhimin e berlinës Mercedes Class-C në fabrikën e Tuscaloosa në Alabama, duke e lënë fabrikën aktive vetëm për prodhimin e SUV-eve. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Meksikë, ku në fabrikën e tij të Aguascalientes, Daimler do të ndalojë prodhimin e Mercedes Class A dhe do ta përqendrojë prodhimin tek SUV Mercedes GLB.
Njoftimi u bë para disa orësh kur Daimler tha se ka pësuar një humbje operative prej 1.68 miliardë eurosh në tremujorin e dytë. Më parë kompania kishte treguar qëllimin për të shitur fabrikën e saj në Hambach, Francë. Numri një i Daimler, administratori i deleguar Ola Kallenius ka thënë gjithashtu tha se për të arritur në një situatë barazimi, kompania e tij do të duhet të marrë vendime të tjera të dhimbshme.
Në veçanti, përmendet largimi i mbi 15 mijë punonjësve. Por këtë gjë e kundërshtojnë sindikatat në Gjermani, të cilat kanë kërkuar një zvogëlim të orarit të punës për të siguruar që askush të mos pushohet nga puna. Për momentin nuk dihet nëse dhe kur Mercedes do të rifillojë prodhimin e berlinave në SHBA dhe Meksikë.