Mes luftës dhe pandemisë, përse globalizimi ka filluar të shkërmoqet
Në shpërthimin e pandemisë, sindroma e rafteve të zbrazëta pati treguar dy gjëra: efektet shkatërruese të një psikoze kolektive (sepse në fakt supermarketet nuk u mbyllën për as edhe një ditë) dhe sesi disa të ashtuquajtura pranga të fshatit global kishin vënë nën kontroll prodhuesit dhe konsumatorët, veçanërisht në sektorin e ushqimit, një rrjet kompleks ndërveprimesh që përfshin fermerët, inputet bujqësore, fabrikat e përpunimit, transportin, shpërndarjen, shitësit me shumicë e me pakicë.
Për shkak të përhapjes së Covid19, në bankën e të akuzuarit përfunduan shpërndarësit e mëdhenj: për dekada të tëra, qeveritë patën bërë pak për të mbrojtur fermat e vogla dhe prodhuesit ushqimorë që ishin lënë jashtë lojë nga këta gjigantë të biznesit, duke gjeneruar aberracione si rasti i Singaporit, i cili importon 90% të ushqimeve të tij nga jashtë apo shumë e përparuara Australi, e cila, nga ana tjetër, eksporton rreth dy të tretat e produkteve të saj bujqësore në një zonë të trazuar si Azi-Paqësori.
Ogure të këqia
Edhe kriza e pajisjeve mbrojtëse personale krijoi gjithashtu valë të vërteta paniku: në fillim të emergjencës vende të ndryshme në mbarë botën e nisën luftën ndaj Covid me duar krejt lakuriq nëpër repartet e kujdesit intensiv. Kësaj i shtohet edhe një episod i veçantë, i cili i vuri më shumë në pak këto frikëra, në fazën ende akute të pandemisë: ngarkesa tajvaneze Ever Given, që lundronte drejt portit të Roterdamit, në Holandë, e nisur nga Yantian, në Kinë, ngeci në veri të kanalit të Suezit marsin e kaluar, duke gjeneruar një efekt domino të pabesueshëm me zhurmë të madhe që fliste për produkte tashmë të skaduara, me kosto të mëdha dhe dërgesa të humbura.
Agjencia Bloomberg ka vlerësuar se pengimi i Kanalit të Suezit, përmes të cilit tranziton 12% e mallrave botërore dhe 30% e trafikut botëror të kontejnerëve të transportuar me rrugë detare, ka krijuar një humbje ekonomike prej të paktën 9.6 miliardë dollarësh në ditë, për jo mungesën e dorëzimit të mallrave në bordin e anijeve të bllokuara në kanal dhe për ata që presin në hyrje. Vetëm mallrat e stivosura në anijet e bllokuara në kanal vlenin rreth 8.1 miliardë dollarë, sipas LLoyd’s List.
Çështja ukrainase ritrazon brenda një harku të vogël kohor frikën e mbylljes së blloqeve dhe kufijve, dhe bashkë me to edhe të zinxhirëve të furnizimit. Ajo që vihet në pikëpyetje nuk është globalizimi kulturor dhe teknologjik, që na mundëson të përjetojmë live konfliktin dhe që i mundëson qenieve njerëzore të komunikojnë në kohë reale, por sistemi që fshati global ka zhvilluar qark prodhimit të ushqimit, objekteve, dhe gjurmës energjitike të shoqërive tona.
Pyetja themelore është pse ushqimi, ai që na ushqen çdo ditë, duhet të përshkojë 10 mijë km për të arritur në pjatën tonë; sepse, nëse industria e mikroçipëve hyn në një krizë në anën tjetër të botës, ne nuk mund ta kompensojmë mungesën e saj; por edhe sepse energjia për të prodhuar gjithë këtë duhet të vijë nga mijëra kilometra larg, duke detyruar pazare me zona të paqëndrueshme të këtij planetit dhe të bëhen kompromise me regjimet joliberale.
Drejt sovranizmit ushqimor?
Edhe pse ky konflikt është krej i ndryshëm nga Lufta e Dytë Botërore, kur kjo zonë u rrënua nga uria e vërtetë, ajo që po ndodh sot në Ukrainë po rrezaton edhe përtej saj dhe kërcënon disponueshmërinë e ushqimit në vendet më pak të begata. Këto të fundit janë bërë të varura nga eksportet e drithërave dhe produkteve të tjera ushqimore nga Ukraina dhe Rusia, të cilat sot përbëjnë 29% të eksporteve globale të drithërave. Kontribuojnë edhe me 19% të misrit global dhe 80% të eksporteve globale të vajit të lulediellit.
Deti i Zi është zemra e këtyre shkëmbimeve transnacionale dhe, rreziku për t’u bërë një fuçi baruti dhe me dërgesat në Detin Azov të bllokuara, shigjetat për të ardhmet e drithit tashmë janë drejtuar për lart. E nëse kjo reflektohet përmes vonesave dhe humbjeve milionere në vendet më të pasura, një grup kombesh me të ardhura më të ulëta rrezikojnë uri të plotë dhe një përkeqësim të përgjithshëm të shëndetit publik për shkak të çmimeve të drithit.
Për më tepër, Rusia dhe Bjellorusia janë edhe eksportuesit kryesorë të plehrave, me Rusinë në krye të botës; çmimet, që ishin të larta që para luftës, janë rritur edhe më shumë. Mungesa e plehrave rrezikon prodhimin global bujqësor i cili është i varur prej tij.
Ka vende në botë që, duke ditur të diversifikohen apo edhe duke qenë mjaft teknologjikë, i kanë rezistuar mirë pandemisë: Italia, për shembull, mban një rekord të mirë në zinxhirin e shkurtër të furnizimit dhe e ka rizbuluar këtë vetëm gjatë dy viteve të fundit; Kina moderne, një vend krejtësisht ndryshe nga e kaluara, me teknologji të reja dhe investime rekord ka punuar për vite me radhë për të përmirësuar sigurinë e saj ushqimore, duke shpenzuar dhjetëra miliarda dollarë gjatë dekadës së fundit në blerjen e kompanitve të mëdha të farave. Këto përpjekje duket se e kanë zbutur goditjen ndaj industrisë ushqimore në kulmin e pandemisë.
Për të gjitha këto arsye, 24 muajt e fundit çështja e sovranitetit ushqimor është rikthyer fuqishëm: vende si Nepali, Mali, Venezuela dhe shumë të tjera e kanë njohur tashmë sovranitetin ushqimor si një e drejtë kushtetuese e popullit të tyre që duket të jetë mbrojtja më e mirë kundër çdo shocku ekonomik.
Zvogëlimi i gjurmëve energjitike
Kriza energjetike është implikimi i dytë i madh, pas katastrofës humanitare, të konfliktit në Ukrainë. Gjeopolitika e naftës shekullin e kaluar na ka treguar disa herë se sa i ndjeshëm është ky burim ndaj politikës ndërkombëtare. Mbi të gjitha, është bërë më e ndërlikuar gjeopolitika e gazit natyror, kah të cilit jemi drejtuar në nivele të patolerueshme, me bindjen se ari blu mund të ishte si një burim tranzicioni.
Nuk duhet të harrojmë se gjeopolitika e gazit na ka treguar tashmë se si disa ngjarje që nuk kishin lidhje me Lindjen e Mesme do të ishin në gjendje të shkatërronin dhe rindërtonin ekuilibrat ndërkombëtarë.
Në vitet 2000, me ardhjen në pushtet të Vladimir Putinit në Rusi, u krye me shpejtësi larja e hesapeve me oligarkët e naftës dhe gazit, duke kaluar në kontrollin shtetëror mbi burimet e tjera të energjisë përmes famëkeqit Gazprom. Presidenti promovoi një nacionalizëm të ri, duke theksuar se qeveria duhet të krijojë shumëkombëshe të mëdha të afta për të konkurruar me Perëndimin.
Më 2001 ai ndryshoi ekipin drejtues të Gazprom, më 2003 arrestoi presidentin, aksionerin kryesor të Yukos dhe më 2004 punoi në një drejtim tjetër, duke rritur taksën e eksportit të naftës bruto. Rusia, edhe pse është në vendin e dytë si zotëruese e gazit, gjatë dhjetë viteve të fundit ka mbetur eksportuesi i saj më i madh, duke furnizuar si vendet e Europës Lindore ashtu edhe ato Perëndimore nëpërmjet tubacioneve të gazit të epokës sovjetike.
Transporti ka mbetur pika e vërtetë kritike e gazit natyror, pasi ai i nënshtrohet konfliktualiteteve gjeopolitike: këtu e kanë origjinën edhe akuzat e përsëritura të Amerikës dhe Evropës ndaj Rusisë për përdorimin e burimeve të saj për të rifituar pozicionin e superfuqisë. Kritika tragjikisht të konfirmuara ditët e fundit.
Është e qartë se ngjarjet e këtyre ditëve përplasin tragjikisht dekadat e zgjedhjeve energjetike me projektet që Evropa dhe e gjithë bota kishte në lidhje me klimën dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme.
Gjermania, një vend në tranzicion par excellence energjetik, si dhe një nyje shumë e nxehtë për shkak të ngjarjeve të Nord Stream 2, është vendi ku këto vështirësi dhe kontradikta shfaqen fillimisht. Rreth 55% e importeve të gazit të Gjermanisë vijnë nga Rusia, përveç 50% të qymyrit dhe rreth 30% të naftës.
E teksa Gjermania ka një rezervë strategjike nafte, e cila me ligj duhet të zgjasë 90 ditë, nuk e ka një rekuizit të tillë për gazin dhe qymyrin. Këtu, janë kompanitë vetë që vendosin për rezervat e tyre. Tani është bërë e qartë se ky ishte një gabim strategjik dhe Ministria e Ekonomisë kërkon të kalojë sa më shpejt ndryshime ligjore për këtë çështje.
Bashkimi Evropian po shqyrton masat për të përforcuar sigurinë e tij energjetike pasi sanksionet gjithnjë e më të ashpra ndaj Rusisë dhe përshkallëzimi i dhunës në Ukrainë kanë ngritur shqetësime mbi furnizimet për dimrin e ardhshëm.
Evropa importon rreth 40% të gazit, 35% të naftës bruto dhe mbi 40% të qymyrit të saj nga Rusia. E teksa pasiguria rritet në lidhje me këto importe dhe rezervat e gazit të BE-së po bien nën 30%, blloku është në kërkim të alternativave ndaj energjisë ruse dhe po planifikon me kujdes dimrin e ardhshëm. “Situata jonë aktuale është e tensionuar”, ka thënë Komisioneri për Energjinë i BE-së, Kadri Simson: megjithatë, eminencat gri evropiane janë gati të na qetësojnë për këtë dimër dhe gjithashtu edhe për verën e ardhshme. Sidoqoftë, çështja e sovranitetit energjetik rikthehet e lidhur ngushtë me çështjet e sigurisë kombëtare, ashtu si në vitet shtatëdhjetë, që na paskërkan mësuar pak ose aspak.
Ushqimi dhe energjia, do të jenë pra dy drejtimet në të cilat globalizimi do të duhet të rimodulohet. Do të duhen veprime të menjëhershme dhe afatmesme për të përballuar vështirësitë e krijuara nga pandemia, por dhe nga rezultatet e paparashikuara të konfliktit në Ukrainë.
Kemi të bëjmë me një ndryshim ritmi dhe vizionesh që do na detyrojnë të pajtohemi me angazhimet e mëparshme ndërkombëtare, me ideologjitë sklerotike dhe politikat miope kombëtare. Oborri i shtëpisë do të bëhet më i vogël në emër të të ftohtit dhe të barkut?/ Përgatiti Dardan MITROVICA