Michael Xhordani i basteve, historia e Billy Walters, bastexhiut më të madh që ka njohur bota

Steve Wynn sigurisht nuk është tip i cili frikësohet lehtësisht. Nuk bëhesh një nga sipërmarrësit më të suksesshëm, një nga njerëzit më të pasur dhe me ndikim në glob, duke lejuar që një kumarxhi i degjeneruar të tallet me ty. Në vitin 1986 Wynn ishte pronar, ndër të tjera, i Atlantic City’s Golden Nugget, kazinosë më prestigjioze të qytetit, ajo që tërhiqte lojtarët më të mirë, ku luheshin shumë para. Kur një farë William Thurman Walters vendosi të bëjë një provokim dhe ta përhapë atë në të gjithë qytetin. Ai pretendonte se ishte në gjendje t’i “rripte” të gjitha roulette duke ia lënë kazinosë të gjitha avantazhet, Wynn nuk e mendoi dy herë dhe pranoi sfidën.

Kërkesa e Walters ishte shumë e thjeshtë: “Të premten e ardhshme do të vij në Atlantic City me dy milion dollarë të thata, dhe t’i depozitoj në bankën e kazinosë që do të më lejojë të luaj në ruletën amerikane, si dhe duke dyfishuar kufijtë e lejuar për një bast”, domethënë dy mijë dollarë dora në vend të një mijë.

Provokim ky që tingëllonte paradoksal, jo vetëm sepse ruleta amerikane përfiton nga banka 5.26% në krahasim me atë franceze – duke pasur 38 numra në vend të 37 që ka ajo franceze, falë pranisë së dy zerove – por sepse pas një sërë investigimesh, Wynn kishte zbuluar se Walters, megjithëse i konsideruar që atëherë një kumarxhi i madh, ishte një personazh që gjithçka tjetër mund të ishte, por jo perfekt: ai ishte pijetar, i aftë për të humbur miliona në çdo lloj loje të njohur. Wynn dhe i gjithë entourage i tij besuan se do të kishte qenë çmenduri po ta linin të shkonte kot një dorë kaq të favorshme parash, mundësinë për të zhveshur “pulën” e rradhës deri sa të mbetej me të brendshme.

Atë fundjavë Golden Nugget organizoi një mbrëmje të veçantë gala për rastin, Steve Wynn e priti sfiduesin me vetëdijen që edhe kësaj radhe ai do të fitonte, kruperi shqiptoi të famshmen rien ne va plus dhe Billy Walters bëri pikërisht atë që kishte premtuar të bënte: shkatërroni kazinonë duke e mposhtur atë me lojën e saj.

Walters dhe një partner, me të cilin hera-herës ndërrohej, luajti për dyzet orë rresht, duke vënë bast gjithnjë në të njëjtët pesë numra dhe gjithmonë dy mijë dollarë për numër. 7, 10, 20, 27, 36: dhjetë mijë dollarë për numër me një fitim maksimal të mundshme prej 62 mijë dollarë për çdo dorë. Ajo që dukej si çmenduri në letër rezultoi të ishte një strategji kirurgjikale, që rriste numrin e chipsave në dispozicion të Walters dora-dorës me kalimin e kohës.

Kazinoja u detyrua ta ndalonte lojën për të mos humbur më shumë para dhe atë që i mbetej nga fytyra. Polemikat filluan praktikisht kur topi i fundit u ndal. Pronari bërtiti për vjedhje, i bindur se dikush kishte modifikuar makinën. Walters tha se, për sa i takonte, ata të Golden Nugget mund të vinin edhe para makinës së të vërtetës. Ishte pikërisht kjo që ndodhi, por as dy inxhinierët e NASA-s të punësuar për këtë rast nuk mundën të gjenin ndonjë anomali.

Walters William “Billy” doli nga Golden Nugget Casino në Atlantic City me fitoren më të madhe në rulet të ndodhur ndonjëherë në Amerikë – 3.8 milion dollarë – dhe pa e kuptuar askush se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë.

Në ditët në vijim, filluan të qarkullojnë të gjitha llojet e teorive, secila prej të cilave e destinuar të mbetej pa përgjigje për një kohë të gjatë. Ajo që kishte ndodhur në të vërtetë ishte shumë më e thjeshtë se çdo komplot. Edhe pse praktikisht askush nuk e kishte kuptuar akoma, Billy Walters, së bashku me disa njerëz të besuar, kishin filluar tashmë një revolucion që do të ndryshonte botën e kumarit përgjithmonë, duke i dhënë udhë një fenomeni të destinuar të vazhdonte për tre dekadat në vijim pa më të voglin dështim strukturor, dhe që më në fund, do ta bënte të njohur si kumarxhiun më të mirë profesionist të të gjitha kohërave.

Blue moon of Kentucky (Hëna blu e Kentucky)

Pikërisht në të njëjtën ditë të vitit 1946 kur legjendar Bill Monroe shkruante fjalët e asaj që do të bëhej një nga ikonat e muzikës country, Billy Walters doli në dritë në qytezën e vogël të Munfordville, Kentucky. Fëmijëria e tij ka me të vërtetë shijen melankolike të bluegrass, me babanë që i vdiq nga infarkti kur ai ishte vetëm tetëmbëdhjetë muajsh dhe me mamanë, një alkooliste, që iku në Louisville duke e braktisur atë tek gjyshja e tij. E detyruar të bënte dy punë për të mbajtur veten dhe atë, zonja Lucy Queensburry shpesh e linte në një sallë bilardoje të xhaxhait të saj, ku djaloshi William mëson të luajë me stekë në moshë fare të re, duke qëndruar majë kutive të Coca-Colës. Filloi të zbulonte kënaqësinë e basteve.

Në moshën tetë vjeçare, Walters shpërndante gazeta dhe priste barin në kopshtijet e atyre që kishin nevojë, gjatë verës ndihmon në një dyqan zdrukthëtarie. Çdo dollar që fitonte përfundon duke e riluajtur në tapetin e gjelbër ose në ushqimoren e lagjes ku shitësi, për të shtuar disi të ardhurat, merrej edhe baste në sezonin e bejsbollit.

Pika e parë e kthesës në jetën e tij erdhi kur ishte trembëdhjetë vjeç, kur, megjithëse pa dëshirë, u detyrua të transferohej tek e ëma pas vdekjes së gjyshes. Louisville i viteve ’60 ishte një nga “shkollat” më të mira të vendit për të mësuar zanatin, ku mes dhjetra posteve klandestine për lojra me letra dhe zare, mbizotëronte mitiku Churchill Downs – që për gati 150 vjet ka mikpritur garën më të famshme të kuajve në botë, Derby Kentucky – dhe mundësinë për të krijuar lidhje me klubin Newport, ose “Sin City” i Amerikës para lindjes së Las Vegasit, vetëm një orë larg me makinë.

Walters në mëngjes punon në një pastiçeri dhe në mbrëmje në një stacion shërbimesh, martohet me një shoqe klase pasi e la shtatzanë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe, pasi mbaron shkollën superiore, fillon të punojë në një konçensionar makinash të përdorura. Shkathtësia e tij për t’u marrë me njerëz dhe në njohjen e biznesit – dy cilësi që do t’i jenë shumë të dobishme më vonë – e bëjnë për një kohë të shkurtër shitësin më të mirë në qytet. I ka xhepat plot para dhe çdo fundjavë fluturon drejt Mekës të çdo kumarxhiu të Amerikës.

Las Vegas në vitet ’70 do të thoshte para së gjithash Horseshoe Club, kazinoja e legjendarit Benny Binion, i cili përveç të qenit një nga pionierët e atdheut të ndritshëm amerikan është edhe ideatori i World Series të Pokerit. Walters e frekuenton në mënyrë të rregult klubin, dhe përveç fitores apo humbjes së milionave në tavolinat e lojërave, zbulon edhe se sa shumë i pëlqen të luajë golf – një tjetër dashuri e madhe e jetës së tij – gjë e cila do t’i mundësojë të bëhet shumë mik me djalin e Benny Binion, Jack, dhe të mund të marrë pjesë nëpër turnetë ekskluzive të golfit dhe pokerit të organizuar nga kazinoja.

Pikërisht në ato vite njihet me personazhe si Doyle Brunson (kampion i botës në poker për dy vjet rresht, në ’76 dhe ’77), Billy Baxter, Fred “Sarge” Ferris (që do të bëhet krahu i tij i djathtë besnik), Stanley Tomchin dhe mbi të gjitha David “Chip” Reese, një tjetër lojtar shumë i famshëm pokeri i kohës, që do të jetë ai i cili do t’i kërkojë të fillojë të marrë baste për llogari të tij në Kentucky. Walters pranoi dhe duke përfituar nga miqësia e tij e vjetër me Luther James – bookmaker historik dhe figurë kryesore e kriminalitetit të organizuar në Midwest – në 1979 fillon të punojë si bastexhi.

Aventura e tij në rrugët e Louisville zgjat vetëm tre vjet, para arrestimit që do të zgjidhet me një dënim prej gjashtë muajsh me kusht; por në atë periudhë, Walters arrin të vendosë një bashkëpunim që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. “Mund të isha bërë shitësi më i mirë në botë i makinave”, tregon vetë ai në librin Gambling Wizards të Richard Munchkin, “Por unë vendosa ta ndryshoj jetën dhe të ndjek instiktin tim: dashuria ime, zemra dhe koka ime ishin gjithnjë drejt basteve”.

Sado sentimentale që të tingëllojnë fjalët e tij, ato nuk korrespondojnë me të vërtetën, e mbi të gjitha nuk tregojnë atë që kishte qenë një plan i mirëstudiuar prej kohësh, e që kishte filluar të zhvillohej në një mënyrë krejtësisht të shkëputur nga vullneti i tij saktësisht dhjetë vjet më parë.

Computer Group

Është një e diel e këndshme në periferi të Pittsburgh, Pensilvani, kur skuadra e inxhinierëve të Westinghouse Electric Company fiton përsëri kampionatin midis kompanive në softball. Gjatë festimeve në dhomën e zhveshjes, një nga catcher-at e skuadrës nuk mund rrinte, pa shtruar një pyetje: “Po si ka mundësi që jemi kaq të fortë?”.

Emri i tij është Michael Kent, një matematikan që prej disa vitesh punon për një nga konglomeratet e energjisë elektrike, duke zhvilluar teknologji për nëndetësit bërthamorë. Kent ka vendosur të përdorë numrat për të analizuar skuadrën e tij amatore, por shpejt rezultoi se ishte një stërvitje me stil, duke mos qenë në gjendje të zotëronte statistika të mjaftueshme për të ndërtuar një bazë të dhënash të besueshme. Por duke e ndjerë madhështinë e idesë së tij, Kent vendos ta zhvendosë vëmendjen drejt college football, ndoshta sporti më i dashur në vend në 1972, dhe fillon të grumbullojë të dhëna nga gazetat, revistat e vjetra dhe librat e bibliotekave, duke i regjistruar ato në një nga kompjuterët e Westinghouse. Është në këtë mënyrë që Kent ndërtoni atë që, në retrospektivë, do të bëhej algoritmi i parë në gjendje për të parashikuar rezultatin e një ndeshjeje sportive.

Kent shpejt zbulon se llogaritjet e tij kanë një potencial të madh, sepse sa herë që përpiqej të krahasonte shanset e tij me ato të Las Vegas, kuptonte se ishte pothuajse gjithnjë e më i saktë. Ajo që kishte filluar si një hobi shndërrohet në një punë me kohë të plotë, derisa shtatë vjet më vonë, në 1979, Kent vendos të braktisë Westinghouse dhe të transferohet në Las Vegas për të provuar fatin.

Pavarësisht disa muajve me luhatje, sezoni i parë jep menjëherë rezultate të shkëlqyera, aq sa paratë e grumbulluara e bëjnë paranojak. Si një person që ishte pasuruar me aq shpejtësi, Kent nuk ndihet i sigurt në lëvizjen e parave nga njëra anë tek tjetra e këtij qyteti kaq imoral dhe fillon të ndiejë nevojën e gjetjes së ndonjërit që të ndajnë punën. Meqenëse Zoti nuk luan me zara as mbi qiellin e Nevadës, ai dikush shfaqet pikërisht në kohën e duhur dhe quhet Ivan Mindlin, kirurg dhe kumarxhi.

Të dy vendosin të punojnë bashkë: Kent kujdeset për pjesën teorike, ndërsa doktor Mindlin përgjigjet për administrimin e parave dhe marrëdhëniet me bookmakers-ët; çdo fitim ndahet në mënyrë të barabartë. Të dy vendosin të riemërtojnë shoqëtrinë e re në “Computer Group”, një emër që në dekadat pasardhëse do të bëhej tabu në kazinotë e të gjithë Shteteve të Bashkuara.

Por, fatkeqësisht për Kentin, Mindlin nuk kishte qenë plotësisht i sinqertë me të. Nuk i kishte thënë që ishte në prag të falimentimin. Duke e dashur akordin shumë më tepër sesa partneri i tij, pra, dhe duke patur nevojë për të hapur llogari të mëdha mjaftueshëm sa për të përmbushur kërkesat ekonomike të të dyve, Mindlin ishte detyruar t’i drejtohej Dominic Spinale, një figurë spikatëse e familjes Angiulo në Boston. Paratë i gjeti por tërheqi gjithashtu edhe vëmendjen e FBI-së drejt tyre. Ndërkohë, duke kuptuar se numrat e Kentit do t’i ndryshonin jetën, Mindlin, duke mos i treguar asgjë partnerit për gjithë sa ngjante, filloi ta zgjerojë kompaninë kudo në Shtetet e Bashkuara. Brenda disa muajve, zinxhirë të vërtetë të bastoreve të lidhur me ta lindën në Salt Lake City, El Paso, Baltimore, Philadelphia e gjithashtu edhe në Louisville, ku falë ndihmës së Chip Reese, i njohur nga Mindlin disa vjet më parë, tashmë ishte dikush ku të mbështetej.

Vitet e zhurmshme

Pasi kishte “lëvizur para” për llogari të Reese dhe Mindlin nga Kentucky, Walters arrin në Las Vegas në fund të sezonit NFL të 1982. Aleanca me Reese digjet si qiriri në erë, dhe konsumohet në fund të March Madness të parë. Kjo nuk e ndalon Computer Group të vazhdojnë të rriten me shpejtësi impresionuese. Sipas vlerësimeve të Kentit, në vitin 1983 fitimet e grupit ishin rreth tre milion dollarë neto, ndërsa në vitin pasardhës ato tashmë shkonin deri në rreth një milion e gjysmë… në muaj!

Që viti 1984 do të kishte qenë një vit triumfues në frontin e basteve sportive kuptohet që nga dita e dytë e janarit, me rastin e Sugar Bowl midis Michigan dhe Auburn. Prania e të madhit Bo Jackson çekuilibroi bastet në mënyrë sensacionale drejt Auburn, por sipas llogaritjeve të grupit, Michigan nuk ishte aq i jo favorit dhe Walters vuri bast mbi një milion dollarë për Wolverines, duke inkurajuar edhe shokët e tij për ta ndjekur.

Por atyre viteve të zhurmshme, Walters ende nuk arrin të gjejë një ekuilibër midis suksesit në bastet sportive dhe milionave të humbur në tavolinat e blackjack apo baccarat. Paratë hyjnë dhe dalin nga çdo drejtim, në një rrethore të pafund rastesh dhe deliresh të denjë për penën e Hunter Thompson – i cili, ndër të tjera, lindi gjithashtu në Louisville – që gjeti kulmin me rastin e Super Bowl të vitit 1985. pikërisht teksa Joe Montana drejton San Francisco 49ers e tij drejt fitores së titullit të dytë, FBI bën bastisje 43 shtëpi të përhapura në gjashtëmbëdhjetë shtete të ndryshme dhe arreston rreth njëzet vetë përfshi Walters, Mindlin dhe Kent.

Duke mos e kuptuar kurrë rrëmujën ku ishte futur, Michael Kent do të kërkojë imunitet në këmbim të bashkëpunimit të tij të plotë me hetimet, një kusht që federalët e pranojnë pa menduar dy herë duke pasur besimin të plotë se janë gati të çmontojnë një prej organizatave më të mëdha kriminale të basteve sportive të vendit. Mes personave të arrestuar, kishte nga të gjitha: bastexhinj rrugësh, veteranët të Luftës në Kore, gazetarë të famshëm, disa prej sipërmarrësve më të mëdhenj në Las Vegas, personazhe të lidhur me mafian si Spinale. Ajo që duhej të ishte një goditje e madh, fillon të ridimensionohet akoma para se Kenti të përfundonte dëshminë e tij, sepse ka një ndryshim thelbësor midis “marrjes” së basteve sportive nga njerëz të tjerë – e paligjshme jashtë Nevadës deri në vitin 2018 – dhe basteve në ndeshje, veprimtaria plotësisht legale që Walters dhe ortakët e tij kishin praktikuar për vite me rradhë. “Askush nuk kishte parë ndonjëherë diçka të tillë”, do të tregojë për Nevada Public Radio agjenti i FBI Noble, duke thënë se si i gjithë operacioni lindi me shpresën e bastisjes së bizneseve të krimit të organizuar të Bostonit dhe se si vetë FBI e kishte të vështirë të besonte (gjithnjë flasim për mesin e viteve 80) si një punë si ajo e bastexhiut mund të ishte kaq fitimprurëse.

Në të vërtetë, dallimi ishte i qartë nga përgjimet e kërkuara prej gjykatësit distriktual Lloyd D. George në dhjetor 1984, dhe që me avancimin e marrjes në pyetje u bë gjithnjë e më e qartë se i vetmi krim i kryer nga grupi kishte qenë ai i përdorimit të disa llogarive bankare offshore për mospagimin e taksave mbi fitimet. Situata do të ngecë: një vit pas arrestimit të tij, Walters jo vetëm që e zhbllokon Golden Nugget, por fiton edhe Super Bowl of Poker, sezonin e dytë më të rëndësishme të kohës, duke përfituar nga orët e gjata të kaluara në stërvitje me Stuey Ungar – nëse jo lojtari më i mirë i pokerit të të gjitha kohërave, sigurisht më legjendari.

Problemet me FBI do të mbyllen vetëm pas pesë vjetësh – maksimumi i lejuar me ligj, gjë që do ta bëjë Waltersin të pyes veten nëse është prapa putra e ndonjë kazinoje që nuk e shohte më me sy të mirë- por duke u zgjidhur me pafajësinë e tij totale.

Sasia e detajeve të asaj çështje meriton një artikull të veçantë, por ka dy gjëra që ia vlen të kujtohen: e para, që avokati i Walters nuk mund të ishte tjetër veçse Oscar Goodman (ju kujtohet? Pikërisht ai!) dhe e dyta, që në ato vite Walters filloi të bashkëpunonte fshehurazi si me policinë lokale të Nevadës ashtu dhe me FBI, duke u dëshmuar edhe një llogaritar i pagabueshëm.

Ndryshimi i Walters vërehet edhe në nivelin “strategjik”. Ai shfrytëzoi sherrin midis Kent dhe Mindlin për të shpërndarë zyrtarisht Computer Group në 1987, pushoi së piri, filloi të interesohej për sipërmarrjen – themeloi Berkeley Enterprises, që më vonë do të bëhej Walters Group – e mbi të gjitha vendosi të braktisë përgjithnjë tavolinat e lojrave për t’u përqëndruar tek bastet sportive.

Michael Xhordani i basteve sportive

“Analiza statistikore i kishte vënë bastexhinjtë aq para bookmakersave sa dukej qesharake”, kujton Art Manteris, historiani Kapo Salla i Station Casino dhe anëtar i Hall of Fame të lojërave të fatit. Por vetë matematika nuk ishte akoma e mjaftueshme për të hedhur në erë bankën, nevojitej dikush që të dinte ta bashkonte në një njohuritë e tregut dhe ingranazhet e tij. Nuk mjafton të gjesh deltën, pra atë mospërputhje midis kuotës së dhënë nga Las Vegas dhe numrit të nxjerrë nga llogaritjet e reja të kompjuterit, nevojitet të dish se si ta manipulosh atë në avantazhin tuaj dhe në çdo situatë. Gjenialiteti dhe forca e Billy Walters qëndron pikërisht këtu.

Duke kombinuar faktorin njohuri (si të bastosh) me faktorin kohë (kur të vesh bast), Walters fillon ta përmbysë tregun e basteve sportive, duke i shtuar një dinamizëm që nuk kurrë nuk ishte vërejtur më parë. “Askush nuk e kishte bërë kurrë atë që bënte ai”, ka rrëfyer për Cover, Chris Jordan, një handicapper profesionist, “Për botën e basteve sportive, Billy Walters ishte vërtetë ai Michael Jordan ka qenë për NBA”.

Walters mban çdo bookmakers të vendit në gjendje axhitimi të vazhdueshëm. Imagjinoni të jeni në një shesh të rrethuar nga ndërtesa të larta me dritare pafund dhe të dini se pas njërës prej tyre është një snajper gati për t’ju goditur dhe nuk keni asnjë mënyrë se si ta identifikoni. Paranoja përhap në masë. Dikush filloi të besojë se Walters ishte një magjistar që ndikon në çdo bast, se ishte vetë Tregu. “Çdo lojë e një peshe të caktuar ekonomike i atribuohej menjëherë atij”, kujton Ted Sevransky, një tjetër handicapper profesionist nga Las Vegas, “por e vërteta është se gjetja e përbindëshit të Lochness do të kishte qenë një sipërmarrje më e thjeshtë sesa të kuptoje strategjinë e tij”. Çdo kazino në vend vendosi ta ndalojë atë përjetë, si dhe të azhurnonte strukturat e saj analitike me shpresën për të mbajtur ritmin. Nga momenti që një pjesë shumë e madhe e lojës së tij kishte lidhje me sportin kolegjial, të vije bastshumë para në lojërat e NCAA u bë thuajse e pamundur, me shumë kazino që madje shkuan deri aty sa të ndalonin hyrjen e të gjithë ata që vinin bast në të ashtuquajturat added-game, ato lojëra të divizioneve të vogla që nuk transmetoheshin as nëpër televizionet lokale dhe ku Walters ishte shumë i fortë.

Në atë periudhë filluan të shfaqen edhe grupe të tjera të organizuara (të quajtura sindikata) të cilat pasuan atë model, siç janë IBM, Kosher Boys, Poker Player; por asnjëri prej tyre nuk i frikësonte bookmakers-at si Walters. Nofka të tilla si “Satana” ose “I dituri i madh” filluan ta zbukuronin emrin e tij me një vello mistike. Në po të njëjtin artikull të Cover, Chris Jordan kujton edhe se si kishte asistuar në një skenë në 2001, ku një supervizor kazinoje filloi të bërtasë: “Walters është këtu! Walters është këtu!” në të njëjtën mënyrë që tregtarët e drogës në Baltimore paralajmëronin ardhjen e Omarit tek filmi The Wire.

Në intervistën e dhënë për Munchkin, Walters thotë se pronarët e kazinove u bënë aq të dëshpëruar sa iu drejtuan policisë. Kështu kur në vitin 1996 autoritetet e Nevadës kontrolluan selinë e Sierra Sports Consulting, një nga kompanitë satelitore të Walters Group, arritën të konfiskojnë 2.8 milion dollarë me akuzën e pastrimit të parave, ishte radha e Walters për të bërtitur për komplot. Çështja nuk shkoi kurrë në gjykatë dhe Walters u lirua përsëri plotësisht, por bastisja zbuloi shumë gjëra interesante në lidhje me modus operandi të tij, duke e transformuar teorinë e komplotit të Walters nga e pamundur në të pak a shumë kurioze.

Në selinë e kompanisë u gjetën më shumë se 40 telefona, secili prej të cilëve kishte bërë më shumë së dymbëdhjetë mijë thirrje interurbane vetëm muajin e fundit, me ID të njohura në Kanada, Amerikën Latine, ishujt e Karaibeve dhe në Evropë. U gjendën dokumentet transfertash bankare offshore për afro një milion dollarë dhe skema të qarkullimit të parave që shkonin në gjashtë vende të ndryshme njëherësh dhe po aq banka. Kjo e bëri Walters edhe më skrupuloz: do të ndryshojë zyrat e kompanisë praktikisht çdo vit (duke kaluar nga Panama, Tijuana, Bahamas, Londër, me pak fjalë, kudo përveçse në Shtetet e Bashkuara) dhe mbi të gjitha do t’i zbulonte botës se për çfarë shërbente në të vërtetë Sierra Sports Consulting.Ushtria e padukshme

Ajo që ishte regjistruar si një firmë konsulence ishte në të vërtetë një platformë e përdorur për të gjetur njerëz që të vinin bast për të. Duke mos mundur më të shkelte nëpër kazino, dhe duke mos mundur më të përdorte fytyrat e zakonshme të njohura, Walters kishte filluar (qysh në fund të viteve 1980) të rekrutonte këdo që ishte i gatshëm të vendoste baste për të. Marrëveshja ishte shumë e thjeshtë: kush pranonte të punonte për të merrte 1’1% të aksioneve të Sierra Sports Consulting dhe, pasi bëheshin partnerë, Walters mbushte llogarinë bankare partnerit të ri duke e udhëzuar se si të luante. 10% e secilit bast të fituar mbetej tek ‘partneri’, ndërsa në rast humbjeje rrisqet i merrte përsipër vetë Walters.

Duke përdorur këtë metodologji, brenda pak viteve Walters arriti të ketë qindra njerëz që luanin në vendin e tij, njerëz të padyshimtë, identiteti i vërtetë i të cilëve maskohej me emra të koduar si “Ujku”, “44”, “Lubbock” dhe më e rëndësishmja përsa i përket procedurës nuk ishin aspak të implikuara në strategji. Për secilin nga ata ata që iu ndalohej hyrja në kazino, pasi dyshohej se ishin bashkëpunëtorë të tij, ishin pesë të tjerë të gatshëm për t’ia zënë vendin. Dhe jo vetëm: në “The Smart Money”, librin që shkroi pasi ishte pjesë e grupit Walters për rreth tre vjet, Michael Konik thotë se ai kurrë nuk ka njohur dikë tjetër që punonte për të sepse, nga pranimi i vetë Walters, askush prej “asistentëve” të tij nuk duhej të njihte identitetin e tjetrit. Sipas Konik, shumë nuk e dinin se për kë po punonin realisht; të tjerë ishin të sigurt se punonin për Walters pavarësisht se kurrë nuk e kishin parë atë. Përdorimi pothuajse koreografik i beards, siç quhen në zhargon, i mundësonte “Satanit” të bënte çdo gjurmë të tij edhe më të padepërtueshme, duke u përpjekur të mashtrojë botën deri sa ta bënte të padukshme natyrën e tij të vërtetë.

Sidoqoftë, talenti i vërtetë i Walters nuk ka asnjë lidhje me kinemanë apo magjinë: ishte përgatitje kafshërore. Edhe pse kishte hequr qafe Kentin dhe Mindlin, përdorimi i kompjuterit ishte padyshim në qendër të çdo operacioni, bashke me disa prej matematikanëve më të mirë te vendit, të punësuar për të mbledhur miliona e miliona të dhëna dhe për të kryer simulime gjithnjë e më precize. Falë librit të Konik dhe dëshmisë së vlefshme të David Malinsky, një tjetër handicapper i Las Vegas i cili para se të vdiste rrëfeu se kishte punuar për Walters në vitet ’90, ne dimë se sindikata përdorte të paktën dy ekspertë numrash për çdo kampionat: NFL, NBA, college football dhe basket. Malinsky dhe të tjerët bënin vlerësime e skuadrave në bazë të performancave javore, duke reduktuar pikat e forta dhe pikat e dobëta në numra dhe shkronja që theksoheshin me ngjyra të ndryshme. Algoritmet shërbenin për të gjetur ekipin që kishte qenë më i “nënvlerësuar” nga Las Vegas, në mënyrë që të mund të përpunonin kuotat gjatë javës deri duke e çuar drejt numrit të saktë për të fituar para të shumta. Natyrisht që kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Walters kishte në listëpagesat e tij çdo lloj eksperti: kishte nga ata që merreshin me psikologji, ata me meteorologji, ata që përpiqeshin të kuptonin se sa një fushë sintetike mund të bënte ndryshim në krahasim me një fushë natyrore në një lojë NFL, ata që përpiqeshin të pararendnin breaking news-et, etj. Në fillim të viteve ’80, Computer Group paguanin një numër njerëzish për të shkuar në aeroportin e Las Vegasit çdo mëngjes për të mbledhur, apo edhe për të blerë nga udhëtarët, gazeta nga shtete të tjera, në mënyrë që të vazhdojnë të ishin të azhurnuar mbi lëndimet apo të rejat e formacioneve. Me avancimin e teknologjisë, Walters punësoi një personazh nga bregu lindor, i njohur vetëm me pseudonimin “Lexuesi”, që kishte shpikur një program që i lejonte të grumbullonte në të gjithë Internetin (kanalet e informacionit, llogaritë në Twitter, faqet e gossip, postime nga Facebook) në kërkim të scoop-eve dhe lajmeve që ende nuk kishin mbërritur në veshët e kuotistëve të Las Vegasit.

E nëse mendoni se mbaroi këtu do të thotë që nuk keni qenë të kujdesshëm.

***

Falë lidhjeve të vendosura përgjatë viteve e Louisville dhe Newport, Walters ka shfrytëzuar për vite informatorët të cilët, si zogjtë e Varys në Game of Thrones, “i pëshpërisnin” në vesh gjendjen e lojtarëve të të gjithë SEC (Divizioni i NCAA ku luajnë, gjithshtu, edhe ekipe të tjera nga shteti i Kentucky). E njëjta gjë mund të thuhet për gjyqtarët, trajnerët, e madje edhe për menaxherët e kazinove, të cilët, për të qenë pjesë e timonit të madh të karrocës së tij, ishin të gatshëm të korruptoheshin duke zbuluar paraprakisht se ku do të fiksoheshin kuotat, duke i dhënë atij një avantazh të dyfishtë: të ishte i pari që të bastonte dhe të ishte në gjendje të drejtonte trendin e tregut në avantazhin e tij. Së fundi, duke mos qenë në gjendje të menaxhojne vetë të gjitha informacionet, por sidomos duke mos pasur kohën materiale për t’i shndërruar këto në baste efektive, Walters ka përdorur për vite me radhë një organizatë, të vendosur në Irlandë dhe të strukturuar si një agjenci e përkohshme, e cila pas çdo sinjali të tij fillonte të telefononte dhjetëra e dhjetra llogari online duke luajtur për të.

“Billy ishte si një kryetrajnër që vendos skemën pas një time-out”, kujton Malinsky, “i dëgjonte të gjithë asistentët, por në fund ishte ai që merrte vendimin përfundimtar”.

Në tridhjetë e nëntë vjet si bastexhi profesionist, Billy Walters gjithmonë ka fituar më shumë para sesa investonte me përjashtim të një sezoni, një rekord (38-1) që nuk ka gjasa të barazohet në të ardhmen e afërt. Përgjatë viteve ai ka ndërtuar një perandori që përfshin një jet privat, mbi dhjetë fusha golfi, rrjete restorantesh, parkingje, vila luksoze dhe një duzinë koncensionarësh për makina. Në 1997 ai u zgjodh Filantropist i Vitit pasi dhuroi mbi dhjetë milionë dollarë për Opportunity Village, një fondacion që ndihmon njerëzit me sëmundje cerebrale. Disa e panë atë si një mënyrë për të pastruar reputacionin e tij, të tjerët si një strategji të përshtatshme politike – pasi donacione të konsiderueshme, me kalimin e kohës, arritën edhe tek politikanë, kontraktues dhe sipërmarrës.

Mijëra bastexhinj janë përpjekur ta imitojnë atë, agjentë federalë dhe sipërmarrës miliarderë janë përpjekur ta pengojnë, dikush është përpjekur edhe ta vjedhë: Billy Walters i mundi të gjithë, njëri pas tjetrit, duke mbajtur ekuilibrin pa rënë mbi zonën gri që ndan ligjshmërinë me krimin. Të paktën deri në vitin 2016.

Pesha e kurorës

Pasi kishte tronditur tregun e basteve sportive për gati katër dekada, Walters kishte vendosur të tërhiqej nga skena – në vitin 2015 kishte deklaruar që bastet sportive zinin vetëm 7% të kohës së tij – për të provuar të pushtonte “ligën” më të madhe dhe më të rrezikshme të basteve në botë: Wall Street.

Qenia një lojtar i kujdesshëm golfi dhe një milioner i kishte dhënë atij mundësinë, përgjatë karrierës së tij të pafund, të njihte çdo lloj personi, nga sportisti i suksesshëm, deri tek drejtuesi i biznesit, sekush prej të cilëve gjithmonë i gatshëm për të gjetur mënyra të reja për të bërë të holla. Por, duke filluar nga viti 2008, ajo mikeshë e vjetër e Walters që i korrespondon emrit të FBI kishte filluar t’i kushtonte vëmendje të veçantë tetëmbëdhjetë vrimave të saj javore me Carl Icahn, miliarderin pronar të Dean Food, një prej kompanive më të mëdha ushqimore në SHBA. Sidomos marrëdhënies konfidenciale midis bastexhiut dhe Thomas Davis, njërit prej anëtarëve të bordit administrues, duke zbuluar jo vetëm që Davis ishte në borxh për më shumë se një milion dollarë me Walters duke luajtur golf, por se ai i kishte dhënë mbi dyzet faqe dokumente konfidenciale mbi të mbi kompaninë, duke i mundësuar të blejë dhe shesë aksione në një mënyrë jashtëzakonisht fitimprurëse.

Në maj të vitit 2016, oficerët e zbatimit të ligjit hynë në veprim, duke arrestuar Walters, Davis, madje dhe lojtarin me famë botërore të golfit Phil Mickelson, të cilit Walters i kishte kaluar informacionin për t’i bërë të mundur fitimin e disa parave – nga momenti që edhe ai i ishte borxhli Satanit.

Walters do të mohojë gjithçka që nga momenti i parë, por ai që kishte qenë avantazhi i tij në botën e basteve sportive, duke qenë në zotërim të informacioneve tepër të sakta, bëhet një recetë e përsosur insider trading kur bëhet fjalë për Wall Street. Akuzat për mashtrim tatimor, mashtrim kabllor dhe konspiracion për të kryer mashtrim kabllor – të gjitha krime federale në Shtetet e Bashkuara – konfirmohen me vendimin e korrikut 2017, duke e dënuar atë me pesë vjet burg dhe duke i dhënë fund zinxhirit të tij të fatit. “Kam humbur bastin më të madh të jetës sime”, do të thotë vetë ai sapo doli nga gjykata.

Tani Walters ulet në një qeli burgu. Përpjekja për të kuptuar se cilat do të jenë lëvizjet e tij të rradhës, mbetet, si gjithmonë, një ushtrim i pamundur. Kur të dalë do të jetë thuajse 76 vjeç, dhe atëherë do të gjejë një botë krejtësisht ndryshe nga ajo që pati lënë, një botë ku të vesh bast për një ndeshje sporti është bërë e ligjshme praktikisht kudo në Shtetet e Bashkuara. Kush e di në do të dëshirojë të rikthehet sërish në lojë. Jeta e tij ka qenë një kërkim i vazhdueshëm dhe i pamëshirshëm për atë që nuk mund të pushtohet, një top që rrotullohet përjetësisht mbi pllakën prej druri të një rulete.

Kush e di nëse edhe kësaj radhe nuk do të gjejë dikë që të jetë i gatshëm t’i tregojë paraprakisht se cilat mund të jenë numra mbi të cilët duhet vënë bast. Kush e di nëse Steve Wynn, pas afro dyzet vitesh, mbase i ulur në një divan luksoz, do të ketë pirë një gotë shampanjë për nder të tij.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.