Nga shumë kombe që jetojnë në Turqi, shqiptarët janë ata që kanë luajtur rolin më të madh. Pas 25 vjet luftë nën flamurin e ndritshëm të Skënderbeut, dhe pas një rezistence të ndershme, Shqipëria hyri nën sundimin e Turqisë, jo si një vend i mundur, por si një komb- shok dhe i barabartë. Disa kombe të tjerë si serbët, i bënë Turqisë një rezistencë të madhe, por pasi u mundën, hynë totalisht nën qeverisjen e Turqisë, pa ruajtur asnjë farë autonomie. Shqipëria mund të themi se ka qenë i vetmi vend që ka mbajtur lirinë dhe zakonet e veta. Turqia vetëm emrin kishte mbi vendin tonë, se qeverisja e vendit ka mbetur kurdoherë në duart e shqiptarëve, të bijve të vendit, që kanë mbajtur fort afër pavarësinë e tyre, aq sa qeveria e Turqisë s’kishte asnjë fuqi në Shqipëri. Disa vende të tjerë, si Kurdistani dhe mesi i Arabisë, kanë mbetur dhe ata, gjysëm më vete. Por kur ata kanë qëndruar si të shuar, shqiptarët i shohim që kurdoherë, kanë mbajtur një vend të ndriçuar dhe të ndershëm. Një vështrim i shpejtë në historinë e Turqisë na tregon shumë bukur radhën e shkëlqyer që kanë mbajtur shqiptarët. Shqipëria jo vetëm ka qënë e zonja të ruaj pavarësinë e saj, të jetë e lirë dhe e paposhtëruar, por dhe ka ditur të jetë ndër kombet e para të tërë mbretërive, duke shikuar gjithnjë Turqinë si një vend të hapur për të, ku jo vetëm ka punuar, ka fituar, por ka urdhëruar e mbretëruar. Sa njerëz të mëdhenj i kanë dhënë gjithë kombet e tjerë, Turqisë së bashku, Shqipëria vetëm ka nxjerrë më tepër burra që kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe të mbretërisë. Kur Turqia kishte ardhur në një shkallë fare të dobët, kur e tërë mbretëria i ishte afruar prishjes dhe greminës, një dorë shqiptare, Mehmet pashë Qypriliu, nga fshatrat e Beratit, e ngre dhe i jep jetë, fuqi të re! I biri i Mehmet pashës, Fazil pasha, shpie ushtritë e Turqisë gjer në Austri e Rusi dhe tregon sa njeri i madh dhe i mençur është, i zoti të ngjallë një mbretëri gjysëm të vdekur! Kohë më parë një shqiptar tjetër, Sinan pasha, kishte shpënë ushtrinë turke në Jemen e në shkretëtirat e Arabistanit. Tekdo në Turqi, në të katër anët e kësaj mbretërie të madhe, emri i shqiptarit ka qënë i dëgjuar dhe i nderuar, se nga gjithë kombet e tjerë, ne e kishim treguar veten tonë. Gjer më sot shqiptarët i kanë dhënë 23 sadrazemë, pa numëruar njerëzit e tjerë të mëdhenj! Me të hyrë nën sundimin e Turqisë, shumica e shqiptarëve morën fenë myslimane, jo nga shtrëngimi e me zor, por vetëm me qëllim që të bëhen dhe ata të barabartë dhe shokë, me turqit, dhe për të bërë të mundur ta bëjnë këtë mjeshtëri të armëve që kanë qenë gjithnjë nga më të mëdhenjtë gëzime të vendit tonë. Shqiptari, ashtu sikundër i dha mbretërisë sadramezët dhe njerëzit më të mëdhenj e më të mençur, ashtu edhe në ushtri shqiptarët ishin ata që mbanin radhët e para, ishin ata që suleshin mbi armiqtë dhe që ruanin kufijtë e mbretërisë. Edhe gjysëm shekulli më parë ushtarë bashibozukë, ata zotërinj me harçe, prapë shqiptarë ishin, dhe kështu njëkombasit tanë, jo vetëm s’ishin poshtëruar dhe mundur, por shqiptari kishte marrë nën urdhër të tij kombet e tjerë të kësaj mbretërie. Shqiptarët, të dhënë pas punës, dhe madhështor nga liria dhe trimëria e tyre, të zotët brenda dhe jashtë Shqipërisë, nuk kanë menduar për asgjë tjetër veç për: nder, bagëti, fuqi: dhe të tëra i kishin, asgjë s’u mungonte! Kështu shkoi jeta e tyre gjer nga mesi i shekullit që doli. Po kohët zunë të ndryshojnë. Atë fushë të gjerë për luftë, për bagëti dhe për plaçkë zunë të mos e gjejnë më, edhe ajo liri e brendëshme ca nga ca zuri të shtrëngohej dhe të zhdukej. Çdo gjë në këtë botë ndërrohet dhe ndryshohet: dheu, qielli, çdo gjë me shpirt e pa shpirt, është në një ndryshim të pandërprerë. Njeriu që të mund të jetojë më mirë, duhet që të ndërtojë edhe ai mënyrën e jetesës dhe mënyrën e mendimit; duke ndryshuar koha duhet që edhe njeriu të shkojë pas nevojave të saj. Koha është si një lumë i harbuar, një rrëke e rrëmbyer që ecën e vrapon. Njeriu s’duhet të qëndrojë kundër këtij lumi si një shkëmb, se atëherë rrëzohet dhe këputet, po duhet të eci bashkë me këtë rrjedhë. Ata kombe që kanë kuptuar nevojat e kohës, ata kombe që janë ndryshuar pas shekullit, ata janë mbajtur të gjallë dhe kanë përparuar; të tjerët, janë shuar nga rrjedhat e të gjallëve. Duhet të dimë se tani që s’jemi më në kohët e para, ç’rrugë do të zëmë ne shqiptarët?
Po e shohim tani se fuqia e njeriut nuk është më vetëm te fuqia e grushtit si në kohët e para, qytetërimi ka shtuar nevojat e njeriut dhe numri i popullsisë është shtuar. Tani njerëzit po e ndiejnë tokën të kufizuar dhe janë të shtrënguar që të gjejnë mënyra dhe hollësi të tjera për të rrojtur. Jeta është një luftë: njeriu për gjënë më të vogël është i detyruar të luftojë; ky ligj është për të gjithë krijesat e gjalla. Shikoni kafshët: që nga krimbi i dheut gjer te luani dhe tigri, të gjithë luftojnë, të gjithë mundohen; ata që janë të fortë, ata që janë të zotët, ata vetëm dalin fitimtarë. I lumtur ai që është i zoti, i mjerë ai që mundet! Në kohët e shkuara njerëzit mundoheshin me grushta e me dhëmbë si kafshët e egra. Tani po luftojnë me vegla më të holla, më të fshehta, po më të vdekshme. Në të kaluarën ai që mundej, vritej e vdiste menjëherë; tani vdes mengadalë, ca nga ca, dhe me një vdekje shumë të hidhur. Armët e sotme, s’janë sëpata dhe kopaçja, po qytetërimi, mjeshtëritë, dituria, begatia. Në të kaluarën të robëronin me forcë, tani të bëjnë skllav me dituri dhe të marrin kafshitën e gojës. Lum ata që janë të pregatitur dhe të armatosur për këtë luftë të jetesës! Në mes të disa të metave që ka kombi shqiptar, ka dhe një virtyt të madh që s’mohohet kurrë dhe kjo është energjia e njerëzve të Shqipërisë. Ky gjallim, ky shpirt, kjo fuqi e shqiptarit, na jep shumë shpresa që kombi ynë do të jetë i zoti të mbajë një qëndrim dhe një vend të ndershëm në fushën e jetës. As mendja, as forca, as dëshira për punë s’i mungon shqiptarit; po të gjitha këto virtyte presin një drejtim të mirë e një rrugë të drejtë. Më parë nga të gjitha duhet të kuptojmë fare qartë dhe të na mbushet mendja se ato kohë ta para s’kthehen më kurrë, dhe ne, po të duam që të qëndrojmë akoma në radhën e parë, duhet që të nisim rrugë të tjera. Deri më sot kemi jetuar më tepër me rrogë dhe si nëpunës. Turqit thonë një fjalë: “I thanë shqiptarit: a vete në skëterrë? Ai pyeti: sa është rroga?” Paskëtaj duhet të na mbushet mirë mendja se shpëtimi dhe përparimi është në punë, në fitim me mund e me djersë, në lulëzim me dituri e mjeshtëri. Duhet të luftojmë mirë se forca tani nuk është më te grushti, por te pasuria dhe dituria. Kur ta kthejë shqiptari gjallërinë dhe fuqinë e tij mbi këto gjëra, jemi të sigurt se edhe në këto do të rrëfejë veten e tij që është i zoti dhe i punës. Ashtu siç gëzohemi kur shohim se shqiptar si Mehmet Ali Pasha dhe Ali Pashë Tepelena, nga një shkallë e ulët kanë arritur në shkallë të lartë, ashtu dhe në anën tjetër, burra si Arsaqi, Sina, Zhapa dhe Zografi që kanë ditur të tregohen të zotët në punë të tregëtisë, na japin nder emrit që mbajmë me kaq dashuri. Këto shembuj na japin shpresa të forta se edhe në këto rrugë të reja njëkombësi ynë do të jetë i zoti të sigurojë arritje dhe përparime. Atëherë, kur të mbledh gjithë fuqitë e tij, dhe të përdorë këtë fuqi pas mënyrës dhe nevojës së vërtetë, atëherë përsëri shqiptari do të jetë i nderuar dhe i pari ndër të parët! Atëherë prapë vendi i tij do të jetë në krye të kombeve të tjerë. Tani e gjithë Turqia është e hapur për shqiptarët, që nga mali i Sharrit e gjer në derdhje të Basrës, që nga Deti i Zi e gjer në Det të Kuq. I gjthë ky territor është i hapur: le të jetë i zoti dhe të rrëfehet i parë, të mbretërojë dhe të urdhërojë. Atje tek prindërit tanë kanë vajtur me kordha e me thika, ne sot le të vemi me tregëti e me dituri, për të punuar dhe për të fituar; prindërit shkonin e derdhnin gjak, ne sot le të derdhim djersë. Vendi është i pasur dhe i gjerë, vetëm krahë dhe mendje kërkon, dhe do të na japë lumturi. Kjo mendje, këta krahë le të jenë tanët. Turqit thonë se dhe një shqiptar i çalë vete gjer në Bagdat. Ç’presim që nuk vemi? Po të shkojmë me dëshirë që të punojmë, me vullnet që të përparojmë. Kur të kthejmë të gjithë mendjen tonë për tregëti dhe për mjeshtëri, kur të arrijmë të mbledhim fuqinë dhe të kemi shoqëri të fortë, të përdorim të gjitha virtytet dhe fuqinë që na ka dhënë zoti për fitim dhe për punë, atëherë ta dimë se me të vërtetë vendi ynë do të jetë më i lumturi dhe emri ynë më i nderuari se gjithë të tjerët.
“ Dituria”, moti i parë 1909, Nr. 3