- SPONSOR -






- SPONSOR -

Mister!? Kush është mësuesja demokrate që Rama e përdori si simbol propagande

Kryefjala e pjesës më të madhe të mediave u bë një ngjarje që kryeministri Rama përdori si simbol të një shteti të drejtë dhe demokratik në Kongresin Kombëtar të Arsimit. Ai tregoi për një mësuese, pa emër, që ishte pjesmarrëse në takimet e Berishës “Shqipëria në rrezik”, por që socialistët e kishin mbajtur në punë me kontratë të përhershme, përmes aplikimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

Para sallës së mbushur plot ai përmendi se e kishte parë kronikën e kësaj nëne të dy fëmijëve, ishte interesuar për rastin e saj, për reagimet në rrjetet sociale që shfrynin se ajo po persekutohej për qëllime politike, por në fund kishte marrë vesh se ajo e kishte fituar me drejtësi vendin e punës (video poshtë).

“Në kohën e lirë ajo mund të vijojë të shkojë në mbledhjet e Shqipërisë në rrezik, por nëse Shqipëria do të ishte në rrezik, ajo nuk do kishte dot një kontratë të përhershme”, tha Rama me ironi.

Morali i fabulës kuptohet qartë: ato që pretendon opozita jënë gënjeshtra, kjo qeveri e ka depolitizuar arsimin, administrata funksionon sipas meritokracisë.

Por, ndonëse kryeministri nuk dha as emrin, as të dhëna të tjera identifikuese për këtë arsimtare, të gjitha mediat raportuan si papagaj rrëfimin dhe konkluzionet e tij për drejtësinë që ka vënë rilindja për punësimin e mësuesve.

Por portali Lapsi.al ka shkuar pak më tej. Ata janë munduar ta identifikojmë rastin që sipas Ramës përbënte një kronikë të bujshme. Kanë qëmtuar me kujdes të gjitha zonjat që kanë marrë mikrofonin në takimet e Berishës: “Arsimi në rrezik”. Ishin të shumta rastet që ngjanin me hallet që përshkruante kryeministri.

Për, shembull, Daniela Sula në Elbasan denonconte se e kishin larguar nga puna pasi kishte qenë komisionere e PD-së në zgjedhje.

Alkida Mehmeti në Fier, se drejtori i shkollës nuk e pranonte pasi e konsideronte të djathtë.

M. Zeneli nga Prenjasi se performancën e mësuesve të rinj e vlerësojnë patronazhistët.

Por, ndonëse me problematika të ngjashme, asnjë rast nuk qe i njëjtë me arsimtaren e paemër që përmendte Rama. Ajo nuk dilte as në kronikat e portaleve, as nga ato që ka shpërndarë vetë selia e PD-së. Ajo edhe mund të ekzistojë në ndonjë qoshe të humbur në rrjet, po kërkimet disa orëshe, të disa gazetarëve të Lapsi.al, nuk e identifikuan dot.

Atëherë pyetja është si të gjitha mediat që e propoganduan në kor këtë rrëfim propagandistik, nuk bënë asnjë verifikim? Pse vendosën ti besonin qorrazi Ramës edhe pa ditur emrin e personit për të cilin ai bënte fjalë? Pse u shndërruan në bori të kryeministrit kur ka sa e sa denoncime të tjera për largime politike nga puna?

Po të ekzistonte minimumi i skrupujve për vërtetësinë e lajmit, asnjë gazetë apo portal nuk do e raportonte historinë pa ngritur pikpyetje, aq më tepër pasi ka dëgjuar përgjimet e BILD, ku hierarkë të rilindjes i kërcënojnë mësuesit: “po s’votuat të dielën për ne, të hënën mos u paraqisini në punë”. Një media profesionale dhe e pavarur i sheh me dyshim edhe ato që denoncojnë më zë dhe figurë në takimet e Berishës edhe historitë që Rama tregon pa emër.

Por korit mediatik, i pëlqeu fabula, e pavërtetueshme për momentin, se Shqipëria nuk qe në rrezik pasi edhe militantët e afishuar të PD mund të fitonin në konkurime. Por me symbylltësinë që tregoi dhe gadishmërinë për të shërbyer, vërtetoi pikërisht të kundërtën. Shqipëria nuk është në rrezik vetëm se diskriminon politikisht arsimtarët, por mbi të gjitha se pushteti ka tredhur dhe kthyer në altoparlant shumicën e mediave.

Ju mund të pëlqeni edhe