GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Mos u trembni, ky është një virus shpirtëror

Cila mendje dhe cila dorë paralajmëron me këtë mesazh për “Apokalipsin” tim?

Struktura e romanit është një labirint i lëvizshëm, të cilin gjithkush mund ta eksplorojë në bazë të përvojave vetjake. Personazhet, ndonëse fiktivë, janë aq të përshtatur në realitetin ku jetojmë dhe lexuesi i kujdesshëm mund të arrijë të shohë, madje edhe të ndiejë, dy aureolat që i rrethojnë.

Aureola e parë është në formë trekëndore dhe rrethon të gjallët. E dyta është ajo e vdekagjallëve, ose e barbarëve siç cilësohen ndryshe ata që janë ngritur së vdekurish. Kjo ka formën e një spiraleje dhe mbështjell qenien e secilit prej tyre. Unë mendoj se kjo aureolë përfaqëson njëkohësisht spiralen e pafund të tërë përjetimit human, kufirin ndarës mes dy botëve, si dhe atë ftohtësi që mbartin misteret e mistikës.

Por megjithatë ekziston një urë lidhëse, një njeri që qëndron mes dy botëve si një çelës magjik. Nëpërmjet këtij personazhi, nëpërmjet kuptimit unik të tij, autori u ka përgatitur lexuesve një mundësi për t’u bërë bashkëkrijues, bashkëpërjetues dhe bashkudhëtarë në një rrëfenjë të tillë madhështore, në një kulm të ri të këtij shkrimtari.

Kjo vepër, e denjë për t’u konsideruar si një hap përfaqësues i letërsisë sonë drejt letërsisë së përbotshme bashkëkohore, është po ashtu një sfidë e intelektit shumë dimensional kundrejt dogmës së intelektit të njëkahshëm dhe përbën një tjetër gur shënjimi në udhëtimin epik të letërsisë.

Kjo vepër është dëshmi e përqasjes së një letërsie të re, pa kufij, pa pengesa dhe me një mision mbinjerëzor. “Apokalipsi” i Zija Çelës është një dëshmi e kthimit të letërsisë në frymëzimin burimor, zanafillor, hyjnor dhe, në kuptimin e simbolit, përbën një historik të të gjithë ekzistencës njerëzore.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni