Na ishte një herë MURI, iluzioni i madh
Gjatë regjimit komunist të Gjermanisë Lindore, miliona gjermanë u përpoqën të largohen për në perëndim. Disa ia dolën duke mbërritur në Berlinin Perëndimor… Siç kujton ish-i arratisuri Uwe
Uwe Bennies u martua kur ishte njëzet vjeç, më 1982. “Në Gjermaninë Lindore ishte normale: ata që krijonin familje, kishin të drejtën e një shtëpie”. Dhe kredi shtetërore për blerjen e mobiljeve. Pastaj, së bashku me fëmijët, mbërritën shtesat familjare. Sepse politika e fortë demografike ishte një nga objektivat e regjimit komunist. “Ishim të shumë që martoheshin shpejt, të shumtë edhe në divorc menjëherë më pas: në moshën tridhjetë vjeç, shumë prej bashkmoshatarëve të mi ishin tashmë prindër të divorcuar”.
Në vigjilje të tridhjetë vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit, zoti Bennies i tregon historinë e tij, prej një gjermani të Lindjes në arrati drejt Perëndim. Sot ai është 57 vjeç, është instalues sistemesh për ngrohje dhe jeton pranë vendit ku shtrihej perdja që ndau një botë më dysh. Si shumë nga bashkatdhetarët e tij, Herr Bennies u largua nga Republika Demokratike Gjermane, RDGJ, në 1989. Por, ndryshe nga shumë gjermanë të tjerë lindorë, atij nuk iu desh të priste deri më 9 nëntor të po këtij viti për t’iu hedhur në kurriz Murit të ngritur që në 1961. Bennies u gjendjej në anën tjetër në mars të atij viti, duke kaluar nga një burg në Halle, në Saksoni-Anhalt, në një qytet pak më simpatik të Gjermanisë perëndimore.
Ai u shpëtua nga Freikauf (“shpagimi i të burgosurve”), një organizëm jozyrtar, por mirëfunksionues: midis 1963 dhe 1989 autoritetet e Republikës Federale shpaguan rreth 34,000 të burgosur politikë nga Lindja, veçanërisht ata të burgosur që kishin provuar të arratiseshin më parë ose që kishin kërkuar të largoheshin nga RDGJ-ja, një vend i qeverisur prej një regjimi joliberal dhe paranojak por edhe një komb në triska, i lumtur që mbushte xhepat nga vëllezërit më të pasur perëndimorë. Vlerësohet se aso kohe Bon-i, kryeqyteti i Perëndimit në atë kohë, ka paguar në marka gjermane ekuivalentin e 1.5 miliardë eurove të sotme. ” Çdo të enjte mbërrinte një transport,” vazhdon Bennies, “kështu që pas shtatë muajsh burg u gjenda në një kamion që më çoi në Fulda, në Perëndim. Destinacioni im i fundit ishte Frankfurti: ndërsa prisja trenin, unë dhe tre të tjerët “shpaguar” hodhëm nja dy hapa midis dyqaneve të stacionit: kishim përshtypjen se gjithçka ishte shumë e gjallë”.
Pa as një telefonatë me gruan dhe dy fëmijët e tij, Uëe Bennies e gjeti veten të katapultuar në atë perëndim për të cilin ai aspironte tashmë për të paktën pesë vjet. Edhe kunata e tij gjithashtu u përpoq të arratisej dhe u dënua me nëntë muaj.
Në maj të vitit 1989 familja do të ribashkohet në Berlinin Perëndimor, në qendrën e refugjatëve Marienfelde. Pasi u shpagua kryetari i familjes – “kanë kushtuar 92.300 marka gjermane, mbi 45 mijë euro sot”, thotë ai, Republika Federale ia nisi punës menjëherë për të marrë nëpërmjet Freikauf edhe të gruan e tij Viola dhe dy të vegjlit. Nga Marienfelde, pra, rifillon historia e Bennies dhe e rreth një milion e 350 mijë qytetarëve të RDGJ që kaluan prej këtej në rrugën e tyre drejt lirisë. E vetmja pikë kontakti midis një Lindje dhe një Perëndimi të ndarë më dysh me tela me gjemba, Berlini ka qenë për tre dekada protagonist i një fluksi të pandërprerë njerëzor.
Nëpërmjet qendrës Marienfelde kanë kaluar të gjithë ata që u arratisnin në Perëndim para vitit 1961, kur Muri nuk ekzistonte akoma; kush u largua në kohën që po ndërtohej; apo ata që kërcenin nga ndonjë çati ose kalonin nëpër ndonjë kanali. Pastaj ishin ata që ishin lejuar të largoheshin nga vetë autoritetet e RDGJ-së për arsye politike, familjare ose pas pagimit të shpërblesës. Por janë me qindra që nuk ia arritën, duke u vrarë në përpjekje për t’u arratisur. Ishte Presidenti Federal Theodor Heuss ai që përuroi strukturën në Marienfelde, në 1953. Prej këndej do të kalonin edhe 96 mijë Aussiedlers, gjermanët “etnikë” dhe pasardhësit e tyre që vinin nga Polonia, Rumania por edhe nga Republikat e Bashkimit Sovjetik.
Edhe Bennies të kalonte nëpërmjet qendrës së refugjatëve në Berlin. Nga ku do të arrijë nga Frankfurti me aeroplan: një luks i vogël i dhënë atij dhe refugjatëve të tjerë lindorë që donin të shmangnin një takim të ri me policinë hekurudhore apo doganore të RDGJ-së. “Në qendrën e pritjes së parë, refugjatët ishin vendosur nëpër dhoma të vogla me krevate marinari,” kujton zv/drejtorja i muzeut të Marienfelde, Bettina Effner. Në vitet gjashtëdhjetë refugjatët qëndronin mesatarisht deri në dhjetë ditë këtu; më pas në një tjetër qendër pritëse berlineze- në qytet ka pasur rreth njëqind të tilla – ose në ndonjë qytet tjetër gjerman. “Kjo varej nga shpejtësia që ata ishin në gjendje të gjenin një vendstrehim.” Procesi ishte më i gjatë për gjermanët etnikë, të cilët në shumë rastë nuk e flisnin më gjuhën e Goethe e as vendin nuk e njihnin.
Ndërsa fëmijët dërgoheshin menjëherë nëpër shkolla, të rriturit duhej t’i nënshtroheshin një procesi burokratik skrupuloz dhe rraskapitës: së pari regjistrimi i dokumenteve të reja; pra – në një qytet zyrtarisht ende nën kontrollin e amerikanëve, britanikëve dhe francezëve – më pas i vinte radha e intervistës me aleatët, që përpiqeshin të identifikonin spiunë të mundshëm të Lindjes. Dhe së fundi, bëhej ekzaminimi mjekësor. “Kishte nga ata që ishin lënduar duke u arratisur dhe të mos harrojmë se ende qarkullonte TB”, vazhdon Effner. Jo të gjithë e kalonin screening-un në provimin e parë, dhe kush nuk merrte lejeqëndrimin qëndruan aty edhe një vit, por askush nuk u kthye më pas sërish.
Sot muzeu ka edhe një zonë kushtuar propagandës kundër dezertimit të organizuar nga RDGJ: të arratisurit përshkruheshin si varfanjakë të pastrehë, pa punë dhe pa të ardhme, të mbetur nën mëshirën e shërbimeve sekrete perëndimore. Por përpjekjet propagandistike ishin të kota: deri në vitin 1961 jaën arratisur rreth 3.5 milionë njerëz. “Vendosa të largohem para kërkesave të vazhdueshme për t’u rikthyer në ushtri,” shpjegon Bennies. Shteti e donte atë në kazermë për muaj të gjatë, por më pas i mohonte kurset rikualifikuese për punë. Djaloshi Uëe refuzoi t’i shërbente forcave të armatosura për herë të tretë në katër vjet dhe iu afrua Kishës Ungjillore duke organizuar edhe demonstrata kundër zgjedhjeve administrative të konsideruara si farsë. U dënua me dhjetë muaj burg.
Bennies tani jeton në Teltow, komunë e Brandenburgut, menjëherë sapo del nga Berlini Perëndimor. Si ishte jeta në RDGJ, si fëmijë? “Në shkollën fillore prindërit të mësonin se në shkollë nuk duhej thënë ajo çfarë thuhej në shtëpi.” Pse? “Edhe ne, si shumë të tjerë, shikonim televizionet perëndimore dhe në shkollë mësuesit përpiqeshin të kuptonin nëse ne fëmijët i njihnim filmat vizatimorë”. A nuk ju dukej e çuditshme? “Për ne ishte një normalitet!” Dhe si fëmijë? “Nuk kam kujtime të këqija: shkonim në Poloni, Çekosllovaki, Hungari: na dukeshin Vende e me produkte më të mira”. Po mungesa e ushqimit? “Ne berlinezët shiheshim me zili nga qytetarët e tjerë të RDGJ: unë, ndonjëherë në Krishtlindje mund të gjeja edhe ndonjë arançiatë.” Nga dera e shtëpisë Bennies tregon mbetjet e një gardhi të vjetër jo shumë larg: “Pikërisht aty gjendej kufiri Lindje-Perëndim”. Dhe çfarë mendon për nostalgjinë, atë ndjenjë keqardhjeje për Gjermaninë “përtej perdes”? “I mirëkuptoj më të moshuarit, ka nga ata që humbën punën dhe ndjehen si një lojtar i klasit të dytë: për zgjedhjen e tyre ose për oportunizëm, ata ishin mirë në RDGJ dhe e gjetën veten në anën tjetër pa dëshirën e tyre. Rinia e Lindjes, jo: mes tyre, nostalgjia tashmë nuk ka kuptim”.
Nga Daniel Mosseri, Panorama.it, 23 tetor 2019, Përktheu: Edi DELIU