GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Naimi përktheu “Iliadën” në turqisht

Tashmë është vërtetuar plotësisht se Poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri, është përkthyesi i parë i Iliadës Homerike në gjuhën turke. Për këtë përkthim me cilësi tejet të lartë, filologët dhe ekspertët e shquar turq i janë mirënjohës Naimit për përkthimin e kryeveprës së letërsisë botërore

Nga Prof. Hasan BELLO

Një nga familjet shqiptare që, me të drejtë, mund të konsiderohet “dinasti” në kuptimin e plotë të fjalës dhe të kontributit që ajo ka dhënë për kombin shqiptar, është Familja Frashëri me pinjollët e saj Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri. Por ndërsa për të parin, Abdylin, kemi një monografi, për dy të tjerët mungon informacioni. Dhe këtu nuk e kam fjalën për ato dy-tre broshura që na informojnë për pikëpamjet e tyre estetike, filozofike dhe letrare.

***

Naimi lindi në fshatin Frashër të Përmetit në vitin 1846. Pas vdekjes së të atit, në vitin 1865, sëbashku me familjen, Naimi do të shpërngulet në Janinë, ku Abdyli ishte emëruar në administratën lokale.

Në moshën 19 vjeçare, Naimi dhe vëllai më i vogël Samiu, do të regjistrohen në gjimnazin grek Zosimea. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1870 Naimi do të niset drejt Stambollit për punuar në administratën osmane.

Në vitin 1871 ai do të botojë “Gramatikën e gjuhës persishte sipas metodës së re”. Kjo tregon se krahas gjuhëve të tjera klasike siç ishte greqishtja, arabishtja dhe osmanishtja, poeti ynë kombëtar kishte përvetësuar edhe persishten, e cilia konsiderohej si gjuha e letërsisë dhe e intelektualëve të nivelit të lartë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Por në Stamboll Naimi nuk do të qëndrojë gjatë, për shkak të sëmundjes së tuberkulozit që kishte filluar të shfaqte problemet e para në organizmin e tij të brishtë. Për këtë arsye ai do të rikthehet për pak kohë në malet e Shqipërisë, në vendlindje, të cilat, sipas tij, ishin terapia më e mirë kundër kësaj sëmundjeje.

Sipas të dhënave, fillimisht Naimi u emërua në Berat, ndërsa në periudhën 1874-1877 do të ushtrojë detyrën e nëpunësit në Doganën e Sarandës.

Në vitin 1881 Naimi u shpërngul përfundimisht në kryeqendrën e perandorisë, ku derisa vdiq në vitin 1900, punoi në Drejtorinë e Censurës në Ministrinë e Arsimit. Nga këtu ai u përpoq të ndihmonte atdhetarët shqiptarë për hapjen e shkollave shqipe. Madje, edhe licenca e shkollës që do të hapet nga motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi i dedikohet ndërhyrjes së tij tek autoritetet osmane.

Në vitin 1881 ai do të botojë veprën e dytë “Shpikjet dhe zbulimet”, e cila flet për shpikjet e kohës, nga mulliri dhe ora e deri tek elektriciteti, telegrafi dhe fotografia. Këto botime të iniciuara nga Sami Frashëri, nën modelin e botimeve franceze quheshin “libra xhepi”. Kjo për shkak të përmasës, stilit të shkrimit dhe prakticitetit.

Në të njëjtin vit Naimi do të botojë librin “Katër stinët”, përshtatje nga fëngjishtja, ku katër stinët e vitit janë paraqitur përmes dashurisë së dy të rinjve, dashuria e të cilëve ndryshonte me ndryshimin e stinëve.

Kjo është konsideruar si vepra më romantike e letërsisë shqiptare, pavarësisht se mendohet se ishte thjesht një përshtatje.

Në vitin 1884 Naimi botoi në gjuhën persiane përmbledhjen me vjersha “Ëndërrimet”. Këtu ai përfshiu 24 poezi lirike, të shkruara në periudhën 1873-1882.

Në vitin 1884 do të fillojë të botohet në Stamboll revista “Drita”, ku Naimi do spikasë për shkrimet e tij nga fusha e natyrës, shoqërisë, etj., por edhe për poezitë për fëmijë. Këto do të përmblidhen si tekste për shkollat fillore “Histori e përgjithshme”, Bukuresht, 1886 dhe “Dituritë”, Bukuresht, 1888.

Në vitin 1886 Naimi do të përkthejë nga greqishtja në gjuhën turke kapitullin e parë të kryeveprës parake “Iliada” të Homerit, duke u bërë kësisoj i pari përkthyes i kësaj vepre në Perandorinë Osmane. Këtë kapitull Naimi do ta përkthejë në vitin 1896 edhe në gjuhën shqipe.

Por Naimi nuk shkruante vetëm në shqip, osmanisht e persisht, por dhe në greqisht. Në vitin 1886 Naimi do të botojë në këtë gjuhë poemën lirike “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, botuar pastaj edhe në shqip në Sofje, në vitin 1904. Pas nëntë viteve, në 1895 Naimi do të botojë përsëri në gjuhën greke përmbledhjen me poezi “Dashuria”, (“O Eros”).

Në dhjetëvjeçarin 1885-1895 ai do të shkruajë e botojë çdo vit nga një libër me poezi, poema, vjersha, përkthime etj..

Derisa vdiq më 20 tetor 1900, Naimi do të botojë 22 libra, nga të cilat 15 në shqip, katër në osmanisht, një në persisht dhe dy në greqisht.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni