Nga Agim XHAFKA – Lul, pasoja topin Berishës se ai bën gol
Vendosa këtë titull me top futbolli nga që më datën 6 mars zhvillohen zgjedhjet për kryetarët e bashkive në 6 qytete.
Pra do kemi ndeshje mes të përzgjedhurve. Nuk kam synim të flas për programet e kandidatëve, por për një lajm që e kemi mësuar të gjithë.
Është e sigurt se më 7 mars kandidatët e Bashës në të gjithë zonat do dalin të fundit. E treguan anketimet e çdo krahu. Edhe ato që organizuan ‘specialistët’ simpatizantë të SHQUP-it.
Ndërsa diku dilte fitues Rama, diku Berisha, askund, po askund nuk i afrohej vendit të dytë pale të parit, kandidati i vulës së PD-së.
Rreshtohej i fundit.
Pritej kështu se Basha si humbës serial ngjall veç demotivim.
Që t’i kthehem titullit po shpjegoj se më datën 6 mars luan futboll e majta shqiptare me të djathtën shqiptare. Fiton ajo skuadër që bën një gol më shumë se kundërshtari. Pranohet nga të gjithë se qendërsulmuesa janë Berisha, djathtas dhe Rama, majtas.
Gjithë të tjerët organizojnë aksione me pasim topi te golashënuesit. Por djathtas ka ca vite që rreshtohet një futbollist mediokër, quhet Lul Basha, i cili topat që merr nga miqtë e tij i gjuan jashtë, për laraska thonë tifozët e nxehur.
Ai vetë, dhe ata pranë tij, do duhet që të pasojnë te Berisha. Ai është Mesi ose Ronaldo i ekipit. Di si gjuhet dhe di si bëhet goli. E ka treguar dhe tifozët mezi presin gjuajtjet e tij.
Fatkeqësi në se Basha ecën me taktikën e vjetër ‘bjeri t’i bijem’.
Do harxhojë kot lodhje e mund e në fund kupën do e ngrejë kundërshtari për meritë të Bashës.
Jemi disa ditë para votimit. Lul ke kohë, pasoje topin te Berisha! Dmth, largo nga gara kandidatët e tu.
Ata po të qëndrojnë i prishin punë ‘Foltores’, ama i ndreqin punë ‘Rilindjes’.
Pasoje topin te Berisha që t’i bëjë golin Ramës.
Ndryshe ti Lul më 7 mars do shënosh humbjen e 7-të si dhe talljen e shqiptarëve me 7×7=DËSHTIM.
Reflekto Lul, pasoje topin!