Nga Agim XHAFKA – Me fqinjin socialist te oborri i pallatit
Takova Ndrekon që në mëngjes. Jeton te pallati ngjitur, por njihemi prej vitesh. Kishte lexuar që shkruaj kundër qeverisë, pra u them njerëzve pse nuk duhet t’i votojmë më këta dështakë. Ka kohë që i dridhen duart dhe koka. Nuk ka mbushur ende 70 vjeç, mendojnë se ka parkinson.
– Më trego pse nuk duhet t’i votoj?-foli.
– I sheh ato pesë gropat atje në oborr, që në dimër bëhen liqene dhe baltë kudo?
– I shoh. Dhe?
– Kur Veliaj mori detyrën para katër vitesh kishim dy gropa.
– Po, e vërtetë, dy ishin. Dhe?
– Më the vjet se kishe një depozitë uji, tani i bëre dy. Nga që nuk të vjen uji si më parë, paçka se paguan dyfish.
– Ashtu është. Na rropi bashkia nga lekët. Dhe?
– Përballë ke një lokal që nuk të le të flesh deri në mëngjes. Njëqind herë ke shkuar në polici.
– Saktë. Kam shkuar e s’ma fërshëllen njeri. Dhe?
– Më kanë rrënbyer diellin, the para dy javësh. Mu tek dritarja e dhomës tënde po ngrihet një grataçielë e madhe.
– Po ngrihet një përbindësh thuaj. Dhe?
– Mes pallateve gjendej një lulishte. Tani atje u ngrit një hangar i madh. Do bëhet lavazh makinash.
– E di, e di. Dhe?
– Pensioni nuk t’u rrit as sa inflacioni, ilaçet po i merr nga Italia me miq e të njohur se ato që jepen këtu janë skarco.
– Ilaçe koti janë. Dhe?
Dhe unë nuk u ngjira më. Mbase tek njësia 8 në Tiranë votimet duhen bërë një herë në 100 vjet. Komunizmi për disa qenka si ai virusi i lopës së çmendur. Të kapka kollaj e s’të lëshon deri sa të të groposin në Sharrë.