Nga Alfred LELA – Dekomunistëzimi si kukamsheftas për ‘të djathtën e re’
Komunistët, kriptokomunistët, neokomunistët, dekomunistët. Kjo terminolgji është kaq e njohur për veshët. Në faza të ndryshme gjatë këtyre 31 viteve termat janë futur në qarkullim dhe stërpërdorur nga politikanë dhe tellallët e tyre.
Fakti që, 31 vjet pas rënies së komunizmit, ende flasim për dekomunistëzim, tregon se nismat kanë dështuar, por terminologjia ka mbetur. Kur nga betejat mbeten vetëm termat, dëshmon ose se lufta është humbur, ose ajo nuk ka qenë kurrë e njëmendtë.
Më shumë se për de mund të flasim për rikomunistëzim. Një deputet i së majtës në parlament e përdor hapur foton e diktatorit. Kur personazhe nacionaliste apo anti-komuniste përkujtohen, ka gjithmonë një parehati, një mërmërimë jomiratuese.
E gjitha është rezultat i një llogarie politike. Antikomunizmi ishte popullor vetëm në fillim të viteve ’90. Vendin e tij zuri ngadalë oportunizmi demokratikas dhe më vonë nostalgjia postkomuniste.
E djathta ligjëronte si anti-komuniste, por vepronte si puniste apo populiste. E majta nuk e shpalli, në asnjë rast, ndarjen publike nga Hoxha dhe Partia e Punës.
Nisma e një OJQ, mbështetur nga fondacioni gjerman Konrad Adenauer për dekomunistëzim, duke nisur me firmosjen e një peticioni, është mbështetur edhe nga Lulzim Basha. Të bësh peticione në opozitë dhe të mos bësh asgjë në pushtet është tallje publike.
Si kryebashkiak i Tiranës të paktën, Basha mund të kishte vepruar, qoftë edhe simbolikisht. Një përmendore e Antikomunistit të Panjohur apo të të Persekutuarit Anonim mund të bënte hije sot në Tiranë.
Jo se kjo do ta dekomunistëzonte shoqërinë, por të paktën do të sfidonte kaq shumë përkujtimore të komunizmit në qytet. Do të ishte një vend pelegrinazhi për sytë.
Por jo, sytë duhet të durojnë të përbetuarit e antikomunizmit në letër.