Nga Armand MAHO – Falsiteti i një karrigethyeri!
Këshilltarët e orientuan dhe një herë keq Bashën. Gjuha e trupit e përdorur për flakjen e karriges në takimin e stisur me të rinj në Durrës, si simbol i rrëzimit të kastave, ishte një spektakël amator, me regji të dobët që jo vetëm nuk bindte njeri por të linte një shije neverie . Një veprim populist që medemek synon të tërheqë pjesën gri të elektoratit, në një kohë kur sheh se kuotat e tij po shkojnë drejt hiçit.
Një miku im do më dërgonte këtë mesazh “ Ai fiks predikon të kundërtën e asaj që bën. Fluturon karrigen, ndërkohë që është ngjitur pas saj e nuk e lëshon edhe kur i shkojnë mijera demokratë në derë që i kërkojnë të të ikë nga ajo detyrë”
Ky është dhe thelbi i atij veprimi të kallauzit Basha që si përherë ka synim askundin. Thyerja apo flakja e karrigeve nuk është për politikanë të tipit të tij. Nuk është për njerëz që s’kanë bërë asnjë sakrificë politike në jetën e tyre për interesin e përbashkët.
Basha është unik në llojin e tij. Është ndoshta politikani më lexueshëm në planet. Nuk e ka problem që pa asnjë lloj emocioni të artikulojë atë që nuk e beson apo nuk e ka besuar kurrë
Është unik dhe për rekordet. Tashmë dihet se nën lidershipin e tij çdo beteje i dihet fundit që pa nisur akoma. Ai nuk e ka problem të shkelë mbi çdo parim, rregull kanun apo ligj kur i rrezikohet karrigia e tij.
Kush do ishte ai kryetar partie që do sakatonte në dru militantë dhe simpatizantë të partisë së tij se i kërkojnë dorëheqjen, pasi humb një palë zgjedhje (në fakt ai i ka humbur të gjitha) të cilat vetëm me “strategji” të tipit Basha mund të humbeshin.
Punuan pa fund që të rrëzonin Ramën, u shkoi djersa çurg që të bënin Bashën kryeministër. E besuan se do të fitonte. Kur kjo nuk ndodhi afërmendsh i kërkuan të lirojë karrigen e zyrës së tij, jo atë karrige të shtrembër e plastike që hidhte në takimin e Durrësit. Mirënjohja e e tij dihet tashmë….
Me çfarë fytyre del e predikon kur je po aq përgjegjës sa pushteti për gjendjen që po kalon vendi. Kur çdo ditë të del emri në afera nga më monstruozet. Kur të afërmit e tu shtojnë bizneset dhe të ardhurat si sheikë. Në praktikë Basha është ndoshta përgjegjës dhe ai për ikjen e të rinjve nga ky vend.
Me fake opozitën e tij ai jo vetëm që la në pushtet falangat e krimit të cilat nuk lanë këmbë të riu dhe resurs opozitar pa përzënë, por paaftësia për tu bërë faktor i vrau dhe shpresën se një ditë ky vend do bëhet. Kjo e bën po aq fajtor sa Rama në mos më shumë!
Duhet të dalë dikush ti thotë se këto lloj xhestesh janë për një stof tjetër politikanësh. Në mos idealistë me ngjyra dhe të ndershëm, së paku duhet të jenë mashtrues të një niveli të lartë.
Basha vërtet është gënjeshtar por gënjeshtrën pret dhe e qep aq trashë sa e çon në nivele skandaloze falsitetin e tij.
Gjashtë marsi është afër! Aty do e marrë përgjigjen dhe jo vetëm për karrigen që hodhi tej në Durrës!