GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Nga Astrit KOLA – Si rrezikoi Shqipëria zhbërjen para Kongresit të Lushnjes

Prania e ushtrive të huaja në territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas përfundimit të saj, krijoi shumë probleme politike dhe mundësoi intensifikimin e intrigave politike me frymëzimin e shteteve fqinje, krahas një situate të brendshme të destabilizuar prej politikanësh tradhtarë, arrivistë, injorantë dhe të papërgjegjshëm

Më 12 tetor 1918 Turhan Pashë Përmeti dhe përkrahës të tij, me anë të një memorandumi drejtuar Italisë theksonin se i njihnin Mbretërisë së Italisë, “në emër të popullit shqiptar”, të drejtën e një Protektorati mbi Shqipërinë.

Më 19 dhjetor 1918, në Tiranë u mbajt një mbledhje me qëllimin e përgatitjes së një Kongresi Kombëtar Shqiptar. Në vijim të saj, më 25 dhjetor, në Durrës u mbajt një mbledhje tjetër, e njohur me emrin famëkeq Kongresi i Durrësit, nga i cili doli Qeveria e Përkohshme e Durrësit, që si vendim të parë miratoi dhënien e Vlorës në favor të Italisë, ndërsa pjesën tjetër të vendit vendosi ta linte nën një protektorat ndërkombëtar.

Kongresi i Durrësit dhe “Qeveria e Durrësit”

Kongresi i Durrësit nuk u zhvillua me delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, dhe promovoi një qeveri të “Përkohshme”.

Mbledhja zgjodhi nënkryetar Pjetër Pogën, sekretar Mustafa Krujën, ndërsa si ndihmës/sekretar u zgjodh Lef Nosi, i cili “këndoi urdhnin e ditës që vijon, paraqitun prej z.z.Namik bej Delvina e Riza Dani, mbi formimin e nji Qeverie të Përkohshme”.

Kjo qeveri italofile deklaroi qartë se ishte për një “Protektorat italian mbi Shqipërinë”, si gjoja garanci politiko-ushtarake për moscopëtimin e mëtejshëm të saj në favor të Mbretërisë SKS dhe Greqisë, ndonëse në kundërshtim flagrant me interesat e shqiptarëve dhe me vendimet e Konferencës së Londrës (Konferencës së Ambasadorëve) të vitit 1913.

Sipas Qeverisë së Durrësit, (e cila në përfundim të Kuvendit që e themeloi hartoi dhe publikoi një proklamatë), Ekzekutivi i ri shqiptar i njihte Italisë të drejtën e ushtrimit të një Protektorati mbi Shqipërinë dhe njëkohësisht i linte nën administrim dhe pushtim ushtarak Vlorën dhe hinterlandin.

Madje për “t’ua bërë të qarta këto vendime të marra në emër të popullit shqiptar”, bash Fuqive të Mëdha të tubuara në Versajë,

Qeveria e Durrësit mandatoi si përfaqësues legjitim të shqiptarëve pranë Konferencës, një delegacion diplomatik të kryesuar personalisht nga vetë kryeministri Turhan Pasha.

Por vendimet dhe qëndrimet e Qeverisë së Durrësit u kritikuan dhe u kundërshtuan ashpër nga atdhetarët kombëtaristë shqiptarë, (ndër të cilët spikaste Ahmet Zogu), si vendime që konsumonin hapur një tradhti kombëtare, bazuar ndofta jo aq tek italofilia e vendimmarrësve, sesa tek perceptimi i gabuar i situatave politiko-diplomatike, tek mungesa e kurajos politiko-ushtarake dhe tek

dëshira për të zgjedhur të “keqen më të vogël”, nëpërmjet lëshimeve tokësore në favor të Italisë, si shkëmbim i mbështetjes së saj politiko-fi nanciare dhe ushtarake në terrenin shqiptar, “në kundërshtim me planet aneksioniste të trevave të synuara nga fqinjët tokësorë…”. Plane këto të artikuluara hapur në Versajë prej Venizellosit dhe Pashiqit.

Megjithatë, sipas Ahmet Zogut dhe përkrahësve të tij, (të cilët deklaruan hapur se do të luftonin deri në vdekje për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë tokë shqiptare dhe asnjë grimë sovranitet kombëtar dhe integritet territorial), mjaftonte teksti i proklamatës së miratuar në Kuvendin e Durrësit dhe qëndrimet italofile të Qeverisë së dalë prej tij, për të kuptuar se çfarë përfaqësonte ky kuvend dhe çfarë mund të arrinte kjo qeveri… Vendimet e së cilës më pas i kundërshtuan pothuajse të gjitha qarqet atdhetare, brenda e jashtë vendit, të cilat “goditën ashpër programin proitalian të Grupit të të 14-ve të Turhan Pashës”.

Sulmi tejet i ashpër i Ahmet Zogut, u pasua nga Sotir Kolea, Hilmi Këlcyra dhe Pandeli Cale.

Qeveria e Durrësit, bashkë me delegacionin që dërgoi në Paris, (kinse për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë), nuk bëri tjetër veçse ushqeu me argumenta “diplomatikë” Serbinë dhe Francën për të mbajtur padrejtësisht në Shqipëri trupat serbe, deri në rrezikimin e copëtimit të saj.

Pushteti i qeverisë së Durrësit, qysh në ditët e para të tij, dukej që nuk ishte i konsoliduar.

Kur çështja e Shqipërisë po bisedohej në Konferencën e Paqes, pushteti i qeverisë në fjalë paraqitej gjithnjë e në rënie. Madje në disa qytete të Shqipërisë së Mesme u bënë përpjekje për rrëzimin e qeverisë. Të tjera përpjekje u bënë edhe në Tiranë, ndonëse qeveria donte të tregonte se ishte e vendosur për të mos e lejuar një gjë të tillë.

Marrëveshja e 20 gushtit 1920 e Qeverisë së Durrësit me këshilltarin e Legatës Italiane Markezin Carlo Durazzo dhe kolonelin Bartolomeo Vincenti, solli dobësimin e mëtejshëm të pozitave politiko-morale të qeverisë në sytë e mbarë popullit.

Sapo mësoi se atdhetarët po dëshironin të bënin një Kongres në Lushnje, Qeveria e Durrësit u përpoq ta pengonte këtë kongres.

Situatën e pritshme në Lushnje nuk mund ta pranonte një pjesë e grupit që rrezikohej nga vendimet e pritshme të Kuvendit të saj.

Në mes të dhjetorit 1919, një grup nismëtar i lidhur me organizatorët kryesorë të kongresit të Lushnjes iu drejtuan me një thirrje të gjitha bashkive, për të zgjedhur nga 2 delegatë për çdo nën/prefekturë, për të zhvilluar një kongres kombëtar në muajin janar 1920.

Më 31 dhjetor 1919, komisioni në fjalë formuloi thirrjen dhe programin, të cilat ia dërgoi gjithë bashkive të vendit, duke shpallur si qëllim kryesor “sigurimin e bashkimit kombëtar”.

Kryetari i bashkisë së Lushnjes Besim Nuri, nën/prefekti Veli Vasjari dhe komandanti i Xhandarmërisë Meleq Frashëri ishin tërësisht në mbështetje dhe në mbrojtje të Kongresit, ndonëse u shpallën të shkarkuar nga funksionet e tyre nga Qeveria e Durrësit pas propozimit të prefektit të Beratit Bexhet Kumbaro, por vendimi nuk arriti të zbatohej.

Nikollë Ivanaj, duke u shprehur hapur kundër mandatit italian mbi Shqipërinë në vitin 1920, në kujtimet e tij thekson: “… Nga nji pjesë e diplomacie së huej (që e dojshin Shqipniën të lirë), e kishe kuptue se ishte nevoja e domosdoshme që populli shqiptar të shfaqet sheshasi kundra çdo mandati të huej. Përndryshe indipendenca shqiptare vdiste. Dhe prandej qysh në tetorin e vitit 1919, nga Parisi, i lajmova mbi çka lypet me ba disa miq patriotë, nga ata që ishin për vetëqeverimin e plotë të Shqypniës: Ahmet Zogun, Aqif Pashë Elbasanin, Sotir Pecin…”.

Rreziku i copëtimit të Shqipërisë

Më 22 qershor 1919 u nënshkrua Traktati i Versajës midis Antantës dhe Gjermanisë, që sanksionoi disfatën e kësaj të fundit dhe të Bllokut Qendror, ku bënte pjesë edhe Austro-Hungaria. Por ky traktat vendosi që ushtritë aleate të qëndronin në Shqipëri derisa fati i saj të caktohej nga Konferenca e Paqes, që do të mbahej në Paris.

Qysh në fillim u pa qartë se kjo konferencë “paqeje” do të zbatonte Paktin e Fshehtë të Londrës për copëtimin e trojeve shqiptare.

Më 29 korrik 1919, Italia dhe Greqia nëpërmjet traktatit Tittoni–Venizellos vendosën aneksimin në favor të Greqisë të Korçës dhe Gjirokastrës, ndërsa Italisë i njihej e drejta e mandatit zotërues të pjesës tjetër të Shqipërisë.

Në shtator 1919, Niti i propozoi Titonit që të binte dakord me Pashiqin për një ndarje të Shqipërisë së mbetur (pra pa Korçën dhe Gjirokastrën), midis Jugosllavisë dhe Italisë. Këtë plan kriminal më 13 Janar 1920 e miratuan edhe Llojd Xhorxhi e Klemanso (kryetari ky i Konferencës si vend organizator), dhe më pas edhe Milerandi, (që zëvendësoi Klemansonë në postin e kryeministrit të porsazgjedhur të Francës dhe në atë të kryetarit të Konferencës).

Me anë të memorandumit të 10 janarit 1920, Italia i kërkoi Lidhjes së Kombeve mandatin për administrimin e shtetit shqiptar. Në memorandum delegacioni italian parashtronte që “… kufijtë shqiptarë në Veri dhe në Lindje, të jenë ato që kanë qenë caktuar në Konferencën e Londrës, ndërsa kufiri jugor i Shqipërisë të jetë objekt shqyrtimi”, me shpresën e realizimit të Paktit Titoni-Venizellos si karrem i sigurimit të ndihmës së Greqisë për planin italian të aneksimit të territoreve shqiptare.

Ministri i Jashtëm italian, Niti, e pranoi këtë formulë kompromisi, me kusht që Italia të mbante Vlorën dhe të siguronte edhe mandatin për administrimin e Shqipërisë. Por të gjitha këto plane i hodhi në erë Presidenti amerikan Uillson.

Diplomati britanik Lari Uodëll shkruan se “faktori kryesor që e shpëtoi Shqipërinë nga coptimi përfundimtar ishte veprimi i vetë shqiptarëve në mbrojtje të vendit të tyre. Duke mos gjetur mbështetje tek ‘paçebërësit’ e Parisit, udhëheqësit shqiptarë formuan një qeveri në Janar 1920 dhe u ngritën e dëbuan nga vendi të gjitha ushtritë e huaja”.

Dhe në krye të “veprimit” të shqiptarëve, pra në krye të aksionit politiko-ushtarak për mbrojtjen e vendit ishte bash Ahmet Zogu.

Në librin “Problemet e shqiptarëve gjatë Konferencës së Paqes 1919-1920”, 1978, faqe 480, Robert Lari Uodëll shkruan se “Në optikën e Fuqive të Mëdha, një Shqipëri e pavarur do të ishte një qenie e padëshirueshme dhe se pikërisht për këtë arsye duhej të bëhej coptimi i saj midis Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë, duke ruajtur një pjesë të Shqipërisë së Mesme, me një pavarësi nominale, nën kujdesin e një Fuqie të Madhe”.

Konferenca e Paqes që i mbylli punimet më 10 prill 1920, përveç hartës politike të vitit 1913, i dha Italisë të drejtën për të mbajtur nën zotërim Vlorën dhe rrethinat e saj, dhe, njëkohësisht, edhe një mandat special për zgjerimin e trevave nën sundimin italian, në rast të një coptimi të vendit midis shteteve fqinje.

Në qëndrimet e dyzuara të politikës dhe diplomacisë italiane ndaj Shqipërisë, sipas Pastorelit, në faqen 407 të veprës “Shqipëria në politikën e Jashtme italiane 1914-1920”, diplomatët dhe shtetarët më të rëndësishëm italianë: Sonino, Xholiti, Sforca, San Xhuliano dhe Orlando – ishin për një Pavarësi të Shqipërisë, por gjithmonë nën ndikimin e fortë të Italisë, si urë e ekspansionit të saj në Ballkan. Ndërsa Titoni, Niti dhe Shaloja – kanë qenë për coptimin e saj.

Nikollë Ivanaj për Zogun

“Mbas ndërhymjes me forcë të Ahmet Zogut, ndërhymjen e të cillit, në tokë të Shqipniës Lirë – e përkrahi fort vetë populli shqiptar, tue dalë faqebardhë me Kongresin e Lushnjes dhe Epopenë e Vlonës, me të cillat edhe njiherë dhe definitivisht shpëtoj dhe u sigurue Shqipnija vetëqeverimtare”.

Kongresi i Lushnjes shpëtoi Shqipërinë

Pasi lajmëroi patriotët shqiptarë dhe pasi vendosi që Kongresi i Lushnjes të bëhej me shpejtësi, brenda tre javësh, Ahmet Zogu menjëherë shkoi në Mat, ku rrufeshëm organizoi forcat e armatosura, me të cilat do të marshonte drejt Lushnjes dhe do të mbronte Kongresin.

Tashmë për Zogun ishte e qartë se, pa një vendim dhe veprim politik të menjëhershëm, rrezikoheshin të coptoheshin edhe trojet e mbetura nga Konferenca e Londrës e vitit 1913.

Qysh në fillim Zogu bëri të ditur se nuk do t’i njihte kurrfarë autoriteti Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, e jo më të njihte vendimet e saj për t’i lënë Italisë qytetin e Vlorës dhe rrethinat, dhe për ta bërë Shqipërinë Protektorat Ndërkombëtar, në një kohë që Lufta e Parë Botërore kishte mbaruar; grekët mbanin Korçën dhe Gjirokastrën, italianët Vlorën dhe ultësirën bregdetare, ndërsa serbët kishin pushtuar Veriun dhe synonin të merrnin Shkodrën.

Faik Konica për Zogun

Ja si e vlerësoi Faik Konica aksionin politiko-ushtarak të Zogut, që nga Viena e deri në Lushnje: “Ahmet Zogu mbeti në Vjenë deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore, ku punonte për Shqipërinë, dhe këtu Ai filloi të kristalizojë në mendjen e Tij planin për një shtet të qëndrueshëm, me një politikë kombëtare shqiptare. Pasi u kthye Zogu në Shqipëri, e gjeti atdheun të coptuar nga lufta dhe në një anarki e kaos politik. Ky diti që të përdorte në shërbim të Atdheut 2 mijë malësorët që ishin gati ta ndiqnin në çfarëdo lufte në të mirë të Shqipërisë. Me iniciativën direkte të Zogut dhe të disa patriotëve të tjerë, për datën 21 janar 1920 u thirrën delegatë nga e gjithë Shqipëria, që të mblidheshin në Lushnje në një Kongres Kombëtar. Zona e Lushnjes bashkë me Vlorën e vise të tjera ishin të pushtuara nga italianët, prandaj detyra kryesore ishte sigurimi i këtij Kongresi. Të vetmet forca shqiptare në mbrojtje dhe në shërbim të këtij evenimenti të rëndësishëm ishin matjanët, që udhëhiqeshin nga Zogu…”.

(Faik Konica “Shqipëria: Kopështi…”, Tiranë 1993, faqe 508-509).

Zogu merr në dorë situatën

Teksti i protestës që delegacioni do të parashtronte në Konferencën e Paqes, u hartua nga Ahmet Zogu dhe ishte si më poshtë vijon: “Asambleja Kombëtare Shqiptare e mbledhur në Lushnje, proteston kundër vendimit, i cili dënon një shtet neutral si Shqipëria, një nga kombet më të vjetra të Evropës, që të kënaqë orekset imperialiste të qeverive të vendeve fqinje. Kjo Asamble kërkon njohjen e një Pavarësie të plotë të Shqipërisë, me kufij etnikë e natyralë shqiptarë, të tillë që të riparojnë padrejtësitë që i janë bërë asaj nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878 dhe nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1913. Asambleja Kombëtare ka

vendosur të mos pranojë asnjë mandat ose protektorat të huaj në Shqipëri, dhe s’ka pretendim tjetër veçse atij që Shteti e Kombi Shqiptar të mbeten në vendin që u takon në gadishullin e Ballkanit, duke u dhënë fund, njëherë e mirë, mizorive të cilave u është ekspozuar nga jashtë, si dhe të jetojë në paqe e harmoni me fqinjët. Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo sakrificë, bile të derdhin edhe pikën e fundit të gjakut kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik Pavarësinë dhe tërësinë e tyre kombëtare”.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni