GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Enton ABILEKAJ – Protesta që prishi planin e vrasjes në heshtje të opozitës

Ishte e qartë që Samiti i 6 dhjetorit nuk do të lejohej të ishte një shërbim për vendin apo për rajonin. Paqartësia ishte pse u zgjodh Shqipëria për të mbajtur Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Për meritë apo për fat, për interesa gjeostrategjike, apo për mbështetje të qeverisë, cilado të jetë arsyeja, 6 dhjetori, paqartësisht u bë një datë e rëndësishme për Shqipërinë, për interesin kombëtar, për influencën rajonale dhe për optimizmin e shqiptarëve në ikje e sipër.

Qartësisht ndodhi që gjykata e Apelit, ia mbivendosi ose më mirë nënvendosi Samitit, vendimin e rëndësishëm për pronësinë e emrit të partisë më të madhe të opozitës. Vendimi i njoftuar në 3 nëntor, 9 ditë përpara protestës së opozitës, u shty 2 herë, që të mos karikonte protestën. Data e zgjedhur me mjeshtri nga shefi i vërtetë i gjyqësorit, ishte 6 dhjetori, kur askush nuk mund të dalë në rrugë nga Tirana deri në Rinas, kur e gjithë vëmendja do të jetë tek Samiti dhe pak te kampionati Botëror dhe ngjarjet e vogla me kontekst lokal do të sfumoheshin.

Ngjarje të vogla si gjyqi për të emëruar opozitën, që Kryeministri po e drejton vetë. Kështu e kishte menduar pushtetari absolut; ditën që gjithë Europa kontinentale do zbriste në Tiranë, ta përdorte për të instaluar në heshtje, një tjetër element të regjimit, emërimin e opozitës. Shpallja e datës 6 dhjetor si ditë e protestës, ishte pikërisht ajo që nuk pritej. Jo se prishi planin e Ramës për të asgjësuar opozitën në heshtje, por sepse, një lider i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, një lider që shpresën për sadopak mbështetje ndërkombëtare e ka tek vendet e Europës Kontinentale ose te Bashkimi Europian, duket sikur ka vendosur të vërë në diskutim sigurinë e liderëve në Tiranë.

Masat e sigurisë do të jenë të nivelit shumë të lartë, shërbimet inteligjente por edhe forcat policore të BE do të jenë në Tiranë për të garantuar sigurinë e Samitit në një vend të sulmuar kibernetikisht nga Irani, lëvizja e qytetarëve do të ndalohet në gjithë akset e rëndësishme, Tirana do paralizohet tërësisht. Ky plan perfekt i sigurisë, do të rrezikohet nga protesta e opozitës. Alarmi që Ambasada e SHBA ndez sa herë ka protesta, do të ndizet këtë herë nga Brukseli, por edhe nga Berlini, Parisi, Roma dhe Madridi. Shqetësimi për sigurinë do të shtohet bashkë me forcat e huaja, ndërsa rreziku që të ketë përplasje mes protestuesve dhe policisë do të jetë shumë i lartë. Kjo edhe sepse protesta nuk do të ketë leje për arsye sigurie. Berisha duket se i ka menduar këto përpara se të shpallë datën e protestës.

Ndezja e alarmit, shqetësimi për sigurinë, përplasja me Policinë, kur të gjithë liderët dhe të gjitha kamerat perëndimore do të jenë në Tiranë, do ta amplifikojnë protestën e opozitës më shumë se të gjitha protestat së bashku, do ta shtrojnë si çështje alarmante emërimin e opozitës më shumë që gjithë misionet diplomatike që zyrtarët e PD-së kanë bërë ose mund të bëjnë në Perëndim, do ta eskpozojnë Edi Ramën më shumë se gjithë lajmet, kronikat apo intervistat e deritanishme.

Efekti i protestës, përmasat ndërkombëtare që rrezikon të marrë ajo, përpara alarmit europian, ndezi alarmin e Rilindjes.

Ministra e deputetë, sekretarë dhe gazetarë kanë dalë të alarmuar për protestën e opozitës. Po akuzojnë Berishën si shërbëtor të Kremlinit, “Partinë e Rublave” si mercenare të Putinit, se po prish festën e madhe të 6 dhjetorit. Argumenti prej pushtetari absolut se protesta prish imazhin e Shqipërisë, tregon vetëm se vendimi i Berishës për të protestuar në 6 dhjetor, e ka shndërruar ditën e krenarisë së Ramës në një ditë frike, që nënvendosja që Rama tentoi t’i bënte vjedhjes së opozitës me gjykatë, shkaktoi mbivendosjen që protesta do t’i bëjë spektaklit që ai ka organizuar, që përdorimi i Samitit për të larë hesapet me opozitën, zhvendosja e tematikës së Samitit në temë kombëtare, mund të jetë dita më e keqe për diskretitimin e regjimit.

Imazhet e protestave, ndonjëherë të dhunshme, që shoqërojnë Samitet e vendeve të mëdha në Perëndim, këtë herë do të xhirohen nga Tirana. Ndryshimi është se protestuesit do të jenë pro Samitit dhe kundër vetëm një personi.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More