- SPONSOR -






- SPONSOR -

Nga Enver BYTYÇI – Karma që do t’i kthehet si bumerang Edi Ramës!

“Karma është kurvë”, i tha kryeministri më i korruptuar në të gjitha vendet europiane presidentes së Parlamentit Europian. Edi Rama foli në panelin e Politico në Forumin e Cras Montana-s të Zvicrës javën e kaluar. U duk se këtë fjali cinike ia drejtoi të pranishmëve, por në fakt aty ishte presidentja e PE-së, Roberta Metsola, dhe ai e etiketoi drejtpërdrejt atë, si dhe Parlamentin Europian, edhe pse zonja Metsola është një nga mbështetëset më të spikatura të zgjerimit. Shkak i kësaj është skandali i Qatargait, në të cilin janë përfshirë disa eurodeputetë. Por jo vetëm kjo!

Edi Rama me këtë stil hoxhist mbron korrupsionin e tij galopant dhe arrogancën që buron nga ky korrupsion

Arsyeja e këtij pohimi përçmues anti-europian është përkrahja që parlamenti europian ia dha Kosovës dhe paralajmërimet e tij ndaj Serbisë! Gjuha e Edi Ramës është gjuhë e egër, cinike, dashakeqe, e sëmurë, madje ngjitëse dhe e rrezikshme për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Është gjuhë e dasive, urrejtjes, hakmarrjes, dhunës dhe fyerjes edhe me partnerët dhe miqtë e Shqipërisë. Kjo vjen për arsye se ai i ka prioritet interesat e tij personale të pushtetit dhe pasurisë, e jo ato të shtetit, shoqërisë dhe kombit shqiptar.

“Karma është kurvë”, thotë Edi Rama në një event nga më të rëndësishmit në planet, përpara kamerave të sa e sa vendeve. Dhe këtë sarkazmë cinike të tij e transmetojnë live me entuziazëm ekranet tona televizive, si për t’u thënë shqiptarëve se “E shihni se si komandanti ynë përballet me Europën”!

Krahasimi është i njohur – Ka të bëjë me fjalimin e Enver Hoxhës të vitit 1960 në Moskë! Por dihen pasojat e një gjuhe të tillë edhe ndaj Perëndimit, të cilën e përdorte diktatori shqiptar! Por, ndërsa Enver Hoxha mbronte ideologjinë e tij staliniste, Edi Rama me këtë stil hoxhist mbron korrupsionin e tij galopant dhe arrogancën që buron nga ky korrupsion. Ndërkaq gazeta e Beogradit “Blic” e së shtunës së kaluar ka zbuluar edhe diçka tjetër. Se karma e Edi Ramës na qenka qëndrim politik i kryeministrit të Shqipërisë në mbrojtje gjithashtu të Serbisë së Aleksandër Vuçiç. Në këtë kuptim shihet qartë se karma e Edi Ramës i flet në anglisht Serbisë! Se kryeministri i Shqipërisë ndërsa natën fle në Beograd, ngrihet në mëngjes për të goditur pas shpine Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndryshe nuk kishte asnjë arsye pse media e Vuçiqit, Blic, të heroizonte kryeministrin e Shqipërisë. Që në krye të artikullit thuhet se, “se Edi Rama vuri në dukje hipokrizinë e BE-së në Davos, ‘adresa’ kryesore e tij ishte kryetarja e Parlamentit Europian”. Dhe më tej gazeta e Beogradit shkruan për guximin e Edi Ramës për të thënë se nëse do ishin këto kushtet e pranimit në BE, gjysma e vendeve anëtare nuk do të ishin integruar! Një karshillëk ky i tipit Putin e Vuçiq së paku ndaj gjysmës së vendeve të Bashkimit Europian!

Vërtet askush nuk e di pse duhet ky karshillëk dhe çfarë mirësie i vjen Shqipërisë nga kjo?! Duke mos gjetur arsye pro-shqiptare, gazeta Blic e Beogradit na kujton të vërtetën e hidhur: – Fjala e Edi Ramës në Davos i sjell dobi Serbisë! Gazetat e Beogradit jo rrallë hapen me lëvdata për kreun e ekzekutivit të Shqipërisë, ndërkohë që ato denigrojnë dhe etiketojnë me terma fyes dhe shpifës për Albin Kurtin, Madje këtë të fundit e kanë quajtur edhe “terrorist”, njësoj siç edhe Putin ka etiketuar Zelensky-n në Ukrainë. Prandaj dhe fjala e Ramës e qëndrimi i tij në Davos, përveçse shpreh një të vërtetë në lidhje me avokatinë e Edi Ramës ndaj Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, synon njëkohësisht të ngjizë idenë fikse të Beogradit, sipas të cilit “Shqiptarët e Shqipërisë janë engjëjt, ndërsa ata të Kosovës janë djajtë, me të cilët nuk merresh dot vesh”!

Kjo thjesht për faktin se beteja e Serbisë zhvillohet në Kosovë dhe për Kosovën. Ajo nuk ka asnjë problem dhe pretendim ndaj Shqipërisë. E megjithatë kryeministri i Shqipërisë bëhet eksperiment për tezat anti-shqiptare serbe. Ndërkaq nuk mund të kalohet fakti se Shqipëria është vendi më i korruptuar i Europës. Ajo renditet e 110-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, poshtë Afrikës së Jugut, Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Gazeta “Blic” e Beogradit e ilustron shkrimin për Edi Ramën me një foto të tij së bashku me presidentin Vuçiq, një përdorim ky i përhershëm për medien serbe, me qëllim që të krijojë perceptimin publik në Serbi se “Lidershipi serb është në rrugë të mbarë dhe në të drejtën e vet, përderisa merr përkrahjen dhe avokatinë e kryeministrit të Shqipërisë”! Është ky një truk elektoral për përdorim të brendshëm politik, me të cilin presidenti serb synon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik në funksion të pushtetit të tij. Kësisoj të dy palët kujdesen të mbajnë njëri-tjetrin në pushtet.

Por një gjë është e sigurt: – Në momentin që do të hapen arkivat e marrëveshjeve sekrete dhe bisedave po ashtu diskrete midis Vuçiqit dhe Edi Ramës, bashkëpunëtorët e mëhershëm në histori të Serbisë do të na duken ne shqiptarëve si “heronjtë” tanë. Sepse marrëdhënia anti-shqiptare dhe sidomos anti-Kosovë e Edi Ramës me presidentin e Serbisë është aq e thellë dhe e pabesë, sa askush sot nuk do të mund ta konceptonte. Dhe atëherë do të shihnim shumë qartë se vërtet “Karma është kurvë”!