GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Erion DASHO – Ky është shteti yt i kalbur, Borat! Urdhërohet të pezullohen analizat

Teksti i mëposhtëm është marrë nga një dokument zyrtar me firmë dhe vulë. I drejtohej dje mjekëve të familjes dhe poliklinikave të një rrethi ku u kërkohet të pezullojnë analizat për pacientët për pjesën e mbetur të muajit mars (pothuajse 2 javë).

Jo vetëm kaq! Edhe mjekëve të urgjencës u kërkohet që të triazhojnë pacientët dhe të dërgojnë për analiza vetëm pacientët në gjendje të rëndë!

Për pacientët e shtruar në spital urdhri kërkon që “të kufizohen ekzaminimet laboratorike të panevojshme”!

Ndërsa dy urdhëresat e para janë kriminale në natyrë pasi i privojnë pacientët nga një ndërhyrje që mund të bëjë diferencën midis jetës dhe vdekjes, urdhëresa e tretë tregon se sistemi shëndetësor ka falimentuar!

Vetëm klarinetistët dhe kimistët që drejtojnë prej 9 vjetësh sistemin shëndetësor mund t’u kërkojnë mjekëve të shmangin ekzaminimet e panevojshëm! Çfarë do të thotë “ekzaminim i panevojshëm”??!! A ka protokolle ky shtet dhe ky sistem shëndetësor apo punon qesim si në shekullin e 19-të??!!

Nëse mjekët dhënkan “ekzaminime të panevojshme”, a ka kontroll cilësie dhe sigurie të pacientit?! A ka kontroll për mënyrën se si shpenzohen burimet financiare të cilat edhe në sistemet më të pasura shëndetësore trajtohen me vëmendje maksimale?!

Kur mjekët dhe specialistët e menaxhimit shëndetësor flisnin për rrezikun që vinte nga PPP-ja e laboratorëve, askush nuk e mendoi se situata do të arrinte deri në këtë pikë! Ata mjekë që marrin urdhra të tillë kanë vetëm dy zgjidhje:

1. Ose të dorëzojnë vulën e mjekut dhe përparësen e bardhë!

2. Ose të paraqiten pranë prokurorisë për të denoncuar drejtuesit xhahilë dhe halldupë!

Ndërkohë pacientët të cilëve së shpejti do t’u vijë një mesazh për t’i njoftuar se ekzaminimet e planifikuara për muajin mars do të shtyhen për në muajin prill, kanë vetëm një zgjidhje: Protestën!!!

Ky është shteti yt i kalbur Borat! Kjo është shëndetësia jote e falimentuar!

Mjaft me bojatisje dhe mbjellje bari! Nëse nuk u garanton dot shqiptarëve një shëndetësi të shekullit të 21-të, të paktën mos i degdis në shekullin e 19-të…


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More