Nga fantazma e Lady Diana te fantazma e Elizabeth I: historitë më rrëqethëse në oborrin e Windsor

Rrëfimet më rrëqethëse me fantazma “royal” që u endërkan nëpër sallat e Pallateve Mbretërore, e që prishin qetësinë e familjes mbretërore britanike
“Nëna ime miraton gjithçka që bëj, na mbështet në gjithçka”, do t’i kishte thënë Princ Harry një miku, duke specifikuar se fantazma e Lady Dianës i paskërka “komunikuar” mendimet e saj Meghan Markle. Dukesha e Sussex pra qenka në kontakt me vjehrrën e saj të ndjerë. Delirium? Gënjeshtër e thënë për të rifituar popullaritetin e humbur? E pamundur të tregohet. Kjo rrëfenjë shumë e çuditshme dhe krejtësisht e pabesueshme, megjithatë, nuk është origjinale. Historia e royal family britanike është plot me legjenda dhe bestytni rrëqethëse, por magjepsëse për mbretërit dhe mbretëreshat, shpirti i të cilëve nuk iu dorëzonka vdekjes së trupit dhe që vazhdojnë të enden nëpër dhomat e Pallateve Mbretërore.
Atëherë kur fantazma e Elizabetës I iu shfaq Elizabetës II
Legjenda thotë se Kështjella Windsor është banesa e preferuar e fantazmave royal. Me pak fjalë, më e ‘shkelura’, me 25 episode të supozuara të pranive të regjistruara në më shumë se 900 vjet që nga ndërtimi i banesës. Shpirtrat e Elizabetës I, Henry VIII, George III akoma do të endeshin nëpër sallat e saj, në kërkim të diçkaje që nuk është shumë e qartë. Është Mirror ai që raporton një anekdotë kurioze: Mbretëresha Elizabet dhe Princesha Margaret do ta kishin perceptuar “shpirtin” e paraardhëses të tyre, Elizabeth I, në bibliotekë. Në lidhje me këtë, faqja e internetit Visit Britain tregon: “Hapat e [Mbretëreshës] mund të ndjehen në dërrasat e dyshemesë, përpara shfaqjes së pranisë së jashtëzakonshme”. Mesa duket biblioteka do të ishte vendi i preferuar i shpirtit të sovranes së famshme. Nga ana tjetër, dhoma poshtë saj, do të ishte pushtuar nga fantazma e Xhorxhit III, Mbretit të Çmendur. Nuk do të ishte rastësi: në fakt, në vitet e fundit të jetës së tij, monarku ishte mbyllur pikërsht në këtë dhomë. Ka nga ata që pretendojnë se e kanë parë frymën e tij teksa e përshkruajnë teksa “shikon jashtë dritares me nostalgji”. Në kështjellën Windsor madje dikush do të kishte parë edhe fantazmën e Henry VIII, duke çaluar për shkak të problemeve të shumta në këmbën e tij nga të cilat vuante sa ishte gjallë.
Kufomat e Charles I dhe Henry VIII
The Mirror kujton edhe një anekdotë në të cilën nuk janë protagonistë fantazmat, por diçka që po aq e keqe, e zymtë dhe që shpreh kureshtjen e të gjallëve ndaj një eventi aq të panjohur aq edhe të frikshme si vdekja, mbretëria e botës së përtejvarrit të cilës do t’i përkisnin shpirtrat e fantazmave: një ditë mbreti George IV dhe mjeku i tij Sir Henry Halford do të shkonin në kapelën e Shën Gjergjit (në Windsor) për të hapur varret e Charles I dhe Henry VIII dhe për të parë se në çfarë gjendje ishin trupat. Halford, me lejen e Xhorxhit IV, madje bëri edhe një portret të fytyrës së mbretit Charles I, i cili tani është i varur në Galerinë Kombëtare të Portreteve. Por nuk mbaroi me aq: duket se pas hapjes së arkivoleve, i gjori Charles do t’i kishte “çaplyer” sytë. Asgjë paranormale, shkaku është thjesht ndryshimi i papritur i presionit. Mirëpo rezultati, është ende një tronditje tmerruese. George IV madje do ta kishte lejuar mjekun t’i hiqte rruazat e qafës së sovranit. E të kishte qenë mbretëresha Viktoria, e neveritur dhe e frikësuar, që dha urdhrin për të rivarrosur atë suvenir makabër.
Fantazma “pa kokë” e Ana Bolenës
Historia e Anne Bolenës është shumë e famshme. Ajo u akuzua për tradhti të lartë dhe u dënua me ekzekutim. Populli e konsideronte një uzurpatore, një grua të korruptuar dhe një shtrigë. Ana, natyrisht, nuk ishte asgjë nga këto. Në të vërtetë, ndoshta vdekja e saj u orkestrua nga Mbreti, i cili nuk e donte më dhe donte të hiqte qafe atë grua të martuar si një akt rebelimi kundër Kishës Katolike (në origjinën e përçarjes nga e cila lindi Kisha Anglikane) dhe e cila nuk pati mundur t’i jepte trashëgimtarin e shumëpritur mashkull (Bolena, megjithatë, lindi Elizabetën I: provë e gjallë që Henriku VIII kishte një mendim të gabuar për aftësinë dhe fuqinë e femrës). Anna, sipas ligjit, duhej të digjej në dru, por sovrani e ndryshoi dënimin me prerje koke dhe urdhëroi që të mos përdorej një armë dosido, por një shpatë, armë e konsideruar më fisnike, pra “adekuate” për t’i sjellë vdekjen një bashkëshorteje mbretëreshë. Bolena vdiq në Kullën e Londrës, Tower of London, më 19 maj 1536. Që atëherë, në çdo përvjetor të ekzekutimit të saj, fantazma e Anës do të shfaqej në Blickling Hall, vendlindja e saj. Në faqen e internetit National Trust mund të lexojmë: “Kur bie nata, fantazma e Anne Bolenës, me kokën e saj [mbështetur] në prehër, vrapon rreth pronës me një karrocë të drejtuar nga një kalorës pa kokë. Në momentin që karroca arrin para rezidencës, ajo zhduket. Sipas traditës, kur lajmi për vdekjen e Anës arriti në Blickling Hall, më 1536, katër kuaj pa kokë u panë duke tërhequr zvarrë trupin e një njeriu pa kokë nëpër Norfolk.
Një mister 540-vjeçar: princat e vegjël të burgosur në Tower of London
Çfarë ndodhi me të voglin Eduard V (13 vjeç) dhe të vëllanë Richard Plantagenet I, Dukë i Jorkut (9 vjeç) pas vdekjes së babait të tyre, Eduardit IV, më 1483? Dimë se xhaxhai i tyre, Richard III, Duka i Gloucester-it, i pati mbyllur në Kullën e Londrës, Tower of London, për të eliminuar pengesën e vetme mes tij dhe fronit. Megjithatë, pak dihet se çfarë ndodhi më pas. Askush nuk i pa më fëmijët. Është e pamundur të thuhet se kur dhe për çfarë shkaku vdiqën. Hipoteza më e pranuar thotë se vëllezërit e vegjël vdiqën në Tower of London dhe të gjitha dyshimet bashkohen te Riccard. Më 1674, nën një shkallë në kullë u gjetën të varrosur dy skelete, ndoshta që u përkisnin vëllezërve të vegjël. Mbretëresha Elizabet, falë ADN-së, mund t’i kishte dhënë një zgjidhje kësaj enigme shekullore, por ajo refuzoi të jepte leje për të hapur kriptet mbretërore që përmbanin eshtrat. Mbreti Charles III, nga ana tjetër, do të kishte “një tjetër këndvështrim” për këtë çështje dhe do të donte ta jepte pëlqimin për analizat. E në pritje të së vërtetës, duket se fantazmat e vëllezërve vazhdojnë të enden në vendin e burgut. Më 2017, bëri bujë një foto e bërë nga një grua, Mary Ryan, pikërisht në Tower of London: pas saj ishte fytyra e një fëmije. Sipas të resë, do të ishte fantazma e Eduard V. Nuk ka asnjë provë konkrete për ndonjë shfaqje të raportuar përgjatë historisë. Ndërkohë që imazhe të atij lloji, mund të merren në shumë mënyra, madje edhe gabimisht (në të kaluarën dikush bëri një gjë shumë banale: mbivendosi dy imazhe. Kështu pra, në disa raste, mbivendosja ka qenë e pavullnetshme, një gabim. Por asgjë mbinatyrore).
Ekzorcizmi kundër fantazmës së Lady Dianës
As shpirti i Zonjës Dianës nuk do të gjente qetësi, por do të preferonte të endej nëpër korridoret e rezidencës familjare të Althorp, ku u rrit dhe u varros. Madje, ka nga ata që mbështesin hipotezën, pa ndonjë bazë konkrete, se varri i vërtetë i Dianës ndodhet në kishën e St. Mary The Virgin, Shën Mërisë së Virgjëreshës, ku fantazma e saj vazhdon të shfaqet. Sipas legjendave, fantazma e princeshës madje ka shqetësuar edhe mbretëreshën Elizabet në Sandringham, 2001. Madje, sipas vëllimit të dytë të ditarëve të gazetares Kenneth Rose, Madhëria e Saj do të kishte kërkuar të kryente një “rit”, një lloj ekzorcizmi për t’i “rikthyer qetësinë” Pallatit, në prani të Nënës Mbretëreshë dhe të zonjës Prudence Penn. Ngjarja e çuditshme përshkruhet kështu: “Zonja shoqëruese e sovranes më tha se ajo ishte ftuar nga mbretëresha në Sandringham për të marrë pjesë në një ceremoni të drejtuar nga famullitari vendas në një nga dhomat e rezidencës mbretërore, në atë ku vdiq Mbreti George VI më 1952 “. Dhoma dyshohet se ishte “e magjepsur nga një frymë që e bënte të pamundur punën”. Me sa duket “famulltari afirmoi se atmosfera mund të jetë për shkak të Princeshës Diana: gjëra të ngjashme mund të ndodhin kur dikush vdes përmes një vdekjeje të dhunshme”.
Përgatiti për gazetatjeter.com: Darina DANI