GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Fatos KOLA – E Drejta e autorit është e padhunueshme në shqërinë kapitaliste

Në këtë përvjetor përkujtimor të poetit tonë të madh Jeronim de Rada, ndesha në një reagim publik të familjes së nderuar Paskali, ku pozohej shqetësimi mbi mos’respektimin e të Drejtës së Autorit.

Edhepse kanë kaluar më shumë se 3 dekada qysh nga koha kur me dëshirë kemi hyrë në sistemin e ri kapitalist, shteti shqiptar ende nuk i ka bërë ndryshimet e duhura për t’iu përshtatur këtij sistemi, por sikurse në kohët dhe mendësitë e shtetit komunist vazhdon të shpërdorojë dhe dhunojë të Drejtën e Autorit.

A e dinë vallë administratorët e emëruar nga shteti shqiptar se në sistemin kapitalist të Drejtat e Autorit paguhen edhe tek trashëgimtarët, qoftë edhe kur këtij shteti i lipset përdorimi për interesat e veta i veprës së autorit, kushdo qoftë?!

Duke e nënkuptuart rëndësinë e kryeveprës skulpturore të Odhise Paskalit, “De Rada”, zgjodha gjithashtu që trajtimin e problemit mjaft delikat të të Drejtës së Autorit për rastin në fjalë ta shoqëroj edhe me një koment mbi këtë krijim, i cili për mendimin tim është një “hyjnizim i përjetësisë” si forma me e lartë e nderimit që Paskali i Madh realizoi për Rilindasin e Madh Jeronim de Rada.

De Rada dhe Paskali janë dy personalitete dhe mendimtarë të mëdhenj të nivelit europian të elitës kombëtare shqiptare, respektivisht të fundshekullit XIX dhe të fillimshekullit XX. Personalitete të cilët me veprat madhore të krijuara prej tyre përfaqësuan dhe fytyrëzuan kahjen kulturore të qytetërimit tonë përgjatë sendërtimit të komb-shtetit modern të shqiptarëve.

Busti i De Radës është një nga veprat më të frymëzuara të Paskalit dhe të mbarë skulpturës laike shqiptare, që fillon me Paskalin si parak në përpjekjet e suksesshme të tij për mobilimin e shesheve tona qytetase, me vendosjen e veprës së artit në mjediset publike të shtetit modern Shqiptar, në zhanrin e “skulpturës memoriale”, e cila ka për mision t’i bëjë jehonë fenomeneve dhe personazheve më të rëndësishëm që fytyrëzuan këtë qytetërim!

Vlerat skulpturore dhe autorialo-estetike të krijuara e të mishëruara tek busti i De Radës, i tejkalojnë përmasat e ngecjes në jashtësi me vetëm aktin e ngjashmërisë fizike të personazhit!

Në këtë mrekulli skulpturore vërejmë se Paskali ështe i zhytur thellë në formësimin e metaforës artistike dedikuar Burrit që Vuan plot Dhimbë prej Idealesh Sublime dhe prej Atdhedashurisë!!!

Ky projeksion brendësor i veprës e shfaq Paskalin si artisti që ia ka dale mbanë: të dematerializojë materien duke e shndërruar atë në shprehje të idealeve shpirtnore e ideo-estetike të tij mbi figurën artistike. Dhe ia ka arritur duke sjellë në jetë me këtë vepër: jo një inventar fizik, nga i cili rëndom vuajnë shumë buste e zhanre të tjera skulpturore anekand Shqipnisë e më gjërë, por një Vëllim Skulpturor ku Projektohet një Personazh në Esencën Karakteriale të Tij!!! Akt i Naltuem ky që ndan prej krijuesit-artist atë bërësin amator e shkollaresk, i cili pafuqishëm ndryhet në inventarizimin si jashtësi të formës së tipareve!

Ndërsa në këtë vepër të mrekullueshme Paskali na shfaqet si krijuesi që ka formësuar gjithë përjetimin e tij, detaj pas detaji, duke krijuar rrjedhën plastikore shprehëse të gjendjes së formës, e cila ka pësuar ndryshimin drejt të vetmes udhë që krijon njëherazi sentimentet vetjake të drithërimave monologuese psiko-mentale të autorit, që pulsojnë si energji duke pjalmuar me jetë karakteristikat thelbesore të formës që sendërton personazhin!  Dhe e gjitha kjo rrjedhë e furishme vlerash dhe emocionesh sipërore, tashmë konstatohet jo vetëm si materie fizike, si prezencë, por si shprehje botëkuptimore e botëndjesore psiko-mentale e projektuar mbi veprën ku zbulohet artisti se cili është Ai si bindje estetike. Tanimë duke na e shpërfaqur Atë (Paskalin) si afirmuesin e impresionizmit dhe ekspresionizmit europian, të përhapur gjerësisht si ndikim pas gjysmës së dytë të shekullit XIX, me skulptorin e madh francez August Roden si prekursor estetik.

Ky pikëvështrim i krijimtarisë së Paskalit dhe i kësaj vepre në veçanti, meriton jo vetëm vlerësimin moral e artistik në panteonin e vlerave kombëtare, por edhe vlerësimin në vazhdimësi të shpërblimit monetar të “veprës-autor”, sa herë që imazhi i saj lipset të përdoret, gjithmonë sipas kritereve dhe standardeve ligjore të njohura e të miratuara botërisht mbi të Drejtën e Autorit me efekte financiare trashëgimore edhe tek pasardhësit e tij. Rregulla dhe ligje këto që trashëgimojnë çdo objekt kulturor e artistik që ka për zot autorin e krijimit për aq kohë sa do të zgjasë jeta e objektit, prandaj dhe sanksionohet me ligj shpërblimi me vlerë monetare, sa herë që vepra apo imazhi i saj lipset që të përdorohen nga cilido: institucion apo person privat.

Ky lajm i keq i pozuar nga trashëgimtari, artisti i nderuar, muziktari Thanas Paskali, është tregues i mosrespektit, i përvetësimit si hajni dhe i përdorimit jashtë çdo morali e ligji i vlerave të krijuara nga tjetërkush! Model dhe reminishencë e shtetit allakomunist, që nuk respektonte dhe respekton individin por që dikur përvetësonte e pronësonte si një shpend grabitqar të gjitha vlerat autoriale të krijuara, e ku shumë herë fshinte dhe zhdukte qëllimisht edhe emrin e autorit. Tashmë, pas më shumë se 3 dekadash të rikthyer në udhën e sistemit të vlerave të personalizueme të kapitalit (sistemit kapitalist), vazhdon turpësisht psikologjia e përvetësimit të çdo vlere të tjetërkujt që e ka me dokumente të vërtetueshme autorësinë si krijim, pavarësisht se cili e ka si pronësi (këtë rast konkret).

Deri dje shteti komunist nuk pyeste për përfitimin në vazhdimësi prej autorit përgjatë përdorimit të imazhit të veprës së tij, por sot ky shtet ish-pronar i djeshëm, apo çdo shtetas kushdoqoftë, e ka të kufizuar me ligj përdorimin pa leje dhe pa kundërshpërblim financiar në adresë të autorit, apo të trashëgimtarëve!

Kur shkrova me lart për vlerat kombëtare e më gjerë të veprës në fjalë, pata parasysh edhe argumentimin e ndryshimit si vlerë të veprës së artit (si objekt me vlerë gjithëkohore), në raport me vlerat relative në kohë të objekteve të tjera jo-artistike!

E Drejta e Autorit e gjithëpranuar, e njohur botërisht dhe e mishëruar në ligjet e shtetit modern, tashmë edhe në Shqipëri është shndërruar në normë morale e ligjore për shpërblimin financiar, rast pas rasti, të trashëgimtarëve (në rastin konkret atyre të të nderuarit z. Paskali), madje kjo sa herë që vepra përdorohet si riprodhim, apo si imazh i çdolloj forme apo teknike e teknologjie! Çdo qëndrim tjetër nga kushdo qoftë, konsiderohet vjedhje që duhet dënuar me privim lirie të përdoruesit pa leje të veprës, apo imazhit të saj!

Rasti i përdorimit arbitrar të imazhit të bustit të Paskalit dedikuar të ngjashmit De Rada, është vazhda e turpeve që na ka kaplu e s’po na lëshon si shoqëri!

Në vend që t’i respektojmë personalitetet dhe vlerat e tyre të krijueme me nivel tejet të naltë (e që fatkeqësisht të tillat njihen dhe janë shumë të pakta), bëhemi pjesë e shfaqjeve të barbarisë tashmë afro 80-vjeçare, të marrjes dhe përvetësimit ditën për diell të vlerave artistike dhe Autorësisë së Trashëgueshme.

Nder dhe respekt të përjetshëm veprës së ndritshme të De Radës, këtij Rilindasi të Madh të qytetërimit tonë! Nder dhe respekt të pashuar për Paskalin e Madh, që njëherazi përjetësoi De Radën dhe Vetveten…

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More