Nga Ilyes Ramdani, Mediapart, Francë – Për periferitë franceze duhen të tjera përgjigje

Pas protestave që ndoqën vrasjen e Nahel M., qeveria franceze është mbështetur e gjitha tek forca, duke zgjedhur të injorojë rrënjët politike dhe sociale të këtyre protestave

Netët bëhen më të qeta. Në lagjet popullore lëvizja e protestës që shpërtheu pas vdekjes së të riut Nahel M., i vrarë nga një polic gjatë një kontrolli rrugor në Nanterre, po i braktis gradualisht rrugët. Ky “rikthim në qetësi dhe rend”, edhe pse ende i pasigurt, është pritur me kënaqësi të madhe nga presidenti Emmanuel Macron, qeveria e të cilit ka nxjerrë në rrugë një arsenal të pafundtë për t’i shkurajuar rebelët: forcat e sigurisë (çdo mbrëmje 45,000 agjentë të policisë dhe xhandarmërisë), deklarata luftarake, qarkore që i nxisin gjyqtarët të veprojnë me ashpërsinë më të madhe.

 “Tjetër që prek një polic apo një xhandar duhet të dijë se do ta gjejmë”, ka kërcënuar më 1 korrik ministri i brendshëm Gérald Darmanin. Ministri i Drejtësisë Éric Dupond-Moretti ka përdorur një gjuhë të ngjashme: “Nëse postoni videot në Snapchat, ne do t’i sekuestrojmë dhe do t’ju gjejmë.” Që nga 28 qershori, zyrtarët e qeverisë kanë anuluar të gjitha lëvizjet, përveç atyre për të denoncuar dhunën.

Më 3 korrik, Macron lëshoi një mesazh të fortë. Në paraqitjen e tij të parë pas vrasjes në Nanterre, presidenti nuk takoi familjen e Nahelit e as nuk zgjodhi të vizitonte një lagje popullore për të folur me përfaqësuesit politikë lokalë apo me punonjësit në terren.

Kaloi katër orë me agjentët e policisë në Paris, për t’i garantuar mbështetjen e qeverisë dhe për të bërë disa propozime, si ai i “gjobitjes së familjeve që në shkeljen e parë”.

Ekzekutivi ka bërë një zgjedhje: dëshiron ta trajtojë situatën nga një perspektivë sigurie. Me anë të fjalimeve dhe ndërhyrjeve nëpër mjetet e informimit, pushteti ia ka arritur ta ndryshojë atmosferën. Nuk flitet më për zemërim, as për brutalitet policor a për kushtet e zonave popullore, por vetëm për banda, grabitje dhe dhunë.

Autoritetet kaluan me shpejtësi nga fjalët në vepra. Kudo në Francë, gjyqet e shpejta po dërgojnë dhjetëra të rinj menjëherë në burg. Një avokat tregon se klienti i tij ishte dënuar me dhjetë muaj burg për vjedhjen e një kanaçeje Red Bull. Me gjoksin e fryrë, qeveria mund të mburret se e ka fituar përballjen me sheshet. “Kishim të drejtë që përdorëm forcën republikane”, deklaroi me krenari Darmanin më 3 korrik.

Një arrogancë që maskon një fitore në dukje. Sigurisht, falë një represioni të gjerë policor dhe gjyqësor, rebelët tani janë në shtëpi ose në burg. Por asgjë nuk është zgjidhur. “Edhe një fitore si kjo dhe do të jemi krejtësisht të mundur”, thoshte Pirro, mbreti i Epirit, pasi fitoi një betejë kundër romakëve. Mbështetësit e presidentit do të bënin mirë ta mbanin mend këtë shembull.

Një histori e gjatë

Teksa bëjnë krahasime me revoltat e vitit 2005, të shkaktuara nga vdekja e dy adoleshentëve që përpiqeshin t’i shpëtonin arrestimit, shumë harrojnë se lagjet popullore digjen pas çdo dhune të policisë. Lista korrespondon me atë të personave të vdekur apo të plagosur në duart e policisë: më 2007 në Villiers-le-Bel, më 2010 në Grenoble, më 2016 në Beaumont-sur-Oise, më 2018 në Nantes, më 2020 në Villeneuve-la-Garenne. Gjithnjë të njëjtat skena, i njëjti zemërim, të njëjtat mesazhe.

Ngjarjet e fundit janë pjesë e kësaj historie të gjatë, por paraqesin një episod të veçantë duke pasur parasysh emocionin e jashtëzakonshëm të ngjallur nga vdekja e Nahelit, gjerësinë e revoltës dhe numrin e komunave të përfshira. Nëpër rrugë shprehin zemërim ndaj brutalitetit të policisë, denoncim të një racizmi institucional dhe zemërim ndaj diskriminimit. Përfaqësues dhe aktivistë vendas denoncojnë në korr pabarazitë e shfrenuara, mosekzistencën e shërbimeve publike dhe mungesën e investimeve nga shteti.

Me sa duket jehona e këtyre thirrjeve të alarmit nuk ka mbërritur deri në Elysee. “Përgjatë revoltave të vitit 2005 kishte një mesazh”, u tha Macron agjentëve që takoi. “Ndërsa në këtë rast nuk shoh asnjë”. Fjalët e tij tregojnë distancën e madhe që ndan pushtetin nga territoret më të margjinalizuara. Gjithashtu tregojnë të gjithë paaftësinë e qeverisë për t’i dhënë një përgjigje politike kërkesave të periferisë. Në këtë kuptim, është domethënëse që kryeministrja Élisabeth Borne anuloi një vizitë në Chanteloup-les-Vignes (në periferi të Parisit) dhe se ministri i qytetit Olivier Klein shtyu një video-konferencë me përfaqësuesit lokalë. Duke eliminuar të gjithë sensorët, qeveria e ka dënuar veten me shurdhim.

Kjo situatë kërkonte dy lloje reagimesh, një të shpejtë dhe një afatgjatë. Asaj të sigurisë (tashmë e kontestueshme në brutalitetin dhe miopinë e saj), qeveria duhet t’i kishte bashkangjitur edhe një strategji sociale e politike. Vdekja e Nahelit duhet të kishte ndezur një debat të vërtetë mbi mënyrën se si agjentët përdorin armët, mbi racizmin në forcat e policisë dhe mbi segregacionin nëpër lagjet e varfra. “Nuk është koha për këto gjëra”, përgjigjet një burim qeveritar, duke cituar “urgjencën e rivendosjes së qetësisë”.

Më 4 korrik, teksa priste më shumë se dyqind kryebashkiakë në Elysee, Macron ka premtuar se në fund të verës do të paraqiteshin “zgjidhje shumë konkrete”, sepse “hekuri duhet goditur sa është i nxehtë”. Në të ardhmen e afërt, presidenti është ende i përqëndruar mbi dhunën urbane dhe ka premtuar një ligj emergjent për të rindërtuar sa më shpejt vendet publike të dëmtuara.

Elysee ka bërë të ditur se Macron dëshiron të “fillojë një punë të kujdesshme dhe afatgjatë për të kuptuar dhe hetuar arsyet” e revoltës. Ndërsa, privatisht, ministritë priren të sqarojnë se nuk është koha e “ndihmave financiare të mëdha”. Darmanin dhe rrethi i tij bëjnë gjithçka për të shmangur hapjen e një debati të rrezikshëm mbi menaxhimin e rendit publik dhe problemeve të policisë. Dhe koncepti i diskriminimit është zhdukur plotësisht nga leksiku politik.

Nën rrogoz

Në vitin 2005, presidenti konservator Jacques Chirac – i cili megjithatë e vëzhgonte nga larg situatën e banlieue dhe kishte bërë shumë të diskutohej me frazat e tij mbi “zhurmën” dhe “aromën” e atyre vendeve – kishte përdorur fjalë të forta. Duke folur mbi “rrënjët” e trazirave, presidenti pati deklaruar: “Respektimi i ligjit dhe vlerave të republikës kalon pashmangshmërisht përmes drejtësisë, vëllazërisë dhe bujarisë. Nuk do të mund të ndërtojmë kurrë diçka të qëndrueshme pa luftuar diskriminimin, që është një helm për shoqërinë”.

Kësaj here qeveria jo vetëm që është e paaftë për të kuptuar kërkesat. Po vendos me vetëdije të shmangë reflektimin e thellë, duke preferuar një rrugëdalje të sigurt dhe të lirë. Por kjo strategji, edhe pse frytdhënëse për një kohë shkurtër, duket vetëvrasëse nëse për një moment ngremë sytë kah sondazheve.

Duke u marrë me pasojat pa marrë parasysh shkaqet, qeveria i vendos kapakun një tenxhereje që ende po vlon. Sa do të mbajë? Me tragjedinë e radhës do të nisë sërish i njëjti cikël: emocion, procesion, zemërim, dhunë, represion. Deri kur? Për sa kohë republika do të tolerojë të shohë disa prej fëmijëve të saj të vdesin në kushte të ngjashme pasi kanë jetuar në kushte të ngjashme?

Përgatiti për gazetatjeter.com: Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.