GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Kim MEHMETI – Flamuri i krenarisë sonë, si mbulesë e paturpësisë së tyre

Flamuri ynë Kuq e Zi ngërthen në vetvete gjitha vlerat tona kolektive dhe çdo gjë të bukur që ka shqiptaria. Si i tillë, krahas gjuhës sonë,  është ‘atdheu’ që na mbanë të bashkuar dhe që na bënë të jemi krenarë me atë që kemi dhe atë që jemi.

Por jo njëherë, flamuri i krenarisë sonë është përdorur nga politikanët tanë si mbulesë  për paturpësinë e tyre. Si për shembull nga Kryeministri i sotëm i Shqipërisë i cili, sa herë që e ndjen rrezikun se do shihet se është i ‘dërguari special’ i Vuçiqit në botën shqiptare, nxitimthi e vesh petkun e atdhetarisë dhe e pranon se kryeqyteti i Kosovës nuk është Beogradi por Prishtina.

Dhe nuk ka dyshim se sa më jetëgjatë politikisht do jenë ata që e kriminalizuan Shqipërinë, aq më jetëshkurtër do jetë e vërteta se shtizën e flamurit tonë e morën në duar ata që Tiranës ia rrënuan Teatrin Kombëtarë dhe shumëçka që ishte ‘përdhese’, për ta lartësuar me kullat që nuk e lejojnë diellin ta sheh tokën në të cilën thellohen rrënjët shekullore të shqiptarisë, tokë që është bërë thuajse e pabanueshme për rininë shqiptare.

Siç do bëhet jetëshkurtë edhe e vërteta se flamuri i krenarisë sonë keqpërdoret edhe për ta mbuluar të vërtetën se kryeqendra e shqiptarisë – Tirana, vazhdon të ngjitet lartësive qiellore duke u shkëputur kështu nga e vërteta e saj shqiptare, duke e zgjatuar hijen e  kullave, hijen që e bënë të padukshme gropën e thellë të krimit ku është zhytur Shqipëria, grope ku ‘kalbet’ mëmëdheu ynë, i drejtuar nga ata që shqiptarinë e kanë vetëm dekor për të dëshmuar se janë mendjehapur dhe më ndryshe se shqiptarët tjerë.

Dhe siç duket, nga gjithë ‘Shqipëritë’ tona, vetëm Kosova mbetet atë që ishte gjatë shekujve: fole e ngrohtë e shqiponjës dykrenore dhe djep i atdhetarisë dhe patriotizmit shqiptarë. Dhe ku ta dish, ndoshta ka ardhur dita kur ajo duhet ta thotë zëshëm se s’ka asgjë të përbashkët me ata që u janë përkushtuar projekteve serbe, me ata që e bashkojnë Ballkanin duke e përçarë shqiptarinë.  

Sa i përket shoqërisë së shqiptarëve të Maqedonisë,  ajo që moti është pashallëk i drejtuesve të BDI-së. Dhe sa herë që ka rrezik të shpaloset kjo e vërtet, pra sa herë që ka rrezik të shihet se shqiptaria është bërë ‘biznesë’ fitimprurës, drejtuesit e kësaj partie mbulohen me emblemën e shenjtë të UÇK-së dhe me flamurin Kuq e Zi. 

Sa u përket partive tjera, nga BDI-ja ato i dallon vetëm emri. Dhe veprojnë sipas mendësisë politike të simotrës së tyre të madhe: nëse donë që nga politikani i paushqyer mirë  të bëhesh kapitalist, atëherë bëhu pjesë e qeverisë. Edhe atë duke e ditur se shqiptari i Maqedonisë nuk mund të bëhet as hajdut pa përkrahjen e qarqeve policore e politike maqedonase.  

Po pra, flamuri ynë kombëtar e ngërthen në vetvete tërë kalendarin tonë kolektivë, pra të gjitha kremtet tona kur ai është valëvitur në majë të shtizës, siç janë vulosur në të edhe ditët e dhembjes sonë kolektive, e kur atë e kemi zbritur në gjysmështizë.

Andaj le të mburremi me të gjitha vlerat që na identifikojnë për atë që kemi dhe atë që jemi, me në krye flamurin tonë, por duke mos harruar kurrë se krenaria dhe vetëdija kombëtare, nuk janë diçka sezonale që vijnë e shkon varësisht nga përfitimi ynë vetjak, por se ato janë të vulosur dhe të gdhendura në ne si në gurë, si e zeza e shkabës dykrenore në të kuqen e flamurit tonë kombëtar.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More