GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Kim MEHMETI – Ne kemi elita, por vetëm elita policore që i mbrojnë elitat e hajdutëve!

Në të gjitha lagjet e vendbanimeve të ‘Shqipërive tona, ka nga dy-tre doktorë shkencash dhe me qindra që kanë diploma fakulteti. Por megjithatë, nëpër ato lagje nuk ka thuajse asnjë që do të ishte shëmbëlltyrë e njeriut, që popullit dhe vendit të vet ia dhuron më të bukurën e më të vlefshmen që ka, duke mos kërkuar asgjë si kundërvlerë.

Ne pra, kemi doktorë shkencash më shumë se tifozë të futbollit, por megjithatë, mbetëm pa elita që do t’i prijnë këtij populli, elita që nuk do lejojnë që një politikan injorant ta përcaktojë fatin e artistit, të vendosë se kush do jetë rektor i universitetit dhe kryetar i akademisë së shkencave.

Dhe sa më shumë që shtohet numri i të shkolluarve të paditur dhe i doktorëve të shkencave që kurrë nuk janë ulur të mësojnë, aq më shumë qartësohet e vërteta se ne thuajse tërësisht e realizuam projektin antishqiptar që thotë: shqiptarëve jepu diploma, por mos u jep dije.

Nëpër vendbanimet e ‘Shqipërive’ tona u shtua numri i të diplomuarit të paditur dhe i politikanëve hajdutë e injorantë, por u zhdukën ata që e posedonin mjeshtërinë që edhe sofrën e varfërisë ta begatojnë me yjet e shpresës, me yjet e besimit se do i jetësojmë ëndrrat e paraardhësve tanë, ëndrrat për një shqiptari, e cila në mos më shumë, do jetë më e kujdesshme ndaj vetvetes.

‘Shqipëritë’ tona u bënë vende ku nuk shtohet vetëm numri i plaçkitësve të popullit, por edhe i atyre që besojnë se mund ta vjedhësh edhe diturinë. Me çka vendbanimet tona u bënë të pabanueshme për ata që e dinë si mund t’i vjelësh yjet e shpresës, si mundet ato t’i shtrëngosh në grushte, e që pastaj, t’ua shpërndash të rinjve, atyre që ato yje do të mund t’i ngjitin lart e më lart në qiellin e shqiptarisë.

Vendbanimet e “Shqipërive” tona janë përplot me vlera të rrejshme, por thuajse pa asnjë nga ata si të cilët është e pamundur të bëhesh, por rrugën e të cilëve ia vlen ta ndjekësh.

Me çka edhe u bëmë shoqëri që kanë elita, por vetëm elita policore, të cilat në masë të madhe u shërbejnë dhe i mbrojnë ata që i kontrollojnë ‘Shqipëritë’ tona: elitat e hajdutëve dhe të kriminelëve tanë.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More