GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Klodian TOMORRI – Perandori i madh dhe piratja e vogël rilindëse

Teksa dëgjoja ministrin e Drejtësisë, që denonconte një drejtoreshë të Rilindjes se kishte vjedhur paratë e kompensimit të pronave, më erdhi në mend një rrëfenjë nga mitologjia e jashtëzakonshme greke. Është historia e Aleksandërit të madh me një pirat.

Diomedi, kështu quhej pirati, herë pas herë plaçkiste anijet tregtare në ujërat e Perandorisë dhe ishte bërë shqetësim jo i vogël. Derisa një ditë, më në fund, ushtarët e kapën dhe e sollën para Perandorit për gjykim. Por teksa të gjithë prisnin dënimin e piratit me vdekje, Aleksandri vendosi që më parë ta pyesë atë.

-Ku e gjen të drejtën ti të lundrosh në ujërat e mia dhe të marrësh më forcë gjëra që nuk të përkasin? – pyeti Perandori duke vështruar piratin e lidhur para tij.

-Po ti o Perandor, ku e gjen të drejtën të udhëtosh në toka të huaja dhe të marrësh me forcë gjëra që nuk të përkasin? Me ç’të drejtë i pushtove tokat e Egjiptit? Cili autoritet të bëri ty mbret të Persisë? – u përgjigj Diomedi.

-‘Unë jam Perandori, autoriteti im është hyjnor’- foli prerë Aleksandri i zënë ngushtë nga zgjuarësia e piratit.

-‘O Perandori im. Në thelb në të dy jemi njësoj. Ndryshimi i vetëm është se unë plaçkis me këtë anijen time të vogël dhe më quajnë pirat, ndërsa ti plaçkit me ushtrinë dhe flotën tënde të madhe dhe të quajnë Perandor’- replikoi Diomedi duke e lënë të habitur Aleksandrin e Madh me mençurinë e tij.

Edhe pse kjo histori është rrëfyer mijëra vite me parë parimet e grabitjes mbeten të njëjta si atëherë. Drejtoresha që denoncoi ministri i drejtësisë një ditë më parë, ndoshta mund të mos jetë aq e mençur sa Diomedi. Por njësoj si ai, ajo është një pirate e vogël që bashkë me çetën e saj të vartësve rilindës plaçkisnin ndonjë copë të vogël në Perandorinë e Madhe. Por kjo gjë e bezdisi Perandorinë, e cila i lëshoi Ulsiun për t’i treguar vendin. Me pak fjalë, Perandoria e sistemoi drejtoreshën. Por ka një problem. Me Perandorin si do ja bëjmë?

Pak ditë më parë, ushtria e Perandorit pushtoi 635 mijë metër katrorë bregdet në Plazhin e Gjeneralit. Ua mori qytetarëve për t’ia falur një agai sipas vullnetit hyjnor të Perandorit. Agai quhet Shpëtim Shijaku dhe deri tani ka marrë të paktën 1 milionë metra katrorë tokë shtetërore falas. Të gjithë plazhin e Gjeneralit dhe të gjithë vendkomandën e ushtrisë në Sauk, nga lapidari që është sipër në kodër e deri poshtë në liqen. Falas. Ah kjo e Saukut nuk është tamam falas. Për këtë u pagua 1 euro në Ministrinë e Financave.

E megjithatë ky i Plazhit të Gjeneralit është vetëm një rast. Hordhia e madhe e Perandorit po pushton çdo metër katror të bregdetit. Dhërmiu, Palasa, Himara dhe Butrinti tashmë kanë nga një aga. Copa më e fundit është Plazhi i Pasqyrave në Sarandë, një nga perlat më të bukura të Mesdheut. Edhe kjo po merret falas. Nga e njëjta dorë, me po të njëjtën skemë. Sepse ky është vullneti i Atij.

Pra, siç tha dhe Diomedi mijëra vite më parë, në thelb kjo është e njëjta gjë. Thjesht drejtoresha plaçkiste me çetën e saj të vogël paratë e kompensimit të pronarëve dhe ministri i Drejtësisë e shpalli hajdute. Ndërsa Perandorin, që copëton bregdetin me një ligj pervers, Ulsiu e quan shef. Madje sipas rastit edhe Zeus. Ose Skënderbe.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More