GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Luçiano BOÇI – Secilit Amerikën

Amerika ime ka ardhur tek mua si bashkësi copëzash e një hapësirë të madhe disi kozmike, impresiounuese, me dimensione të pakapshme, brenda së cilës përziheshin admirimi, kureshtja për “ta pushtuar” me njohje, frika e zbulesës, e makthi për ta fshehur.

Bisedat e para të kuptuara dhe të nënkuptuara nga vitet ‘85, kur isha maturant nën presionin konstant të indoktrinimit, mund t’i ndaja atëkohë me shokun e ngushtë të basketbollit Said Gj., (sot nënshtetas amerikan) nipin e një prej familjeve më të persekutuara të regjimit (këtë fakt do ta mësoja vite më vonë). Nuk ishin aspak politike. Thjesht të mbushura me dashuri për diçka të ndaluar.

Nën pëpjekjet tona titanike për të kapur valët e RAI-t, Shkupit e Tele Norbës, “padashje” ndërfutej natyrshëm midis nesh Amerika. Fillimisht me pamjen e basketbollistit Majkëll Jordan i shtyrë nga pasioni sportiv. Pastaj Merlin Monrosë, Xhejms Dinit, Marlon Brandosë, Elvis Preslit, Frank Sinatrës, Ted Asterit. E pak më vonë depërtoi me krijimet e Xhek London, Mark Tuein, Folkner, Drajzer, Hemingueji, Uitman, Poe, Stainbek, Fitcxherald etj.

Diku diku shfaqej nëpërmjet JFK, Niksonit, Xhimi Karterit, për të arritur “kaubojsin” Regan.

Çdo gjë tjetër pas kësaj ishte “kapitaliste”.

Kështu zuri rrënjë Amerika, nën pamjen e një misteri madhështor e plot tërheqje brenda një dashurie pa kushte.

Kjo ishte dhe njëherazi ajo “desidenca” jonë artistiko-emocionale.

Ishte një dashuri e patreguar. Dashuri që secili anëtar i brezit tim, por dhe të brezit te mëparshëm, e mbante brenda vetes, sekrete, por të mbjellë aty për të pritur ditën e përshfaqes.

Asnjë institucion i diktaturës qoftë dhe ndëshkimor, nuk mund t’ia hiqte asnjerit Amerikën.

Çdonjëri nga ne e kishte atë me vete dhe e ruante si gjënë më të shtrenjtë.

Çdonjëri kishte Amerikën e vet.

Disa-disa ishin dhe më të avancuar. Në një gjatësi valësh me Zërin e Amerikës. Amerika e tyre ishte akoma dhe më e plotë.

Pas kësaj, paragrafet e para të Tokëvillit filluan të ngacmojnë arsyen. Forca e Amerikës ishte demokracia e saj, ngulmonte ai. Nga ajo do lindte superfuqia që kemi. Kapërcimi ndodhi me Bejker dhe adhurimi kaloi në stad politik, për të arritur kulmin me Xhorxh Bush, i cili si dikur Uillson, tregoi se mbështetja për shqiptarët është një mbështetje e bekuar.

Arsyeja për ta dashur Amerikën u bë më e madhe se emocioni i rinisë së hershme. Kjo na ndodhi të gjithëve. Madje shumë e donin ta përqafonin atë si ëndërr tashmë të prekur.

Saidi, shoku im është një i tillë.

Të tjerë e kërkuan ta instalojnë atë këtu tek ne.

E falë kësaj e mbështetjes së pakyrsyer amerikane, sot Amerika është përsëri aty ku ka qenë. E mbuluar me admirim e vlerësim.

Është brenda nesh gjithsecilit.

Një shtet madhështor, i ndërtuar mbi bazën e parimeve, vlerave dhe standardeve demokratike që kanë në themel të drejtat dhe liritë e njeriut.

Vetëm me një ndryshim. Sot gara ndër ne, për të treguar dashurinë ndaj Amerikës është frenetike dhe e padrejtë, përballë së drejtës për ta dashur pa kushte atë dhe ai sekreti i bukur i dikurshëm është zbehur.

Ndërkohë në moslinjë me ëndrrën, masa e Amerikës brenda nesh, tentohet të matet nga parametra fluidë dhe rastësorë, duke harruar që ne duhet t’i japim çdonjërit Amerikën e vet, Amerikën që i takon, atë që ai pafundësisht e ka investuar brenda vetes së tij, për veten dhe për vendin e tij.

Asnjë institucion nuk mund të përcaktojë këtë masë, sepse thjeshtë ajo nuk ka masë.

Çfarëdo të paragjykojnë momentet, Amerika është aty te ne, e pandryshuar, si dashuria e parë e lindur sinqerisht dhe e zmadhuar natyralisht nën ndriçimin e një fati të përbashkët njerëzor e demokratik.

Gëzuar ditën e pavarësisë Amerika ime!

Gëzuar SHBA!

GOD BLESS AMERICA!


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More