Nga Pascal Lottaz dhe Nasir Andisha – A është neutraliteti i përhershëm i Ukrainës zgjidhja e duhur?
Edhe Kisingeri me Brzezhinskin e mbështesnin neutralitetin e përhershëm të Ukrainës, por Rusia e kërkon këtë neutralitet, jo sepse ka frikë se Ukraina do ta pushtojë, por sepse “ujku e dëshiron qingjin të paarmatosur…”.
Lufta e re ruso-ukrainase është një tragjedi e tmerrshme për popullin e Ukrainës dhe një pengesë e jashtëzakonshme për strukturën evropiane të Sigurisë pas Luftës së Ftohtë. Megjithatë, ka shenja se të dyja palët po krijojnë bazën për një përfundim të negociuar të armiqësive, edhepse raketat ruse bien si shi pranveror në të gjithë territorin ukrainas.
Putini ka kërkuar që Ukraina të “denazifikohet”, të “çmilitarizohet” dhe, më e rëndësishmja, të bëhet një “shtet neutral”. Homologu i tij ukrainas, Zelensky, ka sinjalizuar se është i gatshëm të negociojë për një status neutral të vendit të tij.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, e ka quajtur këtë një diplomaci “nën tytën e armës”, por një status neutral për Ukrainën nuk është asgjë e re, madje është propozuar nga shumë mendimtarë realistë në Perëndim.
Përkrahësit më me ndikim përfshijnë ish-këshilltarët e Sigurisë Kombëtare Henri Kisinger dhe Zbigniev Brzezhinski, si dhe profesorët John Mearsheimer, Hall Gardner , Stephen M Walt dhe Renée Belfer, të cilët shpjeguan pse besimi dogmatik i Perëndimit në narrativën liberale ishte thelbi për konfliktin, në radhë të parë.
Shumë studiues poashtu e kanë mbrojtur këtë tezë për zonat tampon, të cilat nuk janë pjesë e rrjetit të Sigurisë së Rusisë, apo të SHBA-ve, e që thjesht ngaqë këto zona kanë kuptim dhe rëndësi strategjike.
Neutraliteti i përhershëm është një zgjidhje alla-evropiane për një problem shumë evropian: kërcënimet e ndërsjella gjeopolitike. Zvicra u neutralizua nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1815 për të mbajtur të ndarë Austrinë dhe Francën, ndërsa Belgjika dhe Luksemburgu u neutralizuan më vonë për të vendosur hapësirë midis Francës dhe Gjermanisë, kurse Austria u neutralizua në vitin 1955 për të rifituar pavarësinë e saj pa u bërë një tjetër anëtar i NATO-s, e që mund të kërcënonte BRSS.
Kjo skemë neutraliteti bash në mes të Evropës funksionoi sepse shtetet neutrale “tampon” e qetësojnë dilemën e sigurisë. Shtetet neutrale të përhershme, edhe kur kanë ushtri – që pothuajse të gjithë e kanë – nuk paraqesin kërcënim strukturor për Fuqitë e Mëdha, ndërsa armët bërthamore ose aleancat të stërfuqishme sikurse NATO, natyrisht që shkaktojnë panik në kushtet e situatave të ndera të Sigurisë në mbarë planetin. Kjo është arsyeja e shpallur publikisht përse edhe Moska ka bërë thirrje për një Ukrainë neutrale, dhe këtë e ka bërë shumë kohë para se të fillonte luftën kundër Ukrainës.
Politikëbërësit e jashtëm rusë e kanë sugjeruar këtë neutralitet në nivelet më të larta, sëbashku me një federalizim të shtetit, siç edhe parashikohet në marrëveshjet “Minsk II”.
Që nga 17 dhjetori i vitit 2021, kur Rusia publikoi dy projekt-traktate, ishte e qartë se Moska do të pajtohej me një status neutral për Ukrainën, ngaqë i konvenonte, sepse nuk do të investonte miliarda, asete dhe trupa për Sigurinë në kufijtë ruso-ukrainas.. Edhe nëse dikush refuzon kërkesat për tërheqjen e NATO-s në kufijtë e vitit 1997 (kjo është një pjesë e propozimit të hedhur në tryezat e diplomacisë), neutraliteti i Ukrainës ende përbën pjesën thelbësore të synimit rus.
Tashmë kërkesën për politikën ndërkombëtare e kemi në tavolinë, edhe direkt nga vetë Putini.
Ekspertët liberalë në Perëndim e hodhën poshtë këtë ofertë si dëshirë të Kremlinit për një “sferë ndikimi”. Megjithatë, pavarësisht nga epërsia e qartë ushtarake në konflikt, Rusia ende i qëndron kërkesës së saj për një “Ukrainë neutrale”. Është e qartë se Putini do të kërkojë gjithashtu ndryshime të rëndësishme në sistemin e brendshëm politik të Ukrainës – dhe kjo është pjesa “denazifikuese” e ultimatumit rus.
Të mos keqkuptohemi; sulmi i paprovokuar ndaj Ukrainës është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe është i paligjshëm, si shumë veprime të tjera të mëparshme të Rusisë agresore. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për dhunimin skandaloz të ligjit e të moralit njerëzor. Por nuk është kjo çështja.
Për realistët – dhe Putini është sigurisht njëri syresh – e vetmja gjë që ka rëndësi është se çfarë mund të arrihet dhe me çfarë kostoje. Duhet vetëm pak “ndjeshmëri strategjike” për të kuptuar përse, nga perspektiva ruse, NATO e stërfuqishme duket si një kërcënim mjaft i madh në çdo hartë.
Por çfarë duan ukrainasit? Kjo pyetje është gjithashtu e rëndësishme, sepse për të dalë nga lufta e tmerrshme me një zgjidhje vërtet neutrale, duhen tre përbërës: vullneti i njërës palë, vullneti i palës tjetër dhe gatishmëria e shtetit në fjalë për të filluar të luajë një rol neutral.
Lidhur me situatën para luftës, ekspertë si Olga Oliker theksuan se shumica e ukrainasve në zonat e kontrolluara nga qeveria e vendit favorizonin anëtarësimin në NATO.
Nicolai N Petro, nga ana tjetër, u shpreh se kjo mbetet e vërtetë vetëm për sa kohë që popullsia e Donbasit dhe ajo e Krimesë nuk llogariten në vlerësim.
Një studim i vitit 2020 zbuloi se në përgjithësi, opinioni i qytetarëve të Ukrainës ishte shumë i larmishëm, me një shumicë (më shumë se 50 përqind) që favorizonte “marrëdhënie të mira dhe pozitive” me NATO-n (jo anëtarësimin), ndërsa mbi 60 për qind gjithashtu favorizonin marrëdhënie “të mira dhe pozitive” me Rusinë.
Ukraina gjithashtu, historikisht, ka patur një qasje të vazhdueshme ndaj neutralitetit si politikë e jashtme. Madje në vitin 1990, ndërsa ishte ende një shtet sovjetik, parlamenti ukrainas miratoi “Deklaratën e Sovranitetit”, e cila specifikonte se nëse ai bëhej i pavarur, vendi i ri synonte të ishte një shtet i përhershëm neutral.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Kievi miratoi vërtet shtyllat e politikës së jashtme të “neutralitetit, statusit jo-bërthamor dhe jobllokut”. Pas marrjes së garancive të sigurisë nga Britania e Madhe, Rusia dhe SHBA-të, Ukraina konsolidoi më tej qëndrimin e saj neutral duke hequr qafe arsenalin bërthamor të trashëguar nga sovjetikët, konform Memorandumit të Budapestit në vitin 1994.
Megjithatë, politika “ushtarake” e Ukrainës nuk u mbështet kurrë në procesin e brendshëm politik, ndonëse në periudhën 1994-2014, shkalla e politikës së neutralitetit ukrainas varej kryesisht nga qeveria në pushtet.
Përshkallëzimi i tensioneve mes Rusisë, Ukrainës dhe NATO-s ka përkeqësuar të gjithë arkitekturën e Sigurisë evropiane, me situatën më dramatike tani pas sulmit ushtarak të Rusisë.
Meqenëse Rusia është e gatshme ta pranojë Neutralitetin, një pozicion ndërkombëtar neutral dhe një strukturë e brendshme federale do të ishin mënyra më pragmatike për ta rikthyer paqen në Ukrainë. Kjo zgjidhje gjithashtu nuk do ta shkëpuste Ukrainën nga lidhjet e saj me Evropën Qendrore dhe Perëndimore.
Një “Ukrainë neutrale” ende mund të tregtojë dhe bashkëpunojë me Perëndimin. Integrimi i mëtejshëm tregtar me BE-në do të mbetej i mundur për aq kohë sa do të ishte i krahasuar me integrimin me ekonominë ruse, për t’i balancuar të dyja.
NATO, Rusia dhe neutralët janë, siç u tha edhe në Forumin Atlantik, “të dënuar të bashkëpunojnë ” nëse do të arrihet një strukturë sigurie funksionale.
Për Rusinë, kjo do të thotë ndalim i luftës pa një pushtim të përhershëm, që Ukraina të pranojë një status federal dhe neutral, dhe që Perëndimi të kuptojë se Siguria evropiane është më shumë se një NATO maksimalisht e madhe.
Një Evropë e qëndrueshme kërkon një strukturë pune që balancon nevojat e Sigurisë të të gjithë partnerëve të saj dhe çon në zgjidhje të konflikteve të bazuara në ligj dhe të gjithëpranuara ndërkombëtarisht.
Një Ukrainë neutrale do të mbetej një pjesë e ndërlikuar e kësaj strukture, por jashtë çdo aleance ushtarake “të vështirë”, ashtu si Zvicra dhe Austria. Dhe kjo nuk do të ishte një humbje për NATO-n, por një fitim për Evropën.
(Pascal Lottaz është një profesor i asociuar i studimeve të neutralitetit në Institutin Waseda për Studime të Avancuara në Tokio.
Ndërsa Nasir A Andisha është Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Republikës Islamike të Afganistanit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Ai zotëron një diplomë doktorature në studimet diplomatike nga Universiteti Kombëtar Australian qysh në vitin 2015).
Përgatiti Dardan MITROVICA