Nga Prof. Abas ERMENJI – Mit’hat Frashëri i ynë

Kush mendonte dy muaj më parë, se sot do të mblidheshin për të kujtuar Mit’hat Frashërin e vdekur! Jo atëhere, por s’na vjen t’a besojmë as tani; na duket sikur s’është e vërtetë, sikur Plaku ynë ndodhet akoma pranë nesh, rreth nesh, na shikon me butësi, na flet, na jep këshilla. Fytyrë e ëmbël, flokë-bardhë, s’don të na hiqet asnjë çast nga mëndja, dhe duket sikur na tingëllon vazhdimisht në shpirt ajo fjalë e tij aqë e thjeshtë, siç janë mendimet e mëdha, “DUHET TË JEMI SHËRBËTORËT E SHQIPËRISË”.
Mit’hat Frashëri! Që ndodhej gjithnjë me ne, në çetë, në mal, këmbë ose hipur në mushkë, por gjithmonë pranë Flamurit; Mit’hat Frashëri që s’tronditej kurrë, që ish gjithmonë ai, që s’nxehej e s’ftohej as kur fuqitë tona ecnin në fitore, as kur armiku na ndiqte me zjarr e vdekje, as kur tërhiqeshim nëpër shira e baltra, as kur muarëm udhët e arratisë. Gjithnjë me ne, në dërrasat e ashpra të kampeve, gjithnjë me ne, kur duhet rrojtur vetëm me bukë e ujë. S’e dëgjoi njeri t’ankohej, të thosh “u lodha” ose “s’jam mirë”. Ai ish i vetëdijshëm për misionon e tij, ai e kuptonte se ç’fuqi na jepte, se ç’besim na frymëzonte qënia e tij pranë nesh.
Trashëgimtar i denjë i brezit të Rilindjes, atij i binte barra të përcillte në zemrat e reja frymën e Naimit, t’Abdylit e të Vaso Pashës. Ai ish burri që lidhte traditën kryengritëse të shekullit që shkoi me luftën e ashpër që bëhet sot për liri, Ai mbyllte perden e kohës së perënduar dhe hapte faqen e historisë sonë të re.
Si i tillë, e ndjente edhe Ai vetë se ç’fuqi ushtronte pranë nesh. Nëpër të, nëpër syt’ e tij të shkëndijshëm, nëpër atë “krip që kish ra bora” na fliste një shekull histori, na shfaqej shembulli i dy brezave heronjsh, dhe bëheshim tri herë më të fortë.
Mit’hat Frashëri ish plak i këndshëm e i dashur, fjalë e tij ish gjithmonë e kripur me humor të hollë, që tregonte kthjelltësinë e një shpirti delikat, e një mëndje të gjërë që i merr me buzëqeshje kotësitë e njerzëvet. Por nganjëherë, papritur, humori shuhej në buzët e tij, vijat e fytyrës thelloheshin si rrudhat e një shkëmbi madhështor, syt’ i lëshonin tjetër dritë, dhe Plaku ynë merrte një hije patriarku: kjo ngjante në ato raste ku duhej të tregoheshim Shërbëtorë të Shqipërisë. Punët e njerëzve, Mit’hat Frashëri i merrte përgjithësisht me një tallje të lehtë filozofi, vetëm një ish pasioni i tij, atje ku s’kish vend tallja, atje ku lëshohej me misticizmë: Shërbimi ndaj Shqipërisë.
***
Lindur bashkë me Lidhjen e Prizrenit, n’atë kohë kur lindnin shpresat për një mëmëdhe të lirë, dhe rritur me frymën e nxehtë të Ringjalljes Kombëtare, ish e shpjegueshme që Mit’hat Frashëri të bëhej fanatik i një feje, i fesë “Shqipëri”. Dhe këtij kulti ia kushtoi të tërë punën, të tërë jetën e tij, për një gjysëm shekulli.
Veprimtaria e këtij fanatiku Shqiptar shtrihet në të gjitha drejtimet e jetës kombëtare. Që kur ish fare i ri, i përkëdhelur nga shëmbulli i t’ungjërvet Naim e Sami, nga shembulli i Vaso Pashës, i Jani Vretos e të tjerë burrash pende e mendimi që përpiqeshin, jashtë Atdheut, të punonin gjuhën, të mëkëmbnin idenë kombëtare, t’i tregonin Shqiptarit historinë e tij, detyrat i tij, Mit’hat Frashëri iu kushtua mjeshtërisë së shkrimit. Bën pjesë në Shoqërinë e Stambollit, nxjerr Kalendarin Kombiar, drejton në Selanik e Sofje, bashkë me patriotin e shquar Kristo Luarasi, gazetën “Liria”, të përkohshme “Dituria”, boton aty-këtu shkrime me karakter letrar ose shoqëror, si “Hi e Shpuzë”, “Plagët t’ona”, merr pjesë më 1908 në Kongresin e Manastirit, ku u bisedua për të fundmen herë abeceja Shqipe.
Mit’hat Frashërin e intereson çdo gjë që lidhet me jetën shqiptare, me gjuhën, me historinë, me nevojat e vendit, me çështjen e Shqipërisë. Prandaj dhe shkrimet e tij janë të shumë-llojshme: aty kallzon prralla, me një kuptim moral ose politik, këtu shënon ngjarje historie, atje jep këshilla si të duam atdhenë, se si të duam njëri tjetrin, se si të bëhemi t’urtë e puntorë. Të gjitha këto shkrime janë derdhur me një thjeshtësi të këndëshme, si biseda rreth vatrës.
Lufta me pendë, ishte pregatitja e luftës me armë. Më parë duhej zgjuar populli, duhej shkundur nga letargjia e qindra vjetëve, duhej të njihte vehten nëpërmjet të gjuhës e të historisë së tij, për të qënë i zoti pastaj t’i përvishej luftës s’organizuar për liri e pamvarësi. Këtë nevojë të ngutshme e kishin kuptuar mirë flamurtarët e Rilindjes. E marrim më mend se ç’peshë rëndonte mbi zemrat e atyre burrave, kur shikonin një popull të humbur në terr e që s’njeh dot vet-vehten, kur shihnin gjuhën shqipe pa një abecene të sajnë, Shqipja, gjuhë e Orakujve të hershëm, gjuha me të cilën komandoi Teuta detin dhe Gjergj Kastrioti hodhi ushtarët në sulm.
Dëshpërimin e atyre zemrave e kuptojmë nga psherëtima vigane e Vaso Pashës :
Mori Shqipni, e mjera Shqipni,
Kush të ka hudhë me krye në hi!
N’atë shkollë, n’at’afsh të zjarrtë dashurije për atdhe, u mbrujt e u poq shpirti i Mit’hat Frashërit. Këtu kuptohet fanatizmi i tij për gjuhën, për kombin, për historinë, për kufitë, për çdo gjë që prek Shqipërinë.
Por Lumo Skëndua s’kufizohet vetëm në shkrime e këshilla; ai hidhet në veprim, përzjehet në përleshjet e kryengritjevet, shtyn popullin në luftë për mbrojtjen e kunvet, është atje ku ngrihet Flamuri merr pjesë më 1912 në Qeverinë e Vlorës, merr pjesë, në kohë të Vid-it, në Qeverinë e Durrësit.
Gjatë Luftës se Parë Botërore, përpiqet, bashkë me patriotë të tjerë, të kthjellojë mendimet e errëta që disa qarqe të jashtme kishin për Shqipërinë. Ne mbarim të luftës, shkon në kuvendin e Paqes, në Paris, si anëtar i përfaqësisë Shqiptare, ku mundohet të mbrojë, me energji fanatiku dhe hollësi diplomati, kufitë e 1913-ës. Për të hedhur pak dritë, në botën e jashtëme, mbi të drejtat e Shqipërisë, shkruan e boton në frëngjisht “La Question de I’Epire”, “Slaves et Albanais”, “Les Albanais chez Eux”. Nëpër konferenca ndërkombëtare mundohet, me shkathtësine e një diplomati të regjur, të kthejë gjykimet e qarqevet të jashtme në të mirë të vëndit të tij. Shërben si Ministër i Shqipërisë në Paris, më vonë në Athinë, gjer më 1925. Pastaj hiqet nga dega e diplomacisë dhe i kushtohet tërësisht misjonit t’apostullit.
Zakonin që kish marrë në të ri, që të këshillojë shqiptarët që të duan vendin e tyre, të bëhen punëtorë të mirë e t’urtë, të ruajnë me dhëmbshuri trashëgimin kombëtar, Mit’hat Frashëri e mbajti për tërë jetën. Libraria etij në Tiranë ishte një shkollë Shqiptarie, një vent ku bisedoheshin pothuajse vetëm çështje që kanë të bëjnë me vëndin t’onë, me punët t’ona, me jetën t’onë kombëtare. Nxënës, mësues, shkollarë të çdo dege, njerës të mësuar e të pamësuar hynin e delnin në librarinë e tij si në shtëpi të tyre. Gjithsecilit kish diçka për t’i thënë. Njërit i jepte një këshillë, tjetrit i tregonte diç nga ato që kish parë e dëgjuar, ndokuj i kallzonte se si dëftehen të çkathët Shqipëtarët jashtë Atdheut. Pastaj binte biseda mbi Kosovën. Aty rëmohej plaga më e madhe e tij; dhe Mit’hat Frashëri fliste orë të tëra mbi Kosovë e Kosovarë, i tregonte ngjarjet e asaj ane një e nga një, që nga Lidhja Prizrenit. “Shqipëria Etnike”, thosh me mallëngjim, “duhet të punojmë për të bërë Shqipërinë Etnike”, dhe shpesh herë sytë e thellë të plakut mbusheshin me vaj.
Rrebeshi i Prillit të 1939-ës i shkundi edhe njëherë nervat e tij dhe i dha forcë të riu. E kuptoi se po hapej një periudhë e re për historinë e Shqipërisë dhe, pa përtuar këmbën, i pëlqeu t’a hedhë ai çapin e parë, me hovin e një djaloshi. Afron patriotët e vjetër, afron të rinjt e ndezur, afron arsimtarët, u thotë të shtengohen për një luftë të gjatë. Dhe kështu lindi Balli Kombëtar.
Vimë tani në pikën-kulm të jetës së Mit’hat Frashërit, n’atë vijëmendimi të tij që del përmbi të tjerat: Mt’hat Frashëri i kuptoi kohët e reja dhe, në vent që të mbetet i ngrirë në të kaluarën, ashtu si ngjan përgjithësisht ndër pleqtë, ai mori përsipër barrën vigane t’a kapërzeje kombin prej një faze historike në tjetrën. Ai i kuptoi arsyet e mëdha të luftavet të sotme, e ndjeu çastin historik ku jetojmë dhe, për të qënë në pajtim me kohën, u dolli përpara nevojavet të reja të Shqiptarëvet me Dekalogun e Ballit Kombëtar.
Me të vërtetë, lufta që bëjnë sot popujt për liri politike, për një ndarje më të drejtë të pasurivet dhe të frytit të punës, është pjella e qytëtërimit të kohës, është shtytja e shkencës dhe e maqinës, që i këputi lidhjet e vjetra ndërmjet njerëzvet, që i theu trajtat shoqërore të dikurshme, dhe ngjalli nevojën për një ekuilibër të ri.
Në një kohë kur rrëmbesa e historisë i heq popujt përpara, të duash të qëndrosh i mbërthyer në të kaluarën, është barabar si t’i dalësh valës në ndesh, ose siç kërkon i mbyturi të mbahet nëpër rrënjët e kalbura.
Mit’hat Frashëri u dëftye përmbi paragjykime shoqërore, pikpamje e mënyra të menduari që lidhëshin me kohën e të rriturit të tij, u dëftye nga ata priesa të palodhur që s’mbetën kurrë në vent por ecin bashkë me kohën.
Ndonëse me moshë i përkiste një brezi tjetër, një brezi që luftonte vetëm për pamvarësinë politike të Shqipërisë, me mendime, Mit’hat Frashëri kapërxeu në kohët e reja, dhe u tregua burrë që di të sundojë dy epoka. Dijti të qëndrojë në ballë të luftës kur duhej, që Shqipëria të delte zonjë më vehte, por dijti më vonë t’iu shënojë edhe udhën e përparimit shqiptarëvet, kur erdh koha që populli ynë të delte nga gjëndja shoqërore e Mesjetës dhe të merrte ndjenjë e shëndet të ri.
Dijti të na tregojë shtigjet drejt s’ardhmes, me Dekalogun e Ballit Kombëtar. Këtu qëndron lartësia e tij.
E dimë të gjithë që Plakut t’onë i vinte rëndë po t’i thoshnje plak. Përnjëherësh i mvrenjteshin sytë e shkëndijshëm, dhe t’a kish gati pyetjen: “Cili është plak?” Me këtë donte të thoshte se ai, qëkurse rrinte me të rinjtë, kish mendimet dhe shpirtin e të rinjvet.
S’më harrohet ajo mbrëmje e korrikut të 1948-ës, n’Athinë, kur hëngrëm darkën me të, natën e fundit para se të nisej për në Turqi. I prekur prej rrethimit t’onë, u ngrit e foli: “Çkëputem me mallëngjim prej jusjh, se e ndjenj vehten i rrethit t’uaj, e ndjenj vehten një me ju, djalosh si ju, me shpirt e me mendime”, dhe, duke folur, iu mbushën sytë me lot.
Ashtu ish me të vërtetë. Mit’hat Frashëri është i brezit t’onë, siç qe edhe i brezit të Rilindjes, është njeriu i dy epokave; është burri që bashkon shpirtin e Rilindjes kombëtare me hovin përparimtar të sotshëm. Është ndërmjetësi që lidh traditën e vjetër Shqiptare me idetë sociale të reja. Luftoi atëhere për çlirimin e Shqipërisë, luftonte tani për çlirimin e popullit shqiptar. Kur ish afër fitorjes, komunizmi ia preu udhën. U përpoq t’a thyejë me armë, nuk mundi. Ranë me mijëra Dëshmorë n’atë dyluftim epik, Burrat më të shquar të Shqipërisë dhanë jetën për t’i sjellë vendit liritë demokratike. Rreth Ballit Kombëtar, ndenë urdhërat e Mit’hat Frashërit, vrapoi lulja e djalërisë. Një pjesë e saj u korr duke mbrojtur traditën e Shqipes. Të tjerë delnin, nëpër ato gjurma gjaku, që vazhdonin punën, vazhdonin luftën.
Ballanca e fuqisë anoi nga ushtria e tmerrit, pse ajo përfitonte prej peshës së komunizmit ndërkombëtar. Atëhere Mt’hat Frashëri u shtrëngua të tërhiqet, por jo të thyhet. Mori udhët e mërgimit, me flokë të bardhë, ku u tregua aq i fortë e i patundur sa kish qënë edhe me flokë të zes. Të gjithë mërziteshin, përveç atij. Të gjithë tronditeshin, përveç atij. Nga muret e errëta të kampevet, u mundua, me fjalë e shkrime, të ndriçojë botën e jashtëme mbi Shqipërinë, mbi çështjen Shqipëtare.
Si udhëheqës i Ballit Kombëtar, në bashkëpunim me patriotët e grupeve të tjerë, formoi tani vonë Komitetin “Shqipëria e Lirë” akti i fundit i jetës së tij. Tek po mundohej të ngrinte zërin e Shqipërisë ndër popujt e botës së lirë, ndërhyn vdekja e i tha “Mjaft” – dhe Mit’hat Frashëri ra madhërisht në mes të betejes, ashtu si bjenë shampionët e idevet. Atë, që s’mundi t’a shqepë nga rreshti i luftës as lodhja, as pleqëria, e shqepi më në fund vdekja.
Ky qe Mit’hat Frashëri i ynë.
***
Por si i bëhet që ne na duket sikur është gjallë akoma, sikur ndëgjojmë akoma zerin e tij, dhe e kemi shpirtin gjithnjë të mbushur me fytyrën e ëmbël flokë-bardhë?!
Kjo kuptohet po të mendojmë se, tek ne, Mit’hat Frashëri s’kish vetëm vleftën e njeriut, por na sillte me vete kujtiminin e një shekulli histori.
Nëpër të, nëpër sytë e tij të shkëndijshëm, nëpër atë “krip që kish ra bora”, na fliste koha që Lidhja e Prizrenit, na fliste Ali Pasha i Gucisë, na fliste Hoti e Gruda, na fliste Vaso Pashë Shkodrani, na fliste Naimi, Vretua, De Rada, Fishta, na fliste Kryengritja e Kosovës, na fliste Flamuri i Vlorës, na fliste lufta e djeshme, na fliste lufta e sotme.
Nga fjala, nga shikimi i Mit’hat Frashërit derdhesh në shpirtrat t’onë i tërë ky varg kujtimesh historike, që na nxehte, na dehte, na mësonte t’a lidhim luftën e sotëshme me të djeshmen.
Nëpër punën e Mit’hat Frashërit, kuptonim se si shpirti i shqiptarisë rrjedh si një vijë e pakuptueshme prej kohës në kohë, e prej një brezi në tjetrin.
Mit’hat Frashëri s’qe vetëm njeriu i Ballit Kombëtar, Ai ish frymëzonjësi i dashurisë kombëtare, ish Flamurtari i Shipëtarëvet, pa dallim partish e prirjesh politike. Kujtimin e Mit’hat Frashërit duhet t’a ruajmë e t’a nderojnë të gjithë ata Shqipëtarë që duan të shohin më të vërtetë një Shqipëri Etnike, të lirë e të lulëzuar. Duhet nderuar kujtimi i tij, ashtu si nderohen flamujt e betejavet.
Sepse Ai ish njeriu nëpër të cilin rrithte tek ne vargu i kujtimevet historike, prandaj na ngjan sikur s’ka vdekur: se historia jonë është e pavdekshme.
Siç na duket i gjallë tani, ashtu do të na duket i gjallë në çdo kohë; fyryrë e tij do të kalojë nga ne tek bijtë t’anë, tek bijt’ e bijvet t’anë, tek stërnipat më të largët, dhe do të ndrijë e gëzuar gjithsaher që shqipëtarët të tregohen “Shërbëtorët e Shqipërisë”.
(Fjala e Abas Ermenjit e mbajtur në përkujtimoren e organizuar Bagnoli të Italisë më 27 nëntor 1949)